E marte, 23.04.2024, 07:23 AM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: A e dini kush jeni ju zoti Bengasi?

E premte, 23.09.2011, 07:59 PM


Në gjurmët e një shkrimi katër vjet më parë

 

A e dini kush jeni ju zoti Bengasi?

 

Nga Reshat Kripa

 

Shkrimin e mëposhtëm fillimisht ia dërgova një gazete të majtë që kishte hapur një rubrikë për këtë temë. Prita disa ditë, por shkrimi nuk u botua. Ia dërgova dy gazetave të djathta, por ai përsëri nuk u botua. Falënderoj redaksinë e gazetës “ Standard “ që pranoi ta botonte.

 

Lexova shkrimin e zotit Bengasi, botuar në një gazetë të përditëshme dhe mendova se do ishte e kotë t’i përgjigjesha. E ku ja vlente t’i përgjigjeshe një papagalli të rregjimit diktatorial që, për dyzetegjashtë vjet, nuk la më mjet dhe  metodë pa përdorur për torturimin e viktimave që i binin në duar dhe tani që ai sistem u përmbys papritmas, brenda natës, na qenka shndërruar në demokrat dhe luftëtar të të drejtave të njeriut që vetë ai i përdhosi me një gjakftohtësi që vetëm kriminelët e kanë. Prandaj një përgjigje të tillë do ta quaja të kotë, një humbje kohe me një njeri që, në të vërtetë, vendin sot duhej ta kishte prapa hekurave të burgut për të shlyer gjynahet e kryera gjatë kohës kur ishte në pushtet.

 

Por koha e sotme e tillë është.  Disa nga më ithtarët e atij rregjimi, ish punonjës të sigurimit famëzi të shtetit,  janë kthyer në dishepuj të demokracisë. Ata i dëgjon çdo ditë të llomotisin se gjoja ashtu na paskëshin qenë ligjet e asaj kohe, se fajet nuk na i paska patur hetuesia e dikurshme, por urdhërat që vinin nga lart dhe nuk mund të kundërshtoheshin. Po kush i kryente torturat në birucat e sigurimit ai me shokët e tij  apo eprorët?

 

Dua t’i tregoj zotit Bengasi historinë e mikut tim, inxhinierit të talentuar A.C. birit të dëshmorit të luftës nacional-çlirimtare, që hetuesit e arrestuan dhe pasi nuk pranoi të denonconte shokët e tij, i përdhunuan gruan dhe vajzën pesëmbëdhjetë vjeçare, që u detyruan të vrasin veten , pasi nuk mund t’u dilnin para syve njerëzve të tjerë. Ky njeri fatkeq, që bëri dhjetë vjet burg pa faj, tani nuk jeton më. Ai i mbylli sytë në mjerim, i mbuluar nga dhimbja për më të dashurit e tij.

 

Shkak për këtë shkrim u bë një takim promovues, i mbajtur para ca kohe, mbi jetën dhe veprën e shkrimtarit Kasem Trebeshina. Çdo gjë në atë takim po shkonte më së miri. Kumtesat e mbajtura nga njerëz të letrave ishin dinjitoze. Por, papritmas, bukurinë e këtij takimi e prishi dalja para publikut e njerit nga shkaktarët e tragjedisë së autorit të mësipërm. Ky njeri ishte pikërisht Dilaver Bengasi, ish hetuesi i tij që, pas dënimit të shkrimtarit, për  “meritat“ e kryera në organet e sigurimit, do të shpërblehesh me poste të rëndësishme në hierarkinë komuniste. Kur e pashë në skenë, mendova për një çast se do të bënte autokritikë, do të tregonte hapur dhe me ndërgjegje tmerret e atij rregjimi.

 

Por  ndodhi   e   kundërta.  Zotnia      fjalë    bilbilosi   mbi   meritat  e  hetuesisë komuniste që na paskësh qenë shumë e butë me të paraburgosurit, por na paskëshin qenë prokurorët ata që urdhëronin dënimin e tyre. Puna na paskësh arritur deri aty sa hetues Bengasi na qenkësh përpjekur ta lironte zotin Trebeshina, megjithse ai i paskësh deklaruar se nuk i donte as Enver Hoxhën dhe as Mehmet Shehun, por përsëri na paskëshin qenë prokurorët që kishin hedhur poshtë përpjekjet e tij të mëdha. Kulm më të madh të hipokrizisë nuk mund të ketë. Një gjë nuk dëgjuam nga ai, a e ka torturuar zotin Trebeshina? Se të gjithë ne që e kemi provuar atë derë, i njohim mirë torturat e përdorura.

 

Nuk e di çfarë mendimi ka zoti Trebeshina për personin në fjalë. Unë pres që ai t’i shprehë ato mendime, pasi i sipërpërmenduri e hoqi veten si mbrojtësi i tij më i zjarrtë. Sa për veten time dua t’ju them se më erdhi të pështirë nga një diskutim i tillë hipokrit. Ndaj  dua  t’i  drejtohem atij zotërie:

 

- Ju me siguri e dini mirë, pasi keni qenë pjesë e tyre, se prokuror dhe hetues në kohën kur flisni ju, kanë qenë e njëjta gjë, të dyja pjella të sigurimit. Ndaj mos u mundoni  me hipokrizi t’ja hidhni fajin të tjerëve, kur vetë keni qenë të zhytur në atë batak. Por ç’po ndodh në vendin tonë, kur njerëz të kallëpit tuaj ftohen në të tilla ceremoni dhe për më tepër u jepet edhe e drejta e fjalës?

 

Një miku im më tha se kjo është politika e Katovicës. Unë nuk dua ta besoj një gjë të tillë, pasi mendoj se në Shqipëri nuk duhet të ketë asnjë që të ketë nostalgji për atë periudhë të urryer. Por kur shoh nëpër gazeta shkrime si ai i zotnisë në fjalë, arrij në konkluzionin se miku im paska patur të drejtë. Të gjitha këto më bindin se këtu vazhdon akoma mentaliteti komunist.

 

Këtij qëllimi i shërbeu edhe Konferenca Shkencore me temë: “Komunizmi në Gjykatën Ndërkombëtare“ mbajtur me nismën e Shoqatës Ndërkombëtare të Burgosurve Politikë dhe Viktimave të Komunizmit më datën 21 tetor 2007 në Tiranë. Në këtë konferencë u mbajtën disa tema mjaft dinjitoze që shprehnin domosdoshmërinë e dënimit të krimeve të komunizmit. Bota ka nevojë për ngritjen e një gjykate të ngjashme me atë të Nurembergut. Fenomenet që po ndodhin në vendin tonë si dhe në vendet e tjera ku ka sunduar pushteti komunist, e bëjnë të domosdoshme ngritjen e një gjykate të tillë. Me nismën e shoqatave të dënuarve politikë të këtyre vendeve, ngritja e kësaj gjykate është vënë në rrugë të mbarë. Pritet vetëm finalizimi i saj. Atëhere zoti Bengasi, ju ftojmë të dëshmoni para kësaj gjykate  “pastërtinë“ e figurës tuaj si hetues i sigurimit të shtetit. Në rast se doni sqarime të tjera, ejani në zyrat tona. Ato ndodhen në godinën ku dikur mbretëronte diktatori juaj.

 

Ne ju presim!

 

Dërguar për botim gazetave “Gazeta shqiptare“, “Tema“ dhe “Sot“ që nuk e botuan. U botua në gazetën “Standard“  Nr.  710 datë 27 nëntor 2007, nën titullin “Përtej  hipokrizisë“.



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora