E premte, 29.03.2024, 12:11 PM (GMT)

Kulturë

Baki Ymeri: Hijet e diktaturës dhe Shqipëria e ëndrrave tona

E diele, 18.09.2011, 03:59 PM


Hijet e diktaturës dhe Shqipëria e ëndrrave tona

 

Çdo gjë, çdo takim, çdo vizitë, çdo bisedë, ishte e ndjekur, e regjistruar dhe raportuar. Bozhena mënjanë mbetet e mahnitur me aspekte të panumërta të bujarisë shqiptare, ndërsa në anën tjetër çuditej se në çfarë varfërie dhe mjerimi e kishte katandisur Enver Hoxha këtë vend.

 

Nga Baki Ymeri

 

Krahas engjëjve të demokracisë, Shqipëria e ëndrrave tona sot e kësaj dite ka përfaqësues të korruptuar dhe kompromituar. Hije enveriste të pispillosura me kostumografi “demokratike” dhe pamjen dinake të kameleonizmit ballkanik. Butakë, heshtakë dhe profesionistë të shquar për mashtrim dhe hajdutllëk. Gënjeshtarë, kurreshtarë dhe dështakë të klasit të parë të listës për pregaditjen e bagazhit për t’u kthyer atje ku e kanë vendin: në vendlindje. Hijet e së shkuarës i ke gjithandej në botë, madje edhe në diplomaci. “Përveç teje nuk do të shkelë këmbë shqiptari në shtëpinë time”, më thot jo për herë të parë, Dr. Xhelku Maksuti, lider dhe veteran i komunitetit shqiptar të Rumanisë, shqiptari që ka shkrirë shëndetin e trurit duke shkruar e botuar mbi 500 artikuj dhe studime shkencore mbi shqiptarët dhe Shqipërinë. Xhelku Maksuti është Nikolla Naço i ditëve tona që e meriton nga një monument në Tiranë, Prishtinë e Kërçovë, e ku më një Mirënjohje nga ana e Ambasadës Shqiptare me të cilën ende nuk e ka nderuar përfaqësuesi i ri i një sistemi të vjetër. Instruktimi komunisto-ideologjik zë fill këtu e tri dekada më parë, me një guidë sigurimsash "diplomatë" të Enver Hoxhës në përfaqësitë diplomatike të Europës, të cilët themeluan edhe organizatën supërkriminale SHIK-un. Ata janë të parët që projektuan përçarjen e madhe ndërshqiptare të Kosovës, duke i konvertuar djemtë e Kosovës nga luftëtarë për liri, në vrasës serikë për pushtet dhe pasuri, pra, në profiterë të neveritshëm të luftës, thekson Idriz Zeqiraj në një artikull të tij.

Tani po kalojmë nga Bukureshti në Elbasan, në atë qytet të lashtë e të bukur me njerëz bujarë që dinë të të nderojnë me mikpritje të përzemërt. Po rikthehemi në Elbasanin e Ali Bungos, për të cilin ka shkruar me admirim i biri i tij, tashmë në mërgim, Makensen Bungo. Hijet e diktaturës e patën persekutuar, jo vetëm Aliun që i ofroi mikpritje një qytetari të huaj, por edhe Makensenin e tij. Romani mban titullin “Rrugëtim me Psherëtima” (Tiranë, 2009), me një përkushtim që i ka hije: “Kushtuar kujtimit të babait tim Ali Bungo, që me sjelljen e tij njerëzore dhe me miqësinë e tij të pastër me mikun e vet Nojman, më frymëzoi për hartimin e këtij romani.”  Sipas Kostaq Xoxes, “Makensen Bungo është një nga përbërësit e gjeneratës së talentuar të letërsisë që nuk botoi para vitit 1990 për “arësye” biografie. Novelat, tregimet e vjershat e tij e panë dritën e botimit në periudhën demokratike. U bë i njohur, sidomos, me romanin e tij kushtuar vuajtjeve dhe mundimeve në njërin prej kampeve më mizore të diktaturës: atij të Vloçishtit. Autori ishte njëri prej viktimave të këtij gulagu shqiptar. Personazhet e tregimeve të Makensenit nuk janë fiksione; janë persona të vërtetë, me një jetë dhimbjesh dhe peripecishë të denja për t’u shkruar në një vepër letrare. Leximi i tyre të tërheq, të mban pezull dhe zgjon interes edhe falë stilit dhe shtjellimit emocional të materialit që të le mbresa.”

            Makensen Bugo i përshkruan në romanin e tij peripecitë e Bozhana Nojmanovës e cila erdhi nga Çekia për një vizitë në Shqipëri në kohën e kryekriminelit të kombit shqiptar, satrapit stalinist Enver Hoxha, i cili e krijoi Partinë Komuniste sipas direktivave antishqiptare të agjenturës jugosllave të Dushan Mugoshës dhe Svetozar Vukmanoviç Tempos, i cili ia la peshqesh Serbisë antishqiptare Kosovën. Bozhena erdhi në Shqipëri për një vizitë miqësore, e ftuar nga Komiteti Qëndror i Partisë së Punës të Shqipërisë, të asaj partie kriminale për të cilën eedhe disa prej nesh mendonim në vitet ’70-të të shekullit të shkuar se e çon Shqipërinë në Parajsë, pa e ditur se e shpiente në skëterrë. Sipas autorit “ishin idetë utopiste këto që gënjyen të rinjtë e asaj kohe, nga të cilat shumë vende të botës vuajtën të zitë e ullirit” (fq.6). Autori posedon një imagjinatë të bujshme dhe produktive. Në kohën kur Bozhena bisedonte me të bijën e saj para se të niset për në Shqipëri, shpërthen “fëshfëritja e gjetheve të pemëve dekorative pranë verandës të jepte të kuptojes se edhe në mbrëmje jeta ka gjallërinë e saj të mahnitshme, që të ftonte ta shijoje në çdo çast”. “Lumja ti, moj mami, që do të shkosh në atë vend të bukur dhe do të takosh ata njerëz të mrekullueshëm”, i pat thënë e Sonja e saj para se të fluturojë për në Tiranë. Bozhena vjen të nesërmen në Shqipëri, dhe në vend të një vendi mikpritës siç e ka pajisur Perëndia, gjen një koshere të egër të stalinizmit shqiptar, një vend më të shëmtuar dhe më të varfër se atë të Rumanisë çaushiste apo të Jugosllavisë titiste.

            Para se të aterojë aeroplani në aeroportin primitiv të Tiranës, mikeshën e huaj e mahniti pamja nga lart e maleve të larta e të thepisura, “që si të kapura dorë për dore me njëri-tjetrin formonin kurora malesh që humbnin tutje, larg mes një mjegullnaje të thellë që vinte duke u shkrirë në horizont.” Autori përshkruan me një sinqeritet që i ka hije dhe me një dashuri të paskajshme ndaj Atdheut të tij, lumenjtë e gjatë që gjarpëronin mes maleve, kodrat magjepse mes një gjelbërimi të pafund, fshatrat e qytetet dhe gëzimin që kishte arritur në Shqipërinë e Ali Bungos që ia kishte shpëtuar jetën burrit të saj para disa vitesh. Por në vend që të vijë Aliu në aeroport për ta pritur, Aliu i gjorë të cilin e kishin shpallur reaksionar, vjen Spiru Mitrushi i ngarkuar nga Komiteti Qendror i Partisë së Punës për ta shqoëruar gjatë vizitës së saj nëpër Shqipëri. Çdo gjë, çdo takim, çdo vizitë, çdo bisedë, ishte e ndjekur, e regjistruar dhe raportuar. Bozhena mënjanë mbetet e mahnitur me aspekte të panumërta të bujarisë shqiptare, ndërsa në anën tjetër çuditej se në çfarë varfërie dhe mjerimi e kishte katandisur Enver Hoxha këtë vend. “Spiro Mitrushi i dëgjonte me vëmendje çdo fjalë që thoshte mikja çeke dhe i regjistronte ato me kujdes në mendje”.

            Interesante dhe joshëse janë madje edhe titujt i kapitujve të këtij romani me vlera të veçanta letrare, analitike dhe psikologjike: Drejt Shqipërisë, Intervista me një kohë të largët, Kur përplasen mendimet, Lulishtja rrëzë kalasë, Kur puqen karakteret, Histori e traditë, Vjeshta e një qyteti, Hije midis errësirës, Ëndrra e thyer etj. Vajhalli për kalanë e Gjirokastrës e cila “ishte kthyer në burg, ku mbaheshin kundërshtarët më të vendosur të regjimit”! I këtillë ishte edhe Ali Bungo, të cilin komunistët e kishin shpallur kulak, duke ia marrë shtëpinë dhe krejt pasurinë, duke e katandisur në mjerim dhe varfëri. Për Aliun Bozhena e dinte nga kujtimet e Nojmanit të saj se ishte një engjëll me një shpirt të florinjtë, “njeri i mirë, fisnik, bujar e mikpritës.” Dhe më tej: Kur u sëmur Nojmani, para se të bie Shqipëria në kthetrat e diktaturës staliniste, Aliu “e pat marrë në shtëpi për ta mjekuar dhe ia shpëtoi jetën.” Për fat të keq, pasi i montuan gjithfarë vizitash të neveritshme nëpër zyra dhe reparte, nëpër kooperativa e qendra enveriste (por për fat të mirë edhe në Krujën e famshme të Gjergj Kastriotit, në Beratin, Gjirakastrën dhe Shkodrën historike), pasi e mashtruan në emër të partisë gjoja se Ali Bungo paska vdekur me gruan e tij gjatë një bombardimi gjerman, Bozhena kthehet e dëshpruar në atdheun e saj.

           Autori përshkruan njerëz, ngjarje e vende. E shoqja e Aliut ishte e përmendur si grua e dashur, e sjellshme, e zgjuar, bujare, mikpritëse dhe e gjendur, por Bozhena nuk pat fat ta njohë, as atë dhe as burrin e saj të cilin e arrestuan hijet e Sigurimit para se të vijë në Elbasan, duke e shpallur paraprakisht si “armik i pushtetit popullor”. Për fat të keq, Ali Bungo, i ati i autorit, u shua në një mjerim social, pa patur fat ta dëgjojë sot këngën e Marie Lajcajt “Moj Shqipnia Kastriote”. Makenseni i tij, i cili jeton dhe krijon në moshën 80 vjeçare në Amerikë, shpresojmë se do ta kërkojë këtë këngë fantastike në Internet, dhe se do ta shuajë etjen e tij të pashuar për ta njohur Atdheun e tij që tashmë shkon duke e konsoliduar demokracinë në të gjitha pikëshikimet.



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora