E marte, 19.03.2024, 09:50 AM (GMT)

Sport » Futbolli Shqiptar

Sokol Kushta: Futbolli në krizë, pasi marangozë e kovaçë po marrin licensa trajnerësh

E diele, 18.09.2011, 03:26 PM


Futbolli shqiptar ka probleme. Këtë e thonë të gjithë. Janë pikërisht specialistët ata që lëshojnë alarmin për atë që po ndodh me funksionimin e topkëmbës në Shqipëri, teksa zhgënjimet e skuadrave tona kombëtare në aktivitetet europiane e botërore kanë arritur kulmin. Humbja e fundit e Kombëtares ndaj Luksemburgut tregoi edhe një herë se nuk kemi bërë progres në prezantimet tona në aktivitetet e rëndësishme ndërkombëtare, por kemi mbetur në vend-numëro, madje kemi humbur infrastrukturën e dikurshme sportive, angazhimin e madh të fëmijëve në sport dhe mbi të gjitha kuadrin teknik, aq të domosdoshëm sot për zhvillimin e sportit tonë. Pothuajse të gjithë specialistët i mëshojnë faktit se puna më e madhe që duhet të bëjë Federata Shqiptare e Futbollit duhet të nisë nga skuadrat zinxhirë, nga terrenet dhe nga kualifikimi serioz i stafit teknik që të punojë me moshat. Shumë njerëz kanë marrë një licensë trajneri në Shqipëri, por pak prej tyre kanë njohuritë e nevojshme për të drejtuar një skuadër në fushën e lojës. Ka folur për këto çështje dhe shumë të tjera që shqetësojnë aktualisht futbollin tonë, një nga lojtarët më të mirë që ka pasur Shqipëria, pikërisht ish-sulmuesi i Flamurtarit dhe ekipit kombëtar, Sokol Kushta, i cili ka shprehur dhe më parë pikëpamjet e tij për një reformim cilësor të futbollit në vend, gjë që duhet të nisë sipas tij nga zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit. Kushta, një njeri me reputacion, një njohës i mirë i futbollit në vend dhe natyrisht një lab krenar që e thotë hapur ku qëndron shqetësimi, rrëfen për “SOT” problematikën që lindi pas humbjes që pësoi ekipi kombëtar në ndeshjen ndaj Luksemburgut, mosarritjen e objektivave dhe gjendjen e mjerueshme që sjell mosrinovimi në kohë i përfaqësueses, problemet me skuadrat kombëtare të moshave dhe mungesën e kualitetit e mbi të gjitha të talentit. Kushta hedh kritika të rënda ndaj FSHF-së, duke ngritur dyshime për mënyrën se si veprohet për thithjen e elementëve të rinj në ekipin përfaqësues, apo dhe për punën e trajnerit të Kombëtares Josip Kuzhe. Natyrisht që Kushta i ngre dyshimet e tij në trajtën e pyetjeve, duke prekur çështjet më delikate, siç janë vjetërsia e ekipit, rezultatet e dobëta, puna me moshat dhe puna e specialistëve që ka vetë FSHF. Madje Kushta, edhe pse nuk e thotë hapur, dyshon se trajnerit Kuzhe i bëjnë gati formacionin dhe se kroati është aq profesionist sa të kuptojë se “garda e vjetër” nuk është më për t’u futur në fushë dhe se ka ardhur koha që të bëhet një rinovim i shpejtë i skuadrës. Duke folur për kampionatin, Kushta tha se shpresonte shumë në një garë të ndershme, të bukur e me rivalitet, ku natyrisht kthimi i tifozëve në stadium është çelësi i bukurisë së garës.

 

Ditët e fundit ka shpërthyer një debat i gjerë në lidhje me rinovimin e Kombëtares. Cili është mendimi juaj për këtë çështje dhe sa besoni se skuadra do të mund të jetë një ditë kompetitive?

 

Unë kam shprehur mendimet e mia për këtë problem prej disa ditësh në median sportive. Janë mendime që nuk prekin një problem të vetëm dhe që nuk janë vetëm shqetësimi im. Natyrisht që problemi u bë i mprehtë pasi skuadra jonë humbi me Luksemburgun, që ishte dhe një humbje që dhemb shumë. Unë mendoj se humbja erdhi nga egoizmi ynë me skemën 4-3-3, pra mendjemadhësia na ndëshkoi. Ne na ka joshur deri tani rezultati i marrë në disa ndeshje miqësore apo dhe në disa ndeshje zyrtare, por në realitet është e kundërta e asaj që duhej të kishim bërë. Unë e kam përsëritur vazhdimisht se Kombëtarja ka nevojë për gjak të ri. Kur unë, Demollari, Zmijani etj ishin ndërmjet moshës 18-21 vjeç ishim të rregullt në ekipin përfaqësues. Si shembull krahasimi mund të sjell Franc Veliun, i cili është 23 vjeç dhe mund të konsiderohet i pjekur që të luajë në përfaqësuese. Pra Veliu nuk është më i ri. Në kohën tonë ne ishim të ingranuar në këtë moshë me skemat e trajnerit dhe ishim të stabilizuar në formacion. Skela, Lala, Bogdani e ndonjë tjetër që s’më kujtohet, janë të vjetër tani. Por këtë që them tani disa persona e keqkuptojnë, ngaqë nuk e njohin sportin. Kënaqemi me një ndeshje të mirë që nxjerrin në një sezon, por kjo është “varrosje” e tyre. Kombëtarja duhet rinovuar vazhdimisht me lojtarë të rinj. Me lojtarë që duhet të vijnë nga Shpresat, nga kampionati ynë, nga Kosova apo dhe nga kampionatet e huaja (shqiptarët që luajnë jashtë). Këtu te ne problemi nuk është se humbasim, por se nuk vijnë talente nga Shpresat.

 

Në media, specialistët dhe jo vetëm kanë përmendur emrat e disa lojtarëve që duhet të ishin në përfaqësuese, si Roshi e ndonjë tjetër. Keni ndonjë emër nga të rinjtë që duhet sipas jush të angazhohet menjëherë në ekip?

 

Nga lojtarët e rinj Roshi ka arritur më lart, pasi ka mundur të bëhet pjesë e një skuadre të madhe gjermane, pra luan në Bundesligë. Kjo do të thotë se ai është i talentuar. Është çudi që ai nuk është në Kombëtare, kur dihet ndërkohë që Roshi është më i miri te Shpresat. Tani natyrshëm lind pyetja: Mos ndoshta duhet ushqyer FSHF-ja që ta marrë në konsideratë, apo që gazetarët të shkruajnë për këtë djalosh të talentuar? Për mendimin tim, Roshi është lojtar njësh, por nuk është i vetmi. Veliu doli nënkampion sezonin e kaluar. Dominon në kampionat dhe, po ashtu si Roshi, nuk aktivizohet. Unë, ndërkohë, shoh një veçori shumë të gabuar. Roshi luan në Bundesligë dhe një djalosh i talentuar që arrin në një ekip të madh meriton vëmendjen maksimale të medias, por këtu gazetarët dalin e shkruajnë për një lojtar që luan në kategorinë e tretë e të katërt që paska shënuar shtatë gola. Çudi e madhe!

 

Pra ju jeni për rinovim të shpejtë?

 

Unë përmenda disa emra që duhet të ishin në formacionin titullar në Kombëtare por rinovimi bëhet në mënyrë graduale. Natyrisht që disa lojtarë duhet ta kuptojnë dhe vetë se ka ardhur koha të tërhiqen. Të gjitha këto që unë thashë ishin ana teknike e problemit. Por unë dua të ndalem paksa dhe në anën zyrtare të çështjes. Dhe ana zyrtare ka të bëjë me atë se a është vërtet trajneri (Josip Kuzhe) që vendos në ekip? Për mendimin tim, trajneri është i paaftë të drejtojë dhe këtu nuk e kam fjalën taktikisht, por në organizim. A mos merr ai letra ku i bëjnë formacionin? Sa forcë ka ai për të rinovuar skuadrën? Pra këto janë pyetje normale dhe kur është çështja te rinovimi, unë jam i sigurt se Kuzhe e di mirë që ekipi duhej rinovuar. Unë sërish pyes: Mos persona të caktuar ndikojnë negativisht që ai të mos punojë lirshëm në krye të ekipit? E sa të tjera pyetje si këto mund të ngrinim për këtë çështje.

 

Pra ju po hidhni dyshime se njerëz në federatë po ndikojnë në vendimmarrjen e trajnerit?

 

Presidenti i futbollit është shumë i mirë si menaxher, por jo si profesionist futbolli. S’mund të japë ai mendime taktike. Unë e theksoj se si organizator është i shkëlqyer, por as ai, e as sekretari nuk kanë haber nga futbolli. Bota sekretarin e federatës e ka specialist të mirëfilltë futbolli. Unë e them me bindje se shumë persona në FSHF nuk kanë lidhje me fanellën e ekipit kombëtar. Ata janë servilë të presidentit dhe futbolli ynë nuk ecën përpara me njerëz të tillë. Në Federatë ka nevojë të ketë dhe mendim ndryshe. Unë s’jam armik i presidentit, përkundrazi, jam një mik i tij dhe një mik e thotë të vërtetën ashtu siç është. Por unë s’mund të jem në anën e tij kur është fjala për anën taktikë të futbollit, për zhvillimin e këtij sporti. Specialistët e mirëfilltë e kanë idenë dhe e dinë mirë se sa kemi humbur me skuadrat kombëtare të U-15, U-17 e me radhë. Por unë po pyes se a e dinë specialistët në FSHF nëse duhet apo jo të dorëhiqet trajneri? Sa nga figurat e shuara të futbollit si Demollari, Zmijani etj ndikojnë me mendimet e tyre në zhvillimin e futbollit në vend? Fundja, sa prej tyre punojnë aktualisht në FSHF? Kur një i paaftë jep mendim, ai jep mendim koti. Unë mund të them që edhe i afti në mes të paaftëve merr vendime të paafta. Duke parë këtë gjendje, edhe trajneri i Kombëtares e ka mendjen te paratë. Nëse futbolli bëhet biznes, atëherë ai s’mund të jetë më i tillë dhe merr fund.

 

Pra ju dyshoni dhe në punën e Kuzhes, apo në realitet tekniku nuk ka lidhje me këto zhvillime?

 

Kuzhe nuk është i keq si trajner, pasi ai ka drejtuar edhe skuadra të tjera më përpara. S’mund të themi se ai nuk e njeh taktikën. Por problemi është se nuk zgjidhet çështja duke i folur murit të betonit. Unë e kam të qartë se Kuzhe është përplasur me kokë në betonarme dhe natyrisht që muri nuk i e kupton dhe nuk e ndjen. Personalisht kam qenë trajner e drejtues, por në kushtet e futbollit tonë, nuk merresh vesh me drejtuesit e klubeve. Unë jam shkolluar për futboll, kam sjellë 4-5 fitoret e bujshme për Kombëtaren me golat e mi, por të paaftët nuk të kuptojnë, madje ata as nuk duan të kuptojnë. Unë Sokoli, e sa sokolë të tjerë punuan për një imazh më të mirë të futbollit tonë, por gjendja sot nuk është ajo për të cilën kemi punuar e jemi përpjekur. Sot në futbollin tonë zë vend shprehja “Ikën Aliu e vjen Kadiu”. Trajnerët shkojnë e vijnë e ne mbetemi në të njëjtin pozicion. Pra Kuzhe nuk është i paaftë, por rrethohet nga të paaftët. Ai e di mjaft mirë se s’mund të luash në fushë me 3-4 lojtarë që kanë kaluar 35 vjeç. Por tani këtu lind një problem për trajnerin. Ai duket qartë se nuk është aq dinjitoz sa të ngrejë kokë dhe të shprehë kundërshti. Në këtë pikë dua të marr një shembull. Skela pati një fatkeqësi. I vdiqën dy prindërit brenda pak ditësh, ishte pa ekip dhe pa stërvitje. Pra ai kaloi një kalvar gjërash që ndikuan negativisht. Përmenda Skelën se ka pasur kaq shumë kontribut në Kombëtare. Lala, bravo i qoftë, u kthye pas një dëmtimi të gjatë dhe po përpiqet të jetë në formë, por... të gjithë këta duhet të kuptojnë se nuk qëndrohet gjithmonë në ekipin kombëtar. Ka një cikël dhe në fund secili duhet të lirojë vendin. Kjo ka ndodhur dhe me brezin tonë e duhet të ndodhë në vazhdimësi. Të rinjtë duhen angazhuar vazhdimisht. Tani, këta specialistët në FSHF, nuk e dinin se këta lojtarë janë të vjetër? Se janë 4-5 veta nga 30 vjeç e 4-5 të tjerë 35 vjeç? Pra kjo s’është normale, por i kujt është faji?

 

Si ka mundësi që në periudhën kur luanit ju futboll kishte shumë talente, ndërsa sot nuk ka?

 

Kam qenë i ftuar në studiot televizive e jam intervistuar disa herë për këtë çështje dhe kam insistuar në mendimin tim, që ka qenë i bazuar si në përvojën personale, ashtu dhe në prekjen e zhvillimeve aktuale të futbollit tonë. Natyrisht që në gjirin e rinisë tonë ka talente, por që një fëmijë të formësohet si një futbollist duhet shumë përkushtim. Duhet punë e madhe në moshë të njomë dhe për këtë duhet të kesh trajnerë cilësorë, që të punojnë fort me moshat. Dëgjojmë shpesh FSHF-në të thotë ka ekipe të shumta të rinjsh etj etj. Por cili nga zotërinjtë e FSHF-së ka bërë një studim apo një kontroll për cilësitë e trajnerëve? Kjo është pyetja themelore. Natyrisht që përgjigja mund të mendohet menjëherë. Çereku i Shqipërisë janë pajisur me licenca trajneri. Janë bërë marangozët e kovaçët e shumë profesione të tjera me licensë trajneri të futbollit. Njerëz nga rruga dalin marrin një licensë dhe grumbullojnë nga 60-70 fëmijë se gjoja po i formojmë si futbollistë. Turp i madh! Në kohë tonë kishte shkolla sportive, shtëpi pionierësh në çdo rreth, trajnerë të mirë e të përkushtuar, fusha të shumta futbollit, organizim i madh e masiv, kampionate moshash e shkollash etj etj. Janë shumë gjëra që nuk shkojnë si duhet. Njerëz që edhe si sportistë kanë qenë mediokër bëjnë kurse e marrin licenca A e B të UEFA-s, si të ishin 1 kg domate. Unë nuk e kuptoj se me ç’të drejtë shkon një lojtar i dobët të bëjë kurs për licensë. Unë për shembull e kam diplomën e shkollës së lartë dhe kam njohuri në këtë fushë, por  e di se duhen më të zotë se sa mua në seleksionimin e të rinjve. Këtu marrin licensë lojtarë të pa shkollë kjo gjë s’mund ta ndihmojë futbollin tonë të ecë përpara. Ja pse koha jonë ishte ndryshe dhe kishte më shumë talente. Sot mungon elementi se kanë ndërhyrë këto metoda aspak dinjitoz në funksionim. Pastaj rrimë e kërkojmë lojtarë të rinj nga Kosova, Gjermania e Zvicra. Është e vështirë t’i kthesh ata lojtarë këtu, pasi klubet e tyre dhe vendet atje kanë investuar 7-8 vjet për ta. Unë dua të kujtoj këtu Sotir Ninin, apo dhe Lorik Canën. Këta kanë hasur në murin e betonit. Ju e shihni Lorikun sot si lider në skuadër, por para shumë vitesh ai ka hasur në murin e betonit dhe unë e di mirë këtë. Është një realitet i frikshëm. Lorik Cana ëhstë bërë lojtar i madh në Kombëtare, por ka hasur në vështirësi sepse ka ndeshur në fillim në murin e betonit. Ju nuk e dini, por Nini ka kërkuar që të luajë për Shqipërinë, por në fillim është përplasur me murin e betonit. Ninin filluan ta kërkonin me të madhe pasi u bë lojtar i madh dhe kur e kishte vendosur ku të luante. Pra nuk duhet të bëjmë këto gabime, se kështu futbolli ynë nuk ka të ardhme.

 

Flamurtari ka nxjerrë vitet e fundit shumë talente. Kjo është punë e mirë e klubit, apo një temperament lab që edhe në këtë gjendje arrin të shpaloset si duhet?

 

Dihet historikisht se Shkodra, Vlora, Kavaja e ndonjë qytet tjetër kanë nxjerrë talente të shumta, pasi janë qytete futbolldashës. Por nëse Flamurtari ka nxjerrë lojtarë ka ardhur ngaqë puna e madhe dhe me përkushtim është gërshetuar me temperamentin që ju cilësuat. Në vitin 2007 Flamurtari doli kampion me të rinjtë. Disa lojtarë cilësorë, rreth 11 të tillë u afruan në ekipin e parë në sezonin 2007-2008, të tillë si Guma, Guga, Beqiri, Zeqiri etj. Por me ndonjë përjashtim, asnjëri prej tyre nuk është aktualisht në ekipin vlonjat. Ka ndryshuar strategjia. Unë këmbëngulja që ata të luanin e të qëndronin, por klubi ishte i vendosur që të vinin lojtarë të huaj. Unë nuk jam kundër lojtarëve të huaj, por duhet që ata të jenë cilësorë. Në një mënyrë të tillë që të kenë një nivel më të lartë se futbollisti vendas. Natyrisht që kjo që po ndodh me Flamurtarin ndodh në të gjithë Shqipërinë. Erdhën të huajt, u larguan lojtarët tanë. Kur një lojtar i ri nuk merr akses, atëherë klubi e humbet atë. Ky është një fenomen negativ që shoqëron futbollin tonë. Unë kam qenë dhe në Greqi dhe kam parë se lojtarët e huaj janë në pjesën dërrmuese më të mirë, ndryshe nuk i marrin. Jo vetëm atje, por kudo në vendet e tjera, të huajt janë cilësorë. Unë kam mendimin që Federata të bëjë një rregull që të mos pranohen më shumë se katër lojtarë të huaj në ekip, të tjerët duhet të jenë vendas. Në kohën e rinisë time kishte një rregull shumë domethënës, që një 18-vjeçar duhej të ishte në fushë dhe klubi ishte i detyruar të plotësonte në mënyrë strikte rregulloren. Kjo i jepte mundësinë të rinjve të rriteshin profesionalisht shpejt. Kjo ishte një ide shumë e mirë, pasi të ndihmon të fitosh lojtarë të rinj dhe për Kombëtaren.

 

Një mendim të fundit për kampionatin?

 

Kampionati është ende në fillimet e tij dhe unë do të dëshiroja ë ai të mos kishte bllofe, të jetë i bukur e me rivalitet. Nuk i duam më pazaret në kampionat, por duam tifozë shumë në stadiume. Tifozët janë barometri më i mirë për nivelin e kampionatit dhe ndershmërinë e tyre. Ne i kemi mundësitë për një kampionat të ndershëm e cilësor dhe le të shpresojmë për një garë të bukur.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora