E shtune, 20.04.2024, 12:10 AM (GMT+1)

Editorial

Fatmir Terziu: Monumenti i lotit të gëzimit shqiptar në Trafalgar Square (Londer)

E hene, 18.02.2008, 08:34 PM


Fatmir Terziu
MONUMENTI I LOTIT TË GËZIMIT SHQIPTAR NË TRAFALGAR SQUARE

Nga Fatmir Terziu

Historia shqiptare u përlot dje në Londër. Dhe pikërisht lot rrodhën nga fytyra gazmore dhe të emocionuara shqiptare mu në mes të Metropolit Botëror, në sheshin e tij të madh dhe historik "Trafalgar Square". Lot kishte dje në fytyrat e rrudhura, në fytyrat me permanent dhe në fytyrat ende qumështore. Tre breza shqiptarësh ligjëruan me madhështinë e lotit të tyre momentin historik të lindjes ligjore të shtetit më të ri të Botës. Kosova dje foli me ngjyrat kombëtare në shkëlqimin e këtij monumenti lotësh. Monument lotësh para Monumentit të të Madhit Nelson, heroit të Historisë Britanike, pikërisht para sfidave të tij, aty ku stërkalat e shatërvanit dhe putrat e luanëve me mish të ftohtë, ishin nën pushtetin e mijëra flamujve kuq e zi që argjendonin në vallen e tyre mes rrezeve diellore. Dje thirja e poetit të Madh Adem Istrefi nuk kishte nevojë të përsëriste retorikën e kohës; 'Historia vetëlëshoi hisen e munguar të Diellit edhe për këtë pjesë të Kombit shqiptar… Pastaj aty ishin mes lotëve të gëzimit të gjithë, herronj e heroina, trima e trimëresha, miq të Kombit Shqiptar. Flamujve kuq e zi u bënin shoqëri flamujt e vendeve mike, flamujt që lanë simbolikën e tyre në këtë shërim të përhershëm të plagëve të tokës Dardane, në një kohë që shqiptaria krijoi dhe gjeti miqësinë e munguar ndoshta shekullore.
Në këndin bri Muzeut, pikërisht aty ku busti nëkollonësh dhe tepër i lartë i Heroit Britanik i kthen shikimin gjithë hapësirës së madhe, një makinë me dyer të hapura dhe me kasetofona që shqyenin ajrinë përhapte melodinë e valles që hidhej shqip nga të rrinj, burra e gra, pleq e nipër e mbesa. Kësula, plisi Kosovar dhe kostumet e larmishme shtonin larminë në shesh, ndërsa si në një korr më vete boritë e makinave që ngiteshin nga shqiptarët, përhapnin mesazhin historik që u fiksua edhe në Londër nga qindra kamera të mediave të ndryshme. Mes gjithë kësaj etnografie festive dy burra që kishin marrë përsipër zanafillën përcuese festive, Lutfi Vata i "Ardhmërisë" dhe Sherif Bllaca i "Pejës", ishin më të lëvizshmit që detajonin dhe dirrigjonin këtë festë të Madhe, që edhe pse spontane mbarti mesazhe dhe vlera të pallogaritshme kulturore, kombëtare dhe historike. Qindra makina në anën tjetër, bënin rrotullamën ligjore të miratuar nga organet kompetente, që fillonte nga "Embankment" dhe përshkonte gati gjithë anën Jug-Perëndimore të sheshit. Boritë e makinave dhe thirjet gazmore: "Kosova e Pavarur", "Thank You Britain!, Europe and USA" pothuajse kishin magnetizuar edhe qindra të tjerë joshqiptarë, që ndoshta dje e kuptuan me gjithë zemër se cdo të thotë të festosh lirinë dhe pavarësinë në një kohë moderne dhe të flakësh hallkat e një zinxhiri të ndryshkur historik të shkruar mbrasht për këtë pjesë të Kombit shqiptar.
Mesazhet ishin dje në valët e telefonave celularë. Ata vini nga të gjitha qytetet e Britanisë së Madhe, por edhe nga shtetet e tjera.. I pari është Dritan Dema kryetari shqiptarëve të Biminghamit, që uron si gjithmonë por vecanërisht në këtë ditë të madhe: "Te dashur miq dhe dashamir. Sot, Kosova ka shpallur zyrtarisht Pavaresine e Saj. Sot ka lindur shteti me i Ri i Europes. Ne keto momente feste dhe hareje deshirojme te falenderojme te gjithe per kontributin dhe perkrahjen tuaj, qe me shume zemergjeresi dhe pasion ja keni dhuruar popullit te Kosoves per te realizuar endrren shekullore - per te jetuar ne liri dhe demokraci. Urime dhe faleminderit!"
Dje sheshi "Trafalgar Square" foli, qeshi, qau nga gëzimi, vallëzoi dhe oshëtiu nën pushtetin e një gjuhe që mijëra zemra e shpalosën hareshëm. Një kulturë e re, një festive e re iu shtua solemnisht krenarisë festive, që u gërshetua me moralin e një tradite të gatuar shekujve dhe moteve nga shqiptarët dhe të përcjedhur madhërishëm nga brezat. Dje në sheshin e madh shqiptarët i folën historisë me lotë gëzimi, me fatin e një dhurate të madhe historike që kurrë nuk do të kthehet më në plagë. Aty u pikëtakuan fuqishëm edhe mesazhet e shumta që dje u shpërndanë nga shqiptarët e gëzuar anembanë Botës.

E diel, shkurt 17, 2008

 
 
 
 
 
 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora