E marte, 16.04.2024, 09:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Behar Gjoka: Migjeni, 100 vite i shpërdoruar

E diele, 18.09.2011, 04:38 PM


Nga Fatmira Nikolli, Gazeta Shqiptare

 

Viti 2011 shënon 100-vjetor in e lindjes së Millosh Gjergj Nikollës. Ka kaluar disi në heshtje e pa ndonjë aktivitet që vlen të përmendet në këto 9 muaj të vitit. Përkundër kësaj atmosfere zyrtare, studiuesi Behar Gjoka po realizon një studim për shkrimtarin. Për Gjokën, Migjeni është shpërdoruar në tri kohë, në fillim sepse iu ndalua shpërndarja e vëllimit me poezi, në kohën e socializmit sepse keqlexohet sipas modelit të leximit sociologjik dhe ideologjik, si dhe në këtë kohën ku edhe jetojmë, për shkak të periudhës keqkuptimore, ka zënë që të kundrohet si me syrin e njerkës. Sipas Gjokës, ai vijon që të jetë në pararojë të shkrimit letrar, qoftë për sendërtimin e poezisë dhe prozës konceptuale, po kaq edhe për strukturimin e përveçëm, si dhe mbi të gjithë për nivelin e ngritur të figurimit dhe shprehësisë letrare. "Me Migjenin, pra me veprën letrare, në fakt ka ngjarë si me një furtunë që hyri si e tillë në letërsi në vitet '30 të shekullit të kaluar, mbeti ashtu në të gjithë harkun e tij, si dhe në motet e shekullit të ri, ajo vazhdon të ketë po atë furi dhe ritmikë", - shprehet studiuesi Gjoka. Ai shton se Migjeni ka ende sot po atë ngjyresë dhe forcë mendimi, po atë kërshëri për ta lexuar dhe shijuar si një tekst, që sa herë që kthehesh tek vepra e tij, ndjen dhe prek ndër vatra të pavëna re, ka gjasa që kjo ngjet për shkak të dendësisë së mendimit dhe të dendurisë figurative, duke e nisur kështu si shkrimtari që nuk njohu tabu. 100 vite nga lindja e tij, disi më pak prej kohës së poezive e poemave të tij, ende sot Migjeni është një ndër shkrimtarët më të lexuar. Çfarë e bën kaq bashkëkohor e kaq të dashur Migjenin? Ku dhe si u mëkatua me të? Behar Gjoka rrëfen versionin e tij...

 

Ju po botoni një libër për Migjenin, si e lexojmë shkrimtarin në këtë libër?

 

Migjeni, qysh në shfaqjen e parë dhe pambarimisht u shpërndërrua krejt natyrshëm në vetëdije letrare dhe gjuhësore e qenies sonë, që mëtonte dhe kishte hedhur vështrimin për të ecur nëpër shtigjet e një jete tjetër, e po kaq edhe një rrugine tjetër në ligjërimin letrar, pa mëdyshje pa kompromis dhe përshtatje. Nuk diskutohet se është shkrimtar nga më të njohurit i letrave shqipe, po ashtu edhe nga më të lexuarit dhe të studiuarit, porse njëherit në harkun e kaq viteve, në fakt është edhe autori më i shpërdoruar, sepse në kohën kur shkruan i ndalohet e drejta e shpërndarjes së vëllimit me poezi, po kaq në kohën e socializmit, më tepër keqlexohet sipas modelit të leximit sociologjik dhe ideologjik, si dhe në këtë kohën ku edhe jetojmë, për shkak të periudhës keqkuptimore, ka zënë që të kundrohet si me syrin e njerkës, dhe gati - gati po harrohet. Migjeni, edhe në këtë shqyrtim, vjen në përmasën e poetit, prozatorit, letrar dhe publicistik, gjithnjë më përtej ndikesave të leximit të dobisë, si prijës i modernizmit në mendim dhe në ligjërimin letrar, por që edhe në kapërcyellin e shekujve, përsëri lexohet me po atë endje dhe dëshirë, sepse letrarja e tij është e sigurt se e tejkaloi kohën e tij dhe tashmë është në shenjëzimin e pakohësisë, ku zakonisht udhëtojnë gjenitë e letrave.

 

Çfarë ka të re e të panjohur për Migjenin në librin tuaj?

 

Leximi dhe rileximi i teksteve të çdo shkrimtari është një shans për të zbuluar shenjat dhe vlerat e paqëmtuara, ndërkaq është edhe një kënaqësi që i bie për hise çdo breznie për të shijuar vlerat e krijuara në të gjithë hapësirat dhe përmasat kohore. Prej këtyre proceseve, të pashmangshme dhe përndriçuese të literaritetit, buron vlerësimi dhe rivlerësimi, një akt i secilës kohë, si dhe zbulimi i tipareve të pa vëna re më parë. Në fakt, e them me bindje të plotë, se është libri më i vështirë që kam shkruar deri më tani, si një qasje studimore ndaj teksteve dhe formësimit artistik. Kjo vështirësi, vjen për shumëçka, por së pari, për faktin e meritës së vetë Migjenit, sepse mbi të gjitha na ka lënë një trashëgimi letrare, në poezi dhe prozë, që tingëllon moderne edhe në këtë shekullin e ri. Shkrimi dhe leximi në fakt janë një akt personal, pra fundekrye subjektiv, që nuk varen shumë nga akademizmi apo titujt e shumtë dhe pa shqyrtime letrare, e mbase duke humbur kohë dhe rrugën, me hulumtime të kota, nëpër arkiva e dosja, që po na e marrin frymën këtyre kohëve, por shumë më tepër nga vetëdija për të mbajtur përgjegjësi ndaj një teksti dhe një autori të caktuar. Pra, leximi dhe interpretimi i teksteve në poezi dhe në prozën letrare dhe publicistike të shkrimtarit, është e reja që e sugjerojë si zakonisht, për ta kthyer vëmendjen e lexuesit edhe njëherë tek letrarja e autorit, sepse besoj se një tekst i mirëfilltë letrar, sido që ta interpretojmë, gjithsesi mbeten vatra të pavëna re, të cilat në leximet dhe rileximet e pandërprera, i rikthehen hipotekës letrare të shqipes.

 

A jeni kundër teksteve të shkruara deri më tani për shkrimtarin?

 

Në pamje të parë, me shkrimtarin dhe shkrimësinë e tij, duket sikur nuk ka aspak të panjohura në veprën e tij letrare. Ka disa qasje që kanë të bëjnë me natyrën e angazhimit të Migjenit, si më rrallë shkrimtar të tjerë të letrave shqipe, që sipas mendimit tim nuk ka të bëjë me frymëzimet ideologjike dhe dogmatike, porse përftohet vetëm prej shtysave letrare. Po ashtu, prania e elementit social, që shkon deri në një tipologji shkrimi të lidhur ngushtësisht me të, nuk buron vetëm nga projektimi i botës së re, siç e pati paraparë historiografia e shqipes për kaq e kaq vite, përkundrazi është një tipar që ka të bëjë shumë më tepër me shtysat krijuese për të mbrojtur njeriun dhe për ta vendosur në majën e piedestalit të merituar, qenien njerëzore. Po ashtu, në shkrimin poetik, sipas gjykimit tim Migjeni, lëvron edhe poezinë e vargut të lirë, por edhe të vjershërimit të matur, pra bashkë me përmbysjen e madhe, që solli në ligjërimin poetik, vepra e vetëm me poezi Vargjet e lira është edhe një urë ndërlidhëse e shkrimit poetik gjithkohor të letrave shqipe. Qëmtimet e bëra nga studimet monografike, që kanë vënë në qendër jetëshkrimin e autorit, janë rrekur në mënyrë të mjerë dhe absurde, që mbinjeriun niçean ta përfshijnë në rrathët e njeriut të ri të botës së re. Ka ardhur momenti, që kjo e pavërtetë, të dalë më në fund në dritën e diellit dhe të prekim në të gjitha vatrat e frymëzimit të shkrimtarit, e jo vetëm në pjesën e shpjegimit sociologjik dhe ideologjik të teksteve letrare. Pra, është fjala më tepër për një këndvështrim tjetër në analizën e teksteve dhe të formave letrare të larmishme që trashëgojmë prej tij.

 

Sot pas 100 vitesh, ç'vend zë ai në letërsinë e kulturën shqiptare?

 

Vijon që të jetë në avangard {pararojë} të shkrimit letrar, qoftë për sendërtimin e poezisë dhe prozës konceptuale, po kaq edhe për strukturimin e përveçëm, si dhe mbi të gjithë për nivelin e ngritur të figurimit dhe shprehësisë letrare. Me Migjenin, pra me veprën letrare, në fakt ka ngjarë si me një furtunë që hyri si e tillë në letërsi në vitet 30 të shekullit të kaluar, mbeti ashtu në të gjithë harkun e tij, si dhe në motet e shekullit të ri, ajo vazhdon të ketë po atë furi dhe ritmikë, po atë ngjyresë dhe forcë mendimi, po atë kërshëri për ta lexuar dhe shijuar si një tekst, që sa herë që kthehesh tek vepra e tij, ndjen dhe prek ndër vatra të pavëna re, ka gjasa që kjo ngjet për shkak të dendësisë së mendimit dhe të dendurisë figurative, duke e nisur kështu si shkrimtari që nuk njohu tabu, ende edhe sot ai vijon që të shemb tabutë e hipokrizisë dhe të artit, që lidhet me dobinë për të fituar famë, kurse arti i tij nuk ka nevojë për famë, sepse deri më tani e ka tejkaluar edhe famën, që të tjerët nuk lënë rend dhe rreng pa përdorur që ta kenë, sepse poetika e tij, si vargëzim dhe figurim letrar, nuk është tejkaluar ende në ligjërimin shqip.

 

Pse u kujtuat për këtë autor tani?

 

Do të doja që të sqa-roja se në gazetën tuaj përpara katër-pesë vitesh kam tërhequr vëmendjen për një rrekje zyrtare për ta mënjanuar Migjenin, tekstet e tij, nga prania në shkollën e mesme. Po në atë kohë, në median elektronike, është hedhur dritë sadopak mbi një sipërmarrje për ta lënë jashtë rrjedhave letrare këtë mjeshtër të fjalës shqipe. Vini re, ka 100 vjetorin, dhe me siguri nga zyrtariteti i QSA apo i Filologjiku, të Shkodrës dhe Tiranës, po përgatitet tani në mbarim të vitit ndonjë konferencë, shkencore do ta emërtojnë, kryesisht me kumtesa hartimesh, që vetëm sa do të përflasin dhe mbllaçitin dijen e moçme, mbase disi të përmbysur si lexim sociologjik dhe ideologjik, tashmë i realizmit demokratik. E, në këtë përvjetor është bërë pak, por kjo nuk ka të bëjë aspak me Migjenin, poetin që e ka kaluar përkohësinë, dhe po rend drejt pakohësisë së shenjave letrare, pa të cilat letërsia shqipe do të qe e varfër, sa nuk thuhet. Qysh aso kohe, në çastet kur jam pushtuar nga zhgënjimi i thellë, njerëzor zaten, se në këtë Shqipërinë tonë, sërish nuk ke aq shumë shanse për të jetuar i qetë dhe në paqe, mu rikthye dëshira e rileximit të Migjenit. O Zot, sa pak i njohim vlerat letrare, e madje edhe kur i njohim, më tepër i keqkuptojmë dhe keqpërdorim se sa i shijojmë të lirë dhe të pandërvarur nga mendimi i përkohësisë, si dhe pikërisht tani, me zemëratën e përsosur, me artin gjenial, ndikon tek çdo njeriu për të njohur veten dhe për të ruajtur vlerat e humanitetit.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora