E marte, 23.07.2019, 08:10 AM (GMT+1)

Kulturë » Kozeta

Keze Kozeta Zylo: Kullat binjake që u dogjën pabesisht në agsholin e Shekullit të Ri!

E diele, 11.09.2011, 08:04 PM


Kullat binjake që u dogjën pabesisht në agsholin e Shekullit të Ri!

 

(Meditim rreth librit “Shtatori i gjëmës së madhe”)

 

Nga Keze Kozeta Zylo

 

Ftesa nga shkrimtari i mirënjohur z.Skifter Këlliçi për të mbajtur një kumtesë në ceremoninë e promovimit të librit të tij të fundit: “ Shtatori i gjëmës së madhe” në kishën “Zoja e Shkodrës” dhe shtypur nga shtëpia botuese “Albin”, çuditërisht brenda sekondash ma errësoi ngazëllimin që të dhurojnë ftesa të tilla dhe para syve të mi u shfaqën retë e zeza, që mbuluan qiellin blu të New Yorkut, dhe njëkohësisht duartë tona që mbyllnim dritaret gjatë ditëve që u kthyen në muzg nga tymi i zi si vetë shpirti i mjerë i talebanëve.  Mua më rrënqeth e zeza, ndërsa në trup më kalojnë një zjarr mornicash, nga çfarë pashë dhe përjetova bash mu në kërthizë të botës në New York.

Që nga ajo ditë trëmbem dhe bashkë me mua është trembur gjithë njerëzimi nga gjarpëri që stërpik me helm këtë botë të çakërdisur.  Unë nuk besoj të kem faj në se marr këto ndjesi të tmerrshme, ngase dhe vete titulli i librit ka gjëmën brenda, ka gjëmën e madhe të 11 shtatorit, ka vdekjen e zezë të 3000 personave që u dogjën për së gjalli, ka vdekjen e tre shqiptarëve, gjakut tim, të cilëve për çdo shtator në kujtim të tyre une ndez qiri për t’i përkujtuar.  Unë nuk besoj të kem përsëri faj, në se para meje nga ky libër vinë imazhet me krah korbash para kufomave të shumta, dhe që unë si një tjetër shqiptare e ardhur nga erërat e luftës së vitit të mbrapshtë në 97-ën për një jetë më të mirë, më të qetë, të shoh me sytë e mi dhe të përjetoj tragjedinë apo gjëmën e madhe siç e cilëson autori Këlliçi.

Shfleton faqet e librit dhe tronditesh nga egërsia e njerëzve, që mundohen të hanë dhe fëmijën qysh në sythin e mitrës!...Mund ta kesh përjetuar tronditjen, por kur lexon librin “Shtatori i gjëmës së madhe”, ndjen së brendshmi se autori sjell mesazhe paqeje, mesazhe mjelmash me pupla të bardha mëndafshi dhe çliron paksa jo vetëm lexuesit e tij, por dhe prindërit dhe të afërmit e tre shqiptarëve që humbën jetën në këtë tragjedi botërore.

Kujtesa mbarë popullore dhe veçanërisht e popullit amerikan nuk do ta harrojë kurrë tragjedinë që ndodhi në kërthizë të botës në Manhattan, por në se shkrimtaret nuk e hedhin në fleten e bardhë përjetimin e tyre ka rrezik që në brezat e mëpastajmë të harrohen dhe të krijohet një mjedis apokaliptik për historinë.

Mirëpo pena e shkrimtarit Këllici bëhet gati-gati si e një dëshmitari okular brenda qendrës ku ndodhi gjëma e madhe, ngase ai mjeshtërisht është futur brenda botës së mijëra njerëzve që u ndodhën aty pranë dhe që largoheshin si vetëtimë në mbrojtje të vehtes së tyre.  Autori shkruan se ata donin të degdiseshin sa më larg që të ishte e mundur, sa më larg asaj ndërtese që deri para pak kohësh kishte qenë një bukuri e madhërishme...por tani ishte goditur pabesisht për vdekje dhe po lëngonte si drenushë bardhoshe në grahma që nuk dihej se kur do të sosnin!...

Nëpërmjet një gjuhe të kthjellët dhe të begatë, autori ka dhënë një studim artistik të thukët duke e futur lexuesin ndjeshëm brenda psikologjisë së viktimave që po përjetonin në ato orë të kobshme historike.

Në hapësirë, gjaku pikonte mbi pikëllimin e syve të tmerruar, ndërsa une thjesht si lexuese në kohën që komentoj më duket sikur fletët e të gjithë librit janë të veshura me cipë gjaku deri në oxhaqet dhe dritaret qiellore ku dhanë jetën bashkatdhetarët e mi të një flamuri dhe të një gjuhe...

Me një kontrast të fuqishëm autori ka dhënë nga njera anë tragjedinë dhe trandjen e njerëzimit, ndërsa nga ana tjetër turmat laramane fanatike, që qëndronin të ulur këmbëkryq mbi fushëtirën e rreth, të cilët hovën perpjetë dhe duke ngritur lart kallashnikovët që mbanin në duar zunë të çirreshin:

-Bin Laden, Bin Laden!

Kjo antitezë është lufta për jetë a vdekje midis qytetërimit dhe vdektarëve si Bin Ladeni, që autori metaforikisht e jep vendqëndrimin e tij dhe të talebanëve nëpër strofulla, dhe mua si lexuese më shfaqen zi, si ujqërit në strofullat e tyre...

Fanatikët dhe ekstremistët me liderët e tyre si Bin Ladeni dhe personazhi tjetër besnik në libër Khalid Sheik Muhamedi, përshkruhen me urrejtjen më të madhe, është urrejtja e mbarë globit për fondamentalistët që pranë zemrës së tyre lidhin gjerdanin me fishekë dhe bomba për të vrarë njerëzit si foshnja të pafajshme.

Janë këto hijena që shkaktuan një lumë dhimbjesh këtu e dhjetë vjet më parë dhe vazhdojnë të ndihen mbi kurmin e popujve dhe prindërve zemërdjegur.

Autori me shumë finesë flet për tolerancën që duhet të kemi midis njeri-tjetrit, sepse siç thotë Nënë Tereza në se nuk kemi paqe, kjo ndodh sepse ne kemi harruar që i përkasim njeri-tjetrit. Jam e bindur se lexuesi kur merr këtë libër në dorë, sekondi i bëhet shekull, dhe tehu i thikës së Bin Ladenit vazhdon të shpojë, ai ka pas një kope të tërë talebanësh që vazhdojnë të ushqejnë këlyshët e tyre me palcën e viktimave, ndaj dhe u betuan që atë ditë, ditën e gjëmës së madhe shkruan autori në libër dhe ja se si:  - “A jeni gati, gati për këto bëma të shpërbleheni duke vajtur edhe ju si ata martirë të avionëve në parajsë? – këlthiti pas tij Bin Ladeni me sy gati të shqyer.  E sërishmi turmat mendjeçartura ngritën lart kallashnikovët dhe e pasuan: - Që tani, o i dërguari i Muhamedit në tokë!  Na thuaj ç’duhet të bëjmë që ta meritojmë këtë nder”....

Dhe kështu udhëheqesat e tyre vazhdojnë ende dhe sot të thurin plane për bëma të Xhihadit, për zjarret që do të hapin kudo ku jeton qytetërimi, atje ku është dielli...  Autori me penën e tij ka ditur të orperojë dhe të futet psikologjikisht në mendjet e tyre, duke dhënë dy botë krejtesisht të kundërta, dy botë që njera e do me shpirt jetën, ndërsa tjetra e Bin Ladenit, e do po aq vdekjen sa ç’duan kundërshtarët e tyre jetën...

Bin Ladeni shfaqet dhe me aluçinacione sepse ai vetë vrau qetësinë e tij, pikërisht nga krimet e mëdha që kishte kryer, duke qenë në kundërshtim të hapur me mësimet e fesë, ndaj një ditë e di se në botën e përtejme do të jetë në ferr.  Sytë e tij të frikshëm si nata, duken sikur duan të përpijnë gjithçka, biles dhe pirgun e gërmadhave, dhe ai, ai të ndriçojë si far para besnikëve talebanë të tij.  Ato copëza gërmadhe thërrmoheshin në ujërat e oqeanit Atlantik, ndërsa hija e zezë e Bin Ladenit përpëlitet e përpelitet ndoshta një ditë gjer në zhdukje...

Hija e frikës do të zhduket në rast se njerëzimi dhe historianët nuk do të kenë një heshtje të eshtërt, por do të shkruajnë për çfarë panë dhe ndjenë, do të shkruajnë ashtu siç veproi pena e shkrimtarit Kelliçi që iu solli gjithë lexuesve këtë roman në përshpirtje të 10 vjetorit të gjëmës së madhe për njerëzimin...

Hija e frikës nuk mund të sjelle qetësi, pasi Paqja nuk mund të arrihet përmes dhunës, arrihet vetëm nëpërmjet të kuptuarit do të citonte Ralph Waldo Emerson.  Është e pamundur që në çdo faqe të mos vishesh me një vello të zeze trishtimi, dhe nga larg të vinë si jehonë klithma viktimash, klithma zogjsh që shkojnë gjer në rrënjë të pemëve madhështore të parkut Kombëtar magjepsës në Manhattan, tek ato momente dramatike, psikologjike, ku avionet si llava të zjarrta dogjën kullat në agsholin e Shekullit të Ri...

 

Shtator, 2011

Staten Island, New York

 

Ps: Kumtesa do te lexohet sot ne promovimin e librit te autorit Skifter Kellici, qe do te organizohet ne Kishen “Zoja e Shkodres” ne New York



(Vota: 12 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT