E enjte, 28.03.2024, 01:16 PM (GMT)

Mendime

Fadil Lushi: Kush e rrezikon tolerancën dhe harmoninë ndërfetare

E diele, 18.09.2011, 03:41 PM


KUSH E  RREZIKON  TOLERANCËN DHE HARMONINË  NDËRFETARE

 

Nga Fadil LUSHI

 

    Paragrafët e parë të këtij vështrimi a opinioni gazetaresk po i fillojmë duke iu referuar disa opinioneve të kolumnistëve shqiptarë që mëtojnë (mos) t’i shtrembërojnë faktet sa i përket tolerancës dhe harmonisë ndërfetare te shqiptarët. Këtë po e bëj që te lexuesit të mos krijoj përshtypjen se edhe unë  si artikullshkrues kinse mbështes qëndrimet e tyre. Andaj këta paragrafë do të jenë në parantezë. “Sot e gjithë ditën e Perëndisë, opinioni intelektual dhe ai publik në Republikën e Kosovës, me a pa dëshirë do ta zhvendosë vëmendjen e vet sa i përket një ideje respektivisht ndaj propozimit të kryeimamit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, në lidhje me zbatimin a futjen e religjionit në sistemin arsimor fillor nëntëvjeçar të Republikës së Kosovës, respektivisht në atë parauniversitar. Zakonisht këto propozime vijnë nga institucionet fetare. Propozimi i Bashkësisë islame paraprakisht i ishte referuar përvojës dhe standardeve evropiane, në të cilat shtete mësimi fetar zbatohet si lëndë e detyrueshme apo edhe si lëndë me zgjedhje (me përjashtim në Francë, Slloveni, Mal të Zi, Shqipëri dhe në Republikën e Kosovës).”

        Se si do të emërtohet ajo lëndë ose ai program mësimor gjithsesi se ka pak rëndësi. Ajo lëndë ndryshe mund të quhet edukatë fetare, njohje e religjioneve dhe në instancë të fundit edhe etikë e religjioneve. Njohësit e rrethanave kosovare do të thonë se ideja e Naim Tërnavës dhe institucionit të cilin ai e udhëheq, në përmbajtjen e tij, nuk kishte ndonjë gjymtim të theksuar, megjithatë, si i tillë, ishte jo e “plotë” nga fakti se (kësaj ideje) që në fillim i mungoi përkrahja e Ipeshkvisë së Kosovës respektivisht e Dioqezës Prizren-Shkup! Sipas krerëve të kësaj bashkësie fetare, një propozim-ide duhej ta bënte edhe Ipeshvia, së paku për hir të harmonisë, tolerancës dhe bashkëpunimit të ndërsjellë mes këtyre dy institucioneve fetare. Gojëkëqijtë a edhe njerëzit e paragjykuar, sidomos ata të cilët u takojnë rrymave radikale islame, gjegjësisht njerëzit që nuk e praktikojnë islamin tradicional, do të bëjnë përpjekje që prej kështjellës së harmonisë dhe tolerancës ndërfetare në Kosovë, të bëjnë një grumbull rrënojash që pastaj, ashtu me plot gojë, të thonë se ky bashkëpunim mes Bashkësisë islame dhe Ipeshkvisë së Kosovës fatkeqësisht nuk ndodhi për arsye se katolikët e Kosovës konsiderojnë se feja duhet të mësohet vetëm në hapësirat e xhamive dhe kishave... dhe (sipas tyre) po të zbatohej ajo  si program mësimor në shkollat fillore do të kishte pasoja të rënda për kombin shqiptar!??

     S’do mend se ky qëndrim kundërshtues i Ipeshkvisë së Kosovës nuk e ushqen harmoninë ndërfetare së paku në Kosovë. E gjithë kjo kundërshti të krijon përshtypjen se Kisha katolike e Kosovës edhe kësaj radhe i mori instruksionet nga Vatikani!?? Dhe këtu nuk ka asgjë të keqe! Megjithatë kjo nuk duhej të ndodhte aq më tepër kur kemi parasysh se shumë vite më parë Bashkësia islame e Kosovës asnjëherë e në asnjë mënyrë nuk mëtoi ta kundërshtonte nismën për ndërtimin e katedrales në Prishtinë, një nismë që kishte mbështetjen e parezervë morale të shumë politikanëve të shquar shqiptarë të asaj kohe, pavarësisht se cila ishte përkatësia fetare e tyre. Pohuesit e kësaj dëshmie do të thonë se ajo katedrale u ndërtua mbi themelet e gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë..., një ndërtim që filloi dhe përfundoi pa lejen e krerëve të dikasterit për urbanizëm të Prishtinës! Së këndejmi parashtrohet pyetja se ç’ishte prapavija e kësaj “kundërshtie” të Ipeshkvisë së Kosovës. Kjo “inatosje” e kryeparëve të Kishës katolike të Kosovës, lëre që nuk e ushqen atë harmoni, përkundrazi e rrezikon atë!?  Gojëkëqijtë do të vazhdojnë të thonë se disa politikanë të atëhershëm kosovarë, me ndërtimin e këtij objekti sakral, mendonin dhe shpresonin se Vatikani shumë shpejt do të “mëshirohej” në mënyrë konkrete për ta njohur mëvetësimin, gjegjësisht pavarësinë e shtetit të Kosovës..., por, përkundër të gjithë shpresave, kjo si për inat nuk ndodhi dhe e gjithë kjo si rrjedhojë e miqësisë së Serbisë me Vatikanin!???.., siç sot e kësaj dite, prapë për inat të shqiptarëve myslimanë, nuk do të ndodhin (vijnë) njohje të reja nga shtetet islamike!?.

       Këtu duhet ta përfundojmë pjesën e këtij shkrimi që u tha në parantezë me qëllim që të parashtroj pikëpamjet e mia në lidhje me rrezikimin e harmonisë dhe tolerancës ndërfetare te shqiptarët.

      Parashtrohet pyetja se kush mëton sot ta rrënojë kalanë e tolerancës dhe harmonisë ndërfetare te shqiptarët? Padyshim se këtu do të kenë hise gjithfarë (“hiper”) analistë a kolumnistë oportunistë nga të gjitha trevat shqiptare (që hiqen si ateistë, të tjerët si katolikë a ortodoksë dhe sikur punojnë shumë për gazetari hulumtuese) pa të drejtë do të mëtojnë që shqiptarët të cilët sinqerisht dhe me devotshmëri e praktikojnë islamin tradicional, t’i identifikojnë me gjithfarë rrymash obskurantiste dhe herë-herë do të shkojnë në skajshmëri duke i krahasuar edhe me fundamentalistë myslimanë!??... dhe, në instancë të fundit, duke dyshuar në kombësinë e tyre, do t’i barazojnë me arabët ose turqit... e të tjerë!?

      Kryefjala e vështrimeve të tyre është urrejtja e tërbuar primitive dhe provinciale. Këto urrejtje a shtrembërime të kolumnistëve në fjalë asnjëherë nuk e kanë pasur dhe nuk do ta kenë mbështetjen e Ipeshkvisë a Kishës katolike shqiptare, së paku jo zyrtarisht..

      Në anën tjetër, do hetohen edhe tipa djallëzorë të ashtuquajtur kollumnistë që hiqen për myslimanë radikalë, jotolerantë, të cilët në vijimësi mëtojnë që shqiptarët me përkatësi fetare katolike a edhe ortodokse t’i konceptojnë si “kaurë”, si jobesimtarë e të tjera etiketime të rreme e të paqena. Edhe këto etiketime a urrejtje të tërbuara prej “analistësh” mëhallësh, asnjëherë nuk do të mbështeten nga Bashkësia islame, qoftë ajo e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe në veçanti nga besimtarët e saj tradicionalë. Në këto “fërkime fesh” a ndasi shqiptarësh, kurrën e kurrës nuk do të jenë protagonistë as Bashkësia islame e as Ipeshkvia katolike. E keqja e përbashkët e kësaj qëndron në faktin se asnjëri “kolumnist a analist”, lëre që nuk e njeh sa duhet fenë e tjetrit, por edhe nuk ka njohuri elementare për të veten, qoftë ajo të jetë myslimane, katolike, ortodokse, po edhe sekti bektashian!??

     Nëse shqiptarët do të karakterizohen me fenomenin e një kombi që ka tri fe dhe nëse ata shekuj me radhë kanë ndërtuar atë kështjellën e harmonisë ndërfetare (që kombet e tjera nuk e kanë), atëherë nuk duhet lejuar gjithsecilit shqiptar që hiqet për mysliman, katolik dhe ortodoks të devijojë nga ky koncept, nuk duhet lejuar që fenë së cilës i takon ta bëjë më ekskluzive, më përparimtare dhe më tolerante në krahasim me fetë e tjera. Thjeshtë, nga hapësirat e kësaj harmonie nuk mund të përjashtohet asnjë fe. Përkundrazi, nga kjo hapësirë duhet përjashtuar çdo majorizim a edhe ekskluzivitet i cilësdo qoftë fe, dhe për këtë e arsye të tjera nuk duhet lejuar askujt që një fe ta proklamojë parësore e tjetrën fe dytësore. Së fundi, secili që do të mëtojë të bëjë një gjë të tillë, është njësoj sikur ka prekur në themelet e kombit dhe ata që i prekin ato themele, kanë hyrë në radhët e tradhtarëve të kombit!

      Sot qarqe të caktuara në Ballkan dhe përtej tij përpiqen që shqiptarët evropianë t’i “paraqesin a t’i konceptojnë si fundamentalistë që shikimin e kanë të drejtuar nga lindja”!? Qëllimi i tyre përqendrohet në zbehjen e imazhit të shqiptarëve me përkatësi myslimane dhe njëkohësisht në trasimin e rrugës drejt fillimit të një konflikti fetar në Shqipëri dhe në katër shtetet e tjera ku jetojnë dhe veprojnë ata. Ndonëse shqiptarët shekuj më parë u konvertuan në fenë myslimane, ata asnjëherë nuk e “ndërruan identitetin kombëtar”.

      Edhe përkundër përpjekjeve të grekëve e serbëve (dhe të tjerëve si ata) për ta zbehur këtë harmoni dhe tolerancë ndërfetare të shqiptarëve, ata mbetën tok. Shqiptarët myslimanë, katolikë, ortodoksë dhe bektashinjtë gjatë gjithë zhvillimit të tyre ideologjik, kulturor dhe shpirtëror ishin bashkë në çdo kryengritje e luftë. Shqiptarët ishin një në punimet e Lidhjes së Parë dhe të Dytë të Prizrenit..., ata udhëtuan bashkë në qytetin e Kongresit të Manastirit për të hartuar tërësinë e shkronjave të gjuhës shqipe..., ata ishin tok edhe në vaktin e vuajtjeve të diktaturës së Enverit diku në Burrel, Spaç..., ata ishin tok edhe në vaktin e diktaturës së kralit, Rankoviqit dhe Titos, diku në “Zabela” të Pozharevcit, diku në “Petrova Rupa” të Goli Otokut  dhe të Mitrovicës së Sremit, diku në Idrizovë, në Tivar e gjetiu..., ata ishin bashkë në luftën e Kosovës..., ata ishin tok edhe në vaktin e zhvendosjeve biblike të inicuara nga Millosheviçi..., ata ishin tok në Neproshten të Tetovës, në Stenkovcë..., në Shqipëri, nga Kumanova e deri në Strugë..., ata u mblodhën tok  në kufirin shqiptaro-maqedonas, atje në Bllacën famëkeqe për të qenë dëshmitarë të ndodhive ku nënat e reja kosovare do të lindnin fëmijët myslimanë a katolikë..., ata ishin tok edhe atëherë kur i bënin ballë mallit ndaj lirisë së Kosovës! Ata edhe sot e kësaj dite janë bashkë falë tolerancës dhe harmonisë së bashkëjetesës së tyre fetare nga njëra anë dhe për inat të gjithfarë “kolumnistësh-komunistë-marksistë e leninistë” që gjithë ditën e Perëndisë krijojnë ndasi fetare te shqiptarët.

       E gjithë kjo tolerancë dhe harmoni e lakmueshme sot, nuk është “... as mit, as shprehje e zbehtë proverbiale e as shprehje frazeologjike e as idil”, po as e vërtetë e vockël historike, përkundrazi “... kjo harmoni fetare është pjellë e një historie dramatike e shqiptarëve”, siç do të thoshte Ismail Kadareja. Po tekefundit le të jetë një realitet yni, le ta konceptojmë si një testament politik të trashëgimisë sonë kombëtare. Sot me gjithë faktin se kohë pas kohe hetohen kundërshtime në relacionin laik-besimtar, mysliman-katolik, Bashkësia islame dhe Kisha katolike nuk do të jenë në krah të atyre që bëjnë opinione me tarafe dhe të shtrembëruara, sidomos në anën e atyre që vend e pa vend  rrahin gjoks për katolicizmin, myslimanizmin dhe për ortodoksizmin e tyre të rremë e të paqenë, nuk do jenë në anën e atyre që e parafrazojnë atë shprehjen proverbiale: “Për inat të vjehrrës, do fle me mullixhiun dhe delenxhiun”!?? Së fundi, sot të jesh edhe opinionbërës edhe ateist, po edhe të marrësh taraf ndaj një feje të caktuar është njësoj sikur një besimtar i devotshëm dhe i ndershëm (qoftë ai mysliman, katolik a ortodoks) pa qëllim të futet në pazarin e hajnave ku shiten dhe blihen plaçka të vjedhura!

     Për historinë e tolerancës dhe të harmonisë fetare ndërshqiptare lakohen me qindra shembuj: “ thonë se Skënderbeu u lind në një familje ortodokse, mandej në oborrin e Sulltanit u bë mysliman, mandej bektashi dhe së fundi prej trashëgimtarëve të fronit të tij kishte kërkuar që të varroset në hapësirat e Katedrales katolike”! Një shembull tjetër karakteristik ka të bëjë edhe me ndërtimin e kishave katolike e ortodokse dhe kur ato rrënoheshin nga disa shqiptarë me përkatësi myslimane, por radikalistë, krerët a autoritetet myslimane kanë dalë në mbrojtje të tyre. Apo ai shembulli dashamirës dhe fisnikërues i “atij prifti katolik të cilit i qe dashur të këndojë syret e Kuranit për të nderuar një mysliman të vdekur pasi hoxha dhe xhamia ishin shumë larg nga vendndodhja e kësaj vakie”!? (Genc Myftiu)

       A mos vallë këta shembuj flasin pak për këtë “histori dramatike të shqiptarëve”, apo mos vallë “kolumnistëve” që mbjellin farën e përçarjes mes shqiptarëve, u duhen edhe të tjerë shembuj të dalë nga jeta dhe veprimtaria politike e figurave të ndritura shqiptare, qofshin ata myslimanë, katolikë, ortodoksë dhe bektashinj. Apo u duhet diçka tjetër!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora