E marte, 19.03.2024, 05:56 AM (GMT)

Kulturë

Rexhep Çeliku: Me mustaqe më pëlqeu dhe Enver Hoxha

E shtune, 16.02.2008, 12:01 AM


Odise Plaku - Shekulli

Rexhep Celiku
Të vendosur një shtëpi të re, të dy së bashku Rexhep dhe Qelidhona Çeliku, të urojnë mirëseardhjen dhe kënaqësinë për të bashkëbiseduar, ndërkohë që veten e tyre nuk e quajnë të rinj në lidhjen bashkëshortore, por të më shumë se dy dekadave. Prindër të dy vajzave të cilat i cilësojnë pasurinë më të madhe të jetës së tyre, tregojnë atë se çfarë i lidhi së bashku. ..

Loli: Jemi martuar në shtatë dhjetor të vitit 1984.

Rexhepi: E paske harruar.

Loli: Më fal. Po e bëj korrigjimin menjëherë. Jemi martuar në dhjetor të vitit 1985.

Një dasmë e veçantë apo si gjithë të tjerat e asaj kohe?

Loli: Jo, them se ka qenë e veçantë dhe madhështore e atyre viteve. Do të thuash përse. Ëshët bërë një dasmë në të cilën kemi patur dy  orkestra.

Rexhepi: Kishim orkestrën e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, gjithë kolegët e mi, njëkohësisht kishim të ftuar dhe orkestrën e familjes Lela, orkestrantët më të mirë të kohës tonë, duke filluar që nga Çobani, pra të pesë vëllezërit.

Dhëndërri ruajti atë traditën e zakonshme?

Loli: Ku priti ky për zakone dhëndërri.

Rexhepi: Absolutisht që jo.Unë u shkriva mes të ftuarve dhe harruam që ishim duke u martuar bashkë.Ishim të gjithë të çliruar nga ceremonitë e tepërta.

Po nusja?

Loli: Unë isha vërtetë e ndrojtur. Dhe  e kisha një shkak. Duke parë të gjithë këta artistë që më rrethonin më dukej vetja se bëja bllofin. Mes asaj harëseë së krijuar, më ka ngritur për herë të parë të kërceja profesor Panajot Kanaçi.Dhe e imagjon se si mund të ndihesh kur kërcen me një yll të valles shqiptare. Unë dukesha që isha kot në kërcim.

Rexhepi: Na dukej neve vetja se ishim kot, por  Loli kërcen bukur.

Loli: Thuaj që përpiqesha. Mundohej Rexhepi që të më çlironte nga emocionet. Imagjon kur ngrihej dhe Lili Cingu që kërcente se çfarë bëhej.

Në vitin 1984 ishin sinjalet e para të dashurisë tuaj.Më duket ka qenë një dasmë?

Loli: E vërtetë. Bëhej një dasmë tek hotel “Arbana” dhe unë kam patur një kushërirën time nëndrejtoreshë të saj. Shkoja atje dhe rrija bashkë me atë. Ajo kishte një fatkqesësi në jetë dhe zakonisht shkoja në shtëpinë e saj dhe flija. Isha mbrapa banakut të lokalit. Rexhepi kishte ardhur si i ftuar pasi martohej motra e një shoku të tij. Rexhepin e pashë duke kërcyer.

Rexhepi: Ajo nuk ishte vetëm motra e shokut tim, por edhe shoqja e Lolit.

Loli: Pasi mbaroi  duke kërcyer i them shoqes time që

Rexhepi të kërcente edhe një herë. Më kënaqte kur e shihja duke kërcyer. Si duket nga kjo kërkesë këtij iu dukë se unë rashë në dashuri me këtë.

Rexhepi: Nuk re?

Loli: (qesh) Në atë kohë të pëlqeva si kërcimtar.

Rexhepi: Mos gënje.

Loli: Ta kam thënë dhe herë të tjera: atë ditë të kam pëlqyer thjesht si kërcimtar.

Keni kërcyer atë dasmë së bashku?

Loli: Të dy bashkë nuk kemi kërcyer. Ky më plotësoi dëshirën mua. Por më kishte ngatërruar dhe më kishte marrë për banakiere dhe pas dy ditësh shkon e më kërkon përsëri në lokal. Takon atje gocën e hallës time dhe i thotë që kam ardhur për atë vajzën që ishte në atë dasmë pas banakut. Aty ka kërkuar që të takoheshim përsëri. Këtu ka filluar edhe lidhja jonë.

Rexhepi:  Pasi më erdhi kërkesa për të kërcyer përsëri i them shoqes që Loli të vinte e të kërcente me mua. M’u justifikua se nuk dinte të kërcente.

Rexhep, përse u riktheve edhe një herë në lokal. Çfarë të shtyu?

Rexhepi: Atë natë e pashë që kësaj sikur iu drodh pak syri. (Qesh)

Loli: Ti u ngacmove. Unë të kërkova vetëm të kërcej se më pëlqeve. Ti fillove të vije nga pas.

Rexhepi: Po e vërteta është se ti më ngacmove. Ti ishe shkaktaria dhe jo unë. Unë isha në qejfin tim. Ty të ranë sytë mbi mua. (Ngacmojnë njeri-tjerin me bauta dhe qeshin me gjithë atë histori të lidhjes së tyre.)

Loli: Ti u tregove i dobët dhe erdhe nga mbrapa.

Rexhepi: Si i dobët? Unë u tregova tamam djalë me zemër dhe nuk të lashë të ikje.

Dhe çfarë ndodhi më pas?

Rexhepi: Atëherë filluam pak nga pak të njiheshim me njeri-tjetrin, pasi nuk e kishim edhe moshën  për të bërë aventura. Kërkova të takohesha me vëllain e Lolit.

Djalë serioz ti?

Rexhepi: Mëse e vërtetë. Ai më tha vetëm një fjalë. Çfarë më kërkon më shumë kur ju të dy e keni vendosur mes jush. Me kaq sa  të njoh je djalë serioz dhe me vlera, të tjerat i dini ju. I pëlqeu mënyra sesi unë iu prezantova dhe i kërkova të vazhdoja më tej me Lolin.

Besoj pak e vështirë, sepse për artistët ka një opinion të keq?

Rexhepi: Jo se ka, ai opinion vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite, që artistët të marrin më qafë. Mua nuk më pëlqen dhe duke qenë serioz në këtë anë, nuk më pëlqen të përflitem. Po nga ana tjetër, unë motër nuk kisha dhe mendoja si për vete.

Loli mendoje në ato çaste se Rexhepi do ta kishte seriozisht?

Loli: Nuk gënjej. Fillimisht mendova se do ta kishte thjesht shoqëri. Nuk i hyra me themel kësaj njohjeje, duke menduar se do të shkoja në fejesë me Rexhepin fill pas njohjes. Rrodhi gradulaisht. Nga kafetë e bashkëbisedimet, në kërkesat e Rexhepit për lënie orari të takimeve dhe daljeve tona. Por kishte edhe një faktor tjetër. Duke qenë artist, Rexhepi më së shumti ishte në turne, në lëvizje sa jashtë dhe brenda vendit.

Në këtë kuptim takimet tuaja ishin të rralla dhe të përmallshme?

Rexhepi: Ne atëherë kishim më shumë turne dhe takimet tona është e vërtetë që ishin të rralla dhe të mbushura me mall e me dashuri. Dhe kjo e bëri akoma e më shumë serioze.

Loli: Dhe kështu vazhdojmë. Unë e mësova veten me takime të rralla, sepse Rexhepi vazhdon jetën e tij artistike.

Rexhepi: Por mos më thuaj që nuk është e bukur.

Loli: Rexhepi ngrihet në mëngjes, ikën dhe treçerekun e kohës e kalon jashtë shtëpisë.

Rexhepi: Ky është një realitet dhe nuk dua t’i bëj qejfin apo përkëdhel, por Lolit i ka rënë barra më e madhe në këtë shtpëi, duke u marrë edhe më shumë me fëmijët, pra vajzat. Ka qenë një përkujdesje që e vlerësoj. Dita ime fillonte me aktivitete dhe mbyllej po ashtu.

Loli, një burrë që është në lëvizje. Në fillimet e tua bashkëshortore të shqetësonte ky fakt?

Loli: Në fillimet e jetës së përbashkët padyshim që më shqetësonte. Isha jo vetëm në një shtëpi të re, por edhe shtatëzënë.Te babai im isha mësuar me një jetë mes shumë njerëzve, kurse më pas më trembte kjo jetë e vetmuar. Ka patur raste që i kam kërkuar të mos shkonte. I kërkoja të nxirrte një justifikim, të thoshte që ishte sëmurë apo kishte një problem. Por kur u bëra nënë dhe linda vajzën e parë m’u plotësua ai boshllëk që ndjeja. Merresha me atë dhe harroja frikën, harroja që Rexhepi nuk ishte në shtëpi. Më vonë kur linda edhe vajzën e dytë, atëherë për mua kishte vetëm përkujdesje dhe probleme fëmijësh dhe nuk më bënte më përshtypje. Jo se nuk e kisha problem për Rexhepin, por në kuptimin që kisha me se të merresha. Kur isha e re edhe mësohesha, ndërsa tani në këtë moshë i kam kërkuar që turnetë e gjata t’i harrojë. Kam shumë nevojë për praninë e tij.

Loli, nëse nuk do të ishte ajo dasmë mendon se do të ishe lidhur me Rexhepin?

Loli: Absolutisht jo. Nuk e kisha menduar asnjëherë në atë kohë se jetën time do ta lidhja me një artist.

Rexhepi: Ishte një rastësi. Kot nuk thonë që si e ke të shkruar në ballë. Kështu ishte thënë për ne të dy, do të ndodhte diçka që të na bashkonte dhe ndodhi.

Kanë kaluar më shumë se dy dekada nga lidhja juaj. Rexhep, çfarë e ka bërë të veçantë marrëdhënien tuaj?

Rexhepi: Loli e tha që jeta jonë ka qenë paksa e veçantë në kuptimin e pranisë time në familje. Duke qenë në turne, unë mezi prisja të kthehesha tek Loli, ajo me padurim priste ardhjen time. Në këtë mënyrë lidhja jonë ka patur një marrëdhënie pritjeje e mbushur me emocion dhe padyshim dashurie.(Fillon dhe hedh batuta)Se nganjëherë duke qenë bashkë bëhesh dhe paksa i mërzitshëm, për të mos arritur deri aty sa të të thotë gruaja “ore ik mu qëro nga sytë”.

Loli: Këtë nuk ta pranojë. E the paksa të rëndë këtë fjalë. Unë për vetë them me pastëri që Rexhepi sa kërcimtar i mirë është, mbetet po i shkëqyer si prind, por mbi të gjitha si bashkëshortë. Po pa të vetat nuk është.

Rexhepi: (Qesh) Po mos na i nxirr sekretet tani.

Loli: (Ia kthen) Tani do flasë edhe unë deri në fund. Rexhepi po të jetë në shtëpi e kthen dhomën në sallë studimi. Nuk të bie radha të shohësh televizor bashkë me këtë. Do filloj të studiojë vallet, muzikën dhe kur e mbërthen kjo harron se ku është.

Rexhep, thonë një shprehje:”Ja korçare, ja hiç fare.” Loli është nga Korça me origjinë. Ndikoi ky fakt në lidhjen tuaj?

Rexhepi: Nuk jam dakor fare me këtë shprehje. Unë nuk e dija që ishte nga Korça. Po Lolit, ia kam thënë realitetin në sy. (Qesh) Ta dija që ishte nga Korça për atë zot nuk ia kisha hedhur sytë fare. Nuk para i kam patur shumë qejf korçarët. Do do ta dish pse? (Loli e shikon dhe i bën me shenjë të hesht më mirë)

Rexhepi: Një të vërtetë po them. Që kur isha ushtar kisha disa shokë korçar.Ata kishin disa gjëra që nuk i pëlqeja. Donin të dukeshin, vetëm atyre iu pëlqente vetja, ata ishin me kulturë. Gjithkund ata. Dhe thosha me vete “Bobo, çfarë paskan qenë këta korçarët”, por do ti që mua më ra për pjesë korçarja.

Dhe më pas më ndryshoi krejtësisht mendimi për ata. E gjithë kjo sepse duke e patur praën dhe jetuar padyshim që fillon dh zbulon shumë gjëra me vlerë. Më ka lënë mbresa sidomos lidhja me të atin e Lolit, një burrë i veçantë dhe plot kulturë. Më trajtonte si djalë dhe jo si dhëndërr.

Një djalë me origjinë nga Gjirokastra dhe një vajzë nga Korça. Padyshim, dy familje nga vende me tradita.

Rexhepi: Më kujtove atë çfarë më ndodhi në fejesë. Po e quaj si një histori të jetës tonë. I them babait që kam njohur një vajzë me të cilën dhe dua të lidh jetën.

I kërkova që të shkonim në shtëpinë e Lolit që ta bënim fakt të kryer. “Po çfarë kërkon nga unë kur ti i ke mbaruar gjërat” më përgjigjet babai.

Loli: Dhe më e bukura qëndron kur erdhën në familje time. Një situatë vërtetë e sikletshme, por e bukur.

Rexhepi: Kur u nisëm më thotë babai që çfarëdo të ndodhte unë nuk duhej ta prishja terezinë. Vetëm duhet ta shihja atë në sy.

Me dajën në krye, sipas zakonit, shkojmë në shtëpinë e Lolit. Ai dajë që kisha me vete ia thoshte pak rakisë dhe pas disa gotash, pavarësisht që e porosita të bënte kujdes në këtë drejtim, fillon dhe na uron me zë të lartë: “Hajde të na trashëgohet çifti”. Shikonte nga babai dhe prit se mos thoshte ndonjë urim im atë.Babai  ngrinte gotën dhe asnjë fjalë. Më pas babai i Lolit i drejtohet tim eti përse nuk po e thoshte atë fjalë urimi.

“Kush çift?” thotë babai. Unë nuk jam dakort shton babai. Më pas pyet krushkun. “E njihni djalin tim ? Miratojnë ata. Sipas zakonit Loli akoma nuk kishte dalaë të gostiste. “Po unë ku ta njohë vajzën tuaj?” thotë babai. Na del edhe Loli në skenë dhe më pas babai e pyet Lolin nëse e kishte marrë parasysh që isha artist dhe kisha të bëja jo vetëm me valltarë, por edhe me femra kërcimtare. Vjen përgjigja pozitive nga Loli dhe atëherë ka ngritur gotën babai dhe ka uruar.

Një burrë simpatik i rrethuar nga valltare të hijshme. Çfarë ka shkaktuar tek Loli?

Loli: Asgjë. E di që nënkupton xhelozinë. Nuk jam ndjerë për faktin se unë jam nga natyra shumë e shkathtë dhe kam shoqëri si me femra dhe meshkuj. Pastaj kur shkoj në ansambël i takoj shokët e Rexhep si të ishin shokët e miqtë e mi. Nuk kam ndjerë xhelozi për tim shoq.

Rexhepi: Të të them te drejtën shoqëritë tona, e imja dhe e Lolit prej vitesh janë bërë njësh. Në çdo aktivitet që organizoja Loli do të ishte e pranishme.

Loli: Nuk jam kam ushqyer asnjëherë vetes këtë frymë xhelozie dhe nuk kam pse.

Loli e njohe Rexhepin kështu me këtë portret, me mustaqe?

Loli: Edhe mustaqet e Rexhepit kanë një histori më vete. Bile me ato është marrë vetë udhëheqja e asaj kohe.

Rexhepi: Është e vërtetë. Duke qenë se në krah kisha një solist epik me tipare të forta, padyshim që edhe unë duhet të krijoja portretin tim sa më burrëror.

Ka qenë kërkesa e profesor Panajot Kanaçit për të lënë mustaqet, ndërkohë që isha një djalë i ri.

I lyeja me laps të zi që të më dukeshin sa më të plota. Por lënia e mustaqeve në atë kohë cilësohej si një shfaqje e huaj. Më kërkon drejtori t’i prisja mustaqet ose libreza e punës me largimin tim ishte gati. I paraqes kërkesën e profesorit për t’i lënë. Më kundërshton. U gjenda mes dy zjarreve. Njëri thoshte lëri, tjetri thoshte hiqi.

Kishim një koncert në një dekadë maji dhe në këtë koncert do të vinte vetë Enver Hoxha. Para koncertit drejtori më kërcënon përsëri për pushim nga puna. Kam patur për të interpretuar një valle të Kukësit kur përsëri mora kërcënimin e radhës nga drejtori që atë natë nuk po më ndahej. Ndërkohë Enver Hoxha më ndiqte. Sheh koncertin dhe kishte thënë që mua më shkonin shumë mustaqet dhe nuk duhet t’i prisja. Mbaron koncerti kur bëhem gati të dal më thonë që më kërkon ministria e Arsimit dhe Kulturës në atë kohë, Tefta Cami. Marr urimet e rastit dhe mes të tjerave më sjell falenderimet e Enver Hoxhës si dhe kërkesën e  tij për të mos i prerë mustaqet. Unë kundërshtojë dhe them që nuk më lë drejtori, duhet t’i presë. Po kur thoshte partia atëherë nuk kishte burrë që kundërshtonte. Kështu që mbeta me këto mustaqe.

Si i përjeton Loli koncertet e Rexhepit?

Loli: Nuk jam vetën unë që i përjetojë, por janë edhe shoqet e mia, bile të gjitha së bashku bëjmë tifozllëk për Rexhepin.

Tifozllëk me shoqet për burrin?

Loli: Po, dhe një po të plotë bile. Ato janë të parat që fillojnë e ngrihen në sallë e zënë  e kërcejnë. Janë shumë të lidhura me artin. Nëse qëllon që unë harroj  koncertet e Rexhepit, janë ato që më kujtojnë mua.

Rexhepi: Ndërmarrjen e Lolit e kemi tërhequr me vete. Ndihem në siklet kur nuk arrij t’iu gjejë të gjithave  ftesa.

Mund të cilësoheni si çifti i suprizave?

Rexhepi: Themi se i afrohemi.

Loli: Rexhepit i pëlqejnë suprizat,por nuk i zgjat shumë. Kur është në turne jashtë vendit, nuk duron sa të kthehet po merr në telefon dhe të raporton se cfarë dhuratash ka përgatitur.

Baba që ka ditur të komunikojë me vajzat?

Rexhepi: Atëherë kur është dashur dhe duhet  kam komunikuar unë, në raste të tjera është Loli. Edhe pse vajza, jam përpjekur t’i trajtoë si shoqe, të flas lirshëm, pa paragjykime. Për mua koha dhe shfrytëzimi i saj në emër të së ardhmes kanë patur shumë rëndësi. Më mirë një mbrëmje më pak dhe një rrugë e së ardhmes e shtruar me kujdes.

Loli: Jemi përpjekur që të jemi sa më bashkëshohorë, por edhe kemi qenë dhe jemi njerëz të kontrollit të jetës së tyre. Më mirë kështu. Nuk të gjen asgjë e keqe.

I keni imponuar në zgjedhjen e profesionit?

Rexhepi: Jo, kanë patur zgjedhje të lirë. Njëra vajzë studion në Moskë, tjetra është këtu në Tiranë. Nuk kemi kërkuar që të ndjekin rrugën e artit, sepse atë bëj dhe unë.

Loli: Them se kanë gjetur veten në këto përzgjedhje.

Nëse do të duhej të zgjidhje si bashkëshorte mes disa gjërave me vlerë, ndonjë shumë parash apo një puthje, cilën prej tyre do të pëlqeje?

Loli: Më mirë një puthje, sepse me të tjerat na ka ardhur në majë të hundës. Bile të ma japë një puthje të ngrohtë.

Rexhepi: Pse të kanë munguar ato?

Loli:  (E ngacmon) Po e meritoj.

Rexhepi: (Qesh) Për mua më mirë një puthje që ta mbash mend, sesa ato të çdoçastshme dhe bëhen bajate.

JETA PROFESIONALE E BASHKËSHORTËVE ÇELIKU

Loli: Prej mëse 22 vjetësh vazhdojë të punojë në shtypshkronjën e letrave me vlerë e cila për kohën kur kam fillaur unë cilësohej si një institucion mjaft me rëndësi dhe kërkonte që punonjësit të ishin sa më cilësore dhe të besuar.

Një emërim që të kishte ardhur nga Ministria e Brendshme.

Loli: E vërtetë. Dhe në fillim shoqet edhe mund të kenë patur ndonjë ngurim, por tani pas kaq vitesh them se kemi kaluar dhe vazhdojmë të mbetemi shoqe të mrekullueshme.

Çfarë të tërheq tjetër në kohën e lirë?

Loli: Kam patur një marrëdhënie edhe me sportin, me volejbollin dhe më pas me atletikën që e lashë për shkak të një dëmtimi. Them se do të isha një mësuese e mirë e edukimit fizik.

Edhe pse kanë kaluar vite ende vazhdoj t’i ndjek me interes ndeshjet e volejbollit që transmetohen në televizor. Nëse do të kishte njoftime të rregullta për në pallatet e sportit pa heztim, bashkë me vajzën do t’i ndiqja.

Po Rexhepi si u gjend në valle?

Rexhepi: Faktikisht unë nuk kam ardhur direkt nga një shkollë e mirëfilltë. Kam ardhur nga klasa punëtore. Përgjatë dy viteve nga 1968 deri në ‘70 bëra kurs për balet.

Profesor Panajat Kanaçi ka qenë njeriu që më ka mbështetur, mësuar dhe vlerësuar për të ardhmen time, për të arritur këtu ku jam sot.

Cila ka qenë data që të ka lidhur me Ansamblin?

Rexhepi: Nga 12 çifte që kemi qenë në kurs u përzgjodhën si më të mirë tre çifte, mes tyre edhe unë. Dhe më 20 shkurt të vitit 1971 fillova si punonjës i ansamblit. Në fillimet e mia isha kërcimtar i thjeshtë. Profesor Panajoti këmbëngulte që të mësoja dhe të arrija më të mirën.

Duke alternuar punën  e tij dhe sedrën time realizova ato çfarë profesori kishte në mendjen e tij. Ai më la për detyrë që pasi të kthehesha nga ushtria të mësoja edhe kërcimet e rolit kryesor. Por atëherë ishte e vështirë për faktin se kryesorët e asaj kohe ishin të mirë dhe ishte e vështirë t’i konkuroje.

Si arrite të ishe i pari?

Rexhepi: Ka qenë viti 1975. Ishte një koncert me shumë përgjegjësi. Solisti kryesor ishte i sëmurë, atëherë profesor Panajoti më kërkon të bëhem gati e të futem në skenë. Nuk i kisha interpretuar asnjëherë, i kisha përgatitur e më shumë fotografuar me mendje. Më ka dhënë një shtysë profesor Panajot Kanaçi dhe Gëzim Kaceli të cilët më thanë që nëse do të kishte ndonjë çast që nuk i dija lëvizjet t’ia futja kot e të ecja përpara.

Improvizimi në skenë më ka dhënë edhe më shumë vlerësim për atë natë koncerti edhe në sytë e profesor Panjotit. 

Arrin vallja shqiptare të jetë një përfaqësuese dinjitoze në botë?

Rexhepi: Profesor Panajot Kanaci në respekt të të qenit shqiptar ka shkuar gjithnjë me simbolin e shqipeve në arenat ndërkombëtare. Me simbolin e shqiponjës është krijuar numri koreografik. Janë realizuar dhe janë pritur shumë mirë. Simboli i shqiponjës nuk ka qenë vetëm në një numër, por kudo, me krahët e shqiponjës apo sqepin.

Në këtë kontekst them se dueti i shqiponjave është për mua dhe një nga vallet më të bukura që personalisht unë pëlqej të kërcejë. Është një simbolikë dhe marrëdhënie Shqipëri-Kosovë. Aktualisht ndihem keq kur shoh sesi ato vlera që ne i ruajtëm me fanatizëm, sot i gjejmë të përbaltura. Është krim që këtë kulturë të mrekullueshme disa pseudoartist ta çojnë në këtë gjendje.

Mes kërcimit dhe mësimdhënies. Ku  ndihet Rexhepi më mirë?

Rexhepi: Shënohen disa vite të mësimdhënies. Përpiqem  të gjej gjuhën e komunikimit reciprok me nxënësit, të jem më shumë shok sesa mësues. Vjen momenti kur me ta bëhesh koleg, sikurse më ka ndodhur. Kemi mbajtur relata shoqërore, që edhe ata të më kuptojnë dhe të shkojmë mirë, sepse edhe rezultatet e punës do të jenë më të mira. Po kështu edhe me grupet amatore, me të cilët punoj. Unë nuk kam ndenjur kurrë pasiv dhe gjithmonë kam punuar edhe me grupet amatore jashtë vendit duke  mundur të tregoj se kush janë traditat shqiptare tek familjet shqiptare dhe fëmijët e tyre.

Si ndihet Rexhep kur cilësohet si simbol i valles tipike shqiptare.

Rexhepi: Më 2006-ën unë kurorëzohem me titullin më të lartë “Mjeshtër i madh i punës” nga presidenti Alfred Moisiu.  Është krenari, dhe jo mendjemadhësi.Përpiqem të jem sa më i thjeshtë, sa më konkret në punë dhe sa më afër këtij populli. Kjo më shtyn, që të vazhdoj si ekzekutues i valleve tona dhe si krijues.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora