Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: “Kosovaristët” e Ahtisarit

| E enjte, 22.09.2011, 06:58 PM |


“Kosovaristët” e Ahtisarit

 

Lulinë e bënin nervoz “kosovaristët”, të cilët përpiqen nëpër portale interneti e në disa televizione shqiptare ta sajojnë kombin kosovar, heronjtë kosovarë, kulturën kosovare, letërsinë kosovare, traditën kosovare, gjuhën kosovare, ku secili do të fliste të folmen e katundit të vet pa rregulla drejtshkrimi, pa pikë e pa presje, me shumë me hundë sesa me gojë. - Nuk janë shumë, por u japin shumë hapësirë.

 

Nga Gani MEHMETAJ

 

E rrëmbyer nga bukuritë shqiptare, Lulia sikur u frymëzua t’i bie kryq e tërthor pjesës tjetër të territoreve etnike. Nuk e bënte këtë shëtitje për ndonjë interes tregtie, as të shihte mos kishte ardhur në Shkup mall i ri nga Turqia kinse i prodhimit italian. Digjej t’i shihte qytetet tona, derisa mbante kohë e mirë, sepse pastaj nuk i dihet, kur të fillojnë shirat e vjeshtës, përmbytën rrugët e Kodrës së Trimave, sa që s’kishte kush i kalonte puset e ujit as me barka si në rrethet e Shkodrës kur i mori lumi.

Ma pranoi më frymëmarrje të shpejtuar (Lulia sa herë shqetësohej mbushej frymë dhe i ngushtohej fyti) se gjithë këtë nerv patriotik, të fjetur në palat e padukshme të trurit të saj të qulltë e ka frymëzim nga ajo që pa, dhe nga leximi i literaturës patriotike. Ajo lexonte herë një libër për bashkim kombëtar, herë një tjetër dhe s’ngopej se lexuari e së ëndërruari. Hartën e Shqipërisë Etnike e kishte vënë në ballë të dyqanit. Iu mbush mendja top se atdheu ynë është nga Shkupi deri në Janinë. “Nga Tivari deri në Prevezë”, e korrektova unë, duke menduar se e ngatërronte vargun e Vaso Pashës, por ajo më pa me habi edhe kur fillova t’i recitoj “O moj Shqypni...” Ajo ma pranoi se kurrë nuk e kishte lexuar poezinë e Pashko Vasës, as “Bardhen e Temalit”, ndërkaq, gjeografinë e atdheut të ndarë si revania e ëmbëltorxhijve të Tetovës e dinte mirë edhe pa krijimet e ish- guvernatorit të Tripolit.

Nuk e pati të qartë ku është Preveza, për Janinën dhe Pargën ishte e sigurt se qenë në Çamëri. Ali pashë Tepelena i dukej personazhi më tragjik i Çamërisë, më tha e pikëlluar. Desha ta përmirësoj se Ali Pasha i tmerrshëm nuk ishte nga Çamëria, por vetëm sa do ta hutoja, kështu që nuk ia prisha. Babai i saj dikur i kalonte pushimet në detin Jon përtej Kretës. Mbante në mend nga rrëfimet e babait se si murgesha arvanitase e entuziazmuar kur i dëgjoi të llafosnin shqip, sikurse thoshte ajo, çupën, pra Lulinë deshi ta pagëzonte, “është mëkat kjo perri e vogël të rrinte e papagëzuar”. Mezi e bindi babai murgeshën arbëreshe zemërmirë që me të kthyer në Kodrën e Trimave do ta bënte këtë gjë!

 

Babai i tregonte se si i shkëlqenin sytë murgeshës nga gëzimi kur dëgjoi fjalët e gjuhës së saj, të cilën nuk e pati dëgjuar qe nga fëmijëria. Rrallë takonte çam ortodoks, ndërsa llafosnin më frikë ndonjë fjalë shkip. Meqë shpresonte se vitin tjetër posa të merrte vizën Shëngen do t’ia mësynte Çamërisë bregdetare dhe do të thekte trupin në diellin e zjarrtë, nuk deshi të më fliste më shumë për kujtimet e fëmijërisë.

“I love Chameria” e kishte ngjitur në murin e dyqanit, ndërsa këngët e përmallshme çame i dëgjonte shpesh.

Dhe kur përflakej më shikonte një herë me mosbesim, mos do t’ia filloja buzëqeshjes ironike, pranonte se i shkonte mendja t’i bashkonte të gjitha tokat shqiptare, në mënyrë që të gjithë të flisnin gjuhën e nënës pa frikë dhe të mos vuanin. “Prandaj kemi aq shumë këngë vajtimi”. Ëndërronte gjithashtu të ishte në ballë të kësaj lëvizje me britma, djersë e gjak, ndërsa në fakt nga sytë e kuptoja se ajo e fantazonte vetën në rolin e Zhan D’Arkës me shpatë në dorë (tetë herë e kishte pa filmin e fundit me heroinën franceze). Filmat me luftëra kundër pushtuesve ajo i gëlltiste me babëzi, duke i përjetuar si të ishin ngjarje reale. Mamicën, të motrën e Skënderbeut nga filmi “Skënderbeu” e adhuronte; kishte qarë disa herë kur amazona shqiptare rrëzohej nga kali e goditur pabesisht nga shigjeta e mallkuar osmane.

Kur nuk i mjaftonte ky shtysë frymëzimi për adrenalinë, atëherë dëgjonte këngët e Dava Gjergjit. S’kishte familje në Kodrën e Trimave që mund të flinte gjumë derisa t’i kalonte dalldia Lulisë. Edhe vet habitej s’i nuk gdhihej në kufirin me Serbinë që t’ua priste hovin një herë e përgjithmonë ngacmimeve nga veriu dhe t’i turpëronte burrat qe nga deputetët grindavec të Kuvendit të Kosovës e deri të veprimtarët e lagjes të cilët gjithë ditën shisnin mend e flisnin për trimëri e patriotizëm, kurse s’ua mbante të shkonin të ura e lëre me ta çlironin Mitrovicën nga banditët me mjekra. Të gjithë njerëzit me mjekra të gjata të pista i urrente për vdekje.

E kishte mësuar përmendesh refrenin e poezisë së Nolit, prandaj sa herë dikush mburrej me rrahagjoks ajo u thoshte: “Të ura, të ura, vraponi o burra“ dhe ata stepeshin, sepse e kuptonin që ajo i provokonte. Veprimtarët e lagjes mendonin që këto vargje janë shkruar pas vitit 1999 për Urën e Mitrovicës! Kur iu shua ajo përflakja e veçantë që i përftonte nëpër sytë e bukur, përpiqej të më bindte mua, sikur nuk i takonte asnjë lëvizje politike. Sidomos bënte be se nuk donte t’i ndryshonte kufijtë me luftë.

 Ndërkaq, Lulia si gjithë politikanët tonë në pushtet dhe ata në opozitë që kotësinë e ditës e kalonin me vaje në buzë, donte ta kishte simpatinë dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve në ëndërr e në zhgjëndërr. Pa ta s’do ta bënte asnjë hap. Qengji i butë i thithë dy nëna, e dinte fare mirë proverbin e moçëm. Në asnjë post nuk mund të zgjedhësh po nuk e pate mbështetjen e tyre. Kot që mashtrohesh. Edhe votat i merr kur duan ata. Po të ndihmuan ata mund të bëhesh çfarë ta donte e bardha zemër: deputet, ministër, kryeministër, president. Ishte e mprehtë e diplomate e thekur Lulia. “Pse a mendon se këta që janë në pushtet, erdhën me vota a?” Me pyeste dhe vazhdonte të më përgjigjej: “e paça në qafë nëse kanë ardhur ashtu sikurse mendojnë bashkëvendësit e mi naivë”.

 

Izolimin ndërkombëtar e urrente. E urrente edhe kryeneçësinë e budallenjve, sikur i cilësonte ata që mësynin herë në një anë, herë në anën tjetër, pa u pre sakica në një vend, të mllefosur pse të huajt nuk i mbështesnin.

 Lulia e donte Shqipërinë etnike me 130 mijë metra katrorë, ma tha me mburrje për të më treguar se e dinte historinë e gjeografinë e Katër Vilajeteve, që ishin shpërndarë në gjashtë shtete ballkanike. Duke me treguar gjeografinë dhe gjeopolitikën e rajonit shihte mos hynte kush në dyqan e na dëgjonte. Më shumë u druhej tanëve sesa ndërkombëtarëve, të cilët për këto gjëra nuk u bëhej vonë, mjafton të kesh këllqe dhe ata të qëndrojnë prapa, ose: “Fol sa të lodhesh, sepse ata nuk mërziten nga fjalët”, e cilësonte ajo tolerancën e tyre. Mirëpo, i dhembte koka nga njerëzit tanë që kur përmendej bashkimi kombëtar, secili kishte versionin e vet të kombit e të kombëtares, secili e kishte mënyrën e vet se si do ta bënte bashkimin, thua se kjo gjë ishte si molla e varur në degë të pemës, mjaftonte të zgjasnin dorën e ta vilnin. Dhe fillonin e i tirrnin gjërat deri në pakufi. Kur nuk të bindnin dot, thoshte ajo, apo kur paraqisje rezerva ndaj oratorisë së tyre shterpe, vazhdonin me kërcënime e shantazhe. Heroinën tonë e kishin quajtur nostalgjike jugosllave, megjithëse ajo s’mbante mend asgjë nga ajo kohë, pos krismave e britmave të policëve serb kur hynë në Kodrën e Trimave. Dhe ajo as atëherë as tash nuk e mësoi asnjë fjalë në asnjërën prej gjuhëve sllave.

 Lulia me nervin e hollë analitik ishte e bindur se po i dhanë kësaj kaste pushtet do të qetësoheshin e do të bëheshin si qengja, ashtu si shokët e tyre të deridjeshëm që nxirrnin flakë për goje, por kur ua hoqën flamurin kombëtar dhe ua dhanë një tjetër me yje e me fushë të kaltër, heshtën si të mos kishte ndodhur asgjë.

 Lulinë e bënin nervoz edhe “kosovaristët”, të cilët e mohonin Shqipërinë Etnike dhe i binin në qafë me akuzat-mohuese të shtetit të Kosovës. Shkuan aq larg, sikur ajo është kundër pavarësisë, kundër institucioneve të ngritura me gjak e djersë. Deri dje thoshte Lulia edhe babait të saj të njëjtit i kishin rënë në qafë se ishte kundër Jugosllavisë, kundër vëllazërim-bashkimit e vlerave të LNÇ-së. Tash vlerat e LNÇ i zëvendësuan me vlerat e UÇK-së.

 Lulinë e bënin nervoz “kosovaristët”, të cilët përpiqen nëpër portale interneti e në disa televizione shqiptare ta sajojnë kombin kosovar, heronjtë kosovarë, kulturën kosovare, letërsinë kosovare, traditën kosovare, gjuhën kosovare, ku secili do të fliste të folmen e katundit të vet pa rregulla drejtshkrimi, pa pikë e pa presje, me shumë me hundë sesa me gojë. Nuk janë shumë, por u japin shumë hapësirë, sidomos në Tiranë.

 “Kosovaristët” e mbronin edhe kushtetutën që na e hodhi nga aeroplani finlandezi buçko-Ahtisari. Kosovarishtën e televizioneve të Prishtinës më nuk e flet as gjyshja e Lulisë, lindur e rritur në Llap, në cep të kufirit me Serbinë. Edhe ajo turqizmat e serbizmat i ka heq nga fjalori që të duket e kohës.

 Ajo bëhej nervoze edhe në bashkëkombësit mesdhetarë, të cilët edhe kur përkthejnë filma në “Digitalb”, aty ku Toni Bler thoshte shqiptarët e Kosovës, e përkthenin “kosovarët” (nuk ua pranonin shqiptarësinë bashkëkombësve të kontinentit edhe po ua pranoi e gjithë bota!).

 

Më la pa fjalë gojëtaria e vajzës nga Kodra e Trimave që më doli rrush me mend. I dinte problemet në thelb, më mirë sesa analistët e shumëzuar si lepujt balash që e përsërisin njëri-tjetrin, duke i huazuar pa fusnota tezat e analistëve të huaj.

 Prapë m’u betua se nuk e donte bashkimin kombëtar, pse pemët e perimet mund t’i sillte më lirë në dyqan, nëse do të hynin pa doganë nga Myzeqeja, apo nga fusha e Pollogut, as pse donte t’i kundërvihej mallrave të Serbisë në frymën e patriotizmit kuq e zi.

 Dikur ma tregoi arsyen e vërtetë pse donte ta shkelte kalldrëmin e kryeqytetit të shqiptarëve, sikurse e quante ajo Shkupin, të cilin Isa Boletini e çliroi nga pushtuesit turq, por në vend të qëndronte e ta mbronte nga serbët që vinin nga veriu, vazhdoi drejt Selanikut për të shpëtuar Sulltan Pekmezin! Iu ngatërrua emri i Sulltanit të fundit turk që priste Boletinin shpëtimtar, prandaj ia krisi emrin e parë që iu kujtua nga një film. Por kur unë e pash me një tis të hollë buzëqeshje pa dashur ta përqesh, ajo e frenoi vetën në qëndrimin kritik ndaj heroit të saj, në të cilin betohej megjithëse nuk ishte nga Kodra e Trimave. Në këtë qëndrim kritik ndaj heronjve kuq e zi, hetova ndikimin e të dashurit të saj, Kreshnikut, por nuk ia thash. Puna e Isa Boletinit shpesh i dukej si puna e llapjanëve te saj analfabetë që nuk i njihnin uniformat, luftonin kush u dilte para. Guximi nuk u mungonte, por u mungonte diç tjetër që ajo nuk e nxirrte nga goja.

 Lulia pranoi se nuk kishte lexuar shumë histori, më shumë gjërat i dinte nga filmat, interneti dhe nga fejtonet e gazetave. Ishte Kreshniku i saj që e cyste në blasfemi për Ismail Qemalin e Isa Boletinin, pa e ditur se ajo pastaj këto gjëra i bluante gjithë natën, duke e kërkuar zgjidhjen, të cilën nuk e gjente. Ndërkaq, ajo ishte mësuar që çdo herë ta gjente zgjidhjen, ndryshe nuk e zinte gjumi dhe e gdhinte kënga e gjelit. Për të heronjtë ose janë heronj pa të meta, ose nuk janë heronj. Prandaj e brente ndërgjegjja, kur i shkonte mendja për keq.

 

Për ZSH: Ramiz Bojaj