E enjte, 28.03.2024, 01:30 PM (GMT)

Mendime

Ndue Dedaj: Për një fëmijë shqiptar me ngjyrë dhe Martin Luter King

E marte, 13.09.2011, 06:34 PM


PËR NJË FËMIJË SHQIPTAR ME NGJYRË DHE MARTIN LUTER KINGUN

 

Nga Ndue Dedaj

 

Nëse kabllogrami është një gjë e shkruar, e zeza mbi të bardhë, nga një diplomat i huaj (amerikan) për zhvillimet dhe prapësitë e një vendi, unë do ta lusja atë zotëri që ta bënte kabllogram dhe këtë që do të rrëfej më poshtë. Se mbase kështu, kur t’i vijë radha për ta publikuar “Wikileaks”-i dhe këtë, problemi do të tërheqë vëmendjen e opinionit, shoqërisë, politikës etj. Kështu pra, një burrë, në qytetin X, në mesin e ditës, kishte vënë për të shkulur barin e “bahçes” së tij një fëmijë me ngjyrë nja 10-11 vjeç, për t’i dhënë pastaj atij shpërblimin, prej pesëdhjetë a njëqind lekësh të vjetra. Kjo se atij burrit i vinte turp nga puna dhe se, sipas mendjes së tij, ai njeriu me ngjyrë, për këtë punë ishte, ai mund të pastronte kazanët e plehrave, kanalet e ujërave të zeza etj. Një zakon i vjetër nga ndërmarrjet komunale të kohës së monizmit. Rrija e vëzhgoja atë pamje të mjerë, të atij njeriu që po shfrytëzonte një tjetër njeri, për më tepër një fëmijë, veçse për shkak të ngjyrës së fytyrës, pasi atij burri, që sapo kishte zbritur nga katundi, asnjë fëmijë tjetër nuk do t’ia bënte atë punë “për pesë lekë”. I them një të moshuari, që po kalonte aty pranë, se si i dukej atij ajo që po ngjiste në sytë tanë dhe ai ma ktheu në mënyrën e tij alegorike. Hëm, i njoh të dy, jemi të lagjes, po a e di ti se dikur gjyshi i këtij “magjypit” të vogël që po shkul barin, ishte farkëtari i krejt lokalitetit tonë dhe rronte si zotëri, më mirë se të gjithë ne, pasi farka e tij nuk pushonte asnjë dekik, kurse ne ndonjëherë dhe shullëheshim në diell. Domethënë dhe i ati i atij burrit që po bën sehir tani duke parë atë fëmijë të shkulë barin në lulishten e tij (të paligjshme) në anë të trotuarit... Më ndenji gjatë në kokë ai imazh, i gabuar, m’u kujtuan programet e organizatave dhe organizmave botërore për një tjetër qëndrim ndaj komuniteteve me ngjyrë, por dhe disa përpjekje që bëhen në Shqipëri për trajtimin e familjeve rome dhe egjiptiane, madje dhe ndonjë kafe e “përzemërt” elektorale e kandidatëve për kryetarë bashkie me këta njerëz, aty ku ata rrojnë, në lagjet periferike të pambajtura të disa qyteteve dhe në çadrat buzë lumit. Po ku përgjithësisht ende zotëron një psikologji përçmuese, fyese e denigruese ndaj tyre. Si në rastin e fundit kur u dëbuan në Tiranë dhjetëra familje rome. Mund ta kishim vonuar këtë shkrim dhe ca ditë, por nxituam ta publikonim sa më parë, pasi është java e fundit e regjistrimit të nxënësve në shkolla, dhe kjo kategori fëmijësh nuk është e mirëpritur në klasa nga mësuesit dhe drejtuesit, me gjithë udhëzimet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të mos lejuar asnjë rast të tillë, apo braktisje të fshehtë. Vitin e kaluar, një fëmijë rom, nuk u regjistrua deri sa ndërhyri Zyra Arsimore, pasi shkollat e qytetit e “hidhnin” sa te njëra, te tjetra. Por sa raste të tjera të ngjashme ka. Po kështu për bursat, punësimin, zgjedhjen e njerëzve me ngjyrë në organet vendimmarrëse etj. Sikur ata të kenë lindur vetëm për të bërë humor, muzikë dhe shumë fëmijë. Problemi është me të vërtetë serioz, sado që sot ende anashkalohet. Edhe pse diskriminimi racial është i ndaluar nga konventat dhe dokumentet themelore të së drejtës ndërkombëtare. Edhe pse për herë e më shumë ka sensibilizim për integrimin e këtyre njerëzve në jetën sociale, kulturore etj. Dhe sigurisht problemi nuk është vetëm te ne. Kohë më parë, ambasada amerikane në Bukuresht reagoi kundër dëbimit që shteti rumun po u bënte romëve.

 

“Trokitëm” një ditë në një nga lagjet e tyre që, çuditërisht ata e kishin emërtuar “Xhungla”, dhe folëm “gju më gju” me ta. Vajzat që kishin kaluar klasën e gjashtë nuk e kishin të lehtë të venin në shkollë, pasi i ndalonin prindërit, le pastaj ato që ishin për në gjimnaz. Dy prindër pak mbi dyzet vjeç kishin 6 fëmijë dhe si dukej do të kishin të tjerë nesër, por asnjëri në kopsht e shkollë. Ne nuk mund të mos pyesnim me shqetësim, çfarë do të ndodhë nesër kur ky komunitet do të shtohet dhe si ata 6 fëmijët pa shkollë të atyre dy prindërve romë do të jenë shumë e shumë të tjerë? A thua ajo “Xhungla” e tyre fshehur pas kodrës, do të bëhet me të vërtetë xhungël? Nuk duam të ndjellim keq, por kur qytetërimi vonon dhe përqesh kategori të caktuara sociale, kështu mund të ndodhë. Ata na thanë se ne ishim të parët që venim për të folur me ta ashtu shtruar, më saktë për fëmijët e tyre (si punonjës të shërbimit psikologjik shkollor), pasi kush vjen këtu ne i dalim përpara dhe i kërkojmë ndihma ekonomike, veshje, ushqime etj. A duhet pra, më në fund, të mos i shohim si ca njerëz që kanë nevojë vetëm, por të mbushur barkun, për të pasur një strehë dhe mjaft e kanë. Mbase duke harruar se ata janë qenie njerëzore, kanë dëshira, ëndrra dhe se ne duhet t’i nxisim për kah zhvillimi. Nëse duam t’i shohim modelet e sjelljes njerëzore, qytetare, të progresit, ato i kemi në botën e qytetëruar. Madje dhe në njerëzit e famshëm me ngjyrë. Mjafton të sjellim ndërmend se si në fundin e gushtit amerikanët përuruan monumentin e Martin Luter Kingut në altarin kombëtar në Uashington, në krah të disa presidentëve të Amerikës, si Ruzvelt, Linkoln, Xheferson. Monumenti, i gdhendur në gur graniti, ngjan se ka “formën” e ëndrrës, pasi vetëm ashtu mund të ishte guri i duhur për ëndrrën gjeniale të njeriut gjenial. Prej afro gjysmë shekulli, njerëzit e rruzullit mbarë shqiptojnë qindra herë në jetën e tyre thënien e famshme të tij: “Unë kam një ëndërr”. Ëndrrën për të qenë i lirë. Pastaj ëndrrën për t’u bërë mësues, shkrimtar, artist, shkencëtar, shpikës, president, biznesmen etj. Thënë në mënyrë metaforike, ëndrrën për të qenë ëndërrtar i kësaj bote... Por le ta lëmë mitin amerikan të lirisë e barazisë njerëzore e të kthehemi te “Martinët” tanë anonimë, tiranas, shkodran, elbasanlli, lezhjan etj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora