E premte, 19.04.2024, 07:31 PM (GMT+1)

Editorial

Mërgim Korça: Kumtesë me rastin e dekretimit të Pavarësisë së Kosovës

E marte, 19.02.2008, 01:54 AM


KUMTESË ME RASTIN E DEKRETIMIT PAVARËSISË KOSOVËS.

Nga Mërgim Korça

Mërgim Korça
Të nderuar edhe të dashur motra edhe vëllezër bashkëkombas shqiptarë. 
Vetë rrethana për të cilën jemi mbledhur sonte, tubim  mbas dekretimit të Pavarësisë Kosovës, e ngré këtë takim në një nivel të përveçëm.  Prandaj e ndjej me vënd t’i falënderoj në mënyrë të posaçme Hirësín’e Tij Imam Vehbiun, Imam Shuajbin si edhe Këshillin e Xhamisë sonë, që ma besuan mua nderin t’a mbaj këtë ligjëratë.   E konsideroj ndér të madh besimin e tyre, sepse të tilla ligjërata nuk mbahen dy herë ... por një herë përgjatë gjithë jetës !
E tashti që edhe ju të nderuar pjesëmarrës, për aq kohëzgjatje sa do të zerë kjo ligjëratë ... më pranuat si folës, ju ftoj që duke filluar që nga Sulejman Vokshi i betejës Cernolevës, krasniqasit Mic Sokoli, Ali Ibrës nga Gashi e duke vazhduar me Hasan Prishtinën e Bedri Pejanin, të mënçurit politikanë, të pasuar nga Ibrahim Rugova si edhe Fehmi Agani për të dalë tek Adem Jashari me gjithë fis të tijin si edhe të gjithë luftëtarët e U.Ç.K.- së po ashtu  edhe martirët e holokaustit sërb ndaj shqiptarëve të rënë pa e parë realitet këtë ditë që ne po festojmë sot, ju ftoj të ngrihemi në këmbë dhe në heshtje t’a nderojmë kujtimin e tyre ! 
I përjetshëm u ruajtë brez pas brezi kujtimi i atyre që u flijuan për t’ia arritur kësaj dite lirije Kosova :   Kosova e tyre edhe e jona !  
Këtë kumtesë nuk dua t’a bëj paradë suksesesh edhe euforíe.  Jo.  Dua që me anën e saj të ndërgjegjësohemi mos të gabojmë në të ardhmen e vështirë !     
Pak histori, disi e lashtë :   Fantazit’e shtrembëruesve të historisë janë përdorur jet’edhe mot nga tiranët, të etur për pushtet edhe pushtime, për plotësimin e qëllimeve të tyre shoviniste në kurriz popujsh të tjerë.  Këto fantazi janë sa të larmishme por edhe po aq  të neveritëshme.   Shikoni, sa për një shëmbull skandaloz se si, sipas tezës të Radoslav Gaçinoviq, ... shtrirja e serbëve në Kosovë daton qysh nga shekulli i VII-të.  Në periudhën e shekujve IX-të e deri XI-të, kanë krijuar principatat lokale brënda perandorisë ...
Pohimin e këtij shkencëtari shovinist, po e ballafaqoj me ç’ka thënë e shkruar historiani dhe albanologu tejet i shquar Dr.Milan Shufflaj në veprën e tij Serbët dhe Shqiptarët, (botim i vitit 2002 – faqe 19) :   “ Historia e popullit shqiptar në Ballkan nuk fillon në shekullin VII, por disa shekuj më parë. Sipas Ptolemeut, shqiptarët për herë të parë përmenden në shekullin e II-të, të cilët jetonin rreth qytetit Albanopol, Krujës së mëvonshme. Ky fis i vjetër arbën kishte pozitë qendrore në bërthamën shqiptare.”   Ndërsa për vetë fatin e studjuesit M.Shuflaj, dua t’ju a kujtoj  se serbët e vranë në mes të Zagrebit Dr.M.Shufflaj-in, (pikërisht nesër, me 18 Shkurt, mbushen plot 77 vite nga vrasja e tij), dhe dy shkencëtarët e mëdhenj dhe nga më të shquarit e botës, Albert Einstein dhe Heinrich Mann, me këtë rast i dërguan një letër proteste Organizatës së Mbrojtjes së të Drejtave të Qytetarëve).  
Ndërsa në mënyrë specifike lidhur me Kosovën, autori historian Noel Malcolm në veprën e tij Kosovo, a Short History, botim i vitit 1999 – faqe 27 shprehet :  “Kosova nuk bënte pjesë në territorin e Rashkës, e cila mëpastaj shtrihej në veri-perëndim :  Ekspansioni serb në Kosovë filloi në mbarim të shekullit XII-të.”  Me pak fjalë Kosova fillimisht është njohur si Dardaní.   Fiset sllave ndër të cilët më i fuqishmi ishte ai i Rashkajve, (në pjesën qëndrore të Sërbisë bashkëkohore), si dhe ai i Diokletëve, (në të ashtuquajturën bërthamë të Malit të Zi të sotëm), me kalimin e kohës deshën shtrirje dhe ajo u bë në dëmin dhe në kurriz të Dardanisë, Dioklea-s si edhe të Metohisë, (Rrafshit të Dukagjinit), pikërisht me Luftën Ballkanike të 1912-ës.   Kjo qe hakmarrja e sllavëve ndaj Betejës së Kosovës të vitit 1389 !   Vulosjen e asaj padrejtësije të skajëshme e bëri Konferenca e Londrës e ambasadorëve e kryesuar nga Sir Edward Grey, Sekretari i punëve të Jashtme i Britanisë Madhe !   Ky qe edhe nismëtari si edhe përcaktuesi i kufinjëve të cunguar të Shqipërisë e cila u njoh si shtet më vete më 28 Nëntor të vitit 1912, duke paraqitur një realitet të paparë deri atëhere :   Shteti i Ri Shqiptar kufijtë shtetërorë tokësorë i kishte vijë ndarëse me troje të populluar kryesisht nga shqiptarë !(?)   E duke e ngushtuar këtë këndvështrim, me që sot përjetojmë edhe festojmë shpalljen më së fundi të pavarësisë Kosovës, kufiri verior i Shqipërisë i ndan tokat shqiptare nga trojet e banuara po nga shqiptarë që nga skaji jugë-perëndimor i Malit të Zi, e deri dje në skajin jugë-lindor të Kosovës e në vazhdim me Maqedoninë !    A ka padrejtësi më të madhe ?  
Nuk rri dot pa dhënë edhe shifrën rrënqethëse se shkelja e Dardanisë nga serbët si edhe zgjerimi i sllavëve të bërthamës Dioklea-s në trojet shqiptare dhe pushtimi i Rrafshit të Dukagjinit, sollën me vete pirgje të pafund kufomash shqiptare :   12777 të vrarë.   Hapi i dytë qe dyndja e dhjetramijërave  kolonëve sllavë në trojet shqiptare !   E ky qe vetëm fillimi !
Do të ndalem tashti në thelbin e së keqes së madhe ku të shqyrtojmë se si, në çaste të caktuara të historisë, sa rëndësi merr largpamësia e drejtuesve, për të mirën e kombit, dhe ç’tragjedi mund të shkaktojë një grup udhëheqësish të prirur nga etja për pushtet vetjak, në të keqe të kombit !
Pak histori bashkëkohëse :   Për t’i trajtuar nga ky këndvështrim zhvillimet historike do të më lejoni, të nderuar ndigjues, të shtroj para jush një nga citatet madhore të njerit nga kollosët e mendimit filozofik botëror, Rabindranad Tagorës, i cili thekson :  
Ai komb i cili nuk i ndreq gabimet e kaluara duke e ndërtuar të tashmen,  nuk ka se si të ketë të ardhme.  Ai ësht’i destinuar të zhduket.  
E shtrova përgjatë kësaj hullíje vazhdimin e analizës që secili prej nesh, paralelisht me ndigjimin e fakteve historike të kaluara, të jetë në gjëndje edhe t’i gjykojë zhvillimet nga pozitat e lartësive të vitit 2008.   E kur ne, njerëz krejtësisht të radhës, jemi në gjëndje t’a bëjmë këtë paralelizëm krahasues, mendoj se ata që i kanë në duar  kartat e së ardhmes të vëndit që drejtojnë, padyshim që duhet të reflektojnë drejtë.   Nga ana tjetër e ndjej të nevojëshme të shtoj :  mos kini aspak frikë, nuk do të zgjatem pafund por fluturimthi do t’i prek çastet kulmore të historisë Kosovës si edhe Shqipërisë duke e marrë pikënisjen që nga faza e parë e Luftës së II-të Botërore, kohë kur Kosova administratrivisht i u bashkua Shqipërisë Etnike e deri më sot,   që Kosova u dekretua dhe u njoh shtet më vete e pra jemi para faktit të kryer që kemi dy shtete shqiptare.   E megjithë këtë, prapseprap jemi të lumturuar !  
Nisur nga aspiratat e brezave të tërë patriotësh, pikësynimi i tyre ka qenë Shqipëria Etnike, brënda trojeve të saj etnikë, e me popullatë kombëtarisht shqiptare.     Mirëpo sllavët e veriut nuk e gëlltisnin dot idenë e ati bashkimi dhe filluan të punojnë me pikësynime shumë të largëta.  Shikoni se si shprehej Josip Broz Titua në Konferencën e V-të të Partisë Komuniste të Jugosllavisë mbajtur në Dubravë më 1940 :
“Zgjidhja e çështjës kombëtare në Kosovë mund të arrihet vetëm me formimin e Republikës Shqiptare të lirë dhe në trojet e veta.”  (Vepra e VI-të, vëllimi i VI-të, faqe 1 dhe 9).
Ishte luftë.   Situatat zhvilloheshin me shpejtësi marramendëse.   Në pranverën e vitit 1941 Kosova i u bashkua administrativisht Shqipërisë dhe filloi frymëmarrjen dhe veprimtarinë e saj si krahinë e çliruar e bashkangjitur vëndit mëmë !   
Si reagoi Partia Komuniste Jugosllave ?   Më 8 Nëntor 1941, e krijoi, e organizoi si edhe e drejtoi Partinë Komuniste Shqiptare.  Vijmë tashti tek Konferenca e Bujanit (31 dhjetor – 2 janar 1944).  Në rezolucionin e konferencës theksohet se “... Kosova si edhe Rrafshi i Dukagjiit popullohen në pjesën më të madhe nga popullsi shqiptare që dëshiron të jetë pjesë e Shqipërisë ... Lufta e përbashkët e tyre me popujt e tjerë të Jugosllavisë ... është rruga e vetme për tu fituar liria, kur të gjithë popujt, pra edhe shqiptarët, do të kenë mundësinë që të deklarohen rreth fatit të tyre, me të drejtë për vetëvendosje deri në shkëputje.”  
Po Partia Komuniste Shqiptare si veproi në vijim ?  Pa u zgjatur shumë, sepse do të dilnim nga kuadri i kësaj kumtese, po riprodhoj pohimet e Enver Hoxhës në plenumin e jashtëzakonshëm të zhvilluar nga data 18 – 20 dhjetor të vitit 1946, ku ai tha :  Jugosllavia demokratike është më e avancuar, më e përparuar se ne.  Interesi ynë është që ajo të jetë e fortë, se me Jugosllavi të fortë do të ketë demokraci në Ballkan.  A është në interesin tonë të kërkojmë Kosovën ?  Kjo nuk është progresiste ...
Në vazhdim po jap krimet e bëra ndaj kosovarëve, shifra të cilat Enver Hoxha, si udhëheqës shteti nuk kishte se si mos t’i dinte.   Pa hyrë në detaje statistikash sipas krahinave, ja krimet si edhe dëbimet :
        - Nga viti 1875 – 1912 u dëbuan nga trojet e tyre 350000 shqiptarë.
      - Prej vitit 1912 – 1914 u dëbuan 120000 shqiptarë të tjerë.
- Nga viti 1918 – 1941 janë dëbuar 240000 shqiptarë.
- Vetëm gjatë vitit 1945 u vranë e masakruan 42165 shqiptarë.
Për t’i dhënë gjithsecilit hakun që i takon, nuk kam se si t’a le pa e zënë në gojë ish kryeministrin Fatos Nano i cili gojë për gojë me terroristin Millosheviç u shpreh se “... çështja kosovare është problem i brëndshëm i Jugosllavisë ... “!  E zoti Nano nuk mund të bëjë të paditurin e të thotë se nuk i di masakrat e Reçakut, Prekazit, Likoshanit, Celinës etj.etj. ku shumatorja e të masakruarve kap shifrën e 15000 njerëzve si edhe 10000 të dëbuarve nga Kosova !    
Përfundimet që mendoj të nxirren, janë mësimet nga e kaluara disi e largët e gjithashtu edhe nga historia bashkëkohëse që çdo hap që do të ndërmerret nga sot e tutje, për asnjë çast të mos hidhet duke i harruar përvojat e hidhura të kaluara.  
Arritjet e kurorëzuara në ditën e sotme, janë realizim i synimeve, sakrificave, përpjekjeve si edhe luftrave të filluara që nga Lidhja e Prizrenit, të vazhduara me politikën e urtë pro-perëndimore të udhëheqësve të Krahinës Autonome të Kosovës, (në kuadrin e ish Jugosllavisë), e deri në mobilizimin patriotik total të popullit kosovar në mbështetjen e luftës heroike të U.Ç.K.-së dhe të NATO-s, të gërshetuara të gjitha këto me mbështetjen e fuqishme që i dhanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, (si edhe me rastin e shpalljes së pavarësisë Shqipërisë), por me ndryshimin se në rastin e Kosovës, kontribut konkret pozitiv këtë herë ka dhënë edhe Britania e Madhe !   Por rol vendimtar ka lojtur edhe të ndërgjegjësuarit e politikanëve kosovarë që, për hir të arritjes piksynimit, i lanë më një anë grindjet politike dhe të bashkuar në mendime edhe veprime po e përjetojnë fitoren e ëndërruar !   
Dy fjalë rreth kundërshtimeve :   Qiproja ësht’e qartë pse e kundërshton pavarësin’e Kosovës :  i ka të mprehtë problemet e saj në mes dy bashkësive etnike greke si edhe turke.   Po me që zëri i Qipros nuk ngre peshë, nuk kemi pse merremi as me të e as me ndonjë kundërshtues tjetër të lëkundur.   Serioz, po, është kundërshtimi i Rusisë.   Ç’interesa i preken asaj ?   Të shumënatyrëshme.   Ajo ka probleme të mprehtë me Estonin’edhe Letoninë lidhur me procedurat e naturalizimit të qytetarëve rusë të dyndur në to gjatë periudhës sovjetike.   Po të ishte me kaq, as që do t’a quante Rusija problem.   Po ajo ka jashtë kontrollit të saj krizat me Çeçenínë për pavarësin’e saj, siç e përjeton konfliktin mes Dagestanit edhe Ingushetísë.   Transnistria praktikisht është shkëputur nga Moldavía.   Abkazía dhe Osetía e Jugut praktikisht i janë shkëputur Gjeorgjisë, por Adjara sa vjen e bën trysní për autonomi më të madhe.  E nuk mjaftojnë këto   por edhe telashet e Nagorno - Karabakut me Azerbajxhanin !
Në këto kushte kur Rusia kërkon të ckërmitë dhëmbët lidhur me pavarësin’e Kosovës, (duke qenë hija e fuqisë dikurëshme), vjen si një puhí e këndëshme mes vapës, pohimi i bashkëpunëtores së vjetër shkencore pranë Qendrës Carnegie të Moskës, zonjës Lidia Shevstova, e cila bën pohimin madhor :   “ Në analizë të fundit pozicioni i Rusisë, (mbas marrjes rrugë të  problemit kosovar – M.K.), do të jetë :  POSHTËRIM I SAJ.”
Do t’a mbyll këtë kumtesë me lutjen Zotit që drejtuesve politikë të Kosovës t’ua ruajë unitetin në mendime për hir të përparimit të vëndit !
Ju falënderoj për vëmëndjen.
Rroftë e përparoftë Kosova e pavarur !
  
Mbajtur nga :  Mërgim Korça
17 Shkurt 2008



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora