Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Skënder R. Hoxha: Fitonimia dhe zoonimia e Dushkajës (III)

| E enjte, 08.09.2011, 07:08 PM |


FITONIMIA DHE ZOONIMIA E DUSHKAJËS

 

Nga Prof. Skënder R. HOXHA

 

F

 

Fiq/i (ficus). - Emrin e pemës frutore (zakonisht bregdetare dhe e vendeve të nxehta) fik –u, këtu fiq –i, e kemi gjetur në një mikrotop. të Rashkocit të Dushkajës: Roga Fiqit (v.), /Në këtë lëndinë gjendet një Fiq – lloj peme, e mbase dikur ka pasur më shumë (?), ndaj edhe i mbeti ky emri kësaj lëndine./. Na thotë mendja se është fjala këtu për ndonjë fik të egër, apo lloj fiku që iu ka përshtatur klimës së këtushme, sepse është rast i vetëm në Dushkajë. Në të gjithë fjalorët që kemi konsultuar fjalën e kemi gjetur në trajtën fik –u. Bashkimi 109, Fik, u, vm. shum. fic, t. Fico.; Kristoforidhi (103), fik –u sh. Fiq –të, …, (lat. ficus); Fj. Shq. – Serbokr. fik, ~u m. pl. bot. smokva.; Gjerësisht e ka FGJSSH – Fi/k, ~ku m. sh. ~q, ~qtë. 1. Pemë frutore me kurorë të gjerë e të dendur, me lëvore ngjyrë hiri, me gjethe të mëdha e si këmbët e patës, që rritet në vende të ngrohta dhe bën kokrra në trajtën e një dardhe, me tl të ëmbël e plot fara të vogla; kokrra e kësaj peme. Fik i zi (i bardhë). Fik bishtak (bishtgjatë, qafëgjatë)., … Fik i egër. Dru (gjethe fiku). Varg fiqsh. Reçel (marmelatë) fiku. … Një shportë me fiq. Mbledh fiqtë, etj…. 2. Përdoret si pjesë e dytë e emërtimeve të pathjeshta, të cilat shënojnë insektin që dëmton kokrrat, gjethet ose lëvoren e kësaj peme. Biruesi i fikut. Breshka e fikut. … Tenja e fikut.26)  Në mikrotop. Roga Fiqit fjala fiq, pjesë e dytë e këtij emërtimi, është ngurosur në trajtën e shumësit të përdorur si njëjës, si pasojë e korrespondimit  a të asimilimit k : q, sepse fiqi  p

ërdoret për njëjës, e fiq –a, ~at, përdoret për shumës.

 

Frash/ën, ~ri (Frashni) (Fraxinus). -

Se është i përhapur druri i Frashër-it në Dushkajë dëshmohet edhe nga një numër top. e mikrotop. të sajuara mbi bazë të emrit të tij. Të kësaj rrjedhoje kemi shënuar: Arat e Frashnit (l.), Livadhet e Frashnës (l.), Frashni Moçëm (l.) – Frashër – lis i moçëm Frashëri (Frashni), ku sipas tij kishin marrë emrin edhe disa mikrotoponime të këtushme, si: Arat e Frashnit, Livadhi Frashnit, - sipas drurit të Frashërit, - (Bardhaniq.); Arat e Frashnit (vl.- Bërdesanë.); Frashnat e Suk’s (j. - Gërgoc.), - Mal ku mbizotëron druri i quajtur  f r a s h ë r,-i, afër Sukës./; Arat e Frashnit (p.), - Sipas bimës drunore F r a s h ë r, që kishte aty./, si dhe Livadhet e Frashnit (v.- Kralan.); Livadhi Frashnit (j. - Rakoc.); Ara Frashnit ( j. - Rakovinë). Në emërtime toponimike të Dushkajës është trajta e gegërishtes frash/ën, ~ni, frashnat etj. Fitonimi freshën emërton drurin Fraxinus. Është me variantin frashër, i mbarë shqipes. Rrjedh nga lat. Fraxinus. Edhe Sejdiu (FSHK, 213) kishte konstatuar se fitonimi freshën, për shkak të jetës shumë të gjatë të drurit që e emërton, është shumë produktiv, sidomos në mikrotoponimi. Është fjala për një lloj druri që nuk rritet shumë, dallohet për cilësinë e tij për të punuar vegla të ndryshme si dhe për djegie.Me këtë kuptim e kanë edhe fjalorët. Bashkimi 114, Frashen, i, vm. shum. frashna, t e frashnaié-t. Frassino, (albero); Te Kristoforidhi 107, frashën –i (g.) sh. frashëna –të edhe frashër –i (t.) sh. frashëra –të. Serbokr. jasen, shih frash/ër, ~ri  m. pl. ~ra bot. jasen, pastaj trajtat frashërore, frashnj/e, frashnjet, për mal me frashna (Fj. Shq. – Serbokr., 305.); FGJSSH (f. 501) FRASH/ËR, ~RI m. sh. ~RA, ~RAT bot. Dru ose shkurre pylli me gjethe të gjata e të dhëmbëzuara dhe me degë të trasha, që e ka lëndën e bardhë, të fortë e pa nyja dhe përdoret për të bërë vegla të ndryshme ose për zjarr. Frashër i bardhë (i zi). Frashër mali (fushe). Sfurk (heshtë) frashri. Si dhe Frashërishtë për Pyll me frashër, Frashnajë, (i, e) Frashërt etj. Mbi këtë bazë edhe emri i katundit Frashër. Për punë etimologjie na duket se frashëri (frashni) ka etimon të përafërt me lat. fraxinus e greq. ?????? ????.

 

G

 

Gllë/ni:

Në Dushkajë nuk është i përhapur ky lloj druri që e quajnë gllë, -ni. Megjithatë, në qendër të katundit Gërgoc është një gllë i moçëm, sipas të cilit edhe vendi aty përreth e mori emrin Te Gllëni (qendër – Gërg.); Ndërsa në Kralan kemi gjetur mikrotop. Ledina Gllënit (p.), /Në mes të kësaj lëndine është një  g l l ë – lloj druri gjethembajtës, sipas të cilit e mori emrin./. Është fjala për një lloj druri të familjes së pishës, dru pylli, borigë, me kurorë si ombrellë e me boça të mëdha, që e ka lëkurën me plasa të gjata. Fjalorët e kanë me –dh- në vend të –ll-së, që mund të ndërrim i natyrshëm, lokal, apo pasojë e ndikimit të administratës së gjuhëve sllave që iu mungon tingulli -dh. Shih për këtë, fenomenin e ndërrimit ll : dh e hasim edhe në disa të folme locale dhe në disa fjalë, si: didhi (për dielli), midhi (për mielli) etj. Në këtë trajtë del se është fjalë e vjetër. Kristoforidhi (113) e kishte gjetur edhe te Bogdani: gdhe –ni, si dhe gdhë –ri (në Berat e Përmet), ku e krahason edhe me nyell –i. Te Bashkimi është Gdhêe, gdhêni, vm. shum. gdhêi, t. Pino, albero. Serbokr. crni bor, për gdhê, ~ni  m. sh. ~nj  bot. (borigë, çetinë), (Pinus). Si krahinarizëm e shpjegon FGJSSH (541): Gdhe, ~ri  m. sh. ~nj, ~njtë  bot. Pishë e zezë, borigë. Dërrasë gdheri. Ndërsa në përdorim lokal, aty: Nër hije t’gllënit. Boçat e gllënit.

 

Gllî –ja:

Në Dushkajë i thonë gllî një bime drunore, shkurre, me gjethe halore gjithnjë të blerta. Bën korrra të vogla, zakonisht me ngjyrë të zezë, të kuqërremtë ose blu të errët dhe me erë të mirë. Kokrrat e saj përdoren në industrinë farmaceutike. Me këtë kuptim, gjithandej, në kuadër të riteve pagane të “Natës së verës”, bëjnë grumbuj gllîjash (dëllinjash), i ndezin dhe kapërcejnë mbi flakën dhe tymin e tyre, me bindjen se kjo është e shëndetshme.Ështe e përhapur në tërë territorin e Dushkajës, nëpër male, kodrina të zhveshura, buzë rrugëve malore etj., por në toponimi e kemi gjetur në Rakoc: Podi Gllîjave (p.). – Ngase në këtë kodër kishte dëllinja (gllîja); Ledina Podit Gllîjave (p.). – Sipas dëllinjave (gllijave), lloj shkurre, që kishte aty; Mali Podit Gllîjave (p.). – Sipas dëllijave (gllijave) që kishte; si dhe Rruga Podit Gllîjave (p.). – Sipas dëllinjave (gllijave) që kishte përbri kësaj rruge të Rakocit. Fjalorët e kanë dëllinj/ë, ~a. Kristoforidhi (79) dëllenjë –a, dëllinjë –a, edhe dullinjë –a = ?????V.;  fjalën gllî të ngurosur si pjesë e dytë apo e tretë e emërtimeve toponimke që kemi në shqyrtim, krahasuar me fjalorët, kemi ndërrimin fonetik d : g në pozicion nistor të fjalës. Varianti gllî që përdoret gjithandej në krahinën e Dushkajës, mund të ketë rrjedhim nga  dëllinjë,  nëpërmjet një *dëllinjë me një alternim , ndoshta nën ndikimin e sllav. iglla, të mëvonshëm d:g. (?).

Bashkimi 90 e ka Dllîi, a, mâa mire dullîi, vf. shum. dllîja, t. Ginepro, (albero). E ka shqyrtuar Çabej: dëllinjë, dullinjë f. “Juniperus”. Për këtë fjalë G. Meyeri 65 mendonte si burim një lat. Cedrulanea * cedrulina, prej cedrus, bazë e supozuar, për të cilën nuk ka asnjë mbështesë në gjuhët romane. Jokli e Vasmeri, pavarësisht nga njëri-tjetri shohin këtu një fjalë vendi të shqipes; e afrojnë me lit. d?lis “kem, për të dëbuar bletët”, lat. Fuligo “blozë”, gr. ???? “kem”, pers. E re d?d “tym” etj., për punë të përdorimit të këtij druri për të tymuar. Baza e fjalës shqipe * dhulinio (neutër) ose * dhulini? (femërore)… Fjalë e gjuhës mbarë, që del qe të Buzuku, …, e gjemba n dëllinë, qi të ketë gjethtë e shpeshta “et ramos ligni densarum frondium”. Etimologjia më sipër është formalisht e kuptimishte e kënaqshme… (Çabej, I, 121.).

Në Dushkajë, gllîja (gllîjat), përdoren për të thurur gardhe, për të mbuluar gardhe rreth oborresh, rrallë për zjarr, por përdoret edhe për të tymosur mishin kur e terin dhe specialitete të tjera nga mishi, etj.

 

K

 

Krekc/ë –a. - Në trajtat krekcë dhe në ndonjë shqiptim të rrallë kreckë, në Dushkajë emërtohet një lloj druri, i cili nuk rritet shumë, e përdoret për të mbaruar prej tij vegla muzikore, dekorime nga druri etj., si dhe më pak për djegie. E kemi gjetur të ketë lënë gjurmë në toponimi: Krekci Dinopoj’s (vl.), /Është një krekcë (lloj druri) e vjetër afër top. Rruga Dinopoj’s, ndaj edhe është quajtur kështu./, (Bec); Te Krekca ( p. – Shqiponjë); Lugi Krekc’s (v.), si dhe Mali Lugit Krekc’s (v.), top. që gjallojnë në Rashkoc.; - Kroni Krekcit (j. - Rakoc); Ndërkaq, me ndërrim vendesh të tingujve -k:-c (Krekcë – kreckë) e kemi shënuar në Maznik, si: Lugi Kreck’s (vp.) e Kroni Lugit Kreck’s (vp.).

Bashkimi 206, Krekxe e krektse, a, vf. shum.  krekxa e krektsa, t. Specie di acero, (albero). Duket se fjala me rrugë historike pësoi ndryshime fonetike, por rrënja mbeti e njëjtë. Krekë e Krekëz e kanë fjalorët, për “dru i vendeve të ngrohta, i ngjashëm me panjën, me lëvore të lëmuar në ngjyrë të kuqërreme…”. Serbokr. javor, bot. panjë –a f. (Acer), panjë e bardhë, krekcë e egër…, familja e panjave (Aceraceae). Sejdiu, Fshk., 226, për këtë lloj druri thotë: krekc dhe krekëz janë trajtat më të përhapura shqipe që emërtojnë drurin Acer campestre. FGJSH 239 jep trajtën krekë, kurse Gazulli 216 për Acer pseudoplatanus jep krekëc e egër si dhe shprehjet krekcar  “mendjemath, fr. prétentieux; gonflé”, krekacuer  “njeri gaz-idhët, ironic, fr. ironique”, krekcoj “dlirë, krasis, fr. tailler, émonder”, krekëz: qysh po këcen krekëz “qysh po idhnohet shpejt, fr. pourquoi il se fâche si vite”.

 

Kshtâj/ë, ~a (Gështenj/ë, ~a). - Bima drunore frutore gështenja (Kshtâja) në Dushkajë tash është shumë e rrallë. Është pemë që rritet në male bjeshkore. Mbase ka pasur dikur në krahun verior të territorit të katundit Rakoc, meqë ka lënë gjurmë në toponimi. Këtu patëm shënuar: Lugi Kshtaj’s (v.) – Emri i këtij lugu ishte sajuar sipas rrethanës se aty dikur kishte pasur gështenja. (këtu: kshtâja); Mali Lugit Kshtaj’s (v.), Rruga  Lugit Kshtaj’s (v.) – Kjo rrugë binte nëpër Lug të Kshtaj’s, ndaj quhej kështu. Në emërtime toponimike të Dushkajës është ngurosur trajta kshtâj/ë, ~a, ~at. Kështu është edhe sot në të folme të kësaj krahine. Edhe Bashkimi e ka Kshtêie e kështêie, a, vf. shum. Kshtêia, t. Castagno e castagna. Ndërsa te Kristoforidhi është gështenjë –a (g.) sh. gështenja –të  ef. = ????????, edhe kështenjë –a. Në serbokr. kesten (Castanea sativa) për drvo i plod – gështenj/ë, ~a  f. pl. ~a  bot.; gështenjisht/ë, ~a  kestenik etj. Ndryshimet fonetike që ka pësuar fjala: ndërrimi i k-së në g-, a > e > ë, janë si reflekse për të dëshmuar për një huazim nga latinishtja Castanea dhe se shqipja duket se e ka përvetësuar herët. E ka Sejdiu (Fshk., 227): Pemën Castanea sativa në Kosovë e quajnë k’shtâjë, gishtâjë por edhe kështênjë. Që nga Bardhi 10 deri te fjaklorët më të vonshëm gjejmë ndonjërën nga variantet e fitonimit gështenjë: ches tegne (Bardhi 10), gështenjë dhe kështenjë (Kristoforidhi 158), kështenjë (Giordano 191) etj. Ndërkaq, G. Meyeri (136, 191; 137, 1045), I. Popovi?i (166, 220), Miaescu (139, 14) dhe E. Çabej (43, 60) këtë fitonim (dhe variantet) të shqipes e nxjerrin nga lat. CASTANEA. Në FGJSSH (f. 552): gështenj/ë, ~a  f.  sh.~a, ~at. 1. bot. Dru i viseve malore, me trung të madh e me gjethe si heshtë, që bën fryte në trajtë kokrrash të vogla, të veshura me një lëkurë të ndritshme ngjyrëkafe e me një shark me gjemba; fryti i kësaj peme, i cili hahet. Gështenjë e butë. Gështenja të ziera (të pjekura).  Dru gështenje. Pyll gështenjash. Thelbi i gështenjës. etj. …, si dhe formimet toponimike që dalin sipas saj, si: gështenjishtë, gështenjore (për vend me gështenja). Pothuaj në të gjitha rastet me sonorizim të n-së nistore. Në dushkajë: kshtâjë, pastaj nga ana semantike  përdoret edhe Lang kshtâje, (për kafe të hollë apo për ndonjë gjellë të ligë, etj.).

 

Kumull –a, (kumlla). -

Me emrin e bimës drunore frutore, kumbull (Prunus), në Dushkajë kemi gjetur disa emërtime toponimike. Ara Kumllës (jl.– Bërdesanë.); Lugi Kumllave (j. - Kralan.); Lugi Kumllav’ (l. - Marmull); Livadhi Kumllave (j. - Rakoc). Është, jo vetëm në toponimi por edhe në të folme të kësaj krahine me –m- që ka dhënë grupi bashkëtingëllor –mb-, sikundër që është edhe në shumë fjalë të tjera, në fillim apo në trup të fjalës, si te: marë (mbarë), e mrama ( e mbrama), kumara (kumbara), mreti (mbreti), mesa (mbesa), themra (thembra), rrumullake (rrumbullake) etj. Gjithandej ka disa lloje kumbullash: Kumbulla verore. Kumbulla vjeshtore. Kumbulla bardake etj. Përdoret për t’u ngrënë si pemë e freskët, pastaj për hoshaf, për raki, për reçelna e konservime të tjera. Reçel kumllash, pekmez i kumllave. Ashaf (hoshaf) kumllash. Raki kumlle. Për koshtin a terrenin me këtë pemë thonë Bahçe kumllash.

Kumbull, ~a, f. sh. ~a, ~at, e kanë fjalorët e gjuhës shqipe, për “Pemë që rritet zakonisht deri në pesë – gjashtë metra, me gjethe vezake e pak të dhëmbëzuara, që çel lule të bardha dhe bën kokrra të rrumbullakëta a gjatore me tul në ngjyrë të gjelbër, të verdhë, të kuqe etj.; kokrrat e kësaj peme që kanë një shije të ëmbël ose të athët…” Në të folmen bisedore dhe figurativisht, në Dushkajë,  përdoret edhe për vajzë a grua të re: Âsht si kumull. Mashalla, ish si kumlla. (me kuptim se është e shëndetshme dhe e bukur; Për atë që harxhon mallin a paratë thonë: I bâni rrush e kumlla. Serbokr. šljiva. Te Bashkimi 216 Kumull, e kumlla, vf. shum: kumulla e kumlla, t. Prugno, susino, (albero e fruto).; Kumbullë –a  sh. kumbulla –të ef. ??. = ??????????, e ka Kristoforidhi 172. Me prejardhjen e fjalës kumbull u morën shumë linguistë, albanologë e etimologë të shquar, si: Meyeri, Schushardti, Manni, Tagliavini etj., kush prej të cilëve e bjen nga gjuhë të tjera e kush e nxjerr si fjalë vendi. G. Meyeri (136, 213) përmend se edhe Schuchardti ësgtë përpjekur ta nxjerrë fitonimin kumbull nga një *COLUMBULA e latinishtes, etimologji, më vonë, e pranuar edhe nga Meyer-L?bke (138, 2065) dhe Tagliavini (194, 163), por edhe vetë Meyer- L?bke shton se ky fitonim i shqipes mund të rrjedhë edhe nga greqishtja. La Piana burimin e kësaj fjale shqipe nuk e kërkon as të latinishtes, as në greqishte, porn ë vetë shqipen nga një KOKKUMOLA “mollë e kuqe, fr. pomme rouge”, kurse trajtën e gr. së vj. ?????????? ky gjuhëtar e konsideron të gurrës shqipe. Sejdiu (Fshk., 229), kishte parapëlqyer se E. Çabej (58, 83; 51, 31; 45, 67), me të drejtë nuk e pranon as etimologjinë e Schuchard-it, as etimologjinë, edhe më të guximshme, të La Pian-ës, për fitonimin kumbull  të shqipes. Pas shqyrtimeve, profesor Çabej (St. gj. I, 297), thotë: Fjalë e mbarë gjuhës, te Bardhi Prunus Kumbullë. Në Kosovë shënon vetëm kumbullën e kuqe. Duke e shikuar çështjen e burimit gjuhësor në pamjen e historisë kulturore, në lidhje me ndikimin e madh të greq. së vjetër mbi shqipen në fushën e kulturës së bimëve e të pemëve, nuk mbetet dyshim se kumbull është gr. e vjetër ?????????? me trajtën dorike (veriperëndimore) kokkúmalon. Ndërkaq, për tingullin –b- Çabej thotë se “u zhvillua si tingull homorganik pas m-së brenda shqipes. (…) Në këtë mënyrë geg. e sotme kumëll me m të thjeshtë është një formë regresive.”

 

L

 

Lejthi (Lajthi). -Pothuaj nuk ka mal në Dushkajë që të mos ketë sadopak lajthi. Ka edhe nëpër mezhde të arave e livadheve. D.m.th. ka një përhapje relative. Në shqiptim vendor është Lejthi, siç e kemi gjetur edhe në toponimi: Kodra e Lejthisë Trashë (vl.), Lugi Lejthisë Trashë (vl.), e Lugi Gryk’s Lejthijave (l.), i shënuam në Gërgoc. Ndërkaq, nuk jemi të sigurt se mikrotop. Lugi Lishkocit ( p.), që gjallon në territor të Rakovinës,  të jetë i sajuar, mbase, sikurse në Cërmjan që fjalën L i s h k o c  e lidhin me fj. sll. l e š n i k “lajthi” (Corylus avellana) /. Edhe në Rakovinë dëgjohet trajta l e s h k o c. Në të dyja trajtat unë shoh fjalën  l e s h  të shqipes, por aty e lidhin edhe me rrethanën se aty ka lajthi, ndaj edhe e kemi futur në këtë lagje emërtimesh. Laithii, a, shif edhè: léithii (Bashkimi 223).;  lajthi –a sh. lajthi –të ef. = ???????????, (Kristoforidhi 177).; E ka FGJSSH 939 LAJTHI, ~A f. sh.~, ~TË, bot. për “Dru a shkurre e vendeve malore me klimë të butë ose të vendve të ngrohta e me lgështi, me degë të holla e të lakueshme, me gjethe si zemër, të gjera e me dhëmbëza anash, që bën kokrra të vogla me guaskë të fortë; kokrrat e kësaj bime, që kanë brenda një thelb të rrumbullakët e pak të zgjatur, i cili hahet. Lajthi e butë. Lajthi e egër. Lajthi të pjekura (të qëruara). Pyll me lajthi…, LAJTHISHT/Ë, ~A, ~, ~AT. Pyll me lajthi; vend i mbjellë me lajthi”. Sipas Sejdiut (FSHK, 232, 233) Corylus avellana  në mbarë shqipen quhet lejthi, përkatësisht lajthi, kurse Corylus colurna në Kosovë quhet lejthi e egër, lejthi arushe.

Në toponimi të Dushkajës lejthi, dëgjohet edhe lajthi – në të folme. Çabej I, 306 e ka shqyrtuar dhe e ka lajth, lejthi, lethi f. “Corylus avellana”; lajthishtë lejthishtë f. “pyll, me lajthi”; Gazulli lejthizë f. “lejthi”; lajthi e egër “Corylus colurna, C. arborescens”; Mitrushi 337; lule lejthîçe pas Gazullit “primula”. G. Meyeri 234, duke menduar për lajthi një formë më të vjetër lakth e për këtë një bazë *laks-i, e afron me sllav.  e vj. kishtare leska “lajthi”, lit. lazdà “shkop; lajthi” prus. E vj.  laxde let. Lagzda “lajthi”. (…) Fjalë e mbarë gjuhës, del që te Buzuku (LIV/2, Danieli 13,54): E aj i tha: Përndenë një lajthi “Qui ait: sub schino”, me përkthim të pasaktë. (…) Pas analizash krahasimtare Çabej përfundon se “Forma lakthi është një zgjerim me –i i fjalës lakth m. “syth i rjetës; litar për të mbajtur barrën e druve në samar; lasso; dell i Akilit; cartilago thyreoida”, po ashtu siç është ardhi hardhi një zgjerim i urth urdh-it. Lajthia pra e ka emrin nga lak “gjalmë, litar; dredhë prej lëkure për opinga; hark i lahutës, të lakuarit” pl. leqet (e këmbës); ep lak druja “përkulet”, lakoj “kthej në trajtë të harkut”. Dihet se druri i lajthisë është i lakueshëm dhe se arqitat e përkulshme të saj shërbejnë për të thurur shporta e për rrathë kadesh, sh. edhe Mitrushin 339. Guturali k para spirantit th o z kthehet diku-diku në spirantin j, nëpërmes të shkallës q; khs. Bark: baqth bajth “fundi i barkut” (G. Meyer 27), pakëz në Dibër pajzë. Kështu lajthi, duke i përkitur lak-ut, nuk ka lidhje me fjalët baltike e sllave ku e kanë venduar”. Në tërë krahinën e Dushkajës e hasim fjalën lak-u (i), që emërton një lloj litari për të lidhur kafshët (lopët, vjetat…): “Laku i lop’s, laku(i) i viçit”; Thuprat e lajthisë i përdorin për të lidhur duajt e drithërave: misrit, grurit, thekrës, elbit etj., sepse janë të buta, të lakueshme e të qëndrueshme.

 

 

Lis -i . -Nëpër male të Dushkajës ka edhe drunj të gjatë e të trashë të cilët i quajnë lis-a . Lisi mund të jetë i llojit të drurit qarr, bung, mllak, ah, verr etj., që përdoren për ndërtimtari dhe për djegie: Lis qarri. Lis Bungi(u), Lis ahi(u). Mal me lisa…Nuk i thonë lis trupave të pemëve sado të mëdhenj të jenë. Duke u veçuar për disa karakteristika, lisi është ngulitur edhe në emërtime toponimike, duke qenë edhe si pjesë kryesore e sajuese e disa mikrotp. Të kësaj rrjedhoje në Dushkajë kemi shënuar: Lisat e Avdylit (j.), Rruga Kah Lisat e Avdylit (j.), (Bec); Lisi Drenve (vp. - Bërdesanë.); Lisi Binak (v.), Mali Lisit Binak (v.), e Lisi Kive (p.), - E qujanë kështu këtë mikrotop. ngase dikur kishte qenë një lis, e afër tij, në lëndinë, ndaleshin njerëzit që vinin me qerre të qeve (kieve) të ngarkuar me dru, që i merrnin nëpër male të Dushkajës, - (Dashinoc.); Lisat Binak (v.) – /Kanë qenë dy lisa binakë, ndaj quhet kështu./. (Janosh.); Arat e Lisit (v.),  Lisat e Vorreve (vp.), Lisi Gatë (j.), si dhe Lisi Rrustemit (p. - Kralan.); Lisi Gatë (v. - Maznik.); Lisi Mllakit (l.) - Lis i moçëm (i llojit mllak), në mahallë të hajdarve./, e Lisi Zallin’s (p.) - /Lis i moçëm (vidh – lloj druri) në Zallina./, -(Palabardh); Lisi Xhamisë. – Ishte lis i moçëm në oborr të xhamisë së fshatit Radoniq, e Livadhet e Lisave t’Kajush’s (jl.). – Thuhet se në lisat afër këtyre livadheve rrinin lejlekët (kajushat), ku nga kjo rrethanë iu kishte mbetur emri.(Radoniq.); Lisi n’Kodra (l.), e Lisat e Vorreve (jl. - në Rakoc); - Lisat e Baballakit (p.), Lisat e Zabelit (jp.), -  Iu thonë kështu lisave, që janë shumë të moçëm, në Zabel të Gojanit. Këtu ruhet kulti për ta dhe nuk marrin asnjë dru për djegie, por i përdorin për arkivole, eventualisht edhe për ndonjë vig a urë që është me interes të përgjithshëm., Lisi Ram’ Kamerit ( p. – Shqiponjë); Edhe pse, nga vjetërsia, lisi është zhdukur, vendi ende mban këtë emër.; Lisat e Vorrev’ t’Llugaxhisë (j.) - Janë lisa të moçëm, të mëdhenj, që shtrihen në një sipërfaqe bukur të madhe, në mes të territorit të Llugaxhisë dhe Shqiponjës. Aty janë Vorret e Llugaxhisë.;  Ndërsa në Rashkoc gjetëm mikrotop. Lisi Binak (l.), - Janë tre lisa të mëdhenj e të vjetër, në një trung, ndaj e quajnë kështu, e Rruga e Lisit Binak (l.). Për kah kuptimi ngjashëm e kanë edhe fjalorët: Kristoforidhi 187, lis -i  sh. lisa –të = 1. nji farë druni i egër që ndahet në tri farë: …, a) lis qarr, b) lis i butë, c) lis shparr, … ; Bashkimi 233 Lis, i, vm. shum. lisa, t. e lisnaié, t. Albero, quercia.; Serbokr. lis, ~i , bot. dub, hrast.; LIS, ~i m. sh. ~A, ~AT, e ka FGJSSH 1007, për 1. bot. Dru pylli i lartë, me gjethe e dhëmbëza anash, që lidh lende dhe që përdoret si lëndë ndërtimi e për zjarr.; dushk. Lis i bardhë qarri. Lis i butë bungëbuta. Lis bujk bulgri… 2. dru li lartë. Pyje me lisa të dendur… Në Dushkajë përdoret edhe për një femër a mashkull të gjatë: Ish bâ sa ‘i lis me rrema. E kishin marrë nusen sa ni lis.

 

M

 

Mllak – i, -u. -

Një lloj druri me lëvore të hollë, si gjyrë hiri e të lëmuar, me fletë të ngjashme me ato të qarrit e të bungut, në Dushkajë e quajnë Mllak-i (-u). Meqë është mjaft i përhapur në mallet e këtij krahu, kemi gjetur të ketë lënë gjurmë edhe në toponimi.

Ledina Mllak’s ( jp.- Shqiponjë ). - Kjo lëndinë është afer top. që quhet Te Mllaka, aty ku ndahet territori i Shqiponjës me atë të Zhabelit, në këtë krah. M l l a k~u = lloj druri i përhapur në male të këtushme.; Livadhi Mllakit (p. - Janosh.); Mllakishta (j.- Maznik.); Mllakishtë (vp.) – (livadhe...), e Mllakishta (vp.) - Dikur mal me mllaka – mllakishtë./, - (Palabardh.); Në Zhabel kemi shënuar: Arat e Mllak’s (l.), Kodra Mllak’s (l.), Kroni Mllak’s (l.), Ledina Mllak’s (l.), Livadhi Mllak’s (l.), Rruga Mllak’s (l.), si dhe Nalloga Mllak’s (l.), që formojnë një kompleks emërtimesh që kanë për bazë emrin e drurit mllak. Fjalën nuk e kanë fjalorët as nuk e kemi gjetur ta ketë shqyrtuar Çabej, kështu që puna e etimologjisë mbetet e errët.

 

Moll/ë, ~a (Malus). -

Një numër emërtimesh toponimike në Dushkajë kemi gjetur të jenë sajuar sipas emrit të bimës drunore frutore mollë. Ara Moll’s (j. - Bec); Kodra Mollav’ ( jp.),

Rruga Kodrës Mollav ( j. – Shqiponjë); Ara Moll’s (j.), e prapë  Ara Moll’s (v.), Kodra Mollave (vp.- Kralan.); Molla Shëngjergjit (vp. - Meqe) - Mikrotop. ku takohen territoret e Meqes e të Cërmjanit, në këtë krah. Mbase do të ketë qenë ndonjë mollë që e kanë quajtur Molla e Shëngjergjit (?).; Ara Moll’s (p. - Rashkoc.); Bahçja Mollave (v. - Sapot); Livadhi Moll’s (j. - Zhdrellë). Fjalën e ka Bashkimi 273, Molle, a, vf. shum. molla-t. Pomo (albero e frutto); ndërsa Kristoforidhi 217 : mollë –a sh. mollë –të ef. = ??? ? ? (druri dhe pema)…; Serbokr. jabuka  f. moll/ë –a (Pirus malus). Duke u marrë me shqyrtimin e fjalës, Sejdiu (FSHK,243), thotë: Fjala mollë është e mbarë shqipes dhe emërton pemën Malus. Kjo pemë kultivohet shumë në Kosovë, sidomos në Rrafshin e Dukagjinit. (…) Çështja e etimologjisë së këtij fitonimi ende nuk është zgjidhur, edhe pse shumë dijetarë e patën në shqyrtim, ndër të cilët G. Meyeri (136, 235), C. Tagliavini (194, 195), të cilët fjalën mollë të shqipes e nxjerrin nga latinishtja MELUM dhe Jokli , Bari?i (17, 149), E. Çabej (45, 67 – 68; 51, 31, të cilët mollë e konsiderojnë të huazuar nga ????? e gr. të vjetër. Mendimi se mollë rrjedh nga gr. e vj. ????? na duket më i arsyeshëm, sepse të parër tanë – ilirët, kanë rënë në kontakt me grekët që nga kohët më të lashta dhe, sikur të kishin pasur nevojë ta huazonin këtë fjalë, do ta huazonin nga ata që gjeografikisht i kanë pasur më afër, pra nga grekët. Mirëpo, nuk mund të hidhet poshtë  aq lehtë as mendimi i  A. Carnou (35, 174) për burimin paraindoevropian të ????? të greqishtes, si dhe dyshimi që pat shprehur E. Çabej (51, 31) se mollë e shqipes mund të jetë element i substratit mediteran.

Për vendbanimin Molla villa Ermanno Armao thotë “Jam i mendimit se ky vend mund të jetë Molla Shoshit, një grup prej pak shtëpish në mes pyjeve, 700 metra lart, përballë vendbanimit të Shoshit dhe në bregun e kundërt të lumit Shala.”27)

Në Dushkajë ka disa lloje të molleve. Ka mollë verore,  mollë vjeshtore, mollë gjyle, mollë vizejke, mollë lalçe, mollë kulaçe, mollë bosne, mollë shërbetke, molla të egra etj.. Përdoren për ngrënie, të freskëta, por edhe për reçelna etj. Shpjegohet në FGJSSH (1162) MÓLL/Ë, ~A  f. sh. ~Ë ~ËT. 1. Dru frutor me trung jo shumë të lartë, me gjethe pothuaj të rrumbullakëta dhe me lule të mëdha e të bardha, që bën kokrra të rrumbullakëta e të tulta; kokrra e kësaj peme. Mollë të ëmbla (të tharta, sheqere). Mollë të kuqe (të verdha). (…) Një kokërr mollë. Reçel molle. Lëng molle.

 

Murriz –i. - Kemi gjetur një toponim në Doblibare që është sajuar sipas emrit të një shkurreje, murriz -it (Crataegus). Ara Murrizit (vl.), quhet një arë sepse në mezhda të saj ka murriza. Kristoforidhi 222, Murris –zi sh. murriza –të  = ????????.; Murrix, i, vm. shum. murrixa, t. Tribolo, specie di arboscello spinoso, e ka Bashkimi 282. Serbokr. glög, glóga = driz –a, murriz –i.  Në FGJSSH (1186), Murriz ~i, ..., bot. Shkurre e egër me shumë degë e me gjemba, me gjethe të vogla me majë të mprehtë dhe me lule të bardha, që bën kokrra të kuqe me lëng, të cilat mund të hahen ose të përdoren në; kokrrat e kësaj shkurrehe. Murrizi i kuq ushinth. Kokrrat e murrizit. Lule murrizi. Lëng murrizi. I hyri mjë gjemb murrizi. Thuri gardhin me murriz. E ka shqyrtuar Çabej (St. gj. I, 359): murriz, morriz m. “Crataegus”. ... Te Gazulli morriz “Prunus spinosa”. Fjalë me etimologji të diskutuar. G. Meyeri e çon te një bazë *mburniz-, duke e afruar me gr. e re ????????? ????? ?????? ????? ????? “murriz” prej lat. prunus, it. prugnolo. Ai ndërkaq përmend edhe mendimin e Schushardit, i cili e afronte fjalën shqipe me it. marruca “lloj ferre”, rum. maraciune maracine “murriz”. Këtë etimologji e pranojnë mjaft dijetarë. ... Treimeri sheh te kjo fjalë një kompozit mollë-drizë.

Kjo shkurre në shumë gjuhë e ka emrin nga gjëmbat e fortë e të shumë që ka; khs., gjerm. Hagedorn ëeissdorn (Dorn “gjemb”), it. biancospino, frgj. Aubépine etj. Morfologjikisht murriz është një deminutiv me –zë, po ashtu si rum. Paducél. Atëherë si bazë e fjalës rezulton një morr-zë zgjerim me –, sufiks që u ngjitet disa herë edhe mashkulloreve, morrzë mórrëzë: morizë murrizë, khs. kokërrzë: Kòkrrizë.28)  Se mendimi i Çabejt është bindës t’i afrojmë trajtat e shqipes morriz, murriz me të rumanishtes p?ducel, ku do të vërehen qartë koncordancat onomasiologjike dhe semasiologjike në prosedetë e denominimit të shkurrës Crataegus në këto dy gjuhë të Ballkanit: morr(+ë)+zë: paduc(h)+el. Edhe në njërën edhe në tjetrën gjuhë fitonimi është i formuan nga morr, përkatësisht p?duche si bartës të idesë kryesore – dhe sufiksat deminutivë – përkatësisht –el, që refërojnë, në mënyrë metaforike, se frutet e imta të kësaj shkurreje i përngjajnë morrit.

Fitopatronimet Gjon Murriz dhe Lesh Murriza, që i takojnë shekullit XV, sqarohen me fitonimin murriz (cf. 79, 75).29)

Në Dushkajë, si në toponimi si në të folme, përdoret në mashkullore mirriz-i, në shumës murriz-a, at.