E merkure, 24.04.2024, 01:02 AM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Frika

E merkure, 14.09.2011, 07:43 PM


FRIKA

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

  Shkrimtari, që është nisur të hipë shkallëve të Baba Tomorrit, e sheh fushën e gjerë mes maleve si në pasqyrë… Lindjet… Ndjekjet… Ikjet…  Vdekjet… Katundarët me vegla pune në shpinë rrëzë Çukës nëpër ara. Varret nën ferra e diell… Barë… Lule… Bajga… Bërllok… Dy lumenj malor që zbresin krah për krahu përmes fushës nga Qyteti. Aty, në hyrje, bashkohen dhe ikin teposhtë arave, drejtë grykave, maleve, detit… Një Dardhë Gorrice midis fushës të Katundit. Në të, në një degë një janxhëk me bukë misri, që e thirrë nateditë  Diellin...

       Shkrimtari është nisur për te Dardha Gorrice. I ka mbathur çizmet e mullisit, i kanë thënë se rruga është plot ujëra, ferra, gjarpërinj… I është afruar Dardhës Gorrice, por udhës e ka zënë Nata. Vetë nuk ka pasur guxim ta vazhdojë rrugën. Mu për këtë është ndalur te Mulliri i Arapit, në mes të shelgjeve. Mullisin plak e ka gjetur afër zjarrit. Këmbëkryq pranë oxhakut biseduan për orët e natës… Njerëzit… Rrufjanin… Lugatin e Koçajve… Shejtanin… Tollosunin… Egërsirat… Mullisin plak e kishin sulmuar Natën në mulli katërkëmbëshat… Dykëmbëshat… Dykëmbëshat, thotë mullisi plak i kam frikë. Janë të rrezikshëm ata, zoti Shkrimtar! Atyre t’ju zësh besë është njësoj sikur ta zhveshësh lëkurën tënde vetë me duar. Beso! Më the, o zoti Shkrimtar, se je nisur te Dardha Gorrice. Kupto! Edhe për atje rruga është e rrezikshme. Për atje janë nisur shumë trima, por asnjëri nuk u kthye në Katund. Thonë: është thyer dega e thatë dhe kanë rënë me kokë teposhtë në tokë. Bolla me flokë e ka hapur gojën dhe i ka bërë lëmsh në bark. Ajo shpesh me bishtin e saj e zen ujin, diellin… Oh, si u mplaka, se nuk do të fryhesha sikur ta bluaja në mes të këtyre dy gurëve të mëdhenjë, ta bëja miell. Rrugën dikush duhet ta vazhdojë gjithsesi, qoftë verë , qoftë dimër.

       Fundi i çdo rruge është vdekja. Jeta është plot rrugë. Të gjitha rrugët nuk janë të gjata mes kësaj shkretire për në Babatomorr. Ti ndodh t’i biesh asaj më të shkurtërës, për të dalur te Dardha Gorrice. Të marrët janë të mençur. Unë këtë e di si gurët e mullirit. Ata na bëjnë ne budallenj. Qeshin me ne që nuk ua vemë veshin fjalëve të tyre dhe themi se nuk janë të rrezikshëm. E di ti kush janë të marrë? Të mençurit. Ata që duan të shkojnë gjithsesi te Dardha Gorrice, të marrin janxhëkun me bukë misri dhe t’i fusin thikën mu në bark Bollës me flokë. Për këtë ata janë të marrë. Të mençurit e ndajnë Nënën Parti… Gratë besnike… Paratë… Kefenetë… Njëri grup në krye, e tjetri në fund të Qytetit. Larg. Përnatë shtrojnë darka festive… Pije… Qengja  të pjekur… Ngrejnë dolli për “fitore”… Beson?! Kush të pyet ty që je ulur përballë tyre në tavolinën tjetër dhe s’ke të pijsh as një kafe. Apo ata katundarët e varfër, atje nëpër ara. Prandaj, nëpër këtë Qytet ka ecur frika. Ti ke ikur. Ke ikur e ke vënë pusi. Të tjerët të kanë pështyrë. Është i marrë. Nuk lakohet. Është urë e pakaluar. Nuk kërkon mëshirë. Heu! Pra, kush është i marrë? Të çmendurit që ecin rrugës së tyre për në Babatomorr apo të mençurit?!...

       ZGJOHEM. S’dua të flej kur nuk është e sigurt as vdekja. Kush e di çfarë kënge këndojnë këta dy gurë? O Imzot, doni të thoni këngën e vdekjes? Jo. Po, mulliri? Hë? Nuk e dini? Kërkoni t’ua them unë?! Nuk mundem, s’jam kokërr drithi të hyj në mes të atyre dy gurëve. Ata gurë janë duke punuar me shekuj e shekuj. Kanë kaluar ata njëherë nëpër pusi e gryka të armëve. Nuk kanë pasur ata burra dy gram koqe që i prunë në këtë mulli. E as unë e as ti nuk mund t’i ndalim këta gurë. Nuk kemi fuqi. Dikush është më i madh se ne, atje lart në qiell. E nëse duhet të përgjigjet për diçka, le të përgjigjet Ai. Ky është një mulli. Nëse ky gur këndon një këngë, po këtë këngë duhet ta këndojë edhe guri tjetër nën çati. Ne jemi të pafuqishëm t’i ndalim këngët e gurit të mullirit. Ato këngë i urdhëron një fuqi edhe më e madhe se ne,  Lumi. Ai edhe për këtë mban përgjegjësi. Ç’na hynë në punë ne të marrim tokmakun e t’i thyejmë këta gurë? Duam të tregohemi trima?! Apo t’ju tregojmë të tjerëve se i kemi bythët e mëdha?! Duam me kokëfortësi të zhdukim atë që e ka krijuar Natyra? Turp. Një ditë do ta vëmë kokën të betohemi në mes të atyre dy gurëve, por nuk do të na besojë njeri. Jo.

       Dielli ngrihet lartë mbi malet e Garanës. Këto ara kanë ndërruar bejlerë, agallarë, krale… Gjiri i tyre ruan histori. Gjaku ende është i nxehtë nëpër ato rrënjë. Maja e Çelëvjollcës përditë na flet me gojë: O njerëz të Allahut! Vijave të kësaj fushe gjaku ka rrjedhur lumë… Lumë… Kokat e njerëzve kanë mbetur si kungujt nëpër ara. Rrufeja ka goditur përditë pa mëshirë në lisa. Zjarri e ka djegur edhe gurin… Lumin… Bukën… Qielli është skuqur si saç. Toka si çerep. Këmbët na janë djegur nëpër shpuzë. Fytyrën e kemi mbuluar me dorë. Zemrat fuqishëm na kanë rrahur në krahëror. Zëra kemi dëgjuar Natën… Ditën… Gjaku na ka vluar nëpër damarë. Balli na është ndezur flakë. Sytë na janë errësuar… Errësuar… Errësuar…

       Fotografi qensh… Ujqërish… Dhelpërash… Derrash… O Zot! Zgërdhihen… Qesin dhëmbët… Pështyhen… Përjagen… Ndërsehen…   



(Vota: 30 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora