Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lis Bukuroca: Më fal, Teuta!

| E shtune, 17.09.2011, 05:59 PM |


Lis Bukuroca

 

Më fal, Teuta!

 

Të kujtohet Teuta vaji Çajupit, kruspullosur për Evgjeninë

Si dëneste Goethe lëmsh për Frederikën, kur humbi dashurinë

Si qante Dante i dëshpëruar për Beatriçen, tanimë zemërzhuritur

Si rënkonte Petrarka Laurën, i mjeri, edhe ky shpirttronditur!?

 

Nga droja, hutimi, përplasa derën pas, mora botën në sy

I zbehur nxitova në tren, pa u përshëndetur me Ty

Ti rrije e qetë, shpresoje, duke qëndisur atje një shami

Trupin bartte treni, duke e hedhur pakthyeshëm në largësi.

 

Unë ikja, ikja, por në shpirtin tim shumë përjetime kishin mbetur

Aq shumë ëndrra, arratia merrte me vete, unë krejtësisht i stepur

Treni fishkëllente drejt mjegullnajës, dashuria jonë ende në vezë

E unë mendoja se shpirti fshihet, mu si fshihet dërrasa zezë!

 

Letra erdhi disa muaj pas, kur fërfëllonte me ngut dëbora

Nën pullazin e shtëpisë fshija lotët, oh sa më dridhej dora

Lamtumirë për këtë jetë, fjalët Tua të ftohta, plot zhgënjim

Flaka shishen, lëmsh si Dante, gati i ngrirë, deri në agim!

 

Të lagura me lot, një mbi një palosa letra dhe disa fotografi

Nga dashuria për Ty, ndeza zjarrin, për ta zhbërë atë dashuri

Një shpëtoi, ende në sirtar fshehur, pate shkruar në kopertinë,

“ E jotja përgjithmonë” tek Preveri, ruan aty, akoma dashurinë!

 

Të falënderoj që në jetën time hyre dhe dole krenare

Qafëgjatë e ëmbëlake, pushtuese, plot hir si sorkadhe

Dashuritë e mëdha nuk fshihen, kaq vonë këtë e kam nxënë

Perandore! Mijëra fjalë, që janë dhe kanë ngelur pa u thënë!

 

Nuk di Perëndeshë, si përpunoi Çajupi dhembjen për Evgjeninë

Sa net zbardhi Goethe për Frederikën, kur humbi dashurinë

Pse Dante e Petrarka nuk flinin, pa dashuritë e tyre hyjnore

Nuk di, por edhe tani, edhe pse nuk duhet, unë të rikujtoj prore...

 

Ishe dhe në kujtesë mbete shtojzovalle, Teuta Mbretëreshë

Pas aq shumë viteve të shkruaj, përkulem, më fal Hyjneshë

I hidhëruar, helmuar për sjelljen e keqe, të trisht në rini

Oh Teuta, më fal të lutem, gabon njeriu, edhe në dashuri!