E marte, 16.04.2024, 08:05 AM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Rëndësia e vlerave kulturore dhe një jetë e ‘’shkrir’’ në aktrim!

E shtune, 10.09.2011, 02:38 PM


RËNDËSIA E VLERAVE KULTURORE DHE NJË JETË E “SHKRIR” NË AKTRIM!

 

(Hasan Hasanramaj: “SHPIRTI MA DO AKTRIMIN” -intervista, shkrime e foto nga krijimtaria artistike e krijuese të aktorit, Ismet Krasniqi-Lala - botoi Klubi i Shkrimtarëve “Vorea Ujko”, Klinë-2011)

 

Nga Sejdi BERISHA

 

Të shkruash vepra kushtuar njerëzve dhe figurave publike, të cilat kanë qenë dhe janë të përkushtuara për të vënë jetën gjithnjë në lëvizje dhe për ta begatuar atë me vlera të mirëfillta shpirtërore dhe kulturore mbase edhe historike dhe arsimore, jo vetëm se është përgjegjësi por edhe është vështirë të kapësh tërë opusin krijues por edhe të punës. Është vështirë edhe t’ia qëllosh vetë dellin e tij krijues për ta shtrydhur dhe vjelë në atë mënyrë dhe masë që mesazhin dhe tërë zjarrminë shpirtërore për t’ia nxjerrë në rrëfimin e qëlluar dhe atë për ta bërë dokument të përjetshëm.

Pikërisht, duke u nisur nga e tërë kjo, këtu edhe qëndron efekti, rëndësia dhe veçantia e këtyre veprave-monografi mbase edhe antologji.

Kësaj pune i ka hyrë dhe kujtoj se i ka dalë matanë gazetari dhe publicisti, Hasan Hasanramaj, i cili, që kur ka filluar t’i botojë lajmet e para në të përditshmet tona e deri me sot, nuk pushoi por gjithnjë ishte i palodhshëm e me një energji të pashtershme, për dëshirën që sa më shumë t’u hedh dritë të gjitha rrjedhave, shumë ngjarjeve e periudhave kohore e historike nëpër të cilat ka kaluar njeriu, kombi dhe atdheu.

Duke mos lënë pa theksuar shumë shkrime në trajtë fejtonesh të H. Hasanramajt, qasja e tij shkrimeve të kësaj natyre, s’ka si të mos jetë e suksesshme dhe e rëndësishme, pra, edhe angazhimi dhe përkushtimi i tij në sajimin e kësaj vepre, në të cilën pasqyron tërë angazhimin, djersën dhe punën e një aktori, të një krijuesi, të një punëtori të devotshëm të kulturës siç është, Ismet Krasniqi.

Në këtë libër-dokument, lexuesi e hasë dhe e përjeton punën dhe veprën e Ismet Krasniqit, i cili, si duket tërë qenien ia kushtoi vlerave shpirtërore dhe kulturore dhe afirmimit të tyre jo vetëm ku jeton dhe vepron ai, por anë e kënd trojeve shqiptare. Pikërisht për këtë arsye, tërë opusin e punës së këtij artisti, lirisht mund të thuhet, universal, autori sikur e ka vendosur dhe në të njëjtën kohë e ka shkrirë në libër aq bukur, mu si veprën dhe përjetësinë e heronjve që bëhet në bronz.

Në veprën “Shpirti im ma do aktrimin” e hasim rrjedhën e punës së aktorit, figurativisht thënë, si ujin që nga burimi e deri në pafund, që ecën dëlirshim nëpër shtratin e vet, e që pastaj lumi bëhet i dashur me ujin e kthjellët, me brigjet dhe me gurgullimën e vet dhe me cicërimën e zogjve, që bashkërisht krijojnë simbiozë dhe kështu simbolizojnë jetën, por, jetën e bukur dhe të lumtur e të begatë. Andaj, edhe titulli i veprës puthitet me materialin e radhitur dhe të theksuar e sensibilizuar në libër, gjë kjo e cila, jo vetëm që reflekton rrugëtimin dhe veprën e njeriut të përkushtuar në kulturë, por nxitë dhe josh lexuesin  për të bërë komente e për të dhënë mendime si për librin, por, edhe ashtu se si duhet qasur punës për ta bërë kulturën vërtetë pjesë të jetës dhe ambasador të vlerave dhe të të arriturave të individit, të një mjedisi, rajoni dhe më gjerë.

Këtë përformansë e hasim në këtë libër, kuptohet, duke pasur për bazë mjedisin ku jeton dhe vepron I. Krasniqi, që ka një traditë të sukseseve në të gjitha segmentet e vlerave kulturore, duke u nisur nga muzika, arti skenik dhe arti pamor, komunë që ishte dhe mbetet shembulli unik se si një qytezë rurale, me aktivitetete, me vlerat dhe me profesionalizëm i ka kaluar caqet edhe të qyteteve më të mëdha e me traditë.

Por, nuk është e rastit kur thonë se, jo rrallë por shumë shpesh, njerëzit e mëdhenj dhe të devotshëm dalin nga mjediset e vogla e me zhvillim modest të jetës. Raste të tilla ka shumë e shumë, që vërtetë, nganjëherë ngacmojnë për ta studiuar këtë “fenomen” dhe për t’i dhënë vend meritor në rrugëtimin shoqëror dhe historik!

Duke i radhitur shumë intervista, shkrime, fotografi dhe faksimile gazetash e revistash, autori i kësaj vepre, në mënyrë të përgjegjshme është angazhuar dhe ka bërë përpjekje që opinionit t’ia ofrojë një pasqyrë sa më komplete, reale dhe gjithëpërfshirëse për aktorin dhe për punëtorin e mirëfilltë, Ismet Krasniqin. Kjo formë e sublimimit të punës së tij koincidon edhe me 60-vjetorin e lindjes, por, në një mënyrë edhe me rrumbullakimin e veprimtarisë së tij mbi dyzetvjeçare.

Hasan Hasanramaj, duke filluar me biografinë e aktorit, detalisht ofron të dhënat pothuaj më të hollësishme për tërë rrugëtimin e njeriut që ia do shpirti aktrimin. Përmes kësaj forme të prezantimit të biografisë së I. Krasniqit, por edhe përmes intervistave, bisedave, shkrimeve dhe fotografive, jo vetëm se kemi një pasqyrë të begatë të jetës dhe veprës, por, opinionit i ofrohen edhe shënime të tjera, të cilat drejtpërdrejtë apo edhe në forma episodike na prezantohen vlera dhe puna e begatshme kulturore në komunën e Klinës dhe më gjerë.

Autori, në këtë vepër i radhitë shumë biseda, intervista por edhe shkrime të cilat pasqyrojnë rrjedhën e punës dhe të të arriturave të njeriut i cili që nga fëmijëria i është përkushtuar aktrimit dhe kulturës. Kështu, I. Krasniqi, pas shkollës fillore të cilën e ka mbaruar me përplasje e mundime ashtu sikurse edhe të mesmen, e takojmë tani në Shtëpinë e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, ku më vonë e gjejmë edhe në cilësinë e drejtorit, por e takojmë edhe në Teatrin “Osman R. Gashi”. Pas këtij angazhimi, aktorin klinas e shohim duke ecur drejtë ngjitjeve të reja, drejtë afirmimeve të vlerave teatrore por edhe të atyre vlerave kulturore me taban burimor, siç është folklori, prej nga pason organizimi i shumë manifestimeve kulturore e më vonë edhe i festivaleve, siç është edhe festivali “I këndojmë lirisë”.

Puna e palodhshme bëhet si promotor që arritjet kulturore dhe teatrore të Klinës të prezantohen dhe të afirmohen në shumë ngjarje dhe aktivitete kulturore, në shumë festivale folklorike dhe në festivale teatrosh anë e kënd Kosovës, por edhe në Shqipëri, si në Gjirokastër, Bajram Curr, Shkodër etj.

Ambiciet për t’i zgjeruar aktivitetet edhe jashtë trojeve shqiptare, rezultojnë edhe me pjesëmarrjen e këtij aktori dhe të punëtorëve të tjerë kulturor në manifestime në Gjermani, Slloveni, në Kroaci etj.

Dua të them por edhe besoj se këtë libër e bëjnë edhe më me peshë edhe shumë të dhëna e rezultate të cilat autori i ka radhitur për I. Krasniqin, siç është pjesëmarrja e tij në shumë projekte filmike, si në filmin “Kukumi”, “Etjet e Kosovës”, “Gomarët e kufirit” dhe së fundi edhe filmi “Azem Galica”.

Duke u mbështetur në atë se siç thotë personazhi i kësaj vepre, “kultura ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve”, atë e shohim kudo por edhe në fisnikërimin e jetës me humor dhe me vlerat e kësaj fushe e cila tek ne ende është deficite.

Ismet Krasniqin, përmes kësaj vepre e hasim edhe si krijues në fushën e letërsisë. Ai deri me tash ka botuar tri vepra: “Qesh e qaj jetën tonë”, “Folklori-art i pavdekshëm”-kronikë festivalesh dhe “Lindja e luftëtarit”. Në botim i ka edhe dy vepra të tjera. Mirëpo, për veprën e I. Krasniqit nuk rrëfen vetëm autori i këtij libri por edhe shumë figura të njohura të artit skenik dhe të kulturës, si: Enver Petrovci, Kastriot Saçipi, Sylejman Lokaj, Prend Buzhala, Idriz Berisha, Fitim Domi-Mixha Ramë etj.  Ndërsa, shumë fotografi nga veprimtaria e tij, por edhe fotografitë familjare, e bëjnë më me peshë dhe kuptimplote, por edhe e fuqizojnë jetën dhe veprën e njeriut që i tëri pothuaj është i “shkrirë” në aktrim.

Dhe krejt në fund. Një vepër e tillë si kjo “Shpirti ma do aktrimin” e ka peshën specifike jo vetëm për personazhin e saj, Ismet Krasniqin, por edhe për vlerat dhe për rrugëtimin e kulturës përgjithësisht. Ndërkaq, autori, Hasan Hasanramaj, ka dëshmuar se vërtetë është këmbëngulës që vlerave të njëmendta kulturore por edhe ngjarjeve historike nëpër periudha t’u japë shpirt e përjetësi, siç ka bërë përmes shumë fejtoneve dhe shkrimeve të ngjashme që kanë zgjuar interesim tek lexuesit.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora