E enjte, 28.03.2024, 06:26 PM (GMT)

Kulturë

Fran Gjoka: Intervistë me Prof. Murat Gecaj

E diele, 11.09.2011, 06:58 PM


 

40 VJET, MIQËSI DHE BASHKËPUNIM I NDËRSJELLTË

 

Intervistë me Prof. Murat Gecaj

 

Nga Fran Gjoka, arsimtar e publicist

 

1. Prof. Gecaj, duke ju falenderuar për këtë intervistë, dëshiroj t`u kujtoj se bashkë kemi njohje e miqësi jo pak, por 40 vjet. Çfarë ju sell në mendje ky fakt?

-Tani, më kujtove jo vetëm kohën e njohjes sonë, por dhe faktin që, kur i kalova 70 vjet jetë, u shkrova kolegëve në një faqe internet se, tashmë, “unë jam gjyshi i maleve”…Pra, më shumë se gjysmën e kësaj periudhe të jetës sime njihemi bashkë nga afër. Siç e di edhe ti, në fillim të viteve ’80-të, të shekullit të kaluar, isha me punë redaktor në gazetën ditore “Bashkimi”. Sipas praktikës së kohës, ne shkonim me shërbim nëpër rrethe të ndryshme të vendit. Të jem i sinqertë, më pëlqente më tepër të shkoja në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), pra në vendlindjen time, por dhe në rrethet veriorë, që nga Kukësi e Puka, Shkodra (nga e kam bashkëshorten), Dibra, Lezha e Kruja e tjerë. Kështu, në një rast, erdha edhe në Lezhë, pasi ti kishe nisur të shkruaje në atë gazetë dhe e  kishim detyrë të takoheshim me bashkëpunëtorët  tanë ose korrespondentët vullnetarë, siç i quanim në atë kohë. Por ai takim, shënoi edhe lidhjen tonë të fortë ndërmjet nesh, pasi ti më ftove edhe në shtëpi, në Ishull-Lezhë, ku njoha nënën tënde të mirë Gjyste, një malësore kreshnike; bashkëshorten tënde Gjelina, vajzat tuaja të vogla, atëherë dhe vëllezërit e pjesëtarë të tjerë të familjes.

Kështu, pra, portreti yt aq dashamirës e buzagaz dhe ata njerëz të respektueshëm, bënë që të më tërhiqnin gjithnjë si një mangnet i fortë dhe nuk u shkëputëm asnjëherë. Kam ardhur në shtëpinë tuaj mikpritëse jo në një rast, bile dhe me kolegë të tjerë dhe aty kemi gjetur kurdoherë mikpritje e bujari. Bile, nga ato vizita të paharruara ruaj disa fotografi, pse jo, duke ngritur dhe ndonjë dolli, pranë tavolinës plotepërplot.

Nga ato vite, ndër të tjerat, mbaj mend se me ty lindi një problem ose u shkaktua një “incident i vogël”, gjatë tufëzimit të bagëtive dhe porosia e partiakëve aty ishte mos t’i botonim shkrimet tua?! Por, megjithatë, unë e bëja “veshin të shurdhër” dhe shkrimet tua i publikonim përsëri, pasi ato më binin mua në dorë…Nuk dua të zgjatem, por tani gjej rastin të shpreh përsëri respektin tim për gjithë pjesëtarët e familjes suaj dhe, veçanërisht, të kujtoj me nderim nënën Gjyste, e cila gëzohej kur më takonte, si të isha biri i saj. Bile, mbaj mend se kemi bërë dhe fotografi së bashku, që ti e paske ruajtur me kujdes dhe të falënderoj!

Është e dhimbshme ta kujtoj e të lëndoj ty në shpirt tani, por unë kam ardhur në shtëpinë tuaj edhe në vitet e fundit. Një rast  I tillë ka qenë, kur u nda përgjithnjë nga jeta, në një aksident, djali juaj i vetëm 14-vjeçar, Bernardi. Me këtë rast, ju shprehi përsëri dhimbjen time dhe uroj që ju, dy prindërit dhe vajzat, Ortenca e Nertila me familjet, të keni vetëm gëzime e lumturi  dhe vogëlushja e juaj Benedeta të rritet, të gëzohët e të lumturohet, bashkë me ju!

2. Përvojën tuaj,  e mbani për vete? Si e “administroni” atë?

-Gjatë një jete mbi 70-vjeçare, padyshim, çdo njeri siguron një përvojë të caktuar, sipas punës e profesionit. Rasti e solli që unë të punoja në shtyp, në gazetat “Pionieri”, “Bashkimi” e “Mësuesi”, që nga viti 1963, kur mbarova studimet e larta për gjuhë-letërsi shqipe, në Universitetion e Tiranës dhe deri sa dola në pension, në nëntor të vitit 2002. Kështu, kam mbledhur një përvojë  jo të vogël në fushën e shtypit të shkruar. Për këtë gjë, do të duheshin faqe të tëra për t’i përmendur dhe më gjerësisht kam shkruar në librin tim jetëshkrimor, “Ëndrrat ‘e grisura’ të jetës sime” (Tiranë, 2010). Sigurisht që përvojën e fituar nuk e ruaj, me “fanatizëm”, vetëm për vete. Gjithë jetën e kam kaluar duke redaktuar e duke shkruar. Në procesin e redaktimit, jam përpjekur që ta fus në shkrimet e të tjerëve një pjesë të diturive e shpirtit tim. Por, jorrallë, kam bërë redaktime e recensione për libra të ndryshëm, të miqëve e kolegëve, jo vetëm me banim në Shqipëri, por dhe në Kosovë e troje të tjera shqiptare.

Sidomos në dy vitet e fundit, kam shkruar e publikuar, veçanërisht në faqen e Internetit “Fjala e Lirë”-Londër, por dhe në gazetën “Republika”, ku shpesh dhe ti je i pranishëm. Disa prej tyre kanë qenë shkrime paraqitëse për libra me poezi, romane e tregime ose shënime udhëtimi, për veprimtari të ndryshme, takime me kolegë e miq e tjerë. Nëpër këto shkrime kam gjetur rastin dhe të jap vlerësime e të shpreh mendime, sidomos për krijuesit e rinj. Këtë gjë e kam bërë edhe në fjalën e thënë, në shumë përurime librash, që janë organizuar  sidomos në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në kryeqytetin tonë Tiranë. Pra, përmbledhurazi, shprehja “vetëm për vete” është e huaj për mua...

3. Nga shkrimet e shumtë të botuar, cilët janë ata, që keni më shumë për zemër dhe pse?

-O, sa shumë kam shkruar e kam publikuar gjatë jetës sime, sa është e vështirë të përgjigjem saktë! Janë mbi 30 revista e 40 gazeta në Shqipëri, ku kam shkruar. Por kam publikuar shkrime, me tematikë të ndryshme edhe në gazeta e revista në disa shtete të Europës e në Amerikë, si në Kosovë, Mali i Zi e Maqedoni, në Zvicër, Holandë, Londër, Suedi, Itali e Greqi dhe në Nju Jork etj. Në këtë çast, më kujtohen shkrimet e mia për figura të shquara kombëtare dhe për ngjarje të shënuara historike, por dhe ato me mbresa nga dy vizita në Nju Jork (1993 e 1994), nga disa vizita në Itali e Francë dhe në Kosovë, Shkup, Preshevë e Ulqin...Për vizitën e parë në Kosovën e pasluftës, publikova dhe një libër publicistik, “Si e pashë unë Kosovën” (Tiranë, 2000). Por edhe për vizitat e këtij viti në trojet shqiptare të Ballkanit, përveçse publikova në shtyp e Internet 13 shkrime, ato përbëjnë dhe një libër më vete, të cilin dëshiroj ta botoj.

4. Ndonëse vitet bëjnë të tyren dhe ju sapo i keni kaluar 70 vjetët, më krijohet përshtypja se punoni si një 40-vjeçar...Ku qendron “sekreti” i energjive tuaja?

-Faleminderit për vlerësimin, që më bën! Është e vërtetë, se nuk më duket se i kam kaq vjet “mbi shpinë”. Pra, megjithëse me ndonjë diagnozë shendetësore e ilaçe të përditëshme, më ngjan se jam “djalosh”, siç në thërret një bashkëmoshtar, për të ma bërë qejfin mua, por më shumë vetes. Kështu, përpiqem që të jem sa më aktiv në jetë, të ndodhem pranë kolegëve e miqëve të mi të shumtë, të marr pjesë në organizata shoqëore, në përurime librash dhe ekspozitash, në përvjetorë të shënuar etj. Po kështu, u bëj vizita të afërmve të mi e të bashkëshortes, si dhe ish-pedagogëve të mi, bashkëkrahinasve dhe miqëve e dashamirëve. Përveç hartimit e botimit të disa librave, ndër të cilët kujtoj me dashuri sidomos atë me përmbledhje kujtimesh, kushtuar pedagogut e mikur tim, Prof.Bedri Dedja-Akademik, (Tiranë, 2010), kam publikuar me dhjetëra shkrime në faqet e Internetit, ku bien në sy në “Fjala e Lirë”-Londër (me drejtor Fatmir Terziun), por dhe në shtypin shqiptar, ku vërehen më shumë ata në gazetën “Republika”, me kryeredaktor Nuri Dragoin.

Po të përpiqesha të zbuloja “sekretin” e energive të mia, do të shprehesha me ato fjalë, që tashmë i dinë të gjithë: “Kush punon, jeton gjatë; jeta është e duhet kuptuar vetëm me lëvizje dhe veprimtari të pandërprera...Përfito sa më shumë nga ditët e jetës tënde dhe sfido me punë, çdo pengesë e vështirësi!”.

5. Ku mendoni se qendrojnë vlerat kryesore të shkrimeve tuaja, qofshin këto shkrime në revista  e gazeta, ashtu edhe në librat tuaj?

-Janë shumë e vështirë se do të përgjigjem saktë...Megjithatë, synimi e dëshira ime ka qenë dhe është që, në çdo shkrim e publikim timin, të prek sadopak ndjenjat e mendimet e lexuesve. Kam shkruar gjithnjë me një mendim të fiksuar: T’i shërbej sadopak Atdheut e shoqërisë shqiptare. Prandaj janë të shumtë dhe shkrimet me tematikë të tillë, si shkrimet në shtyp ose Internet dhe librat e publikuar. Në këta të fundit, kam trajtuar traditat atdhetare, përpjekjet e parreshtura të popullit tonë dhe sidomos të arsimtarëve, për lirinë e pavarësinë, por dhe në fushën e arsimit, kulturës, shkencës e tjerë. Më kujtohet tani dhe libri im kushtuar 25 pedagogëve dhe profesorëve të mi, në Fakuletin Histori-Filologji (“Filologë që nuk harrohen”, Tiranë, 2002), ai kushtuar normalistëve të Shkupit (Kumanovë, 2002) dhe tjetri për mësuesin veteran nga Malësia e Gjakovës (Tropoja), Salih Myftar Kolgeci etj.

6. A ju është kundërshtuar ndonjë shkrim dhe përse? Cili mendoni se është shkrimi më i bukur; po libri më i mirë i juaji?

Më vjen të buzëqeshi, kur e kujtoj një fakt të thjeshtë…Shërbeja në gazëtën “Bashkimi”. Përgatita një shkrim të një bashkëpunëtori dhe e dorëzova, te njëri nga drejtuesit. Ndoshta, të nesërmen ra zilja e telefonit, se ishim në kate të ndryshme e më thirri në zyrën e tij. Ma zgjati shkrimin, ku kishte shënuar në cep fjalët “Nuk bënë…”. Pa u menduar gjatë, i thashë atij se nuk po kuptoja gjë, pra se përse shkrimi nuk vlente për botim dhe se, ajo shkronja “ë”, nuk duhej në fund të fjalës! E pashë që i ndërroi pak shprehja e fytyrës, nga fjalët e mia. Prandaj, nuk e zgjata dhe e mora shkrimin, e rishikova me “me sy kritik’ dhe e dorëzova e ai u botua në gazetë. Gjaj rastin të pohoj këtu se kurrë në jetën time nuk kam patur “frikë” ta them hapur mendimin tim. Kjo vinte se çdo gjë e bazoja në punën e aftësitë e mia intelektuale edhe pse kisha një “njollë” në biografi, pra nuk kisha as ndonjë mik të rëndësishmë për të më mbrojtur. Në çdo mbledhje, kur organizoheshin analiza pune, ngrihesha e ia bëja vetes “gjyqin” dhe pastaj nuk kishte gojë të fliste kundër as ndonjë dashakeq i imi…

Pra, për shkrimet nuk mund të flas, se cili ka qenë më i miri. Ndërsa për librat edhe u shpreha më lart. Po përmend vetëm këtë fakt: Për udhëtimet e bëra, në maj e qershor 2011, me kolegë të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare: në Shkup, Prishtinë, Preshevë e Ulqin, pas një rishikimi, mblodha shkrimet e publikuara dhe së shpejti del nga shtypi libri im i ri publicistik, “Rrahin zemrat arbërore”, në prag të Konferencës Kombëtare, që organizohet në shtator 2011. Ashtu siç flitet në ato mbresa të mijat, në ato udhëtime përjetova kënaqësi e mbresa të bukura, që do të me mbeten gjatë në kujtesë.

7. Pasioni juaj është të shkruarit, madje të shkruarit bukur dhe me mendim. A shpresoni se, me shkrimet tuaja,  mund ta përmirësoni sadopak jetën e njerëzve?

-Përsëri, ju falënderoj për vlerësimet, që më bëni. Por, ndoshta, ato duhen “redaktuar” pak (ha,ha). Më ngjan se kam lindur duke shkruar dhe, siç duket, kështu do ta përfundoj jetën. Ndërsa koncepti i ndryshimit të jetës së një pesoni, të një grupi njërëzish ose tërë shoqërisë, është mjaft i gjerë. Unë as e kam patur dhe as nuk e kam atë fuqi “magjike”, që ta realizoj një gjë të tillë. Megjithatë, çdo njeri, në punën e profesionin e tij, lipset të jetë veprimtar për të mirën e njerëzve e të shoqërisë, duke u nisur nga familja e tij. Padyshim, sikur të bëja një përmbledhje të gjithë shkrimeve dhe të librave të mi, gjë që është e pamundur as ta bëj indeksin e tyre, do të shihnim se gjithnjë kam dashur e jam nisur nga qëllime të mira; kam shkruar me natyrshmëri, me realizëm e dashamirësi për cilindo dhe asnjëherë me qëllime të caktuara nënçmuese, dashakeqe ose hakmarrëse etj. Këto cilësi kanë qenë dhe janë plotësisht të huaja për mua. Natyrisht, duke shkruar për jetën e përditëshme të njerezve, kam dashur të tregoj jo vetëm atë gjendje ekzistuese, por kam synuar dhe të kritikoj shfaqje e dukuri negative, të cilat e kanë penguar zhvillimin dhe mirëqenjen e njerëzve. Se sa kanë ndikuar ata në këtë drejtim, është vështirë ta sqaroj këtu.

8. A keni pasur ndonjëherë frikë, kur keni botuar shkrime, sidomos me frymë kritike? Po tani, a ndruheni që t`i shprehni lirshëm mendimet tuaja?

-Fola pak më lart për këtë pyetje. Më kujtohet se kam publikuar disa shkrime kritike në gazëtën “Bashkimi”, që kanë shërbyer pastaj edhe për të dhënë “alarmin” për temën e trajtuar, duke u organizuar, në përgjigje të tyre,  deri seminare kombëtare, siç ishte rasti i nënvlerësimit të punës me muzetë, në rrehin e Lezhës. Ose, për një shkrim tjetër, kur liheshin udhëqve, si mall pa zot, rimorkiot e makinave, në udhët e Veriut të Shqipërisë…

Megjithatë, po shtoj se, aq më pak sot, nuk kam frikë nga askush për ato, që mendoj e publikoj. Në një shoqëri demokratike kjo gjë është a-ja e lirisë së mendimit dhe të shtypit. Kam dëgjuar që shpesh sot flitet për “lirinë e shtypit”, në Shqipëri. Pa dhënë shumë shpjegime, në këtë fushë, mendoj se jo vetëm që ekziston një liri e tillë, por ajo dhe është pak e tepruar. Jorrallë, kemi dëgjuar në TV të ndryshëm ose kemi lexuar në shtyp, që jo vetëm thuhen gjëra jashtë normave shoqërore e morale, por arrihet deri në shpifje publike dhe askush nuk mban përgjegjësi për ato, që thotë, si të ishte i pirë ose i droguar! Edhe kur ndonjëri e dërgon këtë gjë në rrugë gjyqësore, ajo stërzgjatet për shqyrtim dhe ai, “trimi” ose “i forti”, përsëri e ka udhën e hapur të shajë ose të shpifë publikisht!

9. Keni shokë dhe miq të shumtë. Sa e si reagojnë ata, ndaj shkrimeve dhe botimeve tuaja?

Shokët e miqtë? Sigurisht, mendoj se të gjithë i mirëpresin publikimet e mia. Po ju tregoj diçka, ndoshta, jo me aq modesti. Sikur t’i mblidhja shkrimet e mendimet e shprehura, si  në shtyp dhe me anë mesazhesh në Internet, që janë bërë e më kanë ardhur për libra e shkrime të mijat, por dhe shënimet e bëra në librat e dhuruar etj., pa frikë do të bëhej një libër i tërë. Kjo gjë mua më ka sjellë kënaqësi shumë të madhe e ndiej respekt e dashuri të veçantë për të gjithë. Njëri nga ata je edhe ti, i dashur koleg Fran. Ndërsa, në sasinë e madhe të mesazheve të  ardhur, po veçoj vetëm tre prej tyre. Njëri është ai, që ma ka dërguar një kolege e mirë e imja e shtypit, në Tiranë. Pasi publikova një shkrim  për vëllimin e parë të saj me poezi, ajo me shkroi me sinqeritet:

Përshendetje, Murat! Sot, sapo erdha, hapa kompjuterin dhe e pashë shkrimin. U kënaqa shumë dhe të falënderoj nga zemra, pasi asnjë më parë nuk e ka bërë një gjë të tillë për mua.  Më lumturoi pa masë. Ja, që njeriu paska nevojë edhe për një fjalë të mirë, sidomos nga kolegë, miq e dashamirës, që vërtet ta thonë hapur  të vërtetën.  Unë e di që ti je vlerë për ne e  këtë nuk ta  kam thenë në sy, por gjithnjë (siç edhe e përmend në shkrim, e kam shprehur kudo e me këdo).Unë këtë gjë e pashë në 70- vjetorin tënd, se sa miq të mirë e të respektuar ke, të cilët thanë   shumë për Ty. Falenderime të sinqerta ke edhe nga familja ime e vogël.  Qofsh gjithnjë  kështu, i nderuar dhe plot dashuri për të tjerët! Gjithë te mirat: Vjollca”.

Me anën e një mesazhi, të ardhur nga një albanolog e mik i Shqipërisë, në Suedi, pas shkrimit tim në Internet, me rastin e 77-vjetorit  të lindjes së tij, ai më shkruan:

“ I nderuar mik Murat Gecaj!
Fjalët tuaja të ngrohta dhe bujare më gëzuan pa masë! Më vjen keq se nuk kemi pasur mundësi të takohemi, por ju konsideroj mik të vërtetë, pas leximit të artikullit/njoftimit tuaj. Besoj se mund t’i ruajmë lidhjet tona, në të ardhmen! Me falënderime të sinqerta:Ullmar Qvick, Suedi, më 14 qershor
2011”.

Ndërsa i një natyre tjetër është mendimi i shprehur nga Prof. Alfred Uçi-Akademik, me rastin e botimit e dhurimit të librit të tij, në 100-vjetorin e vdekjes së Petro Nini Luarasit. Është fjala për disa publikime të mijat, në shtyp e në Internet. Aty, ai shkruan: “Prof. Murat Gecajt, pa ndihmën e të cilit nuk do të nderohej e kujtohej 100-vjetori i P.N.Luarasit. Në shenjë mirënjohjeje të thellë e miqësie të sinqertë, unë e Rozeta, ia dhurojmë librin e parë, petroninasit të papërtuar, të mençur e të mirë, që na ndihmoi pa kursim e zotësi”-Tiranë, 18 gusht 2011”.

Disa shënime dashamirëse janë bërë në shtyp nga miq e kolegë edhe pas publikimit të libravë të mi, gjë që ka qenë kënaqësi e veçantë dhe nxitje për krijimtari të pandërprerë. Shoku im i ngushtë, publicisti e shkrimtari i talentuar Viron Kona e ka hetuar me dashamirësi punën time, sidomos në vitet e fundit, kur jam në pension dhe fare mirë mund të qendroja pushim. Kështu, ai është shprehur se: “Tani, Murat, ti po shpërthen me shkrimet tu të bukur dhe nuk di se ku do të ndalesh! Ata mund të përmblidhen në libra të tërë...”.

10. Në shtëpi, a keni mjedis pune krijuese? Po në treg, a shkoni? Sa merreni me punët e përbashkëta në familje?

- Për fat të mirë, në banesën tonë tani kam kushte normale pune. Në një vend të posaçëm ndodhet biblioteka ime dhe diku tjetër tavolima e kompojuterit. Kur jam i motivuar për punë, ulem aty dhe lexoj e shkruaj mesazhe për miq e të njohur, me banim në vende të ndryshme të botës. Po kështu, shkruaj artikuj për Internetin e shtypin, redaktoj libra të kolegëve ose bëj hyrje a recendione për ta. Por kam një “shqetësim” të vogël në këtë pikë. Me ne, gjyshërit jeton prej vitesh edhe djali i vajzës, sivjet maturant te Gjimnazi “Q.Stafa” i kryeqytetit. Mirëpo, shpesh ne “grindemi”, se kush e ka radhën për të punuar në kompjuter. Për vitin e ri 2011 ai ishte vizitor te dy djemtë tanë, në Asti të Italisë dhe, për herë të parë, si i thonë fjalës, “e pa botën me sy”. Sigurisht, unë i bëj atij lëshime, pasi ma mëson edhe ndonjë veprim në kompjuter, kur nuk e di. Nuk në vjen keq, as kur ma përsërit fjalën, që ia thoja dikur atij: “A ta kam treguar një herë…Pse nuk e mban mend?” (ha,ha). Qenka interesante: para pak vitesh, unë e mësoja atë në proceset e punës së kompjuterit, ndërsa tani ai është bërë “mësuesi” im i mirë. Ky është ligji i jetës, që e dimë dhe u pëlqen të të gjithë prindërve e gjyshërve.

Ndërsa me pjesën e dytë të kësaj pyetjeje, më ke prekur, ku më “dhemb”. Të jem i hapur me ty, nuk tregohem indiferent në detyrat familjare, por dhe mund ta jepja më tepër ndihmesën time. Se, pothuajse çdo ditë, dal nga shtëpia dhe takoj kolegë e dashamirë, sigurisht dhe për një kafe e biseda të ndreyshme; marr pjesë në përurime librash ose në veprimtaritë e Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë (me kryetare Y.Beçin), ku tash 10 vjet jam sekretar i përgjithshëm (pra, “i ngulur” në këtë post dhe nuk ia lëshoj dikujt tjetër, si disa qeveritarë, ha-ha) dhe të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare (me kryetar të Komisionit Qendror I.Gashin), që e ka qendrën në Tiranë dhe ku jam përgjegjës sektori. Por, kur kthehem për në shtëpi, paguaj qeratë mujore, blej gjëra të nevojshme në treg, si bukë e zarzavate e tjerë. Kështu, pra, a tregohem familjar i mirë? Besoj se po dhe, për këtë gjë, më mirë, pyete bashkëshorten time, të cilën dhe ti e njeh, prej kaq vitesh. Ndërsa, me siguri, ajo ka “rezervat” e saj për largimet e mia me orë nga shtëpia, pasi shpesh u thotë me shaka të tjerëve, kur e pyesin për këtë gjë, se “Murati nuk jeton me mua!”

11. Jeni gjithnjë buzagaz… Por, a zemërohet ndonjëherë, Murat Gecaj?

Njeriu është qenje e çuditshme shoqërore…Dikush është i butë, si qingji e një tjetër, si ariu, siç i thonë fjalës. Ndërsa unë do të thoja se jam përgjithësisht tip i qetë, i panxitueshëm, në mendime e veprime. Por, kur dikush e tepron me mua, nuk e lejoj atë të vazhdojë më gjatë. Jo në një rast, gjatë jetës, ia kam venë “kufirin te thana” edhe ndonjë drejtuesi tim, kur ai ka menduar se jam, si ndonjë tjetër, që e tërhiqte nga hunda. Për të mos u zgjatur, nuk po jap ndonjë shembull konkret. Por, asnjëherë nuk e kam humbur arsyetimin e qetësinë, që duhet të ketë një njeri i mësuar dhe i edukuar. Pasi, fare mirë, njëriu mund të bjerë në preherin e mendjemadhësisë, “trimërisë” ose fodullekut, duke arsyetuar plotësisht gabim, se “unë jam!...”. Sigurisht, këto sjellje kanë qenë e janë të huaja për mua.

12. Ju keni parë dy sistemet politike në Shqipëri…Keni jetuar të parin dhe  po e jetoni sistemin demokratik. Cila është gjëja më e shtrenjtë për ju, në sistemin demokratik?

-Tashmë, për ta kaluarën është folur e shkruar shumë, sa janë në dijeni edhe brezi i ri, që nuk e ka përjetuar periudhën e sundimit monist ose të diktaturës. Sigurisht, fitorja e demokracisë në Shqipëri ishte një ëndërr e bukur, që u realizua me ndihmesën dhe dëshirën e sa e sa njërëzve tanë, që e kërkonin lirinë e demokracinë. Që të jem realist, sistemi i sotëm u mirëprit e u përqafua edhe nga sa e sa ish-komunistë, të cilët, në një farë mënyre, ishin të dhunuar në të kaluarën jo shumë të largët, si në mendime e në veprimet e tyre. E dashur ose e shenjtë për mua, siç pyesni ju, tani janë: Prishja e rrethimit e izolimit ndaj Shqipërisë, liria e shprehjes dhe e lëvizjes, rritja shkallë-shkallë e gjendjes ekonomike në familje e tjerë. Por, kemi ende shumë rrugë për të bërë, duke i hequr si rrodhe të këqija nga trupi i shoqërisë sonë edhe disa plagë e dukuri “të reja” shoqërore, si: ringjallja e vllavrasjes, droga e prostitucioni e tjerë.

13. Meqenëse shumë vite më parë keni qenë student në ish-Bashkimin Sovjetik, a keni miq atje? A mbani lidhje me ata?

-Më sollët në kujtesë një kohë të shkuar, e cila padyshim ka lënë sadopak gjurmë në jetën time. Isha student, në Universitenin “Zhdanov” të Leningradit (tani: Petërburg), në moshën më të mirë të jetës, pra 20-21 vjeçar. Por, në atë kohë, ende ishin shumë të mira lidhjet ndërmjet dy popujve tanë. E kam parë këtë gjë nga afër, si në Moskë e Leningrad, por dhe në Riga të Litualisë, në pushimet e dimërit. Megjithëse u ndërprenë lidhjet ndërmjet vendeve tanë, përsëri nuk u shuan ndjenjat e miqësisë dhe lidhjet tona u rivendosën pas vitit 1990. Kësahtu, unë kam takuar me shumë kënaqësi në Tiranë, kur tashmë isha gazetar në “Mësuesi”, ish-pedagogen time e përgjegjëse e katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Leningradit, të ndjerën Prof.Agnia Vasiljevna Disnickaja-Akademike dhe bashkë bëmë e publikuam një intervistë. Po kështu, kam rivendosur lidhje me letra dhe i vazhdojmë ato, me Prof. Mark Aleksejeviç Gabinskij, me banim në Kishenjev të Moldavisë. Por kam patur lidhje telefonike e me e-mail edhe me ish-bashkëstudentet e mia, në Tiranë e më pas në Rusi, Lilia Milkon e Irina Voroninën, e para redaktore në Radio-Moska dhe e dyta pedagoge në degën e gjuhës shqipe në Petërburg. Gjithashtu, kam patur shkëmbim mesazhesh me gazetaren në Radio-Moska, Ollga Kollpakovën, e cila erdhi pak kohë në Ambasedën Ruse, në Tiranë. Natyrshëm, kam patur shumë dëshirë t’i takoja këta miq edhe në vendin e tyre, por nuk më janë krijuar mundësitë. Sigurisht, atje do të rishikoja vendet ku kam mësuar, ku kam shetitur e ku kam parë gjëra të paharruara, si Universitetin “Lomonosov”, në Moskë; shtëpinë-muze të Eseninit, brigjet e lumit Neva, kryeqëzorin “Aurora”, Monumentin e Pjetrit të Parë, qytetin veror Petergov, në Peterburg etj.

14. Si e shikoni të ardhmen e Kosovës, shtet demokratik? Po të Shqipërisë dhe të nesërmen e  Kombit Shqiptar?

-Janë pyetje mjaft interesante, por për përgjigjet do të duheshin shumë faqe. Sepse, më kë prekur në “telat e shpirtit” tim. Megjithatë, po jap ndonjë mendim të shkurtër. E kam ëndërruar, por dhe e kam besuar, sidomos pas vitit 1990, se Kosova e martirizuar nën regjimin serb, një ditë do ta fitonte lirinë e pavarësinë e merituar. Sigurisht, nuk kam qenë “fallxhi”, se si do të arrihej një ditë, kjo gjë. Por ja, që ajo ndodhi mrekullia dhe unë e preka atë nga afër, në verën e vitit 2000, por dhe disa herë të tjera, më pas. Shkurt, dua të pohoj se për Kosovën nuk ka më kthim mbrapa. Por do të dëshiroja që sidomos në Bashkimin Europian të ishin më të ndërgjegjshëm për këtë gjë dhe mos t’i “ledhatojnë” Beogradin e Serbinë, pasi lipset t’i kujtojnë nganjëherë atyre edhe masakrat çnjerëzore, që kanë bërë mbi popullsinë e pafajshme kosovare, në trojet e tyre të stërlashta amtare, vetëm se kërkonin liri, demokraci e vetëvendoje.

Po kështu edhe për Shqipërinë mendoj se do të vijnë ditë më të mira dhe do të na hiqen të gjitha ato “lista me kërkesa” për t’u bashkuar me Europën, ku ne jemi natyralisht e gjeografikisht, shekuj me radhë. Ndarja prej saj është artificiale dhe kjo i përket së shkuarës së largët, që nuk duam ta sjellim kurrë më në kujtesë. Ndërsa për një bashkim të mundshëm të Kombit Shqiptar, gjeografiklisht e në një shtet të vetëm në Ballkan, tani për tani, e shoh pak me mosbesim. E them këtë gjë, pasi ende nuk po shprehen, qartë e prerazi për këtë gjë, shtetet e Bashkimit Europian, por as të SHBA-ve. Natyrshëm lind një pyetje, që kërkon përgjigje: Vallë, pse kanë frikë ata nga “Shqipëria natyrale” ose nga “Shqipëria e vertetë”? Ndoshta, presin që të “piqen” më mirë kushtet!? Dhe, këtë gjë, e urojmë me zemër të gjithë ne, shqiptarët, që të ndodhë, sa më parë e sa më paqësisht. Për këtë qëllim madhor, po jap energjitë e mia mendore e fizike modeste edhe në përbërje të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, që synon njësimin e programeve e teksteve të shkollave të trojeve amtare dhe të diasporës shqiptare. Se, “pak sot e pak nesër”, duke u përfshirë të gjithë në këtë mision atdhetar mbarëkombëtar, kam besim se do t’ia arrijmë që brezave pasardhës t’u lëmë një shtet të lirë e të fuqishëm shqiptar, i barabartë në familjen e madhe, të shteteve në Europën e Bashkuar.

15.  Çfarë gjërash ju pëlqejnë më shumë: Ta bëni jetën, që keni, duke shkruar e botuar, apo të zhvilloni polemika në shtyp për mbrojtjen e parimeve dhe të të drejtave demokratike të njerëzve të thjeshtë?

-E para, nuk më pëlqen të shkëputem nga praktika e jetes sime të tanishme, pra që të shkruaj e të botoj: artikuj, studime, libra etj. Por, përgjithësisht,  nuk jam përfshirë publikisht në debatet politike të ditës. Kjo ka ndodhur jo se nuk kam ditur të shkruaj e të jap mendime, por sepse nuk më pëlqejnë shumica e gazetave dhe TV-të e sotëm. Atyre u mungon një profil i caktuar, për ato që shkruajnë dhe publikojnë spontanisht, çdo lajm që sigurojnë. Fjala vjen, na kanë lodhur me lajme për krime, aksidente, vjedhje, arrestime e tjerë. Në vend që të shkruhet për atdhetarë, shkrimtarë, shkencëtarë, artistë etj., faqet e tyre i zenë fotografitë dhe jetëshkrimet e atyre njërëzve, që janë pjesa më e fundit e shoqërisë shqiptare. Dikush mund të thotë, se ato janë ngjarje të jetës sonë. Vërtet ashtu është, por bëhen bajate këto njoftime, që na përsëriten në të gjithë TV-të e gazetat dhe na krijohet, sidomos te fëmijët, një gjendje terrori psikologjik, frikë e pasiguri për jetën. Unë do të pëlqeja që, secila gazetë e revistë ose TV, ta ketë e ta ruaë profilin e saj, si psh, për arsimin e kulturën, traditat, shëndetin, shkencën, temat shoqërore etj. etj. Përmes shkrimeve nga specialistë të fushave të ndryshme të jetës, por dhe nga njerëz të thjeshtë, një nga të cilët do të isha edhe unë, pastaj mund e duhej të trajtoheshin dhe të bëheshin debate e polemika të barazpeshuara, pra jo me inate e cmira vetjake ose partiake etj. Dëshiroj të veçoj pak këtu gazetën “Republika”, ku shkruaj herë pas here. Ajo më duket se nuk është e përfshirë shumë nga “ethet politike” të ditës dhe trajton çështje të rëndësishme, sidomos për traditat atdhetare, me temë shoqërore, për shendetin e njeriut etj.

16. Çfarë mendoni, kur shikoni që shokë e kolegë ose të afërm tuaj nuk kanë mundësi as ta kalojnë muajin normalisht ose të shkojnë qoftë edhe një herë me pushime, gjatë verës? A është “faji” i tyre apo kanë përgjegjësi dhe të tjerë? Si e mendoni të ardhmen ekonomike të vendit, përmirësimin e  vazhdueshëm të saj?

- O, sa do të dëshiroja që të gjithë njerëzit të jetonin të gëzuar e të lumtur, në paqe e begati, pra që t’i shijonin të gjitha mirësitë e kësaj bote! Por e di se kjo gjë është e vështirë të realizohet. Megjithatë, ndiej keqardhje e brengosem në shpirt për ata njerëz, që kanë vështirësi jetese, nuk mund të pushojnë gjatë verës etj. Kam qenë dy herë në Nju Jork dhe në Itali, Francë e Angli, në disa shtete të Ballkanit etj. Por edhe në mes të Amerikas kam parë njerëz, që shtrinin dorën për të lypur. A është ky fati i jetës së tyre apo e kanë të tjerët fajin për këtë gjë? Nuk e di mirë, por një gjë është e sigurtë që, në ekonominë e tregut të lirë, secili duhet të përpiqet e të punojë, me mendjen dhe duart e veta dhe mos të presë t’i bjerë gjë nga qielli. I kam pyetur dy djemtë e mi, që jetojnë tash mbi 20 vjet, në Itali e Francë, se cilën gjë kryesore kanë mësuar atje. Ata më janë përgjigjur njëzëri: “Së pari, kemi mësuar edukatën e punës, që  të punojmë e fitojmë me mendjen dhe djersën tonë!” Megjithatë, në një shoqëri demokratike duhet të ketë mekanizma ose rregullatorë të tillë, që t’u vihet në ndihmë të gjithë njerëzve e  shtresave në nevojë. Siç kam lexuar dhe më ka treguar miku im V.Kona, që sivjet e vizitoi Suedinë, ai shtet është bërë model në këtë drejtim, pra atje askush nuk është jashtë vëmendjes së shtetit e të shoqërisë. Besoj se edhe pjesa e fundit e përgjigjes sime është e qartë,  që mirëqenja, bolleku e kushtet më të mira të jetësës, në Atdheun tonë, do të sigurohen vetëm me punë dhe me një miradministrim të pasurive tona të shumta kombëtare, duke patur kurdoherë në drejtim njerëz të devotshëm e të përkushtuar për të mirën e përgjithshme dhe jo vetëm për xhepat e tyre.

17. Kur të tjerët shkruajnë për ju, çfarë mendoni? A ju pëlqen vetja? Bëheni më kërkues, a po çfarë ndodh te ju?

-Vetëkënaqësia është një ndër virtytet ose veset më të shëmtuara të njeriut, prandaj përpiqem që ajo mos të më afrohet (ha,ha)…Jorrallë, por as shumë shpesh,  ka ndodhur që kolegë e dashamirë kanë shkruar artikuj për jetën e punën time ose dhe me rastin e publikimit të librave të mi. Gjëja e parë, që kam menduar në këtë rast, është mirënjohja ndaj tyre. Por, e them këtë gjë edhe kur më kanë dërguar mesazhe në Internet, me vlerësime të ndryshme për mua. Në përgjigjet e ktjyera, u kam shkruar me sinqeritet, se mendimet e shprehura prej tyre duheshin “redaktuar pak”. Pra, nuk më pëlqejnë fjalat e tëpërta edhe kur ato janë dashamirëse e nuk bëhen me qëllime të caktuara. Po, është e vërtetë se, në rastet e “lavdërimeve”, më pas unë bëhem më kërkues ndaj vetes dhe përpiqem të zbuloj në vetëvete se çfarë kam bërë mirë dhe çfarë lipset ta bëj me mire, në të ardhmen. Këtë të fundit e shpreha kështu, se më duket që jeta ime, me punë e veprimtari të pandërprerë, do të vijojë shumë gjatë. Pra, asnjëherë nuk e kam menduar dhe as nuk e mendoj veten një “pensionist të thjeshtë”, në kuptimin vulgar të fjalës ose njeri “pranë oxhakut”, si ato vargjet e dikurshme (megjithëse nuk e pi cigaren): “Pranë oxhakut rrin Hasani,/ pin duhan e mendon…”.

18. Si e dëshiron të ardhmen tënde? Çfarë do të kërkoje më tepër nga jeta? Ke besim te brezi i ri, që është sot në Shqipëri?

-Si padashur, u përgjigja diçka edhe më lart, për këtë pyetje. Pra, të sotmen dhe të ardhemen i shikoj e i vlerësoj, për veten time, vetëm me punë dhe veprimtari të pandërprera. Këtë gjë ua këshilloj dhe fëmijëve të mi, nipërve e mbesave, pra të gjithë pasardhësve. Nga jeta, me gjitha zik-zaket e saj për mua, që i kam pasyruar te libri jetëshkrimor, që përmenda më lart, do të dëshiroja që të kisha gjithnjë shëndet të mirë, energji pune e krijimi dhe mos të shihja kurrë të këqija: në familje, në të afërm, në shoqëri, në Atdheun tonë e, më gjerë, në Kombin Shqiptar! Kam besim se brezi i ri, që po i përjeton sot zhvillimet demokratike në vend dhe që po shkollohet e kalitet me edukatën e punës, si këtu  edhe në Perëndim. Ai, me siguri, do ta shndërrojë Shqipërinë në një vend të lulëzuar e të begatë, por jo me ato parullat boshe të viteve të sistemit monist. Por mendoj se lipset treguar më shumë kujdes që brezi i ri, i shkolluar e plot gjallëri, ta gjejë vetëveten në Atdheun tonë të bukur e të begatë dhe mos t’i marrë udhët e emigracionit. Për këtë qëllim, qeveritarët e çdo krahu politik kërkohet të kujdesen posaçërisht e seriozisht, duke hapur vende të reja pune, duke zgjeruar horizontin e të sotmes e të ardhmes për ata. Ekonomia e tregut ka zgjuar te shqiptarët energji të pallogaritshme, të cilat vetëm duhen drejtuar e mbështetur, nga qeveritarë të ndërgjegjshëm e atdhetarë. Këtë e uroj me gjithë shpirt e zemër, që Atdheu ynë të renditet ndër vendet më të përparauar e të zhvilluar, të bëhet një “Zvicër e dytë”,  në brigjet e deteve Adriatik e Jon.

-Faleminderit  për këtë Intervisët interesante dhe ju uroj shëndet të mirë, jetëgjatësi dhe krijimtari të begatshme e lumturi, vetjake e familjare!

Gusht, 2011



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora