E marte, 23.04.2024, 02:07 PM (GMT+1)

Editorial

Sami Repishti: Me rastin e 65-vjetorit të “Levizjes së 9 Shtatorit 1946”

E hene, 26.09.2011, 08:03 PM


Me rastin e 65-vjetorit të “Levizjes së 9 Shtatorit 1946”

 

Nga Sami Repishti
sdrepishti@att.net

 

Z. Kryetar! Vëllazën e motra shqiptare të Shkodrës, qytetit tim të lindjes!

Gjashtëdhetëepesë vjet ma parë, në orët e para të mëngjesit, qyteti i Shkodres u zgjue nga krisma pushkësh, ushtima e të cilave vinte nga Veriu. Si te gjithë qytetarët, edhe une u befasova. Nji ngjarje e ketillë ishte e pabesueshme. Me terrorin komunist të ushtruem, sidomos në Shkodër me rrethe, që nga 29 nandori 1944, nji revoltë e armatosun ishte e vështirë. Megjithatë, e paprituna ngjau!

Disa qindra katundarë- kam njohë shumë prej tyne, të thjeshtë, të vorfën dhe te paarsimuem, -pikerisht arsenali i masave që përkdhelte Partia Komuniste Shqiptare-u ngritën me armë në dorë me luftue nji sistem politik dhe nji strukturë qeveritare që u bante jetën nji ferr mbi tokë.

Forcat e paorganizueme, kryesisht nga Postriba, disa nga Guri i Zi, Berdica dhe Ana e Malit, u tërhoqën para sulmit të koordinuem të Ushtrisë, Sigurimit, Policisë, dhe vullnetarëve komunistë. Përleshjet arritën deri në qendër të qytetit, pikërisht para Bankës së Shtetit. Në bisedimet e mia me Osman Haxhiun, udheheqës i Lëvizjes së 9 Shtatorit, nji njeri i thjeshtë, ai më dha dy arsye për kryengritjen:

“Na prekin në fe” më tha; dhe “Reforma agrare e vitit 1945 na damtoi, por ajo e vitit 1946 na shkatërroi jetesën. Nuk kishte ma jetë të rregullt për ne”.

 

1

Nji akt i këtillë guximtar ishte treguesi ma i mirë i dështimit ideologjik të P.K.Sh-së cilës i kishte mbetë vetëm pushka e hakmarrja, qe komunistët i përdorën pa mëshirë. Në kundersulmin e tyne, këto forca zbatuen metodën e “tokës së djegun“ me vrasje pa gjyq, me djegie shtëpishë, me arrestime të paligjeshme, e me rrahje publike në sheshet e katundeve. Qëllimi? Me i tregue popullsisë se revoltueme së P.K.Sh dhe “Pushteti Popullor“ ishin të pathyeshëm. Për 24 ore të gjata nuk pushoi aksioni ndëshkues. Viktimat dhe damët materiale kanë qenë të shumëta.

 

2

“Viktimat e shumëta” kanë qenë shqiptarë të pafajshëm. Qeveria e kryekriminelëve Enver Hoxha dhe Koci Xoxe vendosi “të lajnë hesapet me Shkodrën reaksionare”. Ekipe oficerësh të Sigurimit u dërguen në Shkodër “për të dhënë një mësim“, me udhëzime për tortura të pakufizueme, tue përfshi djegien e trupit me hekur të skuqun (urdhën direkt i diktatorit), thyemjen e kolonës kurrizore, copëtimin e gjunjëve me çekan, shkatërrimin e organeve gjenitale, zhytjen për së gjalli në puset septike, djegien me korrent elektrik, varjen ditë-natë me radhë në pemë, mohimin e nevojtoreve, e rrahjen me drue, kamxhik, grushta e shkelma për orë të pafund, pa zanë me gojë pisllekun, urinë dhe pagjumësinë!

Njeriu nuk ka lindë me u djegë për së gjalli. Për komunistët? Po!

Arsyeja? PKSH nuk mund të pranonte që populli i thjeshtë,“fshatarësia punonjëse“, të revoltohej kundër Partisë, dhe të demaskonte esencën e genjështres së madhe “pushteti i popullit”. Propaganda komuniste kishte pësue nji disfatë të pandreqshme, dhe vetë esenca e pushtetit “popullor” ishte avullue para forcës së fakteve. Asnji nga kriminelët torturues nuk ashte arrestue ose dënue për krime kundër njerëzimit. Ky ashte nji turp!

Sot, unë mendoj se problemi ka qenë shumë ma i komplikuem dhe se kalonte suazen kombetare. Nuk ishte “faji” jo-ekzistues qe dënohej, por nji politikë kriminale që zbatohej. Simbas oficerëve torturues, Shqipenia komuniste, anëtare e “kampit të madh socialist“, po përgatitej për Luften e Tretë Botënore, dhe triumfin e komunizmit në botë

“Ne nuk provokojmë Luftën e Tretë Botënore” më tha oficeri hetues.(1946) “Do të presim deri sa Bashkimi Sovietik të zbulojë bombën atomike. Atëherë, kur të jemi gati, ne e provokojmë, dhe fitojmë. Nderkaq, spastrojme terrenin nga armiqtë e mbrendshëm para se të fillojë konflikti”. Kjo tezë ishte e re për mue, i ri pa pervojë makropolitike. Sot, unë mendoj gjithashtu se edhe egërsia e torturave dhe dënimet drastike të të ashtuquejtunit “Grupi i Deputetëve” (1947) ka qenë nji monstruozitet i tipit stalinian, dhe pjesë e kesaj strategjie kriminale staliniane që zbatohej nga shërbetoret e tij shqiptare.

“Shpjegimi” i oficerit hetues u v;rtetue mbas vdekjes s; diktatorit Stalin. Gjyqi i mjekëve hebrej, dhe ndërtimi i gulagëve në Siberinë Veriore (1952), për 5 miljonë të internuemë hebrej që do të arrestoheshin paperjashtim, kanë qenë gjithashtu pjesë e kësaj strategjie. Arkivat sovietike vërtetojnë se Stalini u helmue nga Byroja Politike e PK te B.S., sepse përgatitej për një luftë të tretë botënore atomike dhe fitoren finale të komunizmit në botë. Tue dashtë me evitue një katastrofë të ketillë, udhëheqja sovietike eliminoi diktatorin, me 5 mars 1953. Komunistët shqiptarë qartazi udhëzoheshin nga misionarët jugosllavë dhe

sovietikë. Viktimat shqiptare nuk ishin “fajtorë“, por “pengesa të mundeshme” të planeve staliniane që duheshin eliminue “para konfliktit të tretë botënor“.

Ushtarakisht, “Lëvizja e 9 Shtatorit 1946” ka qenë një akt guximtar, i papërgatitun dhe që përfundoi në disfatë. Këtë përfundim kam arritë mbas bisedave të gjata me udhëheqësit e “Lëvizjes” gjatë viteve të burgut. Por, politikisht ajo hapi një humnerë në mes të propagandës gënjeshtare dhe realitetit të përditshëm. “Pushteti Popullor”, Qeveria dhe militantët e PKSH. të vendosun me dhunë në vendin tonë, ballafaqoheshin me zemërimin e masave të revoltueme që refuzojshin “diktaturën e proletariatit“.

“Faji” joekzistues për të pafajshmit u “krijue” me propagandë dhe torturë.

Këtë detyrë monstruoze e mori mbi vete Sigurimi kriminel që vepron akoma. Vetëm

gjatë muejit Shtator 1946, u arrestuen ma shumë se 1.200 qytetarë, 99 përqind e të cilëve ishin të pafajshëm. “Te tjerët“ ishin kundërshtarë të njohun të regjimit. Numuri i burgjeve në Shkodër kaloi shifrën 20. Me torturat ma çnjerëzore, viktimat e arrestimeve masive u detyruen me deklarue se kanë qenë pjesëmarrës, ose të paktën kanë pasë dijeni, për “Lëvizjen e Postribes”. Unë kam qenë njëni nga këto viktima. Kështu “pushteti” filloi të flasë për qytetarë shkodranë, tregetarë, pronarë tokash, intelektualë perëndimorë, sidomos për klerin katolik si organizatore të “Lëvizjes”, dhe për kryengritësit si “fshatarë të gënjyer”. “Per ne“, me tha oficeri hetues, “armiku i vertetë janë intelektualët dhe sidomos kleri katolik. Tregtarëve u marrim pasuninë dhe mjafton. Por pasunia e juej ashtë në kokë, kulturë e ide perëndimore. Prandej do të ju presim kokën…Kleri katolik? Kemi shembullin e Revolucionit francez; ata janë anmiqtë e popullit” Kokët u prenë, e xhelati duergjak kalon qetësisht pa u trazue nga ligji një jetë që nuk meriton. Ky ashtë një turp!

 

3

Kjo propagande genjeshtare sherbente:

a) me provue se fshatarët janë me “Pushtetin” por u gënjyen nga “të prekunit”

b) me krijue bazën e një politike represive dhe djallëzore për eliminimin e elementit “të dyshimtë” njëherë e përgjithmonë, para se të fillonte konflikti i planifikuem.

Arrestimet e të pafajshëmve, torturat, dhe dënimet drastike, pa asnjë bazë ligjore, kanë qenë tragjedia e vërtetë e “Lëvizjes së 9 Shtatorit 1946“! Jam dëshmitar i tregimeve të viktimave për pafajesinë e tyne të plotë. Klerike katolike, tregtare, pronare tokash, intelektualë perëndimorë u zhdukën me torturë, ose u vranë nga skuadrat e ekzekutimit. Familjet e tyne, dy herë të pafajshme,u dënuen me vuejte me dekada të gjata.

“Lëvizja e 9 Shtatorit 1946” ka qenë disfata e parë politike dhe morale e sistemit komunist në Shqipëri. Ajo që ngjau ma vonë, ka qenë thellimi i “diktaturës së proletariatit” dhe degjenerimi i plotë në shtypje hakmarrese e stalinizëm gjeorgjian.

3) Ne perkujtimin e nji katastrofe me perpjestime te paimagjinueshme, ashte

Detyra e jonë me shqyrtue, me arsye e ndërgjegje, rrjedhimet e kësaj katastrofe, jo për hakmarrje, (që na perbuzim), por për vendosjen e një drejtësie të vonueme e të mohueme, dhe si preventivë me pengue përseritjen e një gjenocidi për brezenitë e ardhme. Kurrë ma! Kurrë ma!

 

Çka duhet të bajmë sot?

 

E para, mirënjohje, ndihmë, dhe mirëkuptim për viktimat dhe familjet e tyne. Për 65 vjet me rradhë ata kanë jetue, dhe vazhdojnë me jetue, kujtimet e tmerrit që i shkatërroi e dhimbjen e humbjeve të pazëvendsueshme. E kam pa këtë dhimbje në fëtyrën e nanës iime. Këtë, duhet ta bajmë si qenie njerëzore të lira e të ndërgjegjshme, dhe si shqiptarë.

E dyta,. Duhen dokumentue, e regjistrue me saktësi krimet komuniste në Shqipëni, e në këtë rast në Postribe e Shkodër, dhe kriminelët duhen dënue, e sidomos duhen ekspozue publikisht. Krimineli komunist nuk ka vend në shoqeninë demokratike shqiptare. Kjo na imponohet, sidomos sot, kur shtypi i verdhë në Shqipëri paraqet “persekutuesin” si “ish të persekutuem”, dhe “viktimat” e vërteta anashkalohen. Uroj që Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri, të kryej këtë detyrë me besnikëri.

E treta, duhet edukue rinia e jonë me të vërtetën historike. Këtë shërbim e ban shkolla dhe muzeumi. Me tregime, ekspozita e lexime, duhet të krijojmë një atmosferë ku fjala “komunist” ofendon aq shumë dinjitetin tonë sa edhe fjalët “fashist e nazist”. Në Gjermaninë demokratike dhe në Botën e Lirë, sepse ashtë sinonim me fjalët kriminel, vrasës, terrorist. Sot, në Shqipëni, fëmijtë e xhelatëve krenohen me aktet e baballarëve të tyne kriminelë. Ky ashtë një turp i pafaleshëm për të gjithë ne! Nuk duhet ta lejojmë!

Për vite të gjata, jam perpjekë me gjetë kuptimin e jetës përtej vlerave materiale të botës ku jetojmë. Qetësohem në admirimin e sakrificës dhe guximit, qytetar të viktimave të pafajshme të diktaturës. E kaluemja përcakton të tashmen time!

 

4

Akoma sot, nga bota e nëntokës, nga varret e harrueme ku mbulohet pafajnia e viktimave të komunizmit, unë ndigjoj çdo ditë nji thirrje të fuqishme e gjysëm-hyjnore: “Para Zotit dhe ndërgjegjes tonë, na jemi të pafajshëm! Jemi prindet e juej, jeni fëmijtë tanë! Mos na harroni! Ju lutemi, mos na harroni!“



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora