E marte, 16.04.2024, 10:26 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Tash veç për shami

E marte, 13.09.2011, 06:41 PM


Lëvizja “Bashkohu” sërish do të protestojë të xhumanë. Për dallim nga herët e tjera, protesta para Qeverisë do të organizohet me vetëm një kërkesë - lejimin e shamisë nëpër institucione publike. Bashkësia Islame nuk i përkrah protestat në rrugë.

 

Nga Nexhmije Ahmeti, Express

 

Xhemati mysliman do të protestojë sërish. Ata e kanë zgjedhur prapë ditën e premte për protestë, por jo për ta falur namazin në rrugë, ashtu siç kishin bërë disa herë.

 

Nën organizim të Lëvizjes “Bashkohu”, protesta do të organizohet këtë të premte, por pasi që namazi i xhumasë të falet në xhamitë e qytetit. E kërkesat e protestës kësaj radhe janë më modeste. Në fakt, lejimi i bartjes së shamisë në institucionet publike do të jetë kërkesa e vetme e protestuesve.

Fuad Ramiqi, një ndër udhëheqësit e lëvizjes “Bashkohu” konfirmoi se protesta do të mbahet para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

 

“Kësaj radhe prioritet do ta kemi vetëm lejimin e bartjes së shamisë nëpër institucione arsimore dhe publike”, tha Ramiqi për Express.

 

Sipas tij kërkesat tjera, si ndërtimi i një xhamie të madhe në Prishtinë dhe futja e lëndës fetare në sistemin arsimor publik do të lihen më vonë. Kjo dëshmon, sipas Ramiqit, se myslimanët do të shkojnë hap pas hapi me kërkesat e tyre që, sipas tij, janë legjitime. “Ne do të vazhdojmë edhe më tutje me kërkesa, nuk do të ndalemi deri në fund po hap pas hapi”.

 

Ramiqi theksoi se ditëve të ardhshme, “Bashkohu” do të dalë me një qëndrim për të gjitha ato që kanë ndodhur ditëve të fundit në Kosovë, e që kanë të bëjnë me çështje të fesë islame. “Të mërkurën ose të enjten do të mbajmë një konferencë për media, ku do të dihen qëndrimet tona në lidhje me të gjitha ato debate që kanë ndodhur në Kosovë”.

 

Besimtarët myslimanë të bashkuar rreth lëvizjes “Bashkohu” për disa të premte rresht janë falur në rrugë, në shenjë proteste, me kërkesën për ndërtimin e një xhamie të madhe në Prishtinë. Në njërën nga këto protesta, situata kishte eskaluar dhe është dashur intervenimi i Policisë. Por tashmë kërkesat e tyre janë zbutur, si dhe ka ndryshuar forma e protestës.

Megjithatë, kërkesa për ndërtimin e xhamisë në kryeqytet sikur është fashitur këto ditë. Caktimi i lokacionit për ndërtimin e saj nga ana e Komunës së Prishtinës ka zgjuar reagime në Bashkësinë Islame të Kosovës.

 

Ata nuk e pranojnë lokacionin që e ka caktuar Komuna, afër Postës së Re, në lagjen Dardania. Megjithëse ka premtuar se pas festës së Bajramit do të dalë me një qëndrim të vetin rreth këtij vendimi të Komunës, BIK ende nuk e ka bërë një një gjë të tillë. Për shkak të “agjendës së ngjeshur”, Kryesia e Bashkësisë Islame nuk është mbledhur fare për ta diskutuar këtë çështje.

Sekretari i BIK-ut, Resul Rexhepi nuk ka dashur të komentojë asgjë, përveç asaj që ka thënë ditën kur është vendosur për lokacionin e xhamisë. Rexhepi pati thënë për Express se BIK-u nuk pranon asnjë vend tjetër, përveç atij përballë Institutit Albanologjik të Kosovës, aty ku gjendet çerdhja e fëmijëve “Gëzimi ynë”.

 

Për protestën e paralajmëruar, ndërkaq, Rexhepi tha se BIK-u as nuk organizon, e as nuk mbështet protestat e asnjë grupi. “Ne të gjitha kërkesat tona do t’i shtrojmë në mënyrë institucionale dhe nëpërmes institucioneve. Institucioni i vetëm që përfaqëson besimtarët islamë është BIK-u”, tha ai për Express.

 

Ndonëse BIK-u nuk e ka pranuar lokacionin për xhami, i ndarë nga Komuna, për zyrtarët e kësaj të fundit kjo punë është e kryer.

 

“Ajo punë është e kryer. E vetmja mundësi e Komunës ka qenë ajo. Edhe ka dalë propozimi më ideal dhe më i përshtatshëm”, tha zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Muhamet Gashi. Sipas tij, vendi i caktuar që i ka rreth 80 arë, është afër rrugës kryesore dhe gjendet afër lagjeve Dardania dhe Ulpiana.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora