E enjte, 28.03.2024, 12:43 PM (GMT)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Si e ka emrin Ministri?

E marte, 27.09.2011, 07:02 PM


Si e ka emrin Ministri?

 

Nga Timo Mërkuri

 

Në një nga këto ditë, ndërsa po notoja nëpër detin e internetit, vetëtimthi më shkuan sytë te një shkrim, që diçka thoshte për një ministër turk, i cili  paska bërë një vizitë në Kosovë dhe që i paska kërkuar ministrit kosovar që ata, kosovarët pra, të ndryshonin tekstin e historisë që  mësohej nëpër shkollat, sepse  në atë libër historie, “vëllezërit turq” quheshin “armiku turk”.

Unë, si gjithë himarjotët, kam një indiferencë  gati skandaloze për çdo gjë që ka  prapashtesën apo “mbiemrin” turk, qoftë ky  mall apo ide e prodhuar dhe e nxjerë për shitjë.

-Ti qënke  Turqi hesapi, çpret më -themi ne kur duam të tregojmë përbuzjen tonë për dikë që nuk ha pykë  evrope. Kjo është arsyeja që nuk i kushtova shumë rëndësi edhe këtij lajmi të lexuar kalimthi, mandje edhe me njëfarë besdisjeje. Mandje as emrave të ministrave. Si nëpër mjegull lexova se ministri kosovar kishte një emër … diçka si rrëmujë, apo si i thonë në turqisht: “Gjullurdi hesap”. Ndajë nuk i kushtova  edhe  emrit të tij. Se për emrin e turkut, as mora mundimin ti hidhja sytë.

Gabim, do thuash ti. Gabim bëra, them dhe unë. Se ja, tani që më duhet, s’më kujtohet fare emri i Ministrit  të Kosovës. Kam një javë që e kërkoj e s’po e gjej. Prandaj e botoj dhe këtë shkrim, në rast se ndonjë lexues  ja di emrin, të ma dërgojë me email.

Kështu pra, ndërsa bëhesha gati të klikoja me mausin kapërcimin e faqes, fotografia e ministrit turk, dalur në konferencë shtypi me ministrin kosovar, më shtangu në vend.

-Po unë  e njoh këtë turk- më vetëtiu në mëndje.Unë këtë diku e kam parë.

Që diku e kam parë, kjo as diskutohet fare. Ja ai shikim gati  arrogant, komandues, gjysëmpjertas. Ja ato buzë të shtrënguara, urdhëruese.

-Ku e kam parë, ku e kam pare- po vrisja mëndjen, kur befas  më vetëtiu në kujtesë Torviolli.

-Hë - thashë me vete , e gjeta. Po ky është Ali Pasha i Torviollit, more. Ju betohem që ai është. Ja, ai shikim  e ato buzë urdhërnxjerëse. Mungon vetëm mjekra e mustaqet dhe çallma, domosdo. Dhe pasi u mendova pak, pranova  me vetveten kompromisin që: 

-Ose është Ali Pasha i 1444 që ja mbathi nga Torviolli, duke edhe haremin e tij, ose do jetë ndonjë nip stërnip i tij.

Shpjegim tjetër as ka dhe as  do gjeni dot.

Do thuash ti, ku e mba mënd unë Ali Pashanë e Torviollit, kur atë as e kam parë ndonjëherë, as të gjallë e as të vdekur. Bile as varin s’ja di ku e ka dhe as në ka  apo jo.

A, këtu ndaloni pak dhe më dëgjoni mua. Po me vëmëndje ama. Nuk ka himarjot që  të mos  e njohë Ali Pashanë, jo thjeshtë si bojë njeriu, por edhe me  rudhat e ballit  apo me atë cenin e të puliturit të syve. Tëpkë si ky  nipstërnipi i tij që erdhi në Kosovë. 

Në kujtesën e Himarës është gdhendur me të gjitha  linjat ky pasha turqie. Dhe sebep për këtë  është bërë ajo ditë e largët e  29 qershorit të vitit 1444 në Torvioll dhe Anton Linjërosa, kapedani që u printe himarjoteve në këtë betejë. Që ta dini dhe ju, ja si ka ndodhur kjo punë;

-Në datën 28 Qershor 1444, një ditë para betejës, në orët e pragmbrëmjes Ali Pasha dërgoi  një delegacion te  Skënderbeu. 

Skënderbeu, s’kishte ngenë e tyre, megjithatë i priti jashtë çadrës, bashkë me disa kapedanë  të ushtrisë së tij. Në mes tyre u ndodh edhe prijësi himarjot, i cili që nga Lidhja e Lezhës nuk i qe ndarë asnjë ditë Skënderbeut.

Kryetari i dërgatës turke mori fjalën dhe i kërkoi Skënderbeut të ulte armët, sepse Padishahu do ta falte dhe si shpërblim do e emëronte pasha në ndonjë guvernë të tij.

Pa do ti jipte tituj e grada, rroba e rrogë si dhe disa skllave të kolme si pela shale që ti shalonte përmbi shalë kur ti ndizej gjaku. Bile Ali Pasha nga haremi i tij i kishte sjellë

nja pesë a gjashtë pela të tilla  shalëgjata shalëjashtë si dhuratë a si shkëmbim për shpatën dhe për flamurin që do dorzonte.

Skënderbeu u zemërua dhe desh e zuri me shqelma bythëve të dërguarin e Ali Pashës, i cili shpëtoi vetëm se ja mbathi me vrap. Po kur ktheu kokën më pas,  Skënderbeu pa i habitur Anton Linjërosën i cili mbante barkun me dorë  dhe i përulur mbi gjunjë, qe bërë flakë i kuq nga shtrëngimi i dhëmbëve .

-Çke more- e pyeti gjithë merak Skënderbeu, sepse kujtoi se mos e kishte zënë barku.. Dhe kjo i duhej, t’i sëmureshin kapedanët në prag të betejës.

Antoni bëri ti përgjigjej, por sa hapi gojën, shpërtheu në një të qeshur që s’pushonte e s’pushonte dot. Skënderbeu u qetësua dhe buzëqeshi lehtas. E po,s’qënka gjë e keqe mendoi me vete dhe ja përsëriti pyetjen Antonit, por më butësisht.

-Po ja – trokëllitën disa guriçka fjalësh  mes gurgullimës së lumit të të qeshurit- si tha ai. Ato pelat…

Unë ju them se të qeshurit është sëmundje  ngjitëse, që të zë menjëherë. Këtë e vërteton edhe  fakti se Skënderbeu dhe kapedanët e tjerë reth tij u sëmurën menjëherë pas këtyre fjalëve. Por duket që u shëruan shpejt, sepse u futën në çadër e vazhduan punën. Ndërsa i shkreti Anton  mori rrugën për te shokët e tij duke qeshur. Ecë e qesh, ecë e ndalo dhe u gjend mes shokëve si ura e ndezur në mes turës së druve të thata. Flaka e të qeshurit shpërtheu në qiell dhe s’dihet si do vinte puna, po të mos vinte urdhëri i Skënderbeut që ushtria të flinte se të nesërmen kishin betejën.

 

Të nesërmen, atë ditë zulmëmadhe të 29 qershorit të 1444, atë ditë  që “luanët komandonin luanë” (siç do shkruante Barleti mote më von) shqiptarët nuk pritën të mbaronte reshtimi tradicional i ushtrive, por sa panë  çallmat turke, haruan që mund të përdoreshin dhe harqet e shigjetat,  u sulën me shpata xhveshur. Thua se kishin mote që e prisnin atë çast dhe kishin frikë mos e humbisnin. 8 mijë kalorës e 7 mijë këmbësorë  kishte Skënderbeu përballë 25 mijë ushtarëve të Ali Pashës. Bile ky raport bëhej më i thellë po të shtosh faktin se, nga 8 mijë kalorësit që kishte, 3 mijë i kishte lënë nën komandën e Hamza Kastriotit, fshehur në kodrat e pyjet pas shpinës së Ali Pashait.

Por trimat s’kishin kohë ti numëronin, se në Torvioll s’kishin shkuar të mësonin arithmetikë. Kishin shkuar të …shkruanin historinë. Atë histori që mote e mote më von, do kërkonin ta ndryshonin nja dy  ministra, që unë s’ua as emrin.

I pari sulmoi Stresi me krutanët dhe bashkë me të  himarjotët të prirë nga Anton Linjërosa, që ishin në krahun e majtë të tyre. Djem të rinj që mund të mbanin malin mbi supe e jo më të mos vënin përpara turqit, që nuk e prisnin këtë furi sulmi.

Djem të rinj, që me një të goditur shpate çanin më dysh kalin e kalorësin bashkë.

-Me dorë more, me dorë – sokëlliu në mes të betejës Antoni duke çarë mes turqve me dy shpata nëpër duar. Thirja himarjote: “Me dorë” ka kuptimin kape armikun nga fyti, jepi nja dy pëllëmba para se ta ndash më dysh me shpatë. Të dëgjosh këtë thirje nga kapedani yt, i cili sokëllin në mes të armiqve tek vret e prêt me dy shpata në duar, dhe më i dobëti të jesh, a i plagosur, a i sëmurë, do sulesh trimërisht me shpatë  në dorë dhe vetëm hasmin do kërkosh. Të tjerat i di zoti vetë.

Po ja që në  mes të luftëtarëve himarjotë qe edhe një djalë i ri, i cili s’kishte marë pjesë në asnjë luftë. Djalë i porsafejuar. Hokatar si gjithë himarjotët, por që s’e dinte se në luftë, vetëm  shakatë skanë vënd. Nga që s’e dinte, dhe nga që i kish mbetur ndër mënd ajo puna e të dërguarit të Ali Pashait te Skënderbeu dhe oferta e tij, (epo djalë i porsafejuar, de) ja ktheu  kapedanit të tij me një shaka djaloshare, me zë të lartë, që të dëgjohej mirë:

- Pse me dorë more kapedan. Dëftona ku i ka ato…pelat Ali Pashai, se e dimë vetë më pas…

Ata  himarjotë që e dëgjuan qeshën, por të qeshurit në luftë është si gjumi në dëborë. Të mpak e të dobëson dhe të ul edhe vigjilencën. Këtë moment e shfrytëzuan veteranët turq, që nisnin të sulmonin pikërisht luftëtarët që qeshnin. Dhe nisnin të bien njeri pas tjetrit himarjotët, kush i çpuar ne gjoks me heshtë e kush i prerë në brinjë me shpatë. Kapedani vuri sokëllimin kur pa se i binin trimat si gjethet në vjeshtë. Mblodhi veteranët e tij në  ballë të një fronti dhe, ndonëse u gjend i rethuar, sulmoi  mbi turqit siç dinte vetë. S’dihej si do vente fati i himarjotëve po të mos sulmonte në atë kohë Hamza Kastrioti në shpinë të tuqve. Turqit u  hutuan se, nga rrethues që ishin, gjëndeshin të rethuar. Por përvoja i kishte mësuar se një ikje me rëmujë do të thotë vdekje. Ndaj nisën të bëjnë rezistencë.

-Mirni hakë-u dëgjua sokëllima e kapedan Antonit, mirni hakë.Një më njëqint ta mirni hakun.

Kjo qe fjala e fundit që dëgjuan himarjotët nga kapedani i tyre. Se më pas e gjetën me dy heshta të ngulura në trup e me dy shpata në duar, në mes të një grumbulli kufomash turke. Bashkë me dhjetë himarjotë  të tjerë. Vrarë e prerë dhe ata. Pranë njeri tjetrit.Gati sup më sup.

Kur  u mblodhën të vrarët, u pa se, pas krutanëve të Kastriotit, himarjotët kishin humbjet më të mëdha. Rreth 13% e forcave kishin rënë në luftë. Shumica te ajo kodra e vogël, ku bëri shakanë ai djali i ri. Atë shakanë për ato pelat shalëgjatë e shalëjashtë të Ali Pashait. Për pelat e haremit, të cilat  mbetën në fushën e luftës, se Aliu s’pa nga iku për vete.

 

Të nesërmen, pasi u  përcollën me nderime për në pavdekësi, trimat e rënë, filloi festa e fitores. Këngë e valle siç i dinë dhe siç i duan luftëtarët fitimtarë. Skënderbeu priste e përcillte me urime e përgëzime kapedanët e luftëtarët e dalluar, kur  një grup himarjotësh  u ngritën në valle, për qef të tyre. Apo për nder të kapedanit të tyre, rënë në atë  luftë. U bënë dy reshta me nga shtatë veta të kapur sup më sup.Si dy vargmale praën e praën. I pari tundi shaminë, sikur i bënte shënjë zotit që të shikonte e të dëgjonte dhe ja mori këngës:

-          Demave o demave.

-          O ho hoooo..ndërhyri i dyti me një zë më të fortë

-          De o demave o të Shqipërisë.

Nuk lëvizi mali i Korabit. Lëvizi grupi i valltarëve të reshti të parë, e një hap më pas edhe reshti i dytë. Lëvizën me një hap të ngritur gati gjysëm metri nga toka.Lëvizën duke kënduar:

 

Demave të Shqipërisë

S’u shpëton lop e Turqisë

 

Shumë himarjotë që rinin e dëgjonin, pas vargut të dytë të këngës, duke e kuptuar instiktivisht se ku do dilte këngëtari te vargjet e tjera, dhe duke kujtuar të qeshurin e kapedan Anton Linjërosës atë natë para betejës, u ngritën në këmbë dhe formuan  grupe të tjera  valltarësh. Pa nisën ta ngrinin  një oktavë më lart zërin te vargjet:

 

Ali Pasha, lopa plakë

Po t’u kruajt, eja prapë.

 

Në fakt, vargun e fundit, edhe Barleti edhe Noli e kanë ndryshuar në:- Po ta mbajti, eja prapë, por unë që jam kundër korigjimeve dhe retushimeve, po e jap në variantin original, himarjot. Ju jini të lirë të zgjidhni kë të doni.

 

Kjo është e vërteta e betejës së Torviollit dhe e rënies së himarjotëve. Por  në projekt tekstin e historisë që ai nipstërnipi i Ali Pashës së Torviollit i solli atij ministrit kosovar, kjo betejë ishte shkruar kështu:

-Qafiri Skënderbe, pasi tradhëtoi Padishahun atje në Nish, erdhi dhe krijoi shtetin e tij. Ministria e Turizmit filloi të bëjë ftesa majtas e djathtas, që turistët turq të vizitonin Arnautistanin, se me demek, paskësh vënde klimaterike dhe që u bënte mirë për shëndet pensionistëve turq. Le që edhe çmimet qenë të lira.Badiava fare.. Kështu shpjegohet që një grup turistësh turq, hiç mos asgjë, vetëm nja 25 mijë veta, të pasur e të bukur, me saze e gërneta, me aparate  fotografie e kamera u nisën për në atë vënd të nëmur nga Allahu. Skënderbeu doli dhe i priti te ajo fusha e Torviollit, dhe pasi pinë kafen e sabahut ja nisi lojës së tavllës me Ali Pashanë. Si ileqar që ishte, ja fitoi të gjitha lrat Ali Pashës të urtë dhe të drejtë,si vetë Allahu.. Por ja që më pas Skënderbeut i vajtën sytë te mikja e zemrës  së Aliut dhe  paturpësisht ja kërkoi për  një natë.  Aliut i ra të fikët nga  turpi dhe e nisën me urgjence për ne  Stamboll. Vetë Padishahu, që u informua nga lajmet e televizionit, dergoi helikopterin e tij personal.

Arnautët, shumica e të cilëve ishin fshehur pas gurëve e drurëve, të armatosur me kallashë të rrëmbyer nga depot e ushtrisë, u sulën mbi turistët turq dhe pasi i masakruan me breshëri, nisën tu mirnin dhe robat e trupit. Pa nisën edhe të vriteshin me njëri tjetrin, më pas, kur zunë rob ca turiste turke, ezmerka të njoma. Qafiri Skënderbe i donte të gjitha për në haremin e tij, por ja që për një esmerkë topolake e kundërshtoi direktori i Hotel Turizmit të Himarës. I varfëri director për sevdanë që pati se e pagoi me jetë nënë shpatën gjakatare të  bukëshkalit Skënderbe… etj etj.

E pas kësaj ne s’na ngelet gjë tjetër , veçse kokëulur të psherëtijmë : Lum a mjerë ne për këtë Hero Kombëtar.

 

Të kuptojmë një gjë bashkë, unë se kam problem edhe sikur të  japin një variant  historie të tipit të mandarionëve kinezë si: Ali Pashai shoqëronte për pushime në Liqenin e Pogradecit gruan e njqintekatërmbëdhjetë të Padishahut, e cila ra në dashuri me mjekrën e bardhë të Pashait… etj etj. Vardha historitë rozë.

Mua personalisht, nuk më shqetëson fare si është projekt historia që nipstërnipi i Ali Pashës i solli ministrit kosovar me atë emrin e ngatëruar dhe të haruar, diçka si rrëmujë, apo si i thonë turqish:-“Gjullurdi hesap”. Po i pëlqeu ministrit, le ta marë.

Unë nuk e pengoj në rrëmujën apo gjullurdinë e tij.

Sepse ministri vetëm sa do e lexoje historinë, dhe atë, në rast se di të lexojë.

Ministri nuk bën  dot histori. As ministri kosovar dhe as ministri turk.

Historinë e bëjnë ata që dinë të bëjnë histori.. 

Si Anton Linjërosa me shokë, në Torvioll.

Të tjerët…le ti fryjnë curubabes.

 

Po mua më duhet emri i ministrit kosovar patjetër, se dua ti nis një email.

Jo more jo,s’kam ndërmënd tap yes në se dhe atij i solli peshqesh ndonjë pelë shale, shalëgjatë e shalëjashtë.  Po i solli le t’jua shohë hajrin ( a sherin) vetë.

 

Unë dua ta pyes ministrin, se mos vallë të ai palo project ndryshim historie, mos ka ndërmënd që të  ndryshojë gjë edhe ndonjë varg të këngës himarjote, kënduar në fushën e Torviollit.

Se atëherë ka punë me mua.

Ballëpërballë.

Në Torvioll.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora