Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Flet ish -gazetari i gazetës “Luftëtari”, poeti, Ibrahim Gani

| E shtune, 17.09.2011, 04:31 PM |


Ramiz Alia shkrimtarët ushtarakë i cilësoi mendjemëdhenj

 

Nga Albert ZHOLI

 

Në periudhën e diktaturës nga shtypi ushtarak dolën shumë gazetarë dhe poetë që bënë emër, ku dhe vetë udhëheqësit e kohës i kishin në konsideratë të veçantë. Por me kohën sipas preferencave të udhëheqësve shumë prej tyre u dënuan apo ju ndalua botimi. Një prej tyre ishte dhe Ibrahim Gani, gazetar, poet që me poezitë e tij la gjurmë në shtypin e kohës apo dhe me tekstet në festivale apo  aktivitete të ndryshme muzikore. Sipas tij, Ramiz Alia ka qenë një ndër udhëheqësit kryesorë që i ka luftuar më shumë krijuesit ushtarakë.

 

Cila poezi ju ka ngelur peng që i është ndryshuar komplet përmbajtja në regjimin komunist?

 

Në një nga koncertet e muajit maj të dekadës 1980-‘90, së bashku me artistin dhe kompozitorin e shquar Avni Mula, unë-tekstin, ai-muzikën; paraqitëm motivin “Nënë Kosovare”.

 

I mirënjohuri Avni Mula, atë vit do të shkonte në Kosovë, më pat thënë se tekstin e kompozuar e kishte dhënë në institucionin përkatës.

 

Në vazhdim të koncerteve që transmetoheshin nga TVSH direkt nga Teatri Opera-Baletit, prezantuesja përmendi emrin e Avni Mulës dhe emrin tim. Për habinë time, të njerëzve, shokëve e miqve të mi, titulli dhe përmbajtja ishin ndryshuar. Nga “Nënë Kosovare” “kompetentët” e kishin “pagëzuar” “Vajza Shqiptare”. Nga teksti origjinal pothuajse s’kishte mbetur asgjë përveçse disa vargje të refrenit. Kënga u këndua nga këngëtarja zëëmbël e atyre viteve Alida Hisku, që siç dihet mbas një denoncimi për përmbajtjen e fletëve të ditarit të saj, u syrgjynos në “gjirin e ngrohtë të klasës punëtore” dhe që më vonë u pasuan më ngjarje tepër të dhimbshme në jetën e saj familjare.

 

A kërkuat sqarime për këtë ndryshim të poezisë?

 

Sqarimet që kërkova nga ish shefi i kulturës në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës, R.H ishin shumë “domethënëse” dhe shumë të “sinqerta”. Sipas tij, ishte më mirë t’i këndohej “Vajzës shqiptare” se sa “Nënës kosovare” që me siguri, sipas arsyetimit të tij, mund të ndezte një debat që mua mund të më kushtonte shtrenjtë, edhe për faktin se… “juve shoku Ibrahim nuk mund të botoni më asnjë shkrim në “Zërin e Popullit” dhe gjithashtu, “juve u është ndaluar pjesëmarrja në Festivalin Kombëtar të dhjetorit. Ju nuk duhet të harroni, – vazhdoi shefi – se shoku Ramiz Alia, në analizën që i bëri grupit puçist në mbledhjen e Drejtorisë Politike për ju është shprehur tekstualisht: Ka tendenca mendjemadhësie edhe në këto sektorë. Te shkrimtarët ushtarakë kjo gjë është më e theksuar, si Lirim Deda, Ibrahim Gani, etj.. Shkrimtarët ushtarakë mendojnë se ata janë partia, se ata luftojnë për një çështje të madhe, etj..” (Nga mbledhja e Drejtorisë Politike të MMP në të cilën mori pjesë Ramiz Alia.) “Tribuna Demokratike” fq.4, 13 janar 1996.)

 

“Sqarimet” e shefit, ndonëse të vjela nga burime të sakta, s’meritojnë asnjë koment.

 

Po pse ju ndaluan të shkruanit tek “Zëri i Popullit” apo të dërgonit poezi tek Festivalet në RTSH?

 

Ka shumë arsye, por kryesorja është sepse mua dhe disa prej poetëve të asaj kohe bashkëmoshatarë të mi na kishin lavdëruar Hito Çako apo Mehmet Shehu. Dënimi i tyre doemos do të sillte dhe goditjen tonë pasi mendohej se, ne ishim miq të tyre, pra të “puçistëve”. P.sh, poetin e talentuar Lirim Deda për një poezi të tij që mori pjesë në festival e uroi drejtpërdrejt Mehmet Shehu. Madje, Mehmeti e vizitoi dhe në shtëpi Lirimin. Kjo vizitë bëri bujë në atë kohë. Pasi Mehmeti ishte shumë i kursyer në lëvdata. Por dihet ç’ndodhi më pas me Lirim Dedën. Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut atë e çuan oficer në një zonë të thellë dhe me gradën më të ulët dhe pse ishte një poet i shkëlqyer dhe kishte mbaruar studimet shkëlqyer. Ndërsa unë Hito Çakon e kisha fshatar, nga Progonati dhe lidhjet e mia me të më pas shiheshin me dyshim.

 

Por në fakt, a kishte diçka kundër regjimit në vargjet e poezive apo shkrimeve tuaja të asaj kohe?

 

Poezitë tona ishin të sinqerta. Poezi zemre. Ishin poezi patriotike.  E rëndësishme dhe më se e domosdoshme sipas gjykimit tim, këngët që u kënduan në ato vite, që përcjellin mesazhe lirie, dashurie, qëndrese, atdhedashurie dhe heroizmi, të ringjiten me dinjitet, dashuri e krenari nga brezi i ri i këngëtarëve, dirigjentëve, grupeve muzikore, etj., në skenat dhe shfaqjet e ditëve tona.

 

Pse pikërisht Ramiz Alia i ka luftuar më shumë poetët ushtarak?

 

Atë e di më mirë Ramiz Alia vetë, por sipas mendimit tim, Ramizi kishte frikë nga letërsia e ushtarakëve, sepse ajo ishte një letërsi patriote, e sinqertë. Plot ndjenjë. Ushtarakët nuk bëjnë pazare me atdheun. Nuk falin tradhtinë dhe janë konkretë. Ramizit, ndoshta nuk i duheshin letrarë të tillë me këtë frymë.

 

Po sot poezisë së asaj kohe për Kosovën do t’i ndryshojë diçka?

 

Absolutisht jo. Unë si kam ndryshuar asnjë germë. Nga ky këndvështrim e gjykim edhe kënga kushtuar “Nënës Kosovare”, duhet të zërë vendin e merituar në skenat tona edhe sot. Koha këto këngë dhe tekste nuk duhet t’i sfumojë.  Kosova e meriton statusin e sotëm falë sakrificave së saj sublime, qëndresës heroike dhe edukimit të fëmijëve të saj me dashurinë e besnikërinë e pashoqe ndaj mbarë popullit e kombit shqiptar, e ka merituar në rrjedhjen e shekujve duke sfiduar heroikisht çdo stuhi dhe okupator.

 

 

Ja dhe teksti i këngës:

 

Muzika:    Avni   MULA  .

 

Teksti:       Ibrahim GANI

 

Këndoi : Alida Hisku

 

NËNË KOSOVARE !

 

Valë Drini derdhet kënga

Për ty Nënë Kosovare.

Këndon shpirti, këndon zemra

Amazonë shqiptare.

Udhëve të historisë

Në beteja nëpër mote,

Flatra trimash jep Lirisë

Shtatdafinë e kësaj toke.

 

Kur në ballë bien djemtë

Ti s’e derdh pikën e lotit,

Hapdrenushë shkel rrufetë

Moj, Shqiponjë e Kastriotit!

Rreze e bukur e Lirisë

Përmes flakës edhe plumbit

Të puth ballin nur e dritë

Shqipja jonë mes flamurit!

 

Refreni

 

Nënë Kosovare,

Ti lind e rrit trima,

Në çerdhe shqiponjash,

Përmes vetëtimash.

Më buzëqeshjen tënde

Çelin trëndafilat,

Kur ia nis ti këngës,

Iso mbajnë bilbilat