Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Yzeir Llanaj: Polifonia e bukur po mbytet nga turbo-folku

| E diele, 11.09.2011, 06:06 PM |


Flet kryetari i shoqatës “Polifonia shqiptare” Yzeir Llanaj

 

Polifonia e bukur po mbytet nga turbo-folku

 

Nga Albert Zholi

 

Një burrë energjik që për më shumë se një dekadë ja ka kushtuar jetën polifonisë. Deri tani ai ka realizuar 4 Festivale  Ndërkombëtare Polifonike në qytetin antik “Bylis”. Shoqata e tij në ditën e krjimit mbante emra të tillë si “Artisti i Popullit” Kadri Rroshi, “Artisti i Popullit” Lazër Filipi, Birçe Hasko etj…Sipas tij, për ruajtjen e polifonisë nuk duhet vetëm puna e një shoqate, por dhe e shtetit, grupeve të ndryshme të polifonisë. Festivalin e fundit ai e quajti një risi dhe një rrugë te re për njohjen e “”Bylysit” si qytet turistik brenda dhe jashtë atdheut.

 

Z. Yzeir, ju tashmë përfunduat me sukses organizimin e Festivalit të IV Ndërkombëtar “Bylyspolifonia”. Ky Festival a ishte një hap para Festivaleve të tjerë?

 

-Tashmë që ky Festival ka përfunduar unë me mendje të kthjellët shoh sukseset dhe mangësitë. Nuk dua të them që ishte një Festival model, por e them me bindje që ishte një Festival që tregoi, nivel artsitik, organizim, përgjehjësi, pjesmarrje më të gjerë se 3 Festivalet e mëprashëm. Kjo u duk edhe nga fjalët e pjesmarrësve të cilët e pohuan qartë me gojën e tyre.

 

-Ku konsistuan arritjet e këtij Festivali?

 

-Kryesisht në shtrirjen gjeografike të pjesmarrësve, ku kishte thuajse nga të gjitha vendet Ballkanike, por edhe nga të gjitha trevat shqiptare që këndojnë polifoninë. Pra nqs Festivalin e parë kishte 14 grupe polifonike, këtë vit kishte 17 grupe polifonike nga  5 vende, Shqipëria (9 grupe), Greqia (3 grupe), Mali i Zi ( 1 grup), Maqedonia (1 grup), Serbia (1 grup). Sigurisht që edhe cilësia e grupeve binte në sy.

 

-Realizimi i Festivaleve të tillë është i vështirë, ku e patët mbështetjen kryesore?

 

Mbështetjen kryesore e patëm tek Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, por edhe nga Bashkia Fier dhe Bashkia e Ballshit. Por s’dua të lë pas dhe Minsitrinë e Mbrojtjes e cila  na siguroi një kamping në qendër të qytetit antik me të gjitha komoditetet. Por tashmë si pjesë e Festivalit çdo vit është bërë  dhe komuna e Hekalit me kryetarin e saj. Dua të theksoj se gjatë gjithë ditëve kjo komunë e gjithë banorët është praën festivalistëve.

 

-Pas këtij Festivali mendoni në jetgjatësinë e tij, megjithë pengesat?

 

-Arritjet  e këtij Festivali, treguan se ecuria e tij tashmë është e padiskutueshme. Ky vit shënoi një qarritje të madhe në drejtim të organizimit, pjesmarrjes dhe mënyrës së bashkpunimit me pushtetin vendor. Por ajo që është kryesore, dhe që dua ta theksoj në mënyrë të veçantë, është se grupet pjesmarrëse erdhen më këngë të reja dhe me gjetje të reja. Grupi polifionik i Lunxhit (Gjirokastër), Grupi polifonik i bregdetit (Himarë), Grupi polifonik i shoqatës “Polifonia Shqiptare”, Grupi polifonik i grave, zona Korçë-Ersekë-Gramsh, grupi polifonik Mallakastër, grupi polifonik i vllehëve “Qefavrodhiso” , (Janinë), grupi i të rinjve Progonat, grupi “Zëri i Bilbilit”, Sarandë, grupi i djemve të Progonatit, grupi “Zëri i Bilbilit”, Sarandë, grupi na bashkoi “Bylispolifonia”, grupi npolifonik i qytetit Tepelenë, grupi polifonik i Dukatit, Vlorë, grupi polifonik “Demir Zyko i shoqatës “Tomorri”, Skrapar, grupi i këngëve dhe valleve popullore, Seman-Fier, grupi polifonik “Bashkimi Fier, grupi popullor çam, “Dodona” Fier, grupi polifonik “Kozenca”, Itali etj ishin në nëj nivel të lartë….. E ardhmja e këtij Festivali, pas këtij demostrimi virtuoz është i pandalshëm.

 

-A pati diçka të veçantë tjetër ky Festival?

 

-Sigurisht. Risi është dhe mbajtja e një Simpoziumi me temë për polifoninë dhe veshjen karakteristike popullore të grupeve. Ky Simpozium u mbajt ditën e tretë me temë “Polifonia Shqiptare”. Në këtë Simpozium  referuan Prof. Dr. Afërdita Onuzi “Veshjet Popullore në hapësirën e këngës Popullore”. Prof. Dr. Agron Xhagolli “Roli i teksteve në këngën polifonike”, z. Klodian Qafoku “Roli i shumëzërëshit tosk, në polifoninë shqiptare”, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe,  “Dukuri të reja në polifoninë shqiptare pas viteve 1990”, Z. Fitim Caushi “Polifonia në zonën e Kaonisë Vjosë-Vlorë-Butrint”, z. Kosta Loli “Kufijtë gjeografik nuk përcaktojnë kufijtë e polifonisë”.

 

-Z. Yzeir, cilat janë problemet e polifonisë shqiptare sot?

 

Ka probleme që tashmë shihen si të parëndësishme, por në fakt nuk është ashtu. Problemet janë serioze dhe me atë sy duhet ti shohim. Ky tranzicion po ndikon shumë dhe në polifoninë e bukur dhe të shenjtë shqiptare. Shihet një venitje e saj. Duhen ruajtur vlerat e merituara që ka. Vërehet një fenomen, ku, polifonia shqiptare mbas tranzicionit ka filluar të bastardohet dhe të gllabërohet nga turbo- folku. Është mëkat të cënosh polifoninë shqiptare, këtë perlë të kulturës kombëtare. Unë nuk jam në kundërshtim për evolimin e muzikës por duhet të përqëndrohemi më shumë tek tabani kombëtar. Tek ai folk i mrekullueshëm që e ka rrjedhën e vet që nuk duhet ndalur por të  rrjedhë ashtu siç ka dale nga burimi. Desha që ti bëj thirrje të gjithë atyre korifeive të polifonisë, atyre që sot janë edhe të plakur, duhet të flasin për këtë trashëgimi dhe jo të rrinë indiferent, sepse doktorata  e atyre që e këndojnë, e trashëgimisë, vjen direkt nga rrjedha e ujvarës, siç rrjedh nga maja e malit dhe ne duhet ta mbajmë të pastër. Ata që e sollën deri këtu këtë këngë janë “doktorat”  e polifonisë. Do të dëshiroja që ata ta dinë forcën e tyre pasi ata janë të shumtë që nga polifonia toske, polifonia labe që nga, Meçe Muka, Xhevat Abdalli, që nga Petriti që ka sjellë energjinë e mrekullueshme  nga Saranda, etj... Janë dhe ata që kanë bërë tekstet që nga Lefter Cipa me Akile Bejlerin, Maliq Lila, Fatos Likën, me Kapajt e Dukatit. Dua të përshëndes edhe grupet polifonike të Vlorës që  mbas tranzicionit, filluan ta mbanin gjallë duke krijuar edhe grupe me vete me motive të mrekullueshme. Dua ti bëj një thirrje grupeve polifonike që kanë rezistuar kohës. Ata duhet që ta transmetojnë edhe në breza dashurinë për këngën. I bëj thirrje  edhe Ministrisë së Kulturës që ajo të vazhdojë të ruajë traditën që ka nisur në mbështetje të punës së shoqatës tonë për realizimin e festivaleve ndërkombëtare .

 

Aktualisht shoqata “Polifonia shqiptare” përse përgatitet?

 

Shoqata “Polifonia shqiptare” ka organizuar dhe është duke punuar për të organizuar festivalin e katërt Ndërkombëtar të Polifonisë. Kjo traditë ka si synim që jo vetëm ta ballafaqojmë këtë polifoni në Europë dhe në Ballkan,  por dhe ti bëjmë thirrje grupeve te tjera polifonike  që janë jashtë shoqatës sonë, që të bëjnë punë cilësosre, pasi roli i shumë grupeve kohët e fundit  është minimizuar pothuajse fare.E gjithë polifonia shqiptare në tërësi ku është i gjithë  jugu i shqipërisë, është një këngë e veçantë, pa moshë, ka një jetëgjatësi të papërcaktuar që e shoqëron gjatë gjithë njerëzimit.

 

Kush është qëllimi kryesor i nismës tuaj?

 

Të mbrohet kjo trashëgimi kulturore nga turbo -folku që dalëngadalë po mundohet që ta gllabërojë këtë trashëgimi, këtë pasuiri shpirtërore që është e patjetërsueshme. Nuk jam në kundërshtim që muzika mos të evolohet.Por nuk është mirë që të marësh tekstet e atyre poetëve  që ata kanë punuar një jetë të tërë për polifoninë  shqiptare,  dhe sot këtijë teksti ti futet një klarinetë, një dajre dhe disa kitara. Kështu polifonia shqiptare nuk mund të quhet më një këngë që ka një histori një trashëgimni.Duhet që të ketë një kujdes nga ish-trashëgimia kulturore  që të shmanget turbo folku. Tashmë shihet se ka një përkujdesje më të madhe nga trashëgimia kulturore ku vlen për të përshëndetur dhe për ta përgëzuar, Ministrinë e Kulturës direct që këtë vit i dha një impuls tjetër festivalit ndërkombëtar  të polifonisë në Bylys.  Jo pa qëllim Festivali Ndërkombëtar i Polifonisë zhvillohet në Bylis. Sepse ajo është një kështjellë autoktone që i përshtatet  kësajë vlere autoktone të polifonisë.

 

Cilat janë trashëgimitë më të vyera të këngëve dhe valleve të kënduara polifonike dhe a po ruhen ato?

 

Nuk duhet të harrohen kurrë vallet e mrekullueshme labe të, vranishtit,  vallja e salarisë. Këngët e bukura të Bolenës, Kuçit, aktivitetet  kulturore në këto fshatra, që e kanë mbajtur ndezur trashëgiminë. Kjo janë perla të polifonisë labe. Por ka dhe firo në këtë tranzicion. Ku janë këngët e bukura të Skraparit? Janë zhdukur këngët e bukura të Kolonjës. Nuk ka dalë një grup i ri i Kolonjës që të vijë e të këndojë  atë  këngën autoktone  kolonjare. Nuk duhen prishur polifonia me dajre me  klarinetë. Polifonia shqiptare është perla e historisë së folklorit shqiptar. Janë këngët e popullit që kanë dalë nga shpirti i tij. Duhet të jemi të saktë se shumë nha këto këngë në fillimet e tyre janë kënduar nga çobanët në mal. Ka edhe këngë të bukura Myzeqare që  sot pothuajse janë venitur fare. Unë i bëj një thirrje të gjithëve jo vetëm këtyre korifejëve, këtyre grupeve polifonike që dikur kanë dalë në skenë me ato motivet e tyre te mrekullueshme që të mos i lenë në harresë. Ne nuk duhet ta lemë që isopolifoninë ta mbrojë vetëm UNESKO. Ajo është e jona, pastaj trashëgimi kulturore e botës.

 

Cili është deformimi më i madh që i është bërë ssipas mendimit tuaj polifonisë?

 

Ka një ndryshim në emërtim. Sot po e quajnë isopolifonia, pra i kanë shtuar parashtesën iso. Ajo quhet polifoni. Edhe në UNESKO pëcaktimi, emërtimi ka shkuar me një bisht, iso.. Ramadan Sokoli e ka pagëzuar me emrin e mrekullueshëm polifonia shqiptare, ashtu siç e ka polifonia greke, italiane franceze. Shtesa iso, është bërë nga disa që kanë marë një forcë pushteti  dhe pa një miratim nga Instituti Kulturës, Akademia e Arteve që janë autoriteti më i besueshëm për ndryshimin e emërtimeve (apo Akademi Shkencave). Shoqata e polifonisë shqiptare ka një akt themelimi për ta mbrojtur  këtë vlerë shpirtërore të popullit shqiptar. Mendoj se do të shkojë në vendin e vet çdo gjë..

 

-Si quhej më para polifonia shqiptare?

 

-Quhej, Polifonia shqiptare, por ky emër që ka sot më para nuk është quajtur fare polifoni,. Poli është një fjalë grekë që do të thotë shumëzërash.Më përpara është thënë nëpër trapeze, tavolina, pra ku grumbulloheshin njerëz ”merja një kënge” , apo “merja një vënçe”!Qoftë polifonia toske por edhe labe. Kushëdo që hynte në një rreth për të kënduar apo për tu dëfruar, dasëm u thonte merja  një vënçe! Por kjo u përdorte më tepër për një valle vënçe sidomos ato të Skraparit dhe dilnin e kërcenin dyshe. Ose një valle vençe  labëshe. Këtë emër ka pasur kjo trashëgimi shpirtërore. Por Ramadan Sokoli duke mbledhur folkun me vehte ka shfrytëzuar studimet e tij për  këtë thesar, kulturë mijëravjeçare dhe i vuri emrin polifonia shqiptare. Polifionia më e bukur është vetëm në Shqipëri.Dhe kryesisht në Shqipërinë e jugut. Këtë se mohon askush.