E merkure, 24.04.2024, 09:42 PM (GMT+1)

Mendime

Arbana Xharra: Fshehtësitë e myftiut

E marte, 13.09.2011, 07:59 PM


Fshehtësitë e myftiut

 

Nga Arbana Xharra

 

Mal i paprerë, mostransparencë totale, me një udhëheqës në krye, i cili menaxhon miliona euro dhe nuk i jep llogari askujt, është ky myftiu i Kosovës Naim Tërnava, i cili tash sa kohë është duke udhëhequr Bashkësinë Islame të Kosovës, i paraqitur si lider fetar që flet shumë gjuhë, por të cilit i duhet një auditim i thellë që asnjëherë deri më tash nuk i është bërë.

 

Vetëm vitin e kaluar të hyrat e BIK-ut kanë qenë 5.8 milionë euro, kurse shpenzime mbi 4.1 milionë euro. Menaxhimi dhe shpenzimi i këtyre parave bëhet nga një grup i caktuar i njerëzve në krye me Tërnavën, i cili nuk u jep llogari mijëra qytetarëve që paguajnë për anëtarësi.

 

Duhet sqaruar shumë çka, duke filluar nga buxheti i Bashkësisë Islame të Kosovës, të hyrat e saj, mënyra sesi harxhohen mjetet. Me qindra prona, toka, dyqane janë të Bashkësisë Islame të Kosovës, nga të cilat merren para me thes nga e gjithë Kosova, por, kush i cakton qerat, kush i merr ato, ku shkojnë gjithë ato mjete dhe për çfarë shfrytëzohen?. Nuk janë vetëm anëtarësimet dhe pronat, por të holla në BIK hyjnë edhe nga organizata të ndryshme dhe fondacione fetare. Shumë pyetje për t’u bërë në drejtim të udhëheqësve të BIK-ut.

 

Mostransparencë totale se si funksionon BIK-u, jo vetëm me buxhet, por edhe me rekrutimin e imamëve. Nuk është bërë kurrë publik procesi i vendimmarrjes kush dhe si zgjidhet. Vetë Tërnava tash dy mandate nga katër vjet është në krye të BIK-ut dhe përmes përkrahësve të tij është duke tentuar që të mbesë edhe një mandat. Bile atij nuk është duke i mjaftuar mandati katërvjeçar, ai ka bërë përpjekje nga brenda me klanin e tij që mandati i myftiut të zgjatet në dhjet vjet, por ky propozim nuk është votuar në kuvendin e BIK-ut.

 

Myftiu i Kosovës ka tentuar të paraqitet si lider fetar, por të cilit nuk i ka prerë asnjëherë sëpata në një vend. Me javë të tëra ka heshtur sa i përket dinstancimit nga lëvizja ekstremiste e Fuad Ramiqit. Ndërkaq, kur presioni politik dhe publik u bë i madh, BIK-u doli me një deklarate të vakët, ku distancohej.

 

Tërnava po ashtu nuk ka kërkuar në vazhdimësi gjetjen e personave që e rrahën teologun Xhabir Hamiti, gjithçka kaloi në heshtje, me përpjekjen e vazhdueshme të Tërnavës që të mos e bëjë punën të madhe. BIK-u nuk ka folur kurrë as se kush qëndron pas konvikteve ilegale që janë hapur ne Prishtine, edhe pse dyshohet se janë të financuara nga organizata e Gjirit Persik.

 

Që nga viti 2008, kur u bë i ditur nga mediat abuzimi seksual në medresenë e mesme ‘Alaud-din”, nuk u mor vesh asgjë më tepër. BIK e humbi vëmendjen e këtij rasti duke e aktualizuar rastin e hoxhës së Marinës, edhe pse nuk ka qenë xhami nën juridiksionin e BIK atëherë. Tash tre vjet nuk është zbardhur skandali seksual në Medrese.

 

Nga ana tjetër, kur është fjala për çështjet fetare, ata manipulojnë me mijëra besimtarë, të cilët iu besojnë se qëllimi i tyre është për të drejtat fetare, por në fakt ato janë vetëm lëvizje politike. Bashkë me Tërnavën, edhe Fuad Ramiqi, sikurse Ferid Agani, kërkuan shaminë nëpër shkolla. Hipokrizia qëndron në faktin se as gruaja e Aganit e as vajza e Ramiqit nuk kanë mbulesë.

 

Dhe, në krye të tyre qëndron kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili del me kryeministrin e Turqisë në oborr të xhamisë në Prishtinë dhe bën skena teatrale, duke bërë dua, duke u lutur dhe këtë e bën për t'iu hyrë në hatër para zgjedhjeve votuesve myslimanë.



(Vota: 7 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora