E shtune, 20.04.2024, 02:19 PM (GMT+1)

Kulturë

Remzi Limani: Përqafimi poetik i fjalës së mikut dhe njeriut të mirë

E shtune, 17.09.2011, 05:57 PM


PËRQAFIMI POETIK I FJALËS SË MIKUT DHE NJERIUT TË MIRË

 

(Vezir Ukaj: “BUSH”, poezi, “Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës”, Prishtinë, 2010), kushtuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush, për viziten e Tij në Shqipëri më 10 – 12 qershor 2007.

 

Nga Remzi Limani

 

Dashuria ndaj njeriut dhe përkrahja e një populli për të dalë Zot i vetes, është Virtyti më i madh që Njeriun e shpie drejt Shenjtërimit… Mirëkuptimi i Njeriut për Njeriun mbetet vlerë dhe Dashuri e madhe, e përhershme, ndaj dorës së zgjatur të një miku. Kur të do Populli, të do edhe Zoti!

Në Truallin, në Dheun e vet, një etnos i lashtë ka lëshuar rrënjët e bujarisë, ka gatuar, me sakrifica e me pengesa llojesh të ndryshme, historinë e tij, kulturën e tij fisnike, ndjenjën e dashurisë dhe të miqësisë me të tjerët. Është Populli shqiptar, nga më të vjetrit në Gadishullin Ballkanik që, ballëhapur, shtrëngoi dorën e Mikut dhe, puthi Syrin e Tij, deri tek idetë, deri tek Dinjiteti i Mikut të nderuar.

Një Përqafim i Mikut të nderuar, i Presidentit amerikan Xhorxh W. Bush, zgjoi ndjenjën dhe muzën e këndimit të poetit tonë Vezir Ukaj, i cili kishte njohur mirë dhe kishte pësuar në një kohë, nga populli e shteti lirishkelës e i padinjitetshëm, - gjithnjë me bindjen se ata që s'kanë miq, s'e kanë as vetveten, se Miku i Mirë të bën hije në vapën e madhe dhe Fjala e tij e vepra e tij, nuk luan mësa shkëmbi…

Ky libër me poezi, i autorit Vezir Ukaj, kushtuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush, është pasqyrë e një dhembjeje të këndshme, dalë nga plagë e varrë të malcuara në shpirtin e poetit. Kjo ndjenjë shpërtheu natyrshëm si shkreptimë e plagës së moçme për atdhedashurinë dhe për frymëmarrjen e lirshme që na solli Amerika dhe Njeriu i Mirë - me lirinë, me njerëzinë dhe me miqësinë si vlera të gatuara përgjatë historisë…

Këto poezi, të vargëzuara me margaritarë lotësh nga rrjedhja e lumit të njerëzve në përqafim të Presidentit Bush, - dëshmojnë më së miri se - dashuria ndaj Njeriut të madh, është blatim ndaj Mikut dhe Fjalës së tij, e cila u bë dritë e një jete të dinjitetshme. Kjo llamburitje, e cila u sendëzua dhe mori trajtë konkrete, tashmë rrëngjen fuqishëm mbi fytyrat e njerëzve tanë, mbi faqet njomake të brezit të filizave…

Kjo është arsyeja pse, poeti Vezir Ukaj, këngën tonë të vrarë nëpër shekuj, e shpalosi për t`i dhënë kuptimin e duhur aromës së mëngjesit dhe rrugës sonë drejt jetës, bashkë me miqtë, drejt horizonteve të reja...

Fjalët nuk mund ta shfaqin tërë këtë, madje as përqafimet e shtrëngimet miqësisht, dhe as lotët e derdhur. Po këtë do ta brumoste Presidenti Bush, në Fjalën e tij, në Premtimet e tij për Popullin, që vinin si një suvalë e fuqishme dhe si një mesazh i shumëpritur drejtuar të gjithë atyre që, për shekuj, mbi Ilirikum mbollën të keqen vuajtje dhe të keqen skëterrë.

Vargjet plot dashuri dhe ngjeshuri kuptimore, kushtuar Njeriut të mirë, - janë vetë Liria jonë, të cilën poeti e këndoi për ta kuptuar bota dhembjen tonë dhe dëlirësinë tonë kolektive. Le të shohin të gjithë: Tashmë vargjet me aromë lulesh, shkrihen këndshëm në harkun e ngjyrave të ylberit mbi Dardani.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora