E enjte, 28.03.2024, 05:02 PM (GMT)

Shtesë » Shoqëria

Cilët janë engjëjt e Hygertës

E diele, 26.02.2006, 09:49 PM


Hygerta Sako
Më e bukura e Shqipërisë së '95s dhe vajza e spektakleve shqiptare tani ka filluar të mendojë më shumë për veten. Si? Duke u veshur në të bardha. Për të stampuar çastin magjik nën inicialet HS “Hygerta's Angels”.

Fati ishte me bukuroshen durrsake kur Pierre Cardin vendosi kurorën mbi kokën e Hygertës. Ashtu si atëherë kur prindërit vendosën ta thërrisnin me atë emër, i cili sërish për shansin e saj ishte i veçantë. Plot dhjetë vjet ne botën e lëkundur të spektaklit e reklamave do t'i mësonin Hygertës që tashmë ky nuk do të ishte vetëm emri me të cilin të gjithë e njohin. Nuk ngurroi dhe e shkroi me të madhe në një fasadë pallati, pikërisht pranë një prej atyre zemrave më të reja të kryeqytetit; aty ku kryqëzohen rrugët që të çojnë në zonën më trendi të Tiranës së Re. Nuk priti të bëhej nuse për të treguar sesi rri fustani që shënjon fundin e beqarisë (se kur as ajo vetë nuk mund ta thotë, edhe pse tërheqja e përkohshme nga televizioni kishte të bënte pikërisht me një vendim të saj për jetën private), por për të përdorur imazhin e saj si karremin e bardhë të ditës më të bukur të një femre. E ka vendosur botën nën këmbë. Të paktën kështu duket teksa rri një kat sipër tokës dhe vështron nga vitrinat e mbushura me nuse e dhëndurë një tiranë që ecën. Ashtu si dhe ajo vetë- me hapin e kohës.

Gjithçka arriti të kursente nga vajtje-ardhjet e përjavshme në Prishtinë, prishi sa hap e mbyll sytë në veshje- këtë herë jo për veten, por për të tjerë. As kur këndoi Barbin në skenën e festivalit, apo koketën e “Moulin Rouge” te Netët e Klipit dhe as kur preku Majën e Olimpit në sallën e Teatrit Kombëtar nuk është ndjerë më mirë se tani. “E kisha ëndërr diçka timen, në fillim mendova për një dyqan veshjesh, por ideja nuk më joshte dhe aq. Fustanet e nuseve janë diçka më sublime dhe romantike. Kap shkëlqimin e syve të vajzave që i provojnë ato. Është dhe kënaqësi, dhe biznes.”.

Kur stilisti francez vendosi kurorën mbi kokën e Hygertës, ndoshta me mënyrën e vet e bekoi atë. Që prej asaj dite blloqe vizatimi mund t'i gjesh sa nëpër shtëpi ashtu edhe në folenë e saj të engjëjve. “Edhe në spektakle kam vënë idetë e mia për veshjen. E kam pas qejf stilimin, ndoshta më vonë do të krijoj edhe vetë. Në shumicën e blloqeve ka fustane të vizatuara duke dashur të bëj edhe një linjë timen, sigurisht pa pasur nevojën të bëjë një punishte, pasi ato mund të realizohen edhe jashtë vendit.”. Në përzgjedhjen e fustaneve është përpjekur të tregohet e kujdesshme, si për të parashikuar të gjitha llojet e shijeve; që nga fustanet tipike të Hirushes e deri te ato më ekstravagantet në portokalli. “Mund të zgjedhësh atë model që do, shumica janë të punuara me dorë. Janë të atilla që të plotësojnë shijet e shumicës së femrave shqiptare të cilat zakonisht nuk duan gjënë e thjeshtë që luan vetëm me format”.

Vetë ka sakrifikuar orët e ditës- për të qenë aty poshtë ku jeta vazhdon- që të jetë vetë ajo udhërrëfyesja e shijeve. Madje pohon se këto foto i ka bërë pikërisht të tërheq vajzat që besojnë në imazhin e saj.
Sigurisht që do të rikthehet në televizion. Është zhdukur përkohësisht për të besuar tek diçka më e madhe sesa karriera televizive. Pasi për dy vjet e gjysmë u bë fytyra e Gërvisht e Fito , tani është rehatuar me Eminflex . Me këtë të fundit ka një kontratë që përfundon me fundin e 2006-s. Falw saj merr një pagë e cila i lejon që këto kohë të mendojë e qetë për engjëjt e saj. Vetëm se mos prisni që aty të shihni krijesa me flatra. Është një emër që i shërben supersticiozitetit të Hygertës. Angel quhet mbesa e saj e vogël, emrin e së cilës tezja e ka përdorur si ogur të mirë.

Prania e Hygertës

Ka ditur të jetë jo vetëm e bukur; ka kënduar, aktruar dhe prezantuar. Pas shpalljes Miss Albania është njëra nga drejtueset e tri festivaleve të dimrit radhazi: më 1997, më 1998 dhe më 1999. Dy vitet e para drejton edhe dy festivalet e pranverës. Prezanton në “Miss Shqipëria 2000” dhe në “Miss Shqipëria 2002”, në “Mbretëresha e Detit 2001”. CV-ja e saj si prezantuese vazhdon me “Netët e Klipit Shqiptar 2001”, prapë më 2004, në “Miss dhe Mister Kosova 2002”, në emisionet “Sport and Shou”, “Kolazh”, “Zoom”, mandej në Kosovë, ku ka drejtuar spektaklet “Shou i së shtunës”, “Ndryshe nga të tjerët”. Një vit më parë ishte duke përzgjedhur fituesit e Bingos kosovare. Pjesa e dytë e 2005-s ishte një relaks për t'u rikthyer tashmë me një biznes.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora