E premte, 19.04.2024, 09:31 AM (GMT+1)

Mendime

Agim Baçi: At Zefi, Çoba dhe lustracioni

E diele, 18.09.2011, 04:51 PM


At Zefi, Çoba dhe lustracioni

 

Nga Agim Baçi

 

Sapo mbyll faqen e fundit të librit “Jetë e humbun” të Ejëll Çobës, nuk mundesh asesi të mos pyesësh: Po përse vallë nuk i kemi hapur ende dosjet e komunizmit? Cili mekanizëm na ka lënë deri sot në këtë pikë ku jemi ende, pa saktësuar se çfarë ka ndodhur me shqiptarët për 46 vjet me radhë? Përse nuk po mundemi t’i hapim rrugën rrëfimit të së vërtetës për atë që na ka ndodhur?

Pasi ke mbyllur faqen e fundit, bashkuar me detaje që kanë mbetur në kokë nga libri i At Zef Pllumit “Rrno për me tregue”, ndjen se nuk mund të anashkalosh atë tronditje, atë deformim që i ka ndodhur shoqërisë e që, pa dyshim, rëndon sot në mënyrën se si e ndërtojmë debatin për shoqërinë, për dijen, për shkollat, për politikën.

Afërmendsh, pas 20 vjetësh ndryshime, gjërat duken edhe më të vështira në këtë drejtim. Shumë prej mëkatarëve kanë ndryshuar jetë, kanë ndërtuar biznese, kanë ecur në politikë, apo janë në një pozitë të tillë punësh që nuk do të dëshironin që dikush t’i trazonte. E, nëse do të injoronim forcën e tyre sot, do të gabonim, sidomos në një situatë ku thashethemet kanë zënë vendin e të vërtetave dhe ku me para mund të bësh shumë gjëra.

Ka nga ata që ndruhen se shoqëria nuk do të mundet t’i kuptojë se janë përfshirë rastësisht apo me dhunë në atë rrugëtim. Ka nga ata, të cilët ndoshta as nuk e dinë se me emrin e tyre mund të jetë dënuar dikush. Ka nga ata, të cilëve në këto 20 vite iu është përdorur dosja me nënkuptim, për t’i bërë shërbëtorë diku. E më keq akoma, mund të ketë nga ata që kanë punuar për shërbimet e huaja në dëm të Shqipërisë, e sot mund të vijojnë të punojnë ende. Por as këta, e as ndonjë arsye tjetër nuk mund ta mundë të drejtën që ka shoqëria për të ditur atë që ka ndodhur në 46 vite diktaturë, ku degradimi i njeriut u kthye në art më vete për një kastë të tërë bashkëpunëtorësh apo kuadrosh.

Me të drejtë Elsa Ballauri theksonte përmes domosdosë së miratimit të një ligji (gazeta “Panorama”) se, “frika nga lustracioni është frikë ndaj vetes”. Dhe duket se e kemi dëshmuar gjatë këtyre viteve më të keqen që mund t’i ndodhë një shoqërie: të mos arrijë të pranojë vetveten ashtu siç ka qenë dhe siç është. Dhe nga kjo e keqe vijojnë të tjera, më të mëdha, duke e trashur zullumin e asaj që ka ndodhur edhe më një krim më të keq akoma: të fshehjes me vetëdije të së vërtetës, madje edhe të keqpërdorimit të saj. Ndërkohë që ndoshta jemi të vetmit që nuk kemi pasur asnjë hetim se si pjesa më e madhe e tyre u bënë të pasur, ndërkohë që s’kishin pasur asnjë trashëgim, përveç ideologjisë komuniste, ose më saktë, ideologjisë së terrorizimit të shoqërisë.

Por, përse do të shërbenin këto dosje, përveç saktësimit të mëkatarëve?

Zef Pllumi, Ejëll Çoba, apo dhe të tjerë që kanë mundur të vijnë nga ferri i asaj kohe për të na rrëfyer, na e kanë lënë amanetin. Ajo që kërkojnë ata në heshtje është të mundemi t’ua themi fëmijëve që të mos i gënjejmë me atë që na ka ndodhur, që t’u japim mundësinë të na falin për atë që mundëm dhe që s’mundëm. Dhe një gjë e tillë duhet bërë në tekste shkollore, ku të gjithë të mësojnë për atë që u ka ndodhur gjyshërve apo baballarëve.

Përndryshe, nëse do të vijojmë t’i gënjejmë fëmijët tanë për të djeshmen, nuk do të jemi as të zotët, e as krenarë për t’i folur për të nesërmen. Ndaj, të paktën t’u japim mundësinë që të dinë të na falin e, për më tepër, duke lexuar të djeshmen e kësaj shoqërie, të dinë të vështrojnë me maturi gjithçka rreth tyre, që të mos lejojnë asnjë deformim në jetët e tyre.

At Zef Pllumi dhe Ejëll Çoba mundën të ishin heronj në mënyrën e tyre, pa kërkuar aspak të ishin të tillë. Por ne do të vijonim t’i fyenim, që edhe pas shumë vitesh ndryshim, të mos përfillnim atë që ata mundën të ruanin për ne, duke pikturuar për çdo brez pas tyre një nga ferret më të rënda që mund të kenë kaluar shoqëritë e kësaj bote. Dhe ata mundën, duke sjellë tek ne amanetin e shumë shpirtrave, të cilët ata i panë duke u përdhosur, vrarë e masakruar, sikur të ishin gjëja më e pavlerë. Ndërsa ne ende vazhdojmë t’i lëmë ashtu, të përdhosur, sepse nuk kemi mundur ende t’i themi hapur as mëkatet e as mëkatarët…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora