E enjte, 28.03.2024, 01:36 PM (GMT)

Mendime

Faruk Tasholli: Misioni atdhetar e humanitar i një mërgimtari

E shtune, 17.09.2011, 04:55 PM


Skicë për portret

 

MISIONI ATDHETAR E HUMANITAR I NJË MËRGIMTARI

 

Nga Faruk Tasholli

 

            Ndër mërgimtarët e decenieve të fundit, pra në grupin e atyre që detyrimisht e lëshuan Kosovën, zë vend edhe Ismet Mehmetaj, i cili tash e sa vite jeton me familje në Würselen, afër Aachen-it në Gjermani. Por një pjesë e mërgimtarëve, që kur erdhën nga Kosova që gjithnjë po rrëshqiste nën kthetrat e okupatorit serb, nuk mundën të rrinë anash e ta lënë mërgatën të shpërnarë. Edhe Ismet Mehmetaj,  përndryshe i ngritur intelektualisht në  Universitetit të Prishtinës, që në fillim të ardhjes, hulumton bashkimin e mërgimtarëve të rinj e të vjetër. Si shembull në krahinën e NRW, ai kishte Klubin Kulturor Shqiptar "Emin Duraku" të Dyseldorfit, klub ky që kishte funksionuar si organizatë kombëtare qysh gjatë viteve tetëdhjetë dhe që me veprimtarinë e vet,  zbehte aktivitetet e klubeve të quajtura jugosllave, e po ashtu edhe të përfaqësive konsulare të ish-Jugosllavisë.  Fillimi i viteve nëntëdhjetë po e zbrazte Kosovën, ndërsa mërgimtarët e rinj, po shpërndaheshin gjithandej Europës. Ismet Mehmetaj, së bashku me Bahtir Avdiun dhe Ali Rexhepajn, vendosin për themelimin e një klubi kulturor, ku në një anë do të tuboheshin mërgimtarët, e në anën tjetër, të bashkuar, ata do ta  ndihmonin edhe më lehtë Kosovën, në ato momente kur kishte nevojë më së shumti.

            - Kosova në ato vite po vlonte e edhe ne duhej të bënim diçka, nis rrëfimin Ismeti. Të gjithë ishim hallexhinj, por iu qasëm punës. E formuam Klubin Kulturor Shqiptar "Besa" në Aachen, i cili brenda një kohe te shkurtër u bë qendër e frekuentimit jo vetëm e mërgimtarëve, por edhe i veprimtarëve politikë dhe i artistëve të të gjitha fushave të Kosovës. Aty u bënë shfaqje të thjeshta, por domethënëse, ku sidomos fëmijët që kishin mbetur pa atdhe, tash sërish po këndonin shqip. Adresa u krijua. Aty filluan të trokasin njerëz të mbetur mes katër rrugëve të Europës, së paku për të marrë ndonjë informacion, qoftë edhe për banim dhe për punë. Kështu solidariteti mes njerëzve po zgjerohej. Sidomos në fundjavë, klubi mbushej plot. Në këtë klub, pos veprimtarëve të shumtë, u kthyen edhe krijuesit dhe artistët më me renome të kohës si Azem Shkreli, Ali Podrimja, Agim Qavdërbasha, Lindita Arapi, Çun Lajqi etj. Ata i dhanë fuqi veprimtarisë kulturore të klubit ku bashkatdhetarët mezi prisnin pastaj të vinin sërish. Prej këtu u nisën ndihmat e para për Kosovë, qoftë ato për mbijetesën e popullatës, por edhe për mbijetesën e arsimit shqip në Kosovë. Përpos ndihmave humanitare, këtu, pra në Aachen me rrethinë, fillimisht u krijua bërthama e fondeve humanitare dhe qeveritare për Kosovën. Është e gjerë dhe e dendur sidomos veprimtaria e Fondit Humanitar të Aachen-it, të udhëhequr nga Marjan Tunaj, profesor në njërin nga gjimnazet e këtij qyteti. Por mbi të gjitha, shqiptarët e kësaj pjese të Gjermanisë, më në fund, mjetet e tyre i derdhën në shërbim të luftës çlirimtare në Kosovë dhe sot i mban krenaria se dikur kanë bërë diçka për atdhe.

            Ismet Mehmetaj, në dy mandate kryetar i Klubit "Besa" të Aachen-it, shton se atyre viteve ishte ngjallur një ndjenjë e madhe për të ndihmuar në të gjitha frontet. Nuk ishte vështirë të udhëhiqej një klub kur të gjithë kërkonin aktivitete dhe ofronin ndihmë. Bashkëpunimi filloi të shtrihej edhe me vendësit, sidomos në planin humanitar.Më 1995, veprimtari Mehmetaj, i bashkangjitet Shoqatës Humanitare Gjermane "Licht" (Drita) me seli në Alsdorf. Qëllimi i kësaj shoqate ishte ndihma me misione të kufizuara në vatrat e krizave. Në fillim ka vepruar misioni  i ashtuquajtur "Malta 11" që ka zgjatur tri vjet. Qëllimi i këtij misioni ishte që të ndihmohen tri familje të tri nacionaliteteve në Sarajevë, që të tria viktima të luftës. Por kjo shoqatë, edhe përmes misionit katolik në Sarajevë, shpërndan veshmbathje, medikamente dhe pajisje shtëpiake. Ndërkaq, shpërthimi i luftës në Kosovë, tashmë Ismet Mehmetajn e gjen me një përvojë të konsoliduar në  Shoqatqn Humanitare "Licht". Ai duke shfrytëzuar përvojën e vet dhe përvojën e anëtarëve gjermanë, arrin që brenda një kohë të shkurtër të dërgojë dy kamionë të mbushur me ndihma të nevojshme, të cilat veçanërisht u shfrytëzuan nga refegjatët e luftës që ishin deportuar  nga Kosova në Shqipëri në vitn 1999. Dhe, menjëherë  pas luftës, po kjo shoqatë, me iniciativën e z.Mehmetaj, nis misoionin "Hyra". Ky mision kishte për qëllim sigurimin e një proteze, konkretisht për vogëlushen Hyra Jashari, që e kishte humbur kragun gjatë luftës. Shoqata me propagandën e vet arrin që ta gjejë një argjentinase e cila siguron protezën, ndërsa shërbimet e udhëtimit për në Itali, i heq vetë.Në këtë vazhdë, vetë Ismet Mehmetaj, i gjendet vajzës së poetit luftëtar Tahir Deskut dhe, nga buxheti familjar, i ndan në bursë vjetore prej 1200 markash gjermane.

            Shumë vite pasi janë fashitur veprimtaritë e përbashkëta dhe njerëzit më shumë i janë kthyer punës dhe familjes, edhe Ismet Mehmetaj bën punët e përditshme dhe në fundjavë, takohet më fëmijët e vet që studiojnë universitetev të ndryshme, ku vajza e madhe, Kreshnikja, tash e sa kohë  ka mbaruar shkencat politike dhe punon në Parlamentin Europian.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora