| E enjte, 08.09.2011, 07:22 PM |
Nafi ÇEGRANI
(Poezi të zgjedhura)
KUJTIMI 1999
Qiellin e Kosovës e mvesh syri dhe dielli
në lugje të verdha zbresin Zanat
me një fuqi magjiplote dëgjohet kënga
atje në altarin e Kodrës së Diellit.
Nënë plaka kërkon të birin e rënë
në betejë kalorësish
që shpuan qiellin me bajoneta
nuses ia shkyen duvakun
Kosovës e drith tërmeti
rrëmuja dhe rrëmeti…
Obelisku i Dardanisë
baladë e Çamërisë...
ZOGJTË VDESIN DUKE KËNDUAR
Zogjët që këndojnë vetëm një herë në jetë
më bukur se çdo krijesë e gjallë
në këtë rruzull toke
prej momentit kur leshojnë çerdhen e tyre
kërkojnë një degë me gjëmba majë
duke u ngulitur thellë si në shtiza
dhëmbja shndërrohet në këngë të bukur
më të bukur se kënga e dallëndysheve.
Dielli ua vesh syrin me rreze zjarri
udhëtarit i pushtohet zemra
nga kënga me fuqi magjiplotë
dëshirë e pafrenuar e zogjëve lajkatar
që vdesin duke kënduar
Dramë mallëngjyese
këngë e ringjalljes
me një afsh shpirti
në kraharorin e zogjve
që këndojnë vetëm një herë
për një jetë
në altarin e prekjes
mes jetës dhe vdekjes…
SYRI I VASHËS UJËVARË
në ujëvarë dritash ma lave shpirtin
dhe tash trupit i vie erë
zjarrit i frikësohem kur lë hirin
dhe e djeg kujtesën me mallë
në sytë e tu loz dielli im
me zefirët e stinës ëndrrake
për diell njëmijë këngë u kënduan
edhe pse zëri është shteruar
në sytë e tu loz dielli im
lirikat e dashurisë mbetën vargan
vetëm në altarin e shpresave
mikesha ime që s’ke emër…
me dashuri të puthi në zemër
yjet pikojnë në zallë
djersa kokës në ballë
frymëzimi im gjithkund
thellësi syri pafund -
si ujëvarë e bardhë!
VARGU IM
në buzët e vashës virgjëreshë
shkrihem si pika vese agimi
I etur dhe i dehur
derisa e mësoj këngën
në muzgun e natës
balada për pikën e lotit më merr
e vonë ma kthen buzëqeshjen e ngrirë
o, stinë e përtrirë
le të më gjejë të shkrirë dita
përmbi ato buzë që ëndërrohen prore
në qepallën e vashës dashnore
ekstazë në këtë natë
shpërthejnë pikzat e gjatë
syri i zi margaritar
në bebëza bulon nektar
frymëzimi im
në qiellin me shi
vargu im i ri
në poezi…
* * *
Dasmorët ia nisën këngës
defatorja luan e kërcen
krushqit janë
refreni i Thesalisë prore
dashnorët në sy kishin kujtimin
dhe shtigjet e largëta
të lidhura në kërthiza hyjnore
Në rrashtën time lindi vasha
me sytë rrush i zi
me buzët prush zjarri
në ballin e rrashtës bjen shi
trasta mbushë me lotët e saj
dhe vite kishin kaluar
heshtja dhe kujtimi janë dehur
mall i vrarë dhe vrragë
vasha dhe djali ishin çmendur
nga marazi i dashurisë
defatorja luan e kërcen prore
krushqit mbetën në rrugëtime të gjata
atë mall Zoti e di
në kërthizë lind vargu
dhe dëgjoj tingëllimën e shiut
shijoj puthjen e saj të thellë
një buzëqeshje arome trëndafili…
E vasha ku vete vallë?
Do të vijë ai një ditë
Orfeu është i gjallë
në agim zgjohen bjeshkët
ajo priste me një mall në gji
si zjarr
priste Gjergj Elez Alinë e saj
në dyluftim ai do të dalë
me Bajlozin e zi
atëherë edhe Odiseu prore
do të kthehet në Itakën e tij
e në Lugje të Verdha
kuvendojnë Zanat e malit
aty këndohen baladat
në gurra lindin legjendat
për trimin me nëntë plagë
për nëntë vite e ka vërshuar malli
Ajkuna ia shalon kalin
dhe priste si një trëndelinë
e në Lugje të Verdha ç’ngjau vallë
ah, sa trima e dashuri janë vrarë
Kulla trimëritë i shkrojti në ballë
u murosën bashkë burri e malli
Në faqe muri të kështjellës pikturova
portretin tënd në kujtime e mora
Perëndive ngushëllimin ua dhurova
e kudo kah shkova në amshim
ti e përvëluar prite kthimin tim.
Ajkuna ime si zanë
me fytyrë si hënë
shterpësi gruaje dhe në vete etje
para se të vije në natën lehonë
lakuriqe në kërkim
për një baladë dhe novelë jete
të shtruar në sofër
si bukë dhe mallë!
* * *
… dasmorët ia nisën këngës
defatorja luan e këndon
si drenushe kërcen prore
krushqit janë nisur rrugëtimit
refreni i Thesalisë përrallore
dashnorët në sy kishin kujtimin
nusja virgjëreshë pa duvak në krye
afrohet për një përqafim
dhe një puthje nate
dy palë sy mbyten në lotë
pas shtatë brigjesh të mugulluara
ku lind edhe një foshnje
atje ku lindi Feniksi
pas nëntë kodrave baritore
atje te stani i bareshës lehonë
ku nata vringëllinë përqafimin
agimet shpalohen te bardha
si vegimet e nuseve të fshatit tim,
vjollcat rriten në kaçuba
buzagazi i tyre i mbushur me dashuri
buzë nusërie,
vargu im këngë poezie!
NË FUND FILLIMI
Në horizont lind dielli
faqe e fund bjeshke
Rozafa djali të është rritur
e dhembjen e damarit tim
vetëm ti mund ta ëmbëlsosh
ti bukuri e ngurosur
që jeton përjetësinë…
Brenda Kështjellës së vetmisë
skëterrë e vite burgu
errësirë e heshtur plagë
pëshpëritje pa zë e brengë
brenda në shpirt vragë
Në malin e shtogut prore
në sytë e Sharrit loti gurgullon
zemra bëhet prush bjeshke
për mallëngjimin e djalit
dejtë i djeg thellë zjarri
se kështu e ka jeta
kur burri kthehet nga Nizami.
MERRI TË TËRAT
Kullën e Babilonit
zhduku pa gjurmë
mos këndo për shëmbjen
e Idhujve
se të merr vetmia
po deshe të bëhesh varg kënge
merri me vete tëra stinët
dhe bëje një udhëtim të ri
koha e shartuar me harresë
të takon vetëm ty…
legjenda lexon
hieroglifet e fatit
për filizat që mbijnë,
me hijen e hënës
me puhinë e erës(!)
në gjirin e nënës...
DHEMBJE DHE VITE
Përtej largësive
ngritet piramidë e kujtimit
dhembja kurrë s’mbetet vetmitare
kot mundohesh ta zësh hijen
të çarat e motit të lënë dhimbjen
kurrë nuk mund ta dashurosh vetminë
dhe hijen e netëve
të gjata shekullore
hije të rrezikshme jete
që kanë frikë Perënditë!
prej Urës së Siratit
dhe Qabenë e largët.
NËN QEPALLAT E TANUSHËS
Nën qepallat e Tanushës fije
në sheshine unazës rri pezull muzgu
puthja dhe buzëgazi i lulëzuar
Nën qepallat e Tanushës shkrihen vargjet
vargje që poeti i shkruan në faqe e gur
si ujëvarë që preket
si tingujt e butë të ndjenjës
si vullkani që shpërthen prore
në buzët e Tanushës lozonjare
që qepallat përpëlit ngadalë
plot mallë dhe naze.
Nën qepallën e Tanushës prore
fije
shkrihet vargu midis flakëve
si ujëvarë në sytë e gruas
dhe puth buzët e saj si shegë
që freskojnë thellë
dejtë e zhuritur zjarr!
UNË U BËRA DIELLI NË FAQE
Unë u bëra dielli mbi faqe
e ti u bëre hije malesh.
Vullkanet e shpirtit s’mund ta rrafshonin
kreshtën që ngrite ti para ndarjes!
Unë u bëra livadh ku të magjeps puhia
e ti
Flokët e verdha t’i flladit dashuria,
po si vallë ta ndjej ringjalljen pas kësaj?!
Një ujëvarë e freskët nga malet
bie si shiu pranveror
mbi rrudhat e ballit
plot ngjarje tragjike
dhe histori ballkanike
të habitshme mbeten prore
me diellin në faqe shekullore
me gjuhën e stinëve tona -
dhe plagë arbërore!
FUND VJESHTE
Sonte mbrëmja përmallshëm ulet
e fiket plot dhembje si prush brenda hirit.
Puhia i përkëdhel të gjithë lulet
në një valle magjike, bulohen gjethet e blinit!
Mbi kodër u zgjuan e çelën sytë yjet
dhe malet zenë e shkundin dremitjen.
Brenda gjolit Hëna i ka zhytur kryet
e në dritë neoni kjo fundvjeshte venitet!
Një grafologji moti e përcaktuar
për karakterin dhe fati
në varg mbeten shkruar
hiri i dashurisë dhe mëkati!
TAKIM PAS VITESH
Kur të takova pas vitesh
mos m’i numëro hullitë në ballë
as thinjat e flokëve
se bëra lavër e sita borë…
të lutem për Zotin,
më rikthe në plang e pragje
nëse do të përjetosh
pavdeksinë tënde në vargje
kaq mund të bëj në emër të dashurisë
që ma vodhën hajnat e natës
në qepallë dhe një vetull harkore
udhëtim i gjatë zjarr që djeg prore
si plagë vjeshte në damarë
që digjet si llavë vullkanore
mbi zall... aromë bliri!
Maratonë stinësh pranverore
në shikimin e vashës
e virgjër dashurore!
NË KTHINË TË ERRËT
Në këtë kthesë muresh blozak
errësira kuvendon me jetën
me gjuhë të çuditshme
një laps e një fletë letre
kuvendojnë me ditët
dhe netët e thikave të gjata
vetminë kurrë s’e lë vetëm
po ti do të kthehesh
patjetër një ditë
Penelopë
vetëm një herë e një ditë
për vizitë stinësh
në këtë kthinë futë
terri po më shoqëron
kahmot i zhuritur
për vitet zhgëndërr
bardhësinë shoh në ëndërr…
sonatë e ëndërruar në vegim
serenatë e pakënduar
ujëvarë e shpirtit tim.
FAJI I PABËRË
Në varrin e thellë, të madh një pëllëmbë,
përpëliten kufomat e sa ëndrrave
gjymtyrë të përgjakura, brinjë, kokë, këmbë,
sikur nga çasti në çast do tu hidhen qenve!
Shpitrat dënesin në pendime të
e malli mugullohet në një lot të verdhë.
Kaq qore paska qënë, paska qënë vëllezër, bota
sa gjak’ i shenjtë i paqes të rrjedhë pandërprerë?!
Psherëtimë e hidhur në fyt të kap,
fati në kafkën time po e shuan etjen.
Syri i çuditur sa një qiell u hap
dhe faji im i pakryer mallëkon vetveten!
Vitet përplasen nëpër dhembjet e shpirtit
dhe sërish nuk fërfërin kaçurreli mbi ballë,
Truri i përçartur belbëzon mendimin e thinjur:
“A do të zgjohem nga harrimi vallë?”
LARG RRËMETIT
Zemra foli me ndjenjën
nga largësia
prapë mori kujtesa
për të dalë në pikëtakim
ti nga larg
më fale vetëm vetminë
dhe kullën e shpreses
ma zgjon ëndrrën
mjafton nga larg, kaq
për shtegtimin e fjalës
koha e bënte të veten
me gjuhë guri
flasin shekujt e eposit
për rrënjët e fisit tim
që mbijnë në kërthiza
stinët nga larg
shtegtojnë në mesnatë
aq larg rrëmujës dhe rrëmetit,
për një tjetër stinë
me lugje të blerta.