E merkure, 07.12.2022, 02:18 PM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Kontrabanda e sheriatit nën etiketën e të drejtave të njeriut

E shtune, 10.09.2011, 01:59 PM


Kontrabanda e sheriatit nën etiketën e të drejtave të njeriut

 

Nga Blerim Latifi

 

Shkolla nuk është institucion i prodhimit të xhematit, por i zhvillimit të mendimit kritik, i mendimit që dyshon në të “vërtetat e gatshme”. Religjioni nuk kërkon njerëz që mendojnë me kokën e tyre, në mënyrë të pavarur, por besimtarë, xhemat. E shkollat publike nuk janë për këtë punë. Përfundimisht nuk janë.

 

Rëndom debatet publike zhvillohen për t’i qartësuar çështjet apo dilemat për të cilat është i interesuar publiku. Debati i këtyre ditëve për edukatën fetare duket të mos ia ketë arritur ende këtij qëllimi elementar. Ka një mosmarrëveshje themelore në mes atyre që kërkojnë me ngulm që edukata fetare të futet në sistemin e arsimit publik të Kosovës, atyre që janë kundër kësaj dhe një pjese tjetër që nuk identifikohet me organizatat fetare, por që është pro edukatës fetare në shkolla.

 

Kjo mosmarrëveshje duhet zbërthyer duke u nisur nga dallimi i njohur në mes dy formave të mësimit fetar në shkollat publike.

 

Ky është dallimi në mes të mësuarit mbi religjionet dhe të mësuarit të religjionit.

 

Të mësuarit mbi religjionet nënkupton disa gjëra. E para: ky i mësuar bazohet mbi pranimin se ekzistojnë shumë religjione. E dyta: të gjitha këto religjione janë të barabarta dhe njohuritë mbi to duhet të merren në mënyrë të barabartë dhe neutrale. Për më tepër ky i mësuar mbi religjionet bazohet mbi faktin se gjatë historisë religjionet kanë ushtruar ndikim të madh në jetën e shoqërive, prandaj ato duhet të njihen në mënyrë që njohja jonë për shoqëritë të jetë sa më e pasur dhe më e argumentuar. Në një shoqëri liberale askush nuk do të ishte dhe nuk është kundër kësaj forme të mësuari mbi religjionet dhe kjo është kështu edhe tek ne. Kurikulumet e shkollave tona publike e reflektojnë shumë mirë këtë. Nxënësit tanë mbajnë mësim disa vjet rresht në lëndë të tilla, si historia, edukata qytetare, e pastaj më vonë edhe sociologjia e filozofia. Në të gjitha këto lëndë flitet për religjionet, për kohën dhe kontekstin e lindjes së tyre, për konceptet edhe përfytyrimet e tyre mbi Zotin dhe botën, si dhe për ndikimin e tyre në rrjedhat dhe ngjarjet e rëndësishme historike. Dikush mund të thotë se ky lloj i të mësuarit mbi religjionet është i shkapërderdhur në shumë lëndë dhe do të ishte mirë që të bashkohet në një lëndë të vetme. Kësisoj perspektivat e ndryshme teorike do të bashkoheshin në një kurikulum të vetëm.

 

Krejt kjo është në rregull, punë e thjeshtë pedagogjie, por problemi nuk është këtu. Organizatat islamike që po bëjnë zhurmë rreth kësaj çështjeje nuk po e kërkojnë këtë lloj të të mësuari. Ato po kërkojnë të mësuarit e religjionit, që për ta është vetë islami. Kërkesa e tyre bazohet mbi bindjet e tyre fundamentaliste se ka vetëm një religjion të drejtë dhe të vërtetë në këtë botë dhe ky është islami. Sipas tyre, të gjitha besimet e tjera janë të gabueshme dhe nuk duhet humbur kohë me to. Zoti është vetëm me myslimanët dhe pesë miliard njerëzit e tjerë të botës janë në rrugë të sigurt drejt ferrit, madje edhe një grua që gjithë jetën e saj e kishte kaluar duke ndihmuar të mjeruarit e kësaj bote. Si mund të kuptohet pse Nënë Tereza duhet të jetë në xhehenem, ndërsa të jenë në xhenet ata që përditë hedhin në erë njerëz të pafajshëm nëpër rrugët e Bagdadit apo Kabulit, duke shpresuar se në botën tjetër si shpërblim do të marrin pesë, gjashtë apo më shumë virgjëresha? Zotërinj fundamentalistë, ky nuk është moral hyjnor, ky është moral i kodoshëve, moral i haremit.

 

Por të kthehemi tek kërkesa në fjalë. Ajo është formuluar si “kërkesë për futjen e mësim-besimit”. Bartësit e saj po kërkojnë t’u mësohet fëmijëve besimi religjioz, në kontekstin aktual besimi islam. Çka do të thotë kjo? Në shkollat publike të Kosovës të mësohet Sheriati dhe krejt këtë e bëjnë duke manipuluar me terma të tillë si “të drejtat e njeriut”, “standardet evropiane”, duke fyer kështu intelektin e kësaj shoqërie. E them fyerje të intelektit, sepse nuk duhen shumë njohuri për të ditur se Sheriati dhe Të Drejtat e Njeriut janë dy kode morale dhe juridike që e përjashtojnë njëra- tjetrën. Nuk mund ta kontrabandosh sheriatin nën etiketën e të drejtave të njeriut. Të marrim vetëm një shembull të thjeshtë: lirinë e besimit. Në konceptin e të Drejtave të Njeriut liria e besimit ka dy anë, është një e drejtë e dyfishtë, sepse kjo liri nënkupton si të drejtën për të besuar, ashtu edhe të drejtën për të qenë ateist, apo indiferent në punët e religjionit. Sheriati nuk e njeh konceptin e lirisë së besimit, dhe rrjedhimisht as të drejtën për të mos besuar. Në Sheriat ateizmi është krim, ashtu siç ka qenë edhe në Evropën e inkuizicionit mesjetar të kishës së krishterë.  Nuk mund ta kontrabandosh sheriatin nën etiketën e shërbimit social ndaj të rinjve të prekur nga dukuritë e drogës e alkoolit. Nuk ka argumente se feja ofron zgjidhje për këto probleme. Po të ishte ashtu nuk do të kishte nevojë që në disa vende arabe ku islami është i fuqishëm shtetet të përdorin të ashtuquajturën “polici morale”, e cila me vetë faktin se ekziston tregon se në ato vende shkelen masivisht rregullat e moralit fetar.

 

Duke dashur të fusin në shkollat publike “mësim-besimin islam” këto organizata islamike bien në kundërshtim me parimin themelor të shkollës dhe universitetit modern, e ky parim thotë se shkolla nuk është institucion i prodhimit të xhematit, por i zhvillimit të mendimit kritik, i mendimit që dyshon në të “vërtetat e gatshme”. Religjioni nuk kërkon njerëz që mendojnë me kokën e tyre, në mënyrë të pavarur, por besimtarë, xhemat. E shkollat publike nuk janë për këtë punë. Përfundimisht nuk janë.

 

(Autori është mësimdhënës i filozofisë politike në UP. Pikëpamjet e shprehura në shkrim janë krejtësisht individuale dhe nuk reflektojnë asnjë qëndrim institucional)



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora