E premte, 19.04.2024, 06:38 PM (GMT+1)

Editorial

Albert Vataj: Një lindje përmbi mijëra kuja

E diele, 17.02.2008, 08:51 PM


Një lindje përmbi mijëra kuja
 
Nga Albert Vataj

 
Ma në fund. E tash, kurrçka sjet për me u than, përveçse, lindi. Një jetë për të dëgjuar qarjen e një fëmije. Një jetë dhe tërë përjetësinë për ta patur atë, ju desh Kosovës. Lumenj gjaku, male dëshpërimi, helm, zemra të thyera, stinë kujash dhe varresh, lot dhe tançka tjetër, ju desh të jepte dhe të provonte për të mbërritur në këtë ditë.
Pas një shtatzënie të gjatë dhe të mundimshme dhe një lindje të vështirë foshnja lind, (bahet Kosova shtet). Atë të qarë të mekur fëmije e dëgjoj në çdo moment (kapërtheu gjithkah ku flitet shqip). E ndërsa ai tani fillon të ushqehet sytë i ka ende të mbyllur. Duart i lëviz ngadalë kuturu nëpër hapësirën e panjohur që e rrethon. Tik-taku i zemrës së tij i ngjan atij të një zogu. Shumë sy i lëshohen plot endje dhe buzë që e puthin gjithë frikë dhe ngazëllim. S’kanë të ngopur së kundruari. S’ka përmbytje lumturimi që e shuan etjen e këtij gëzimi. E qara e tij rrëshqet nga gjinjtë e nënës e një buzagaz engjëllor i konturohet lehtë në fytyrën e tij. Këta janë emocionet e krijimit. Këta janë momentet më magjike që përcjell në të qënin e vet. S’ka prehër që i mban rrëzimin e lotëve të këtij gëzimi. Gjithçka këtë ditë është e dengur, përplotë. 
Ajo nënë ndërsa sheh frytin e saj që lodron në prehër mrekullia e pushton duke e larguar atë nga e kaluara e mundimshme e kësaj ngjizjeje. Dhimbjet do të zëvendësohen me netë të gjata pa gjumë. Sytë e tij janë drita e syve të saj, e gjithçka ajo do ta bëjë si një nënë. Ai tani ka uri. Me duart që i kacarriten nëpër gjoksin e saj, rikërkon gjinjtë, të rinis të ushqehet, të rritet, të përfshijë vrullin e jetës, si tash, gjinjtë e nënës.
Ngado ka marrë dhenë lajmi i kësaj lindje. Ka bashkëudhëtuar me diellin ky lajmës. Ka fluturuar hipur mbi shqiponjen dykrenore ngado ku qielli kushtron, për të përcjellë lajmin e mirë të lirisë. Ky djep nuk mund të rrinte varur duke rënduar bashkë me hijen e zezë dhe muret e lënduara nga luftërat dhe molisja. Ky prehër nuk do ta qante deri në përjetësi djerrin e shpirtit. Kjo nënë kishte lindur të shugurohej me bekimin e Hyut. Këtë tokë vetëm hapi i zbathur i kësaj foshnje mund të shëronte plagët lënguese të mbarsjes së lirisë.
Eshtë 17 shkurt 2008. Tash e mbas s’ka më mure. S’ka më sy të vëngër e vetulla të ngrysura. S’ka më, tash e përgjithmonë, të drejta mbi të drejtën legjitime të pavarësisë. Më në fund shkërmoqen mure dhe qiej të murrmë. Një tjetër e sotme lind për Kosovën, si kjo foshnje. Tjetër gëzim e emocion na mbush në këtë prag të fundmë të fillimit të të gjitha fundeve. Jargavitjeve hijerënda të kaposhëve të kancelarive rrahekrah ndër Lindje a Perëndim, u vjen fundi.  Një ditë ngazëllyuese, si kurrnji ditë tjetër. Si kurrnji gëzim tjetër, ky lumturim. Si kurrnji përmallim tjetër, kjo valëvitje flamuri rrokaqafet me sy që lotojnë nga gazmendi. Së mbrami, Kosova përplotësohet me pjesën e shenjtëruar, hisen e mohuar të vetvetes, pavarësinë. Kjo zemër gjeografike e Evropës nis të kumbojë. Bota kushtron këtë ditë kambanën e paqes, bashkëjetesës, vazhdimsinë e jetës, si të kësaj foshnje të gjithë jetëve. S’është vetëm politike kjo arritje, s’është vetëm e kollarisur e tërë pompozitet ky emocion. Sepse të gjithë u përkushtuan kësaj dite. Askush nuk kurseu gjakun dhe jetën. Askurrë, asçka, nuk kurseu askushë, që kjo ditë të trokiste dhe ne ti hapnim asaj derën e zemrës dhe shpirtit. Megjithëse ky dekik historik kumtohet si një nga arritjet më të rëndësishme të ndërkombëtarëve, viteve rraskapitëse të despotizmit serb, lufta dhe përpjekjet titane, kurbanet dhe vetëmohimi, kurrsesi nuk mund të jetë një aureolë, por një ylber që ngërthen gjithë horizontin e të sotmes gjithëshqiptare. E ndërsa guxojmë të lëmë pas një të kaluar deng me fatalitete dhe makabritet, nëpërkëmbje dhe përbuzje, izolim e diktaturë, varre e shkrumb, gjymtime e lot, s’ka dritë që mbush vështrimin tonë për nga ardhmëria, sot e përgjithmonë.
Kosova dhe kosovarët, edhe pse ishin sinonim i vuajtjes dhe mundimit, ata, si pakkush tjetër i racë njerëzore nuk shuajti kurrnjiherë nga shpirti dritën e shpresës, se një ditë të lume si kjo e mëvetësisë do të vinte dhe ajo do të bëhej pjesë e aspiratave të qytetërimit dhe zhvillimit. Rruga nëpër të cilën ka rendur ky moment sublim, ishte një rrugë tejet e gjatë, e denguar me mizori, për mbërritjen në stacionin e parë të krijimit. Me njohjen e pavarësisë së Kosovës, kancelaritë evropiane dhe i gjithë faktori vendimmarrës ndërkombëtar marrin guximin të korrigjojnë gabimet historike, fatalitete, të cilat fatet e shqiptarëve u desh t’i paguajnë me çmimin e Golgotës.
Një nga majat më të larta që do t’i ngjisë ky Sizif me gurin që sa vjen e rritet është shtimi i peshës së përgjegjësisë shtetfomuese, bashkëjetesës dhe kungimin e stinës së paqes.
Ti linde këtë ditë, për të mbushur krahnorin eshkë të një pritje shekullore. Ti linde për të kumtuar lindjen mbi mijëra kuja.
Jetë të gjatë foshnja e paqes



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora