E premte, 29.03.2024, 12:42 AM (GMT)

Mendime

Blerina Rogova Gaxha: No man’s land

E marte, 13.09.2011, 06:44 PM


No man’s land

 

Nga Blerina Rogova Gaxha

 

Sot kur na kanë vërshuar debatet për futjen ose jo të edukatës fetare në shkolla, ku njerëzit pothuajse në të gjitha rastet janë vënë në njërin o në tjetrin krahë dhe ku shumë të tjerë çojnë pluhur për identitetin tonë kombtar, kultura, si një prej segmenteve më të rëndësishme të një shoqërie, ka mbetur prapa, dhe si gjithnjë për ne, një vegzë e parëndësishme që nuk luan asnjë rol në çështjet nacionale.

 

Ajo kryesisht ka ardhur duke u ngushtuar edhe më shumë dhe duke hyrë në shërbim të politikave ditore. Institucionet kulturore tashmë kanë lajmëruar për një vjeshtë të varfër, për projekte që bien në ujë në mungesë të parave, për projekte të dështuara, dhe buxhetin shtesë të premtuar nga kreu i kulturës, të cilin këto institucione, sivjet nuk do ta shohin me sy.

 

Këta njerëz nuk janë as heronj, as tradhtarë. Janë ashtu sikur të mos ekzistonin fare. Ndoshta pse vetë ministri i kulturës ka qenë i zënë duke shkruar letra në mbrojtje të vetes dhe mund të mos e ketë pasur as kohën as qejfin për ta rishikuar arkën e tij.

 

Por letra e ministrit që t’i kujton vjershat a hartimet e fëmijve për vjeshtën, plot pezm e zemërim, ku përpiqet të mbrojë fytyrën dhe veprimet personale në ngarkim-shkarkim detyrash dhe pazaresh politike, duket se i ka vënë një hije të zezë figurës së tij edhe ashtu mjaft të përfolur.

 

Ministri dhe shumë nga njerëzit e kulturës duke i parë rrethanat në të cilat jetojmë janë shndërruar dhe janë lidhur ngushtë me politikën e interesave dhe interesin e parasë. Madje disa nga ta duket sikur janë shndërruar në “mentorë e këshilltarë” të politikave sezonale, por nuk thonë e zhduken në kohën kur bota e vogël kosovare pret diçka prej tyre.

 

Tashmë e dimë se deklaratat e krerëve të kulturës kushtëzohen vetëm atëherë kur kanë të bëjnë me kauzën personale. Sido që të jetë, Kosova sot, është bërë si një vjershë e dhembjes dhe e hidhërimit, si në vjershat që dikur i shkruanin poetët e mëdhenj atdhetarë.

 

Jemi në kohë dhe në situata të tjera dhe bashkëkohësia jonë është krejt e ndryshme me një shekull më parë. Në këtë prizmë, edhe çështja e edukatës fetare është shndërruar në një çështje të nxehtë politike, por që brenda vetes ka kulturën e besimit, të ndikimit ose edhe të përkatësisë.

 

E kemi parë gjithmonë se orientimi i shqiptarëve ka qenë i përkatësisë oksidentale. Kultura shqiptare, dikur dhe sot, ka ndjekur gjithnjë kulturën evropiane. Ka ndjekur dhe e ka kërkuar atë fuqishëm.

 

Fryma evropiane në kulturën shqipe e ka dëshmuar komunikimin e madh e të thellë të kulturës sonë me kulturën e perëndimit, që nga fillimet e deri më sot. Ndërsa letërsia shqipe është ajo që ndoshta në shkallën më të lartë e ka dëshmuar këtë përkatësi, edhe me shpirtin edhe me poetikën e saj.

 

Sigurisht se në rrethanat e reja të zhvillimit tekniko-teknologjik dhe kur bota në përgjithësi i është afruar më shumë Kosovës, dhe kur edhe Lindja i ka ardhur më afër, nuk ka se si të mos rritet ndikimi edhe i kësaj të fundit. Prandaj janë pothuaj të natyrshme përpjekjet që në Kosovën e vogël ta ketë ndikimin e vet edhe Lindja, edhe vendet arabe, edhe Turqia, dhe për më tepër edhe paraja që vjen nga këto vende.

 

Por është krejt e pakuptueshme se si mund të ndodhë që një hoxhë ose edhe një profesor univeristeti p.sh., mund të ngrenë alarmin se futja e mësimit fetar në sistemin e arsimit, është çështje që nuk pret dhe që dikur mund të bëhet vonë.

 

Jemi befasuar këto ditë edhe me diplomacinë “agresive” turke, e cila ka guxuar të kërkojë rishkrimin e historisë në raport me Turqinë otomane. Nikoqirët shqiptarë të kësaj diplomacie, nuk kanë guxuar të kërkojnë që në historinë e Turqisë të shkruhet më qartë e më saktë, se cili ka qenë roli i shqiptarëve në krijimin e Turqisë moderne.

 

Gjatë një meshe në Prishtinë, njëri prej përfaqësuesve të Vatikanit tha se Kosova nuk ishte tokë e askujt. Kjo nënkuptonte se historitë dhe kulturat e të tjerëve, mund të ishin edhe pjesë e kulturës dhe historisë së Kosovës, për aq sa kanë bashkëjetuar në kohë, por jo që ato ta kenë fuqinë e tjetërsimit të këtij identiteti kulturor.

 

Identiteti kulturor kosovar është shumë i vjetër. Më i vjetër se sulltanët e Turqisë, despotët e Bizantit apo Nuncat apostolikë të Vatikanit. Na lini rehat në identitetin që e kemi.

 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora