E marte, 23.04.2024, 09:13 PM (GMT+1)

Editorial

Ismail Kadare: Kosova e pavarur, një lajm i jashtëzakonshëm

E hene, 18.02.2008, 09:27 PM


Kosova e pavarur, një lajm i jashtëzakonshëm

Shkrimtari i njohur, Ismail Kadare: Shteti i dytë shqiptar në Ballkan do ta ndryshojë rrënjësisht kombin shqiptar

Ismail Kadare
Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, e ka konsideruar një lajm të madh e të jashtëzakonshëm lajmin për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Gjatë një interviste dhënë gazetës shqiptaro-amerikane "Illiria" në Nju Jork, Kadare ka theksuar se "shteti i dytë shqiptar në Ballkan do ta ndryshojë rrënjësisht dhe për mirë gjithë kombin shqiptar.

"Ora e pagëzimit" erdhi. Kosova shpalli pavarësinë. Si e vlerësoni këtë akt të Parlamentit të Kosovës?

Lajmi është i madh e i jashtëzakonshëm. Aq i madh, sa na kapërcen të gjithëve. Çka do që të themi ne, do të ngjajë e zbehtë në krahasim me të. Kjo vjen ngaqë gjuha zakonisht nuk është e përgatitur për dukuri që ndodhin një herë në disa shekuj. Madje më rrallë.

Vitet e fundit, sidomos pas rënies së komunizmit, shumë shtete të reja kanë lindur në Evropë e rrotull saj. Por asnjë prej tyre nuk ka krijuar një atmosferë të veçantë si shteti shqiptar i Kosovës. Një atmosferë si prej të kremteje, një farë ankthi, por i këndshëm, një kureshtje që kapërcen interesin politik, shkurt, një përmasë planetare, që të kujton disi mbarimin e vitit dhe fillimin e vitit të ri.

Në shumicën e emisioneve të lajmeve lindja e shtetit të ri zë vendin e parë. Parmbrëmë, Presidenti i Francës, si t‘i përshtatej kësaj atmosfere, kështu e shpalli, para një grupi vocërrakësh francezë, shprehu vendosmërinë e Francës për të njohur menjëherë shtetin e ri. Sytë e kthjellët të fëmijëve ndiqnin me habi Presidentin e vendit, që po u shpjegonte para hartës: "Nesër ju do të nisni të mësoheni me një ndryshim në hartën e Evropës. Një shtet i ri po lind: Kosova".

Shteti i dytë shqiptar në Ballkan do ta ndryshojë rrënjësisht dhe për mirë gjithë kombin shqiptar. Ndryshimi do të jetë trupërisht dhe psikikisht. Bota shqiptare, me një cen të rëndë në themelet, do të punojë, më në fund, normalisht. Si një qenie që merr frymë jo me një, por me dy mushkëritë. Një popull në liri ka tjetër ndërgjegje e tjetër fytyrë, se sa në robëri. Bota shqiptare ka qenë e tillë, jo e natyrshme: gjysmë e lirë, gjysmë jo. Ajo do të bëhet këndej e tutje jo vetëm më e fuqishme, por më e qytetëruar, e çliruar nga shumë helme që sjell gjendja jo normale e gjërave. Si e tillë ajo do të jetë më tolerante, më harmonioze, jo vetëm për veten, por për krejt gadishullin.

Cilat janë sfidat e ardhshme të Kosovës? Si duhet të veprojnë shqiptarët në një Kosovë të pavarur?

Sfidat janë të mëdha padyshim. Por mendoj se sfida të tilla, përpara se të jenë shqetësuese, janë të gëzueshme. Sfidat, në këtë rast, lidhen me një zbërthim të madh energjish. Çdo popull ka të tilla rezerva, të cilat, ngjarjet si kjo i zbërthejnë gjerësisht.

Jeta në pavarësi nuk është aspak shesh me lule. Problemet janë të shumta, të ngutshme. Por cili vend është zhvilluar pa to? Në fund të fundit "zhvillim" do të thotë zgjidhje e pafund problemesh. Të trembesh nga problemet, do të thotë të trembesh nga jeta. Liri do të thotë, veç të tjerash, jetë me një ritëm të lartë. Një sfidë të parë, jo të parëndësishme, shqiptarët e kanë fituar ndërkaq. Është problemi më delikat, ai i pakicës serbe. Përpara kamerave të gjithë Evropës, ka një shpalosje të mendësisë të të dy palëve: shqiptare dhe serbe. Njerëz të thjeshtë të ndalur rastësisht në rrugë, të pamësuar nga askush, u përgjigjen gazetarëve. Në mënyrë të qartë dëshmohen dy vizione të botës, për të mos përdorur fjalët e mëdha "dy qytetërime". Në mënyrë të admirueshme mendimi shqiptar është tolerant, i fisëm, njerëzor: Serbët le të rrinë në Kosovë, askush nuk do t‘i ngacmojë.

Kamerat televizive evropiane ndalen mbi vëllanë e Adem Jasharit. Vështirë të gjendet një familje tjetër, në historinë e Evropës, veç te hebrenjtë, që të ketë aq shumë të masakruar: gra, vajza, fëmijë, sidomos fëmijë. Përpara kamerave është një nga familjarët e mbetur gjallë. Hijerëndë, me mustaqet e verdha proverbiale, jashtëzakonisht të gjata, ngjan si portreti i hakmarrësit shqiptar të përjetshëm, ashtu siç përfytyrohet nga mediat. Fjalët e tij janë të papritura, sfiduese: Le të rrinë serbët në Kosovë, le të vijnë edhe në shtëpinë time, me përjashtim të atyre që kryen masakra. Te pala tjetër, për fat të keq, asnjë reflektim. Asnjë vullnet për të kuptuar çka ndodhur. Përkundrazi, mania për t‘u hequr si viktima!

Historia e shqiptarëve të Kosovës për shekuj ka qenë jo e favorshme për ta. Ç‘mësime duhet të nxjerrin ata nga kjo histori e kaluar?

Historia e shqiptarëve të Kosovës është historia e dy robërive që, për fat të keq, nuk e kanë ditën midis. Robëritë e gjata lënë pas tyre gjurmë që nuk shlyhen lehtë. Ato u ngjajnë mbetjeve radioaktive. Një nga qëllimet e robërisë së gjatë është pikërisht ndërhyrja e thellë në gjenet e një kombi. Ajo përpiqet të shkatërrojë imunitetin e tij e pas kësaj të zvetënojë natyrën e tij, atë ndërthurje faktorësh që përbëjnë identitetin. Kulmi i suksesit të një robërie të gjatë është kur ajo plazmohet mbi identitetin e kombit, për ta gjymtuar atë, e për të krijuar kështu një surrogat të tij, atë që quhet "identitet i robërisë". Kështu ka ndodhur me sundimin osman. Rilindja kombëtare shqiptare në shekullin XIX, në kohën e duhur ngriti një stuhi kundërshtuese ndaj kësaj vdekjeje të ngadaltë. Pa këtë rilindje, nuk do të kishte pavarësi të Shqipërisë.

Jugosllavia u përpoq të bënte të njëjtën gjë me shqiptarët e Kosovës. Por, meqenëse kohën e kishte më të shkurtër dhe, veç kësaj, përbri Kosovës ishte Shqipëria historike, në ndihmë të metodave të ngadalta osmane, Jugosllavia përdori dhunën e shpejtuar, terrorin, masakrat dhe shpërnguljet. E gjithë kjo përvojë e hidhur nuk duhet të harrohet. Synimi i shqiptarëve të Kosovës, ashtu si i gjithë shqiptarëve drejt Bashkimit Evropian, kushtëzon ndarjen e shpejtë me mbeturinat e një bote që s‘ka asnjë lidhje me të.

Si i mendoni marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës tani që kjo e fundit shpalli pavarësinë?

Shteti më i ri i Evropës ka disa veçanti. Lindja e tij ka qenë pas një buje të madhe, pas një lufte të armatosur të shqiptarëve, pas një bombardimi ndëshkues të aleatëve, pas një trazimi botëror, i cili pothuajse e ndau planetin në dy qëndrime të kundërta. Shteti i ri shqiptar pati një veçanti tjetër, ai nuk ishte jetim si Shqipëria historike e vitit 1912, por kishte në shpinë të tij pikërisht këtë Shqipëri të vjetër.

Shqipëria, ajo që është bërë zakon të quhet "shteti amë", është dhe do të mbetet vendi më i afërt i Kosovës - shtet, vendi që, sido që të vijnë punët, nuk do ta lejë kurrë në baltë tjetrin. Shqiptarët, në të dy anët e kufirit, në altar të idealit evropian hoqën dorë nga bashkimi shtetëror mes tyre, por kjo nuk do të thotë kurrsesi se ata (më saktë, njëra gjysmë e tyre) do të heqë dorë nga të qenit shqiptar, sepse kështu mund t‘i pëlqejë dikujt. Kombi shqiptar ka qenë dhe mbetet një. Një komb në dy shtete, një dukuri që bota e njeh.

Ky komb, ashtu si më parë, gjithçka e ka të njëjtë: gjuhën, doket, ngrehën shpirtërore, kujtimet historike e të gjitha shenjat e tjera identifikuese. Përpjekjet që bëhen aty-këtu, duke nisur nga ndarja e gjuhës, për të përfunduar në ndarje të gjithçkaje, në një identitet të ri, nuk mund të jenë veç me qëllime të mbrapshta. Është pak a shumë ideja e "Shqipërisë së madhe" në kah të kundërt. "Shqipëria e madhe" si spikamë, transferohet në kuptimin e saj mohues, te kombi shqiptar. Me fjalë të tjera, ashtu siç është quajtur "Shqipëria e madhe" e dëmshme dhe bezdisëse, ashtu bëhet tani me tërësinë e kombit shqiptar. Ky komb, ashtu siç është, natyral dhe i plotë, quhet i dëmshëm dhe i bezdisës. Për ta bërë të pranueshëm, duhet ta ndajmë më dysh. Kështu fillojmë nga gjuha, e më tutje është gjithmonë më lehtë.

Një grup rimohuesish në Prishtinë dhe në Tiranë kanë kohë që u bien borive të tilla. Mendoj se marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën, sidomos tani që të dyja kanë përpara fjalën "shtet", duhet të jenë model i marrëdhënieve të shkëlqyera. Mbi këtë harmoni duhet të vigjilojnë të gjithë.

Keni paralajmëruar prej kohësh se dy shtete shqiptare do ta qetësojnë rajonin. Tani që ky është fakt i kryer, si e shihni Ballkanin me dy shtete shqiptare?

Dy shtete shqiptare në Ballkan... kjo ka filluar të acarojë nervat e atyre që mezi e presin rastin për t‘iu sulur Shqipërisë. Në një gazetë ruse, një farë ideologu jepte kushtrimin, duke u përpjekur të tmerrojë botën se së shpejti shqiptarët, si grykësa që janë, mund të kërkojnë pesë Shqipëri (mesa duket, e sipas tij, një në Maqedoni, një në Mal të Zi e një në Greqi, - Çamëria, ndoshta). Gjithmonë sipas këtij ideologu, këto "pesë Shqipëri", që drejtohen nga Al Qaeda dhe islamistët, do të përpiqen së shpejti t‘i bëjnë gropën Evropës. Gjithmonë sipas rusit, aleatja kryesore e "pesë Shqipërive", SHBA, e përkrah këtë "tufë Shqipërish", gjithmonë me të njëjtin qëllim, prishjen e Evropës.

Që t‘i kthehemi seriozisht çështjes, mendoj se dy shtete shqiptare do të rritin ndjeshëm faktorizimin shqiptar në Ballkan. Bashkë me këtë, përgjegjësia shqiptare për punët në gadishull do të rritet gjithashtu. Përveç kësaj, mendoj se kjo "dyshe shtetërore" do të ketë ndikim pozitiv të brendshëm në seriozitetin dhe moralin e shoqërisë, e sidomos të politikës shqiptare. Ajo do të zgjerojë vizionin për botën, kurse patriotizmin natyral tradicional, atë për të cilin ka aq shumë diskutime çoroditëse sot, do ta shoqërojë me një përmasë të re, atë që cilësohet "patriotizëm institucional", brenda modelit të sotëm evropian.

Beogradi e Rusia janë pozicionuar fort në mosnjohjen e kësaj pavarësie. A do të zbutet ky qëndrim në të ardhme?

Qëndrimi i Serbisë pritej. Me Kostunicat e tipat si ai, të cilët nuk ndahen dot nga martirologjia folklorike e betejës së Kosovës, e "djepit" dhe e fabulave të tjera, nuk shkohet larg. Është në interes të të gjithëve që dy shtetet shqiptare të kenë marrëdhënie normale si me Serbinë, si me Rusinë, por marrëdhëniet, siç e tregon vetë fjala, nuk mund të jenë veç të dyanshme.

Qëndrimi i Rusisë ka qenë tejet zhgënjyes. Asnjë shteti nuk mund t‘i lejohet një mllef e një revan i tillë kundër pavarësisë së një populli, siç ndodhi me qëndrimin rus kundër Kosovës. E dehur nga hapësira, Rusia vazhdon të bëjë gabimet e vjetra kur ajo vetë fabrikonte urrejtje, që ktheheshin pastaj kundër saj. Kështu i ka ndodhur me popujt e Baltikut, me disa nga popujt e Kaukazit, e me të tjerët që dihen. Përpara dalldisë kundër lirisë së shqiptarëve të Kosovës, që, me sa duket, sipas saj, nuk e meritojnë lirinë ngaqë nuk janë sllavë, Rusia do të bënte mirë që, në vend të dëgjonte demagogë të tillë, si ai i pesë Shqipërive, të dëgjonte mesazhin që i la shkrimtari që përfaqësonte ndërgjegjen e saj, Leon Tolstoi, në librin e tij të fundit "Haxhi Murati".

Në këtë vepër, të vetmen që iu censurua plotësisht ose përgjysmë në të tre regjimet, carist, komunist dhe postkomunist (dhe kjo është e kuptimplotë), ai e paralajmëroi Rusinë kundër dalldive të tilla. Si çdo shkrimtar i madh, duke e bërë këtë paralajmërim, lidhur me një popull të Kaukazit, ai e ka bërë njëkohësisht për të gjithë popujt. Ai e ka bërë atë edhe për Kosovën.

Pavarësia e Kosovës nuk do të arrihej pa ndihmën e Amerikës. Në çfarë mënyre duhet ta tregojnë mirënjohjen e tyre shqiptarët ndaj këtij shteti të madh?

Kjo që thoni ju është jashtë çdo dyshimi. Mirënjohja shqiptare për SHBA-në dhe aleatët e tjerë evropianë është një detyrim moral, për të cilin gjithë shqiptarët janë plotësisht të ndërgjegjshëm.

Dihet se kjo miqësi dhe simpati e shprehur pa asnjë rezervë e në stilin shqiptar prej shqiptarëve, ka shkaktuar një farë nënqeshje ironike në rrethe të caktuara evropiane, për të mos përmendur rrethet që jo vetëm bezdisen prej saj, por do të bëjnë çmos të intrigojnë kundër saj.

Mendoj se askush në Shqipëri dhe në Kosovë nuk duhet ta marrë seriozisht këtë ironi e bezdisje. Populli shqiptar ka arsyet e veta, të njohura botërisht për këtë mirënjohje. Në fillim të shekullit XX me diplomacinë e vet, në mbarim të shekullit me armët e veta, në fillim të shekullit XXI me vendosmërinë e vet të admirueshme, SHBA-të e ndihmuan si askush këtë komb të qëndrojë në këmbë. Ç‘arsye tjetër mund të kërkojë një popull për të qenë mirënjohës?

Zonjushat ironizuese është mirë të shqetësohen për valën e antiamerikanizmit, që mendjelehtësish është bërë e modës sot në shumë vende. Shumë shpejt është harruar se antiamerikanizmi ka qenë shtylla kryesore ku mbështetej stalinizmi rus, kinez dhe botëror.

Diaspora shqiptare e Amerikës ka bërë shumë për pavarësinë e Kosovës. Ju keni pasur dhe keni kontakte të vazhdueshme me këtë diasporë. Cili është pozicioni që duhet të marrë tani ajo për Kosovën?

Është një nga të vërtetat e pranuara nga të gjithë, se diaspora shqiptare, kjo "Shqipëri e tretë", siç mund të thoshim ne - për rusin do të ishte e gjashta - ka qenë e pranishme në të gjitha çastet, të mëdha e të përditshme të Shqipërisë.

Vizioni i saj, ai vizion që largësia zakonisht e bën më të kthjellët e të paanshëm, në rastin e çështjeve madhore kombëtare, si çështja e Kosovës, ka qenë jashtëzakonisht pozitiv dhe i domosdoshëm. Në kushtet e dy shteteve shqiptare, ky "vizion diasporial", nëse mund të përdoret një shprehje e tillë, si asnjë herë tjetër bëhet i domosdoshëm. Ai bëhet i tillë sidomos për një nga çështjet themelore të së ardhmes: harmonisë midis dy shteteve shqiptare, të vjetrit dhe të riut.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora