E premte, 29.03.2024, 08:53 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Kosova, krahina e një të kaluare të përgjakur

E marte, 19.02.2008, 05:56 PM


Fushatat antishqiptare që filluan rreth vitit 1300. Serbia, dhjetëra fushata spastrimi etnik në shekuj

Origjina e konfliktit në mes të shqiptarëve dhe serbëve në masë të madhe i ngarkohet rishfaqjeve periodike të lëvizjeve nacionaliste që, në intervale të rregullta, kanë qenë në gjendje të dominojnë të dy grupet. Qëndrimi i vetëkënaqur i bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka mbajtur një pikëpamje dritëshkurtër në ballafaqimin me ndarjet etnike, u ka ofruar hapësirë politike këtyre lëvizjeve nacionaliste që të veprojnë. Pushtimi osman i trevave shqiptare pas vitit 1389, megjithëse solli me vete ndryshime të rëndësishme në planin politik, ekonomik, shoqëror e ideologjik, nuk e ndryshoi në thelb fizionominë e strukturës etno-kulturore të nacionalitetit shqiptar në Kosovë dhe në Rrafshin e Dukagjinit. Vendosja e sundimit osman në Kosovë shënoi një ndryshim rrënjësor në zhvillimet politike, ekonomike dhe shoqërore të kësaj treve. U asgjësuan strukturat e pushtetit rasianë-serb dhe bashkë me to edhe pushteti ekonomik i feudalëve serbë dhe atij kishtar. Me vendosjen e sundimit osman në Kosovë, u shënuan ndryshime thelbësore edhe në jetën shoqërore. Kështu, gradualisht, një pjesë e popullsisë shqiptare braktisi fenë e krishterë dhe përqafoi fenë islame. Një ndër faktorët që e lehtësoi depërtimin e islamit në masën e popullsisë kosovare ishte prirja e saj për t’u larguar nga autoriteti fetar i kishës serbe. Ashtu si e gjithë popullsia shqiptare e islamizuar, edhe ajo e Kosovës ndryshoi vetëm fenë, pa prekur qenien e vet etnike shqiptare.

Fushatat

Çlirimi i viseve të Pashallëkut të Beogradit dhe 6 nahijet gjatë viteve 1800 e deri në vitet 1875 ishte e drejtë legjitime serbe. Mirëpo, në anën tjetër, ajo largoi popullatën joserbe nga ato treva. Kështu, sipas një shënimi historiografik nga periudha 1800 e deri në vitin 1875 thekson se qarqet ushtarake dhe qeveritare serbe i larguan nga viset e lartpërmendura dhe nga Lugina e Moravës, siç thuhet aty, rreth 150.000 banorë shqiptarë. Regjimet e Dinastisë së Obrenoviqëve (1817-1903) vazhduan politikën terroriste shtetërore ndaj shqiptarëve e boshnjakëve edhe gjatë viteve ‘30 të shekullit XIX me qëllim të spastrimit etnik. Në frymën e kësaj politike, qeveria e Principatës së Serbisë urdhëroi më 1832 që çdo shqiptari dhe boshnjaku, që kapet në territorin e Serbisë, t’i mëshohen nga 25 të rëna me shkop, ndërsa më 1834-n urdhëroi që të përdoret ushtria për t’u djegur fshatrat. Programi i politikës së jashtme të Serbisë për pushtimin dhe kolonizimin e viseve shqiptare u përpunua në “Naçertanie” (1844) të Ilia Garashaninit - politikan dhe më vonë kryeministër i Qeverisë së Mbretërisë së Serbisë. Përmbajtja e “Naçertanies” mbështetet në krijimin e të ashtuquajturës Serbi Jugore me të cilën nënkuptohej Kosova e Maqedonia me tokat shqiptare të saj, por edhe Shqipëria Veriore, për të krijuar kështu të ashtuquajturën “Perandori të car Dushanit”. “Naçertania” rrezatoi në shtetin serb, në organet dhe në institucionet e tij, sikurse edhe në aktivitetet e pushtetarëve të tij prej vitit të përpilimit të saj e deri në ditët tona. Në objektivat e “Naçertanies” kanë gjetur mbështetje sidomos politika e gjenocidit të pushtetit serb ndaj shqiptarëve. Format kryesore të politikës gjenocidale të pushtetit serb ishin dhe ngelën dëbimi dhe deportimi i shqiptarëve nga trojet e veta dhe kolonizimi i këtyre trojeve me popullsi sllave.

Teoria

Në valën e kryengritjeve të përgjithshme shqiptare (1908-1912), qeveria e Serbisë shpalli programin e ri serbomadh me titull: ”Direktiva për punë me shqiptarët” (Direktiva za rad sa Arnautima), duke dëshiruar që të shkatërronte tërë një popull. Në atë program, në mes të tjerash, ishtë një pamflet dedikuar opinionit europian me titull “Arnauti i velike sile”, të autorit Vlladan Gjorgjeviq. Ai pamflet prej 188 faqesh u bë që pushteti serb të arrinte lejen për likuidimin e shqiptarëve, të publikuar në disa gjuhë. Me atë kërkonte të “dëshmonte” se “shqiptarët nuk e kanë gjuhën, nuk i kanë librat e veta (letërsinë), nuk e kanë historinë e vet, me atë sipas orientimeve (programeve) serbomadhe nuk kanë të drejtë në jetë, nuk kanë të drejtë të ekzistojnë, nuk kanë të drejtë të formojnë kurrfarë shteti. Ushtarakët serbë për të realizuar qëllimin e dëbimit dhe të kolonizimit kishin përdorur mjetet më brutale të likuidimit fizik të shqiptarëve, duke mos i kursyer as fëmijët, gratë e pleqtë. Mbi 35.000 shqiptarë të moshave të ndryshme gjetën vdekjen nga zjarri i armëve, i bajonetave, nga djegiet për së gjalli, nga ngrirjet në dëborë e akull. Pati edhe shumë nëna të ngrira me foshnje në gji. Pastaj ata plaçkitën, dogjën e shkatërruan shumë fshatra shqiptare. Djegiet e shkatërrimet e shtëpive të shqiptarëve qenë të pallogaritshme, gati të gjitha fshatrat shqiptare u bënë shkrumb e hi në kulmin e dimrit të ashpër. Vetëm në njërën nga lagjet e qytetit të Nishit qenë bërë shkrumb e hi 300 shtëpi shqiptare. Grabitjet e pasurive ishin masive, duke nisur që nga stolitë e deri te mobiljet, shtrojë-mbulojë, veshjet, paratë, drithërat, bulmetrat, bagëtitë etj.

Kronologjia e ngjarjeve që paraprinë pavarësinë e Kosovës

* 1968 – Ndodh demonstrata e parë pro pavarësisë nga shqiptarët e Kosovës, shumë arrestohen.
* 1974 – Kushtetuta jugosllave e deklaron Kosovën një provincë autonome brenda Serbisë.
* 1981 – Shqiptarët në demonstrata, kërkojnë që Kosova të bëhet Republikë, dhjetëra të plagosur e të vrarë.
* 1989 – Presidenti serb, Sllobodan Millosheviç, i heq Kosovës autonominë.
* 1990 - Jugosllavia dërgon trupa ushtarake në Kosovë. Serbia shpërbën qeverinë e Kosovës.
* 1991 – "Separatistët" proklamojnë Kosovën republikë, e cila njihet vetëm nga Shqipëria.
* 1992 - Ibrahim Rugova zgjidhet President i Republikës.
* 1996 – Formohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës pro pavarësisë, bomba kundër policisë.
* Mars 1998 – Dhjetëra të dyshuar si separatistë shqiptarë vriten nga policia serbe.
* Prill 1998 - 95 për qind e serbëve refuzojnë ndërmjetësimin ndërkombëtar mbi referendumin e Kosovës.
* Prill 1998 - Grupi i Kontaktit për Ballkanin, sanksione ndërkombëtare kundër Jugosllavisë.
* Maj 1998 – Millosheviç dhe Rugova bisedojnë për herë të parë, shqiptarët bojkot bisedimeve.
* Korrik-gusht 1998 – UÇK merr kontrollin e 40 për qind të Kosovës para ofensivës serbe.
* Shtator 1998 – Forcat serbe sulmojnë fshatrat në Drenicë, masakrohen dhjetëra shqiptarë.
* Tetor 1998 – Aleanca NATO autorizon sulmin ajror kundër ushtrisë serbe.
* Tetor 1998 - Millosheviç bie dakord për bisedime me të dërguarin e SHBA-ve, Richard Holbrooke, për tërheqje.
* Tetor-dhjetor 1998 – I dërguari i SHBA-ve, Christopher Hill, përpiqet për marrëveshje politike, shpërthen dhuna.
* Shkurt 1999 – Të dyja palët bien dakord për një konferencë paqeje për Kosovën.
* Mars 1999 – Beogradi autorizon marrëveshjen e paqes të nënshkruar nga shqiptarët.
* 24 mars 1999 - NATO nis fushatën bombarduese kundër Jugosllavisë për 78 ditë.
* Mars-qershor 1999 – Forcat serbe përzënë 800 000 shqiptarë drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë.
* 10 qershor 1999 - Millosheviç pranon të tërheqë trupat nga Kosova pas propozimit të NATO-s për administrimin e saj nga OKB. NATO, stop bombardimeve.
* 12 qershor 1999 – 50.000 paqeruajtës zbarkojnë në Kosovë. Kthehen të ikurit shqiptarë.
* Shkurt 2002 - Rugova zgjidhet presidenti i parë i vendit, që kur OKB-ja mori administrimin. Zgjidhet Parlamenti dhe qeveria.
* Tetor 2003 – Nisin bisedimet e para të drejtpërdrejta mes Serbisë dhe liderëve të Kosovës që në vitin 1999, pa marrëveshje.
* Mars 2004 – Shpërthen dhuna më e madhe etnike mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë
* Janar 2006 - Rugova vdes nga kanceri i mushkërive në Prishtinë.
* Shkurt 2006 – Nisin bisedimet e ndërmjetësuara nga OKB-ja për statusin e Kosovës.
* Qershor 2006 – Liderët shqiptarë dhe serbë mblidhen për të diskutuar statusin, pa marrëveshje.
* Tetor 2006 - Serbia zhvillon referendumin, aprovohet Kushtetuta që e njeh Kosovën si pjesë integrale të Serbisë.
* 21 janar 2007 - Serbia zhvillon zgjedhjet parlamentare. Fitojnë radikalët.
* 26 janar 2007 – I dërguari i OKB-së, Marti Ahtisari, paraqet planin e tij para Grupit të Kontaktit.
* Shkurt 2007 - Ahtisari paraqet propozimin e tij para presidentit serb dhe liderëve shqiptarë, Kosova shkon drejt shtetësisë.
* 17 shkurt 2008, pas propozimit të kryeministrit Hashim Thaçi, Kuvendi i Kosovës voton me 109 vota Deklaratën e Pavarësisë.

Jugosllavia komuniste, Kosova fitoi autonominë

Pas çlirimit nga okupimi nazi-fashist, Kosova u rianeksua nga ushtria partizane dhe Kushtetuta e Republikës Popullore të Jugosllavisë (1946). Gjatë kësaj kohe (1950 -1970), një numër i madh i shqiptarëve nga Kosova u detyruan të emigrojnë në Anadoll të Turqisë si rezultat i marrëveshjes Tito – Qupurli. Pas demonstratave të studentëve në fund të viteve ’60 të shekullit XX për lirimin e përdorimit të flamurit dhe amendamenteve kushtetuese të vitit 1972, u hap rruga për miratimin e Kushtetutës së vitit 1974, me ç’rast Kosova ishte njësi autonome e barabartë me njësitë e tjera konstitutive të RSFJ-së. Më tej rreth vitit 1981, lëvizja e studentëve dhe punëtorëve manifestoi kërkesën për shtetësinë e Kosovës brenda federatës si njësi plotësisht e barabartë me republikat e tjera. Kjo lëvizje ngriti agresivitetin nacionalist të pushtetit serb dhe përfundoi me abonimin e Kuvendit të Kosovës dhe zhvlerësimin e Kushtetutës. Me këtë akt, Serbia rianeksoi Kosovën, ndërsa kosovarët (qeveria në mërgim) në anën tjetër shpallën pavarësinë më 24 maj 1992, si dhe Kushtetutën e Kaçanikut.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora