E enjte, 28.03.2024, 08:11 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

RTK: Qeveria vendos për ndryshimin e historisë

E diele, 11.09.2011, 12:29 PM


Qeveria e Kosovës ka bërë një marrëveshje me Qeverinë turke që të ndryshohen disa pjesë të historisë në librat shkollor që kanë të bëjnë me Turqinë. Burime të Radio Kosovës brenda Qeverisë konfirmojnë marrëveshjen mes të dyja shteteve, ndonëse historianë nga Kosova dhe Shqipëria vazhdojnë ta kundërshtojnë këtë.

 

Autoritetet kosovare, mësohet se kanë vendosur paraprakisht të pranojnë ndryshimin e gjithë atyre elementeve që Turqia i quan fyese dhe të njëanshme në historinë shqiptare, pavarësisht se historianët në Kosovë dhe Shqipëri po e mohojnë këtë.

 

Për këtë, të dyja palët, kishin bërë një marrëveshje gjatë vizitave që kishin bërë në Kosovë, Ministrat turk të Punëve të Jashtme dhe të Arsimit.

 

Zëvendësministri kosovar i Arsimit Nehat Mustafa thotë se ndryshimet do të bëhen për shkak se autorët e teksteve historike kanë bërë gabime.

 

“Kompromis do të ketë në disa pjesë ku autorët e historisë nuk kanë ditur të bëjnë dallime midis Turqisë dhe Perandorisë Turke, sepse edhe strategjia e BE-së kërkon që tekstet të lirohen nga gjuha e dhunës”, ka thënë Mustafa.

 

Edhe Ministri turk në Qeverinë e Kosovës, Mahir Jagxhilar, konfirmon marrëveshjen mes të dyja vendeve, por nuk jep detaje rreth ndryshimeve që mund të bëhen.

 

“Ka disa gjëra që duhet të ndryshohen. Nevojitet për të hequr perceptimet e gabuara që janë krijuar në kohën e komunizmit për Turqinë”, thotë Jagxhillar.

 

Por, Pëllumb Xhufi një historian nga Universiteti i Tiranës thotë se ndryshimet mund të bëhen për shkaqe politike, por e vërteta është se nuk ka asgjë fyese dhe jo reale në librat historike.

 

“Në tekstet e historisë së popullit shqiptar nuk ka gjuhë fyese. Qeveria e Kosovës nëse pranon ndryshimet atëherë bënë pranimin e një kërkese politike dhe për nevoja politike”, thotë Xhufi.

 

Sipas Xhufit, një kërkesë e tillë, të paktën, është dashur të shqyrtohet me autoritetet e Shqipërisë, për shkak se Shqipëria dhe Kosova ndajnë të njëjtën materie historike sa u përket kësaj periudhe për të cilën kërkohen ndryshime.

 

Megjithatë, Ministria e Arsimit e Kosovës, pritet që nga muaji i ardhshëm të formojë ekipet punuese që do të rishikojnë pjesët e historisë që kanë të bëjnë me Turqinë dhe Perandorinë Osmane. /rtk/



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora