E premte, 29.03.2024, 02:27 PM (GMT)

Mendime

Kristo Mërtiri: Shpëtoni një qytetar prej drejtësisë!

E merkure, 14.09.2011, 05:35 PM


Shpëtoni një qytetar prej drejtësisë!

 

-Në vend të një letre me zarf për Presidentin e Republikës; Prokuroren e Përgjithshme dhe Kryeinspektorin e Lartë të Pasurive të Zyrtarëve-

 

Ndërsa shoqëria po përjeton me tmerr vrasjen e një gjyqtari në Vlorë dhe rritjen e fluksit të kërcënimeve ndaj gjyqtarëve, me të njëjtën ritëm po shtohen dhe denoncimet e qytetarëve për problemet që hasin me drejtësinë dhe korrupsionin e gjyqtarëve. Histori të thjeshta njerëzore, shpesh herë të rrëqethin. Ndërsa tri gjyqtarë të Apelit me në krye Gjin Gjonin liruan disa muaj më parë një trafikant droge turk, kërkuar në Gjermani për një sasi që shkonte gjysëm tone heroine, një qytetar i thjeshtë i është drejtuar shtypit për të dëshmuar çka hequr për një zënkë banale me komshiun nëpër dyert e gjykatave dhe prokurorëve të babëzitur të këtij vendi.

Më poshtë po sjellim një reagim të një gazetari të vjetër shqiptar Kristo Mërtiri, i cili përshkruan këtë rast.

 

Nga Kristo Mërtiri

 

Ca kohë më parë, Qamili, i ra celularit tim dhe zbrazi një dhimbje e trishtim jo të zakonshëm për Idrizin(nje shok i përbashkët fëmijërie), të cilin e prangosën teksa priste të gjente punë te “sheshi “Omonia” në zemër të Tiranës,te monumenti i Partizanit te Panjohur. Ishte dënuar nga gjykata me 3 vjet burg sepse pranoi të merrte mbi kurrizin e vet sherrin e bashkëshortes me një komshi në pallat(?!).Kjo barrë faji e pamerituar kaloi si një copë bukë me djathë nëpër duart e policit gjyqësor,të prokurorit e të gjykatësve dorëlëshuar ndaj vendimeve të rrepta vetëm mbi fukaranë “njeri pa njeri”! Megjithëse gruaja këmbënguli që ditën e parë pas sherrit se ishte goditur ajo me komshiun dhe jo Idrizi. Për një gardh me tela në oborr,u dëmtuan të dyja palët. Tjetër prokuror i mori në pyetje dhe tjetër prokuror firmosi aktet, pa hetuar në mënyrë të plotë e të gjithanshme. Por le të mos humbasim fillin e shkrimit…

-Për mossyrgjynosjen në qelitë e burgut, Idrizin nuk e ndihmuam dot. Vecse tani më duket se po i vjen rrotull një gjëmë akoma më e madhe,-më thosh përmes frymëmarrjes së rënduar,Qamili,që jeton e punon në Laprakë,dikur minator i Valiasit.-Mora vesh se do detyrohet të shesë shtëpinë për të shkurtuar burgun me pare nën dorë dhe për kafshatën e 4 fëmijëve. Se nuk lëviz asgjë po nuk u lye qerrja e prokurorëve dhe gjyqtarëve. E vetmja rrugë që i ka mbetur për të përballuar sadopak makutërinë e ndonjë punonjësi të drejtësisë. Përndryshe,dëgjo mua,bëj fole atje ku je! Sonte jam përpëlitur në gjumë…Nuk duhet ta lemë Idrizin të hedhë këtë hap me pasoja fatale për familjen. Këto ditë paska fejuar edhe vajzën e dytë,por nuk e lanë t’i qeshte buza e të gëzonte si gjithë baballarët. Nuk paska dalë kot ai llafi i vjetër: Kur fakirfukarai bëhet gati për dasëm,mund t’i cahet daullja!..

…Shtëpia nuk u shit. Por dënimin e kreu kokërr më kokërr. Pas premtimeve dhe mashtrimeve lumë,ashtu me zhgënjimet sa një mal ballpërballë ndryshkut në Drejtësi, ditët e fundit u kthye në familje. Nuk mund te rrija pa i telefonuar mikut tim 57 vjecar. Shpresova t’i falja pakëz dritë e optimizëm për jetën. Por shpresa ime sikur u fik shpejt.Duke më falenderuar me zemër,ishte shkëputur ca caste nga fëmijët e gruaja dhe më lëshoi me zë të ulët një tjetër akullirë shpirtërore në telefon:

-“Universitetin” e burgut e bëra dhe shyqyr Zotit,pas disa goditjeve kardiake,jam më mirë. Por…nesër kam gjyq tjetër në Apel. Më kërkojnë të paguaj disa milionë lekë gjobë! Ku të falem e ku të mbytem,ku ta gjej drejtësinë,o vëlla?! Më mirë të rrija në burg…

U drithërova i tëri. Se vetëm barkploti nuk pyet për barkboshin. Ashtu sic nuk u dridhet fare qerpiku ca prokurorëve me rroga shteti por me disa vila e shtëpi private, me autovetura luksoze, me kostume firmato dhe që sot do jenë përtej deteve e oqeaneve duke pushuar.Dhe cdo vit,nga “rroga e shtetit” paskan kursyer e kursejnë miliona(?!). Por jo se janë më punëtorë se Idrizi ynë e fëmijët e tij.Nuk thosh kot gjyshi im i ndjerë: Paraja-maskaraja!…Disa individëve me pushtet ekzekutiv,legjislativ a gjyqësor paraja i paska tjetërsuar frikshëm përballë qytetarëve të ndershëm e “pa shpatulla të ngrohta”.Dhe mbi të gjitha,përballë atyre me xhepat bosh dhe me shtëpitë ku bie miu e thyen kokën! Kjo dukuri korruptive e ditës nuk po u lëviz as qimen drejtuesve në Këshillin e Lartë të Drejtësisë,atyre në Prokurorinë e Përgjithëshme dhe në Mjekësinë Ligjore. Pa u ndalur te Inspektoriati i Deklarimit të Pasurive,që është kthyer më tepër në një tellall të rëndomtë deklaratash personale te zyrtarëve të ndryshëm. Kësaj i thonë,i zoti e shet dhe tellalli vetëm e jep në sini(?!).Për burimin e vërtetë apo të gënjeshtërt të pasurive, nuk i thuhet cerek fjale opininonit publik. Shkurt, të dehurit e pushtetit të drejtësisë nuk po bëhen dot esëll. Këtyre sojsëzëve ka vite që u bën edhe gjeli vezë…Pa provuar se kush është autori i vërtetë i një vepre penale,gati 100 për qind të rasteve të tilla u kanë thyer kurrizin pa cak pa bam njerëzve të këputur e që rrojnë në varfëri ekstreme. Të kuptohemi. Po të ishte fjala vetëm për cështjen nr.2700 te vitit 2007 mbase nuk do ia vlente barra qeranë. Në shkallë vendi me siguri që ka mjaft gjirize të padurueshëm (jo Gjiri i lalëzit ku të duhet të zesh hundën me dorë në cdo hap të mbarsur nga milionat e pista e pa pikë djerse). Shumë që mbijetojnë e luftojnë për kafshatën e gojës,përfundojnë si Idrizi,-Babushi e thërrasin bashkëfshatarët nëpër vite.Rrëmbehen nga piku i vapës te monumenti i Partizanit të Panjohur në pritje të ndonjë pune krahu dhe befas dërgohet në qelitë e burgut si “I panjohur per Drejtesine” sepse nuk e lyen dot qerren e punonjësve të saj?!

-Si në ilegalitet dhe brenda një hakmarrjeje primitive pa anë e fund, gjatë kohës që Babushi(Idrizi) kryente dënimin e pamerituar në burg, makutëria e zezë gjyqësore paska zhvilluar seanca të tjera vendimmarrëse për vjelje milionash. Pa praninë e të paditurit?! Pa avokat. Pra, pa dëgjuar të paktën të dyja kambanat. Sa hap e mbyll sytë firmosën e vulosën vendimin për …pushkatim ekonomik e financiar ! Në kushtet e heqjes se lirisë dhe të mungesës ne Gjykatë, Idriz Malo Ii mësoi emrat e gjyqtarëve pasi doli nga burgu(?) dhe kur lexoi fermanin e shkalles së parë në Tiranë. Pasione e manipulime djallëzore,”trimëri” vetëm mbi fakirfukaranë. Ashtu sic vepruan në fillim: E shpallën “person në kërkim” për arrest 3-4 ditë para se të vendoste përfundimisht Gjykata e Apelit ! Ashtu sic vepruan me ekspertizën mjeko-ligjore, duke e ngarkuar deri në fyt me dëmtime të rënda dhe duke e mjekuar me…valium e paracetamol (?!)…Ndonje ”ekspert” sekser pështyu tinëzisht në këtë corbë. Ndërsa për dëmtimet e bashkëshortes dhe vetë Idrizit kur ndërhyri për të shuar sherrin, nuk hapën as derën për të bërë ekspertizën e paanëshme mjeko-ligjore. Vetëm arrogancë e njëanshmëri juridike me brirë e ka emrin ?…Mirëpo provat e manipuluara trashë arritën të sigurojnë edhe firma prokurorësh e gjyqtarësh, gjithnjë prapa krahëve e larg syrit te Babushit që vuante në qeli. Pazarxhinjtë juridikë e fizikë që tjetërsuan sherrin e bashkëshortes në “plagosje të rëndë me dashje” dhe në mjekim e shpëtim jete “me valium e paracetamol”(?!),i kapërcyen kufijtë e ironisë e të komikes. E vetmja dëshmitare e thirrur në mbrojtje të paditësit(bashkëshortja),deklaroi hapur se nuk kishte qenë fare e pranishme në ngjarje, por dëgjoi nga të tjerët !…Ndërsa zëri i avokatit serioz e me eksperiencë jo të vogël,humbi nëpër labirinthe të fëlliqura paaftësie a korrupsioni.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora