E marte, 23.04.2024, 05:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Baki Ymeri: Zëri i kryengritjes i një shpirti të brishtë

E merkure, 14.09.2011, 07:33 PM


Ballina e Shqiptarit me Osman Cakën, 2011
Ballina e Shqiptarit me Osman Cakën, 2011
ZËRI KRYENGRITËS I NJË SHPIRTI TË BRISHTË

(Fragment nga revista Shqiptari, Nr. 29, Bukuresht 2011)

 

Nga Baki Ymeri

 

Osman Caka inkoprorohet në spektrin e veteranëve të atdhetarizmit shqiptar në Angli, të cilin jo më kot e kemi pagëzuar Shqiponja e Manchesterit. Zotëria e tij din t’i vlerësojë veprat e shenjta të martirëve të kombit dhe rilindësve tanë. Po të ish Asdreni gjallë do ta ftonte në një tavernë bukureshtare për ta pirë së bashku nga një kafe, ngase që të dy i preokupon fati i atdheut dhe patriotizmi shqiptar, por e pat puna me rilindësve tanë të shenjtë. Tani ka ardhur koha kur numri i tyre shkon duke u reduktuar. Kosova e gëzon lirinë dhe pavarësinë, por kjo nuk don të thotë se të gjithë ata që e drejtojnë dinë të përkujdesen për familjarët e atyre që i përjetuan kazematat serbe të diskriminimit fizik e shpirtëror, apo për ish të persekutuarit politikë, apo për famijet e atyre që derdhën gjak për çrobërimin e Saj. Osman Caka në Angli, apo Neki Lulaj, Ramiz Dërmaku, Xhafer Leci e të tjerë në Gjermani, dhe jo vetëm ata, i prek çdo padrejtësi dhe kanë kujdes ndaj deshifrimit të shpirtit të njeriut dhe përkushtimit të tij permanent ndaj kombit dhe Atdheut.

Ja, para, edhe një poet i ri i diasporës shqiptare: Osman Caka. Shqipja e Gjergjit në flamur, Lulet e Kosovës, Bilbili e ndali këngën, Gjallëria e oxhakut tim, Dridhet zemra nga trishtimi, Kosova trime më mban gjallë, janë disa nga sintagmat që ia shtojnë vlerën kësaj vepre lirike ku defilon shpirti i frymëzuar i diasporës shqiptare. Sipas një patrioti korçar, Kosova është koka e Shqipërisë. Sipas një poeti të huaj, Kosova është Dardania e zemrës sime. Sipas autorit të këtij albumi poetik, Kosova është atdheu i zanave, zëri i dashurisë dhe gjallëria e oxhakut tim. Shpirtin e poetit e ka lënduar rëndë sundimi i huaj, që justifikon kushtrimin e tij biblik: “Eu pasha besën që ia kam dhënë Sharrit/ S’e lë kurrë Kosovën more n’dorë të shkaut.” Këtu nuk vjen në shprehje vetëm kushtrimi për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, por është zëri kryengritës i një shpirti të çiltërt, vargjet e të cilit mund të shndërrohen në këngë. “Po t’i kishin bërë edhe shqiptarët ato krime monstruoze që i kanë bërë serbët në Kosovë, publikisht do të deklaroja se nuk jam shqiptar”, thekson Fehmi Kelmendi nga Zvicra.

           Fehmiu shkruan për golgotën kosovare, ndërsa Osmani për gjallërinë e gjakut shqiptar që s’i urren serbët si fqinj që e kanë kufirin mes Nishit dhe Beogradit, por i urren kriminelët serbë që e përgjakën Toplicën para 100 vitesh, dhe Kosovën para 12 vitesh. Poeti është një meteor i mirësisë, siç kemi thënë për Liman Zogajn kohë më parë, i këtillë duke qenë edhe Osman Caka i cili herë pas here e fisnikëron vargun me metafora të qëlluara që i kanë hije, Adem Jasharin duke e konsideruar si një “meteor i bekuar” apo “shqipja e Gjergjit në flamur.” Të jesh i kujdesshëm, i qëndrueshëm, i durueshëm, trim, besnik dhe rezistent, don të thotë të kesh shpirt fisnik dhe prirje ilirike për ta mundur madje edhe të pamundurën. Autori mundohet ta përballojë dhembjen ngase posedon një botë të pasur sentimentale dhe i loton zemra e i digjet shpirti për Kosovën tonë dhe Ilirin e tij.

Drama e shqiptarëve, sidomos e sivëllezërve tanë nga Kosova është drama e “paktit” apo “pajtimit” me djallin, herë me turkun duke iu nënshtruar padashtas 500 vjet me rradhë, e herë me serbin, që nga koha e Sar Dushanit e deri te ajo e Sllobodanit, edhepse përveç haxhiqamilizmit ballkanik dhe disa hijeve aktuale, shqiptarët e mirëfilltë nuk i janë nënshtruar kurrë, as njërit e as tjetrit. Osmani shkruan me përdëllim për atdhetarët tanë, për Gjergj Kstriotin dhe Grykën e Kaçanikut, për Idriz Seferin dhe Pjetër Bogdanin që dinte ta mbrojë tokën amtare, dhe për likuidimin e tij nga kuçkat e Stambollit. Në vargun e tij të frymëzuar dëgjohet zëri i viktimave për liri dhe pavarësi. Në to defilon Kosova me Adem Jasharin dhe historinë e saj të shenjtë: “Çohuni o burra, trimat e Adem Jasharit/ Sot nga Kosova e larguam shkaun/ Nga gëzimi brofi n’këmbë babaplaku:/ M’i dhatë gjallëri, biro, prap këtij Oxhaku!”

Gjatë redakturës linguistike e kemi lënë të paprekur diskursin lirik të autorit, ku zotërojnë elemente reale, tek-uk edhe foklorike, me elemente linguistike nga dialekti i veriut, si psh.: “Mos harroni Shqipërisë nanë me i tregue/ Shumë shpejt shqipet kan’ me u bashkue.” Iliri i tij, Gryka e Kaçanikut, Lugina e Preshevës, Ilirida dhe Çamëria shqiptare, Flamuri Kombëtar, martirët e kombit, janë disa nga sintagmat primordiale që ia shtojnë vlerën këtij albumi poetik me frymëzime atdhetare: “Mos harroni Shqipërisë me i tregue/ Se shpejt shqiponjat kan me u bashkue!” Në vargjet e Osman Cakës defilon Shqipëria me trimat e saj, që nga Gjergj Kastrioti e deri te Isa Boletini e Idriz Seferi, Ded Gjon Luli dhe Adem Jashari: ”Derisa Shqiponja kuqezi do të valojë/Dielli Shqipërinë historike do ta bekojë.”



(Vota: 20 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora