E enjte, 18.04.2024, 08:32 PM (GMT+1)

Mendime

Arbana Xharra: Loja e Thaçit me xhami

E diele, 11.09.2011, 07:58 PM


Loja e Thaçit me xhami

 

Nga Arbana Xharra

 

Është për t’u “admiruar” afiniteti i Thaçit për të luajtur lojëra të dyfishta duke tentuar që të përfitojë në aspektin politik nga secila situatë, në të njëjtën kohë duke shfrytëzuar çështje shumë të ndjeshme, të cilave mund t’ua shohë sherrin një pjesë e madhe e komuniteteve të caktuara në Kosovë, që përbëjnë një numër goxha të madh të qytetarëve.

 

Në kohën kur zhvillimet politike dhe ndodhitë e njëpasnjëshme po krijojnë konfuzitet dhe shpërqendrim të opinionit sa nga një problem sa në tjetrin, kur më së paku të shkon mendja te një mundësi përfitimi, kryeministri i Kosovës kap momentin për të nxjerrë diçka në favor të vetin.

 

Duke mos llogaritur aspak çështjen e ndjeshme fetare për të ardhmen e Kosovës, të cilës nuk i duhen skandale e ndasi e aq më pak ato fetare, Hashim Thaçi shfrytëzon momentin për të sulmuar indirekt kundërshtarin e tij politik, me lojërat e tij të dyfishta.

 

Në këtë lojë, ai paraqitet me dy fytyra dhe luan me dy palë karta, për një fitore të vetme - të tijë personale. Kur është në pyetje komuniteti ndërkombëtar, ai është i vetëdijshëm që nuk guxon të mbajë qëndrim pro fetar e sidomos ndaj Islamizmit, kështu që zgjedh t’iu përshtatet kërkesave të tyre dhe mban qëndrimin e një personi indiferent apo edhe kundër fesë.

 

Nga ana tjetër, përmes njerëzve të tij të afërt, të cilët janë pjesë e grupeve të caktuara brenda organizatave islamike, paraqitet si mbështetës i kërkesave të tyre. Nuk duhet asnjë argument më shumë se të shikojmë shkrimet fetare e të dëgjojmë deklaratat e analistit politik të PDK-së, Milazim Krasniqit, që për para dhe Thaçin e ndërron edhe fenë nëse kërkohet, por sot është kinse besimtar islamik.

 

Në takimet me përfaqësuesit e bashkësisë është mësuar se kryeministri ka mbështetur idenë që të ndërtohet xhamia e madhe në qendër të Prishtinës, por duke iu dhënë adresën se ku ta kërkojnë lokacionin për ta ndërtuar. Duke i parë si audiencë që i duhet në një të ardhme të afërt, e cila përbën një numër shumë të madh të votuesve, Thaçi nuk ka rrezikuar t’i humbasë, por ka luajtur një lojë perfekt duke i lënë në dorë të kreut të LDK-së, Isa Mustafës, vendimin e zorshëm të ndarjes së lokacionit për ndërtimin e xhamisë.

 

Taktikë shumë e mençur politike dhe njëkohësisht e ulët njerëzore, e cila bart probabilitetin shumë më të madh të dëmtimit të kundërshtarit, i cili po ashtu nuk e ka komoditetin që të dalë kundër qëndrimit të komunitetit ndërkombëtar pro një xhamie në qendër të Prishtinës. Duke mbajtur Isa Mustafën nëpër luftëra nga më të ndryshmet, Thaçi ka llogaritur të sigurojë disa dhjetëra mijëra vota në favor të tij dhe kundër kundërshtarit të tij politik, Isa Mustafës.

 

Nuk ka asnjë dyshim se çështjen e lokacionit të xhamisë në kryeqendër, Thaçi është duke e nxitur. Madje këtë edhe nuk e fsheh fare. Ai vetë në Kuvendin e Kosovës ka deklaruar se nuk e kupton se cilat janë arsyet që kjo çështje nuk është zgjidhur ende, duke i lënë kështu fajin për këtë çështje njeriut që më së shumti i frikësohet në politikë, kryetarit të LDK-së dhe të kryeqytetit, Isa Mustafa.

 

Në tërë këtë lojë shtrohet vetëm një pyetje, nëse edhe kësaj here do të fitojë Thaçi dhe të humbë Kosova, apo historia kësaj radhe nuk do të përsëritet. Politika është arti i së mundshmes, por edhe Isa në këtë deri më sot nuk na ka bindur.

 



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora