E merkure, 24.04.2024, 04:31 AM (GMT+1)

Mendime

Sadri Kastrati: Viti i mbrapsht

E marte, 27.09.2011, 07:58 PM


Viti i mbrapsht

 

Komedi shumë shumë e vogël, veç me tri akte

 

Shkruan: Sadri KASTRATI

 

Akti i pare

 

Tuj pjekë shniclla të Karagjorgjit, Salih Kabashi  bëri dy shkrime që gati mund të ishin një,vetem njëra kishte me pak kripë. U habit edhe vet kur e pa se sa lartë goditi ,mu te koqet e Zeusit .
Kurr nuk kishte dëgjuar gjë në rininë e tij për Fatosin e Krujes. As në  këngët popullore që barteshin që pesëqind vjet nga goja në gojë, nuk kishte dëgjuar gjë. Kishte dëgjuar këngë për pashallarë por për këtë…!Kur mësoj në shkollë “srbski”,këtë burrë që po na sjellë probleme, e quanin Kastriotoviq, pra serbët donin ta hanin “shnicllen”.
Kishte shumë të drejtë  ministri turk kur tha se duhet të korrigjohet historia. A ka diçka më fyese dhe më armiqësore për turkun se sa në librat tona të mësohet dhe të këndohet për Skënderbeun, atë djalë shkapërdar që i ktheu dorë Perandorisë? Për të mirën e tij e kishte sjellë Sulltani  në Stamboll,e kishte rritur bashkë me birin e tij,e kishte dërguar gjithandej nëpër vendet ma luksoze të Azisë  dhe në fund e ka tradhtuar. A ka diçka më fyese se ky harbut të jetë në librat tona dhe të lavdërohet?Sigurisht se jo!Edhe unë pajtohem plotësisht me ministrin turk e bashkë me të edhe me Salihun.
- Eh Salih Salih! Rrotulloj shnicllat se t’u dogjën.
Lavdia  e Skënderbeut është e fabrikuar. Ai ishte njeri sikur ne,me dy këmbë dhe dy duar. Nuk ishte i pa mposhtur siç mendonin turqit. Ja ,dhe Salih Kabashi e mundi. Kot turqit e zhvarrosen dhe ja vodhën eshtrat. Asgjë nga ai  nuk të bën të pavdekshëm, përpos emrit.
Është shumë indinjuese që kyfar Skënderbeu është futur në Kosovë pa vizë, sikur në shtëpi të vet dhe rehatohet gati në çdo odë të burrave dhe atë në ballë të oxhakut. Ka ardhur në Prishtinë pa pyetur aske, bile as Beligratin që e ka këtë tokë me tapi. Vërtetë nuk e meriton,fare nuk e meriton. A e dini pse?  -Kishte ngatërresa me Lekë Dukagjinin, ngase ky i fundit ishte opozitë dhe Skënderbeu nuk e duronte opozitën. Pastaj, ishte biznesmen shume i keq. Kishte bërë ca kambiale pa mbulesë dhe për me keq kishte mashtruar Papën për t’ ja hequr hipotekën e një kredie të madhe që kishte marr në një bankë të Ragusë.
Ajo që është shumë e sigurt dhe të gjithë historianët e dokumentojnë është se Skënderbeu nga gjaku nuk ishte i pastër. Nëna e tij ishte sllave. Ndërsa, Salih Kabashi nuk e ka këtë problem,tash në pleqëri është zbardhur .
-Heu Salih,Salih!Tu poqën shnicllat, merri tani, hai hai se mbaroj Akti.
 
Bie perdja.
 
Akti i dytë.


Njëra nga figurat më markante ,me vizionin më të qartë për kombin,me trurin më të kthjellët që s’ e ka askush ndër shqiptarët është Nexhmedin Spahiu.
-Jo jo jo,s është ashtu.-thotë. -Mjaft me teorinë marksiste për kombin. Siç duket shqiptarët s’ kanë lexuar teori tjetër përpos asaj të Stalinit mbi kombin. Kjo është marrëzi. Teorinë më të mirë e kam bërë unë. A e dini se  çka është kombi?  -Kombi është një grup njerëzish që jeton në një vend, flet disa gjuhë, kanë disa fe, kanë himnin evropian dhe flamur me fjalën e fundit të teknologjisë. Ja pra, as topi s’ e luan.
Ky patriot vizionar ja ka gjetur dyzenin,mu sikur doktor Adhamudhi. Duke e parë fenomenin e skrrajës së shiut që kur ta këputësh në mes bëhen dy trupa, atëherë pse nga shqiptarët të mos dalin dy kombe. Kjo është teori më e qëndrueshme sesa ajo e Darvinit.
Çfarë t’u them më shumë spektatorëve për këtë figurë? Kur dikush thotë se uji rrjedhë teposhtë lumit, ky thotë,jo s’ është ashtu,uji rrjedhë telartë lumit dhe pastaj media duhet të jap hapësirë të mjaftueshme për mendimin ndryshe. E  kush e meriton më shumë…?
Eh, tani sërish do na shtoj gazin ministri turk. Efendi Nexhmedini ,duke komentuar kërkesën e ministrit, gjithnjë mbështet mbi formulën e shpikur mbi kombin,bile për të mos e tepruar me detaje,kjo formulë i ndihmon për të zgjedhur të gjitha problemet shoqërore,se paku ato që i kap sociologjia, pra, thotë se,mosnjohja e kësaj teorie nga shqiptarët, na bënë që Skënderbeun ta marrim si një hero kombëtar, kur dimë se në kohën e tij s’ kishte komb fare;termin “Rilindje Kombëtare” të mos e përkthejmë drejt nga termi “Renesancë”; shkrimtarët e kësaj periudhe të hedhin vrer pikërisht në mikun më të madh të shqiptarëve-Turqinë.
Konflikti me Turqinë ka zgjatur vetëm 33 vjet dhe mu pikërisht se kishim koncepte të ndryshme për kombin,etj. Hallall, Hallall!Asnjë shqiptari s’ i kishte vajtur mëndja.
Ka qenë shumë më mirë të mos e shkruanim historinë fare,ose së paku regjimet tona s’ është dashur të lejojnë ta shpikin këtë histori fyese. Aq shumë na ka dashur Turqia neve sa mezi i kemi dalë nga gabzherri. E pse tani u dashka ta fyejmë duke përmendur Skënderbeun?
Nexhmedin Efendiu qeshë vet me vete, sepse e din se, si gjithnjë dhe kësaj radhe ja ka futur kot.
-Hë, e hëngri pazari?  -pyet!
-Po po Nexhmedin, po e hanë dhe ca ditë. Ik tani se të mbulojë perdja e zezë.
 
Akti i tretë.


Kurrë s’munda ta mësojë se kush ja bëri Halil Matoshit gjirin e nënës me spec. Ne, vërtet s’kemi pasur një nënë shumë të dashur, po ku do ta gjejmë tjetrën. Pastaj, e folmja e Halilit është pakëz e vrazhdë por është shqipe. Me një fjalë, s’munda ta gjejë faktin se përse ky kërkon një nënë të re. E megjithatë, mire ia bëri. Ç’ju desh Frasherllinjëve të këndojnë vetëm për Shqiperinë dhe shqiptarët.Përse e harruan kombin kosovar dhe kosovarët?Sigurisht se nuk e kanë njohur doktrinën evropiane dhe amerikane për kombin. Jam shumë i sigurt se as kartën e OKB-së për të drejtat e njeriut nuk e kanë pasur në dorë ndonjëherë. Prandaj nuk e kanë njohur problemin kosovar që ishte vetëm problem i të drejtave të njeriut.
Tani jemi afër zgjidhjes. Frasherllinjtë dhe gjithë ata që bënë letërsi shqiptare le t’i ngelin Shqipërisë. Do t’i ndajmë shkrimtarët, do t’i ndajmë artistët, do ta ndajmë gjuhën, bile dhe këngët popullore do t’i ndajmë, vetëm politikanët nuk mundemi sepse janë njësoj. Do ta krijojmë njeriun e ri dhe kombin e ri,sepse,shteti e bëka kombin e jo kombi shtetin. A e shihni pra se bashkimi ynë është johistorik dhe mbi të gjitha sjellë varfëri. Historinë tonë e bënë Grupi i Kontaktit dhe ai na ka treguar si është më mirë për ne. Shembulli më i mirë është se si Bashkimi Evropian u varfërua pas bashkimit.
Kështu pra, Zoti Matoshi me një orientim dhe bindje krejtësisht evropiane,nganjëherë trullavet dhe nuk e përfill globalizimin. Ky është delli i një intelektuali të madh që rrok shpatën për të luftuar me mullinjtë e erës. Në kohën e shuarjes së kombeve shpik një komb të ri. Derisa kombet bashkohen në një shtet të vetëm dhe atë pa ndërruar përkatësinë kombëtare,ky nga një i bënë dy. Pra, marre me thënë por është shumë i zoti. Nganjëherë krejt i vetëm lundron në kahen e kundërt të një lumi shumë te rrëmbyeshëm.
Eh, ç’ të bëjmë ne të tjerët që ndihemi vetëm shqiptarë dhe jemi të pa korrigjueshëm! Mbase duhet të ikim në Shqipëri. Ha ha ha!
Lëshoje perden,lëshoje . Mos pafsha më kësi teatri !



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora