E premte, 29.03.2024, 11:35 AM (GMT)

Përjetësi » Mani

Kadri Mani: Polemikë me mikun tim Ndue Ukajn

E shtune, 16.02.2008, 05:00 PM


Mossulmimet ndaj Kadaresë (Qoses,

Demaçit, Cekës...), varfëri intelektuale

Nga Kadri Mani

I nderuari miku im, Ndue Ukaj, Tungjatjeta!

Katundarçe thuhet: vdekjen e kam menduar, e pse ju merrni mundin ta mbroni dhe t’ia falni mëkatet mëkatarit të përjetshëm- Kadaresë, nuk do ta mendoja kurrë dhe edhe tash, nuk po mund të besoj se s’keni qenë në një gjendje transi apo dehje!?

Në breshërinë e arsenalit të fjalorit tënd paushall, papandehur jam gjetur i goditur edhe unë vetë, si shkrimtar dhe gjuhëtar, edhe zotni Gjokë Vata, shkrimtar e gjuhëtar dhe anëtar Nderi i Shkodrës, të cilin nuk po mund të besoj se nuk e njihni!?- përse “mendon” se, pos të tjerëve të shumtë, edhe ne dy të jemi denigrues dhe qëllimkëqnj!?!

Vepra madhore e zotit Gjokë Vata: Vështrim mbi disa krijime të Kadaresë, Agollit, Migjenit”, Botoi Camaj-Pipa, Shkodër, 2006, f. 331, të cilën unë e kam vlerësuar lart për dy të parët dhe e kam kundërshtuar në lidhje me Migjenin, ju e hidhni komplet me një të lëvizur të lapsit!?! Dhe te kjo vepër jeni të përgënjeshtruar paraprakisht, ngase Gjokë Vata nuk polemizon me Kadarenë, por me veprën e tij, duke cituar dhe kundërshtuar faqe për faqe!?! Ai Kadarenë e ka zhvesh nga miti, e ka çmitizuar; dhe me këtë rast po e citoj fundin e Hymjes: “Në mbyllje të kësaj hymje, ftoj me dashamirësinë ma të përzemërt, të m’i qortojnë vlerësimet, qoftë edhe ato që mund të jenë, sadopak të gabueme. Ama me shembuj konkret, jo me retorikë bombastike, mbushamendëse vetëm e atyne, që munden me i marrë “dokrrat për kokrra”.

Ndërkaq, shkrimi yt, duke filluar nga titulli, është komplet- dokrra!! Apo në mos ke pasur të vetmin qëllimin prej prifti, që me një të fryrë në vesh, t’ia falni mëkatet!?!

-Mëkatarit Ismail Kadare, te libri i tij FTESË NË STUDIO, i thotë dashnorja e tij ruse: le të tregojë që me rastin e dërgimit të një letre të poshtër prej rrugaçi të ndytë, të cilën vasha jua lexon familjes dhe familja në kor e shajnë “studentin polak”, ndërkaq gjyshja bën kryq dhe thotë:”Zoti e ndjeftë!”.

-Mëkatarti Ismail Kadare me paturpësi dhe me idiotësi ka shkruar se kinse letërsia e shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës është e ngarkuar me shovinizëm, në vend që ta thoshte të vërtetën, se letërsia serbe është e ngarkuar me shovinizëm, duke marrë shembullin e shëmtuar të Millan Rakiqit:

Simonida              Simonida

Iskopaše ti o?i, lepa sliko!                           T' i nxorën sytë, fotografi e bukur!
Ve?eri jedne, na kamenoj plo?i,                  një mbrëmje, në pllakën prej guri,
Znaju?i da ga tad ne vidi niko,                     I bindur se nuk do ta shohë askush,
Arbanas ti je nožem izbo o?i!                      Shqiptari me thikë ty t'i nxori sytë!

Ali dirnuti rukom nije smeo                           por të të prek me dorë nuk guxoi
Ni otmeno ti lice, niti usta,                            as fytyrën tënde fisnike, as gojën,
Ni zlatnu krunu, ni kraljevski veo                  As kurorën e artë, as velin mbretëror
Pod kojim leži kosa tvoja gusta.                  Në të cilin rrinë flokë[t tua të shpeshta.

I sad u crkvi, na kamenom stubu,                Tash në kishë, në shtyllën prej guri,
U iski?enu mozaik-odelu                              në zbukurimin e rrobave-mozaike
Dok mirno snosiš sudbu tvoju grubu,          derisa qetë mban fatn tënd të vrazhdë,
Gledam te tužnu, sve?anu i belu;                 T'shikoj të pikëlluar, solemne të zbehtë;

I kao zvezde ugasene, koje              Dhe si yje të shuara, të cilët
?oveku ipak šalju svetlost svoju,                 Megjithatë njeriut i dërgojnë dritën e vet ?ovek vidi sjaj, oblik, i boju                                    Njeriu e sheh shkëlqimin, formën, bojën    
Dalekih zvezda što ve? ne postoj,   Yjeve të largta që tanimë nuk janë

Tako na mene sa mra?noga zida, Atje në mua nga muri i errët,
Na po?adjaloj i starinskoj plo?i,                   Në pllakën e vjetër e të blozuar.
Sijaju sada, tužna Simonida,                       Shkëlqen tash Simonida e pikëlluar,
Tvoje ve? davno iskopane o?i...                  Sytë e tu që moti të nxjerrur...

Këtë po e lexonim ne të burgosurit në Burgun e Leskocit, ku ishte edhe një çetnik i egër i quajtur Novica, ama në moment, u bë 5 minuta njeri dhe e komentoi sftofën e parë: „Dobro bre majku mu, kada je ve? znao da ga niko ne vidi, ko ga je u mrak „vidio“ da je albanac!?!“ (Mirë bre nënën ja lujsha, kur e dinte se kurrkush nuk do ta shohë, kush e „pa“ në terr që ishte shqiptar!?!)

Ja se sa poshtë ka rënë Kadare me apologjetët e tij, si puna e Ndue Ukajt, Genc Myftiut etj.!?!

Në tubimin e shkrimtarëve serbë në Majdanpek, Kadarea dhe pijaneci Agolli po derdhnin fjalë të xhevahirta në adresë të serbëve, saqë serbët e ngashëryer deklaronin me nostalgji:

„Ah sikur të kishin qenë edhe shkrmtarët e Kosovës sikur ju, kurrë s'do tëkishte pasur luftë“!!- ku keni qenë ju apologjet e avokatë të ngathtë: në tokë apo në qiell!?!

Përse të poshtrit e botës vijojnë komunikimin e shoqërimet edhe me armiqtë tjerë të shqiptarëve, sikur që janë: Baleta, Qosja, Ceka, Kujtim Çashku, Kiço e Ben Blushi, Neshat Tozaj, Maksi Velo, Fatos Lubonja, Naim Tërnava, Olsi Jazexhi... të cilët shajnë e përbuzin Katedralen, Nënën Terezë, Skënderbeun, Ibrahim Rugovën... e çdo gjë të shenjtë tonën!?!   

 

10-programet serbe për shfarosjen e kosovarëve

Dhe  heshtja mortore e Shqipërisë tonë të keqe!!

 

1844- Ilia Garashanini përpilon Naçertanian-(Projektin e Madh) për shfarosjen e shqiptarëve;

1881-Programi i depërtimit në det;

1920-Programi i likuidimit të shqiptarëve;

1937-Elaborati i Çubrilloviçit për shpërnguljen e shqiptarëve me dhunë dhe me terror;

1939-Programi i Ivo Andriçit për shpërnguljen e shqiptarëve me dhunë;

1941-Programi i Moleviçit për shpërnguljen e shqiptarëve me dhunë;

1942-Programi i Drazha Mihajloviçit për shpërnguljen e shqiptarëve me dhunë;

1944-Elaborati i II-të i Çubrilloviçit për shpërnguljen e shqiptarëve eme dhunë dhe me terror;

1950-Programi për shpërnguljen e shqiptarëve me dhunë;

1986-Memorandumi i Akademisë Serbe për Kosovën serbe!

 

(Rushit Ramabaja:”Mareci i shpresës së mirë- dhe rrëfime të trishta

për golgotën e kolonave të Gallapit në Grashticë, Makoc e Llukar”)

 

E pra, i lemi dhe i blemi e kanë mbllaçitur nga njëritjetri Garashaninin e Çubrilloviqin!! Mirë që politikanët aq kanë ditur, ama letrarët ç’deqin kishin që i përmendnin poata, e jo Ivo Andriqin dhe të shtronin kërkesën e marrjes së çmimit Nobel pas vdekjes (lexo- cofjes), sepse çmimi i nderit Nobel dhe Elaborati i turpit, nuk shkojnë çift!! Aq më keq për Kadarenë e për avokatët e tij të ngathtë, kur dërdëlliste përralla me mbret se letërsia s’paska kufij, madje edhe e imitonte Andriqin e tij!!

Në këtë faj e mëkat, kanë rënë komplet Shoqatat e Skrimtarëve dhe Akademitë e Shkencave andej e këtej kufirit, të cilët kanë bërë gjumin dimëror prej arushave!! Ku unë as sot e kësaj dite nuk jam anëtar i asnjë shoqate: Pen Klubi as më përgjigjet në kërkesën time!?!

Dhe në bashkëtekst me Kadarenë pakujdesshëm e keni vënë Gjergj Fishtën!?! (këtë gafë kemi vënë re edhe me portretet e dy kundërshtarëve Fishta-Kadare nëpër biblioteka!!), kur bota intelektuale dhe kulturore mban mend turpin e Kadaresë:

 

“AUTOBIGRAFIA E POPULLIT NË VARGJE

 

Përpjekja tepër ambicioze e klerikut reaksionar Gjergj Fishta për të krijuar, në baza të rapsodive dhe këngëve epike të Veriut, një epos universal(,) jo vetëm në letërsinë shqipe(,) por në atë ballkanike dhe evropiane, dështoi për disa arsye. E para, sepse Fishta si shkrimtar reaksionar ishte krejtësisht i huaj për shpirtin dhe aspiratat e popullit. E dyta, i ashtuquajturi epos i tij ishte i përshkruar nga kreu në fund nga një frymë shoviniste antisllave, krejt e huaj dhe e papranueshme nga muza shqiptare. E treta, pavarësisht nga përdorimi i bollshëm i formulave dhe grupeve të formulave të vjershërimit popullor, në nënshtruat të eposit nuk ishte veçse një frymë e ftohtë e poezisë klerikale dhe latine. Nga eposi i kreshnikëve ishte marrë vetëm forma e jashtme, kurse thelbi i tij ishte krejtësisht tjetër gjë, kështu që eposi fishtian  s’ishte gjë tjetër veçse një imitim i zbehtë i jashtëm i ciklit të rapsodive të Veriut, një vepër tipike folklorizane .

Ndryshe nga Fishta, shkrimtarët e shquar shqiptarë ditën të shfrytëzojnë në mënyrë krijuese gurrën popullore. Një palë si De Rada, Çajupi, Poradeci e Noli u ushqyen prej saj në mënyrë të drejtpërdrejtë, kurse të tjerët si Naimi, Migjeni dhe në përgjithësi shkrimtarët e sotëm të realizmit socialist e kanë marrë ushqimin popullor në rrugë të tërthorta.”

 

(Ismail Kadare: ”Autobiografia e popullit në vargje”, SHTËPIA BOTUESE “NAIM FRASHËRI”, Redaktor: Ramazan Vozga, Tirazhi 10.000 kopje, Formati 78 x 49/16 Stash: 2204-70 KOMBINATI POLIGRAFIK – Shtypshkronja e Re- Tiranë, 1980, f. 169-170)

 

Si duket, ne shqiptarët mos e kemi prejardhjen prej deleve: sapo të hidhet e para në lumë, që të gjitha njërapastjetrës kërcejnë e fundosen!

Kështu keq të imitoi edhe zotni Genc Myftiu me kompani...

Më pastaj (shyqyr zotit!), erdhi titulli edhe më i mirë:

 

Sulmet ndaj Kadaresë, Ndërgjegje e Zgjuar Kombëtare

 

E të dhëna të tjera plotësuese:

“Kadareja ka qenë bashkëpunëtor i hershëm i Sigurimit të Shtetit"

Dhe një vjershë:

 

sensuu

 

Kristal


Ka kohë që s'shihemi dhe ndjej
Si të harroj unë dalëngadalë,
Si vdes tek unë kujtimi yt
Si vdesin flokët dhe gjithçka.
Tani kërkoj unë poshtë-lart
një vend ku ty të të lëshoj
një strofë a note a një brilant
ku të të lë, të puth, te shkoj.
Në s'të pranoftë asnjë varr
asnjë mermer a morg kristal
mos duhet vallë prapë të të mbart
Gjysmë të vdekur, gjysmë të gjallë?
Në s'gjetsha hon ku të të hedh
të gjej një fushë a një lulnajë
ku butësisht porsi polen
gjithkund të të shpërndaj.
Të të mashtroj ndoshta kështu
Dhe të të puth e të ik pa kthim
dhe nuk do dimë as ne askush
Harrim ish ky a s'ish harrim.

Si ju duket kjo poezia e Kadaresë? Ç'lidhje ka titulli me përmbajtjen e poezisë? Ju duket i përshtatshëm?

“Pseudonimi prej agjenti i Ismail Kadaresë ka qenë “Gjenerali”

Katër faqe letër me shkrimin e tij, të shkruar në qeli me titull - "Për Ismail Kadarenë" – ishin ato faqe me të cilat Zylyftar Ramizi hapi "Dosjen-Bombë". "Kadareja nuk ka qenë nën kontrollin e organeve të Sigurimit të Shtetit, ato që ai ka shkruar në lidhje me këtë çështje nuk janë të vërteta. Ai përkundrazi ka qenë mik i këtyre organeve, pasi ka qenë bashkëpunëtor i tyre. Në informata qe ka dhënë në organet e Sigurimit bashkëpunëtori "Gjenerali", pra, Ismail Kadareja, ka dhënë konsiderata negative për mjaft vepra artistike".

Kadareja ka dhënë konsiderata për Dhimitër Shuteriqin, Kol Jakovën, Petro Markon, Petro Zhein, Anastas Kondon dhe për një bojaxhi, Mustafa Greblleshin, që për mua është emër i pa njohur e dëgjuar (fillimisht shkrimtar, e më pas i denuar nga regjimi komunist). Me kujtohet mire se konsiderata negative ka dhënë për romanin "Stina e armëve" me autor Petro Marko, për romanin "Kur qeshë qyteti" dhe për autorin e saj (Qamil Buxheli)….”

Pas kësaj, ish kryesigurimsi ka vazhduar konsideratat e tij tepër negative për Kadarenë, duke shkruar madje se "fjala e tij në organet e larta udhëheqëse të Partisë e të shtetit ishte apsolute.” Për ta përforcuar këtë, Ramizi shprehet se kështu, një djalë vetëm se u dashurua dhe hyri në marrëdhënie me vajzën e tij, ai ndërhyri në këto organe, ku kërkoi që ai të futej në burg apo të internohej.

“Me të vërtetë familja e këtij djali dhe ky vetë u internuan në vitin 1982 në kundërshtim me të gjitha rregullat e ligjet e asaj kohe. E kjo familje ishte e Janulla Rapit” - ka përfunduar këtë pjesë të rrëfimit të tij. Pas kësaj ish Drejtori i Drejtorisë së Parë të Kundërzbulimit ka vazhduar të tregojë sipas mënyrës së tij, disa hollësi nga jeta e shkrimtarit, ku tregohet se njeriu i letrave ka qene "mik i ngushtë i Enver Hoxhës dhe detaje të tjera që tregojnë lidhjet e tij me strukturat e ish shtetit komunist.”

Nuk dihet ende saktësia e akuzave të tjera të rënda të kreut të Sigurimit ndaj Ismail Kadaresë….Megjithate, gjithçka mbetet e hapur dhe vetëm koha do të jetë treguesja më e qartë e vërtetësisë së akuzave të nxjera nga goja dhe dora e Zylyftar Ramizit.

Kronikë marë nga gazeta "Koha Jonë"
E Shtunë, 25 maj 1996

Ku ka zë, s’shtë pa gjë!?

 

 

 Lexoni e (mos) besoni!

Sulmet ndaj Kadaresë, varfëri intelektuale

E shtune, 09-02-2008, 09:16pm (GMT)

 Nga Ndue Ukaj

1.

Ndue Ukaj

Fushata kundër shkrimtarit Ismail Kadare, është aq absurde, sa një ngjashmëri, jo analoge në përmasat dhe semantikën, por në modelin, mund t'ia gjejmë tek romani brilant i Franc Kafkës, "Procesi", në të cilin roman personazhi Jozefi K. papritur i nënshtrohet një mori akuzash, hetimesh, gjykimesh dhe në fund, një ekzekutimi absurd. I gjithë ky rrëfim, është konstruktuar me trajta të fuqishme groteske.

Në romanin në fjalë, fabula konstruktohet në relacion me personazhin Jozefit K., i cili paradoksalisht gjendet para një akuzë, të cilën e shpërfillë, ngase në dukje të parë është e pakuptimtë, absurde, por që përfundon me një akt tragjikë: vrasjen, madje pa mundur as të mësoj "fajin" e këtij dënimi absurd. Në aspektin e "gjykimit" për letërsinë, ky roman me trajtat shumëformëshe të diskursit, mbetet modeli interesant për të analizuar "gjyqin" që i bëhet shkrimit artistik. Jozefi K. vdiq si një qen, por shpirti i tij i përjetësuar në art, jo. Ai rron, i fuqishëm e përjetësisht. Kjo është fuqia magjike e letërsisë. Ky është misteri i letërsisë. Kjo formë e përfundimit në roman le shumë mundësi interpretimi, prej atyre që mund ta konceptojnë artin dhe krijuesit e tyre si të persekutuar nga gjyqe absurde, deri tek ato që çështjen e ndërlidhin me një religjion të caktuar, që në substrat ka shumë shtresa empirike! Në të vërtetë, letërsia dhe autorët e mëdhenj, shpeshherë janë gjendur dhe gjenden para gjyqeve të caktuara. Por bota e madhe e letërsisë është triumfuese, edhe nëse autorët në situata të caktuara gjinden të dënuar. Shembuj të kësaj natyre në botën e madhe të artit letrar kemi shumë. Kemi shumë autorë të mëdhenj të ndjekur, gjykuar, akuzuar e dënuar, nga sajesa fare  absurde. Me një precedent të këtillë ballafaqohet sot edhe letërsia e  shkrimtarit të madh Ismial Kadares.

2.

Dijetari francezë i letërsisë Roland Barthes në esuen e famshëm "Vdekja e autorit", duke diskutuar relacionin mes tekstit dhe autorit, përveç tjerash shkruan: "Prej momentit kur një fakt tregohet me qëllim jo kalimtar, domethënë jashtë çdo funksioni tjetër përveç vetë ushtrimit të simbolit, kemi këtu shkëputje, zëri humb origjinën, autori i qaset vdekjes së vet, domethënë fillon shkrimi". Fuqia e letërsisë është e pazëvendësueshme, ajo tejkalon gjitha format tjera të shkrimit, sepse në vetvete ka fuqinë e shpirtit, përfton përjetësinë ngase në esencë ka tharmin mbinatyrshmërisë, të origjinës homerike të artit letrar. Andaj, letërsisë më së paku i vyen shkrimi apologjet, sepse në vete ka statusin e fuqishëm, krejt origjinal dhe autonom, deri në fund të pacenueshëm. Në këtë këndvështrim, as autorit nuk i vyen apologjeti, edhe përkundër asaj që e thotë studiuesi amerikan Northrep Frajo se artet janë memece, ndërsa kritika mund të flasë. Është mendim i pranuar nga gjitha teoritë letrare, se produkt i  shkrimtarit është teksti letrar, shumëllojshmëria e tij semantike e stilistike, trajtat e ndryshme estetike e ndërthurjet ligjërimore, shtresat empirike dhe ato fiksionale, të cilat formësojnë estetikën e letërsisë. Tjetër gjë nuk mbetet nga autori. Andaj edhe kërkimet përtej letërsisë së tij, janë farsa absurde. Tashmë, gjykimet të cilat nisen nga biografizma e metoda të përafërta letrare janë të stërtejkaluara. Prandaj, çdo tendencë për të kërkuar përtej tekstit, është e pakuptimtë, dhe si e tillë pa ndonjë funksion e domethënie të vlefshme estetike-letrare, sepse funksioni i kritikës është të hedh dritë në raport me objektin e saj (veprat letrare), e jo mbi sekuencat tjera të biografisë së autorit, çfarë do qofshin ato. Vetëm teksti është veshja e autorit, është shënjuesi i të shënjuarit (autorit), andaj çdo tendencë për t'u marr me autorin, për ta shkëputur atë nga teksti, s'është gjë tjetër përpos shmangie e qëllimshme nga objekti themelor i profesionit të tij: arti i shkrimit letrar.

3.

Në letërsi dhe kulturë, por edhe në sferat tjera të dijeve, kritika shtreson elementet bazike për ndërtimin dhe seleksionim i vlerave; kritika është ndërmjetësuese dhe si e tillë është konceptuar nga antikiteti; kritika bën artet të flasin, ngase, po e përsërisim atë që e shkruan studiuesi i madh amerikan Fraji, se artet janë memece. Pra, kritika, nëse ndërlidhet me esencialitetin e qenies së letërsisë dhe fenomeneve letrare, është dëshmia më e mirë mendjes së emancipuar, e vetëdijes së kultivuar të një kulturore, si fushë e gjerë, dhe letërsisë, në mënyrë specifike.

4.
 

Ismail Kadare

Në botën e madhe të letërsisë, kemi përvojat e ndryshme, kur autorët janë ndjekur, gjykuar, dënuar, por nuk mbahet mend, të ketë ndodh një vepër e vlerës së lartë letrare, të jetë shuar, harruar në kohë. Madje, edhe sot kemi raste të tilla; shkrimtari Selman Ruzhdi është modeli më interesant në këtë kontekst. Ndërsa në kulturën letrare shqipe, shembuj të tillë kemi mjaftë, mbase, letërsia shqipe është nyja më tragjike, ku autorët kanë pësuar; shembuj të kësaj natyre, na dalin qysh tek autorët e vjetër, Pjetër Budi i vrarë, Pjetër Bogdani i zhvarrosur, pastaj autorët e mëdhenj te mëvonshëm, si: Gjergj Fishta, Fan Noli, Faik Konica, Ernest Koliqi, Martin Camaj etj., Të gjithë këta dhe një regjistër i tërë, në forma të ndryshme, janë dhunuar. E gjithë kjo s'ka prodhuar asgjë tjetër, përpos një kapitull të shëmtuar: sot letërsia e këtyre autorëve qëndron në panteonin më të lartë të vlerave letrare të letërsisë shqiptare, ndërkaq ideologjitë tendencioze që anatemuan ata, mbahen mënd si reminishenca të tmerrshme, të kujtuara vetëm për të keq. Letërsia shqipe, e sapodalur nga periudha e ekskomunikmeve dhe ndëshkimeve letrare, nga absurdet çoroditës, kur, madje për lexim të një vepre letrare, siç ishte Lahutës së Malcis e Gjergj Fishtës, apo edhe përmendja e emrit, sanksionohej me vepër penale, dënohej me burg. Ndërkaq sot, nga disa nostalgjik(ë) trumbetohen teori të ngjashme, të përjashtimit. Dihet se Fishta ka përjetuar çmendurinë e afetarizmit, por në këtë marrëzi shoqërore, të shoqëruar nga kritika, ai sforcon mitin e fatit tragjik të autorit dhe i jep, në të njëjtën kohë status të pavdekësisë veprës së tij letrare, që gjallon fuqishëm nëpër kohë. Megjithëse, edhe përkundër një aparature të tërë shtetërore, përkrahur nga superfuqia e kohës, ajo e ish Bashkimit Sovjetik, vepra e Fishtës ka gjetur lexuesin e vet, ka luajtur funksionin e vetë dhe është bërë paradigme letrare, ngase është e artikuluar nga shpirti, ka në vete të sajuar shpirtin dhe ndërgjegjen e kombit, andaj hedhja në lumë e eshtrave të tij, vetëm sa ka shtuar peshën e veprës së tij. Por ç'po ndodh tash me fushatën kundër personalitetit dhe veprës letrare të Kadaresë, në kontekstin një procesi të gjithanshëm politik e kulturor, nëpër të cilin po kalon shoqëria shqiptare?  Së pari, kjo që ngjet ndaj Kadaresë s'ka të bëjë fare me kritikë të mirëfilltë letrare dhe s'ka të bëjë fare me letërsinë e tij. Ismail Kadare dhe korpusi i tij, nëse do të analizonim kontekstin e përgjithshëm të kulturës shoqërore e letrar, është vënë preh e fenomenit të glorifikimeve dhe përbuzjeve ekstreme, duke përjetuar iracionalitetin e absurdin e një debati të orkestruar, të pavlerë; me metoda e motive tejet të ulëta dhe të bëra nga shije mediokre. E gjithë kjo fushatë kundër autorit të përmasave ndërkombëtare, s'ka si të shpjegohet ndryshe, përveç shenjë e varfërisë intelektuale, fenomen që ka përfshirë jetën tonë kombëtare. Është groteske të shihet si ngazëllehet opinioni ynë, kur hapën tema të nxehta, atëherë kafeve të shumta, kuluareve të caktuara, përflitet, shpifet e përhapen thashetheme nga më të ndryshmet. Shtoja kësaj edhe mentalitetin grumbullor të shoqërisë sonë, që mbetet, ende larg së qenit e  formësuar në individualitet, çështja në fjalë pasqyron shpirtngushtësinë e një klase të caktuar intelektuale, që po formësohet me sharje ose himne, e aspak me parime, vlera estetike dhe qasje objektive.

5.

Në jetën publike shqiptare, filozofia e mbrapsht e brohoritjeve dhe duartrokitjeve, disi nuk mund të ndahet nga pandemi i kontekstit që na ligjëron shkrimtari dhe dijetari Fan Noli, kontekst që ka një ndërlidhje semantike me ligjërimin biblik, ku theksohet fuqishëm fatkeqësia e mohimit të profetit. Ky fenomen mbetet tejet kompleks në realitetin shqiptar, dhe si i këtillë me pasoj, të cilat drejtpërdrejtë prekin demokracinë dhe vlerat sublime të demokracisë, kulturën, letërsinë, për t'u bërë diga, pengesë e prosperimit të kombit. Në të vërtetë, kjo filozofi e mohimit të njerëzve tanë, ka  tendenca të merr trajta çoroditëse, te një mendësie primitive, ngritur edhe në hierarkitë më të larta në opinionin shqiptar. Kjo formë e të menduar, fragmenton kombin, tërësinë kulturore dhe hedh gurë në rrugën që po trasohet, për t'u integruar njëherë ndërmjet veti, pastaj në botën perëndimore. Kjo formë e ligjërimit publik, tendencat për të denigruar një autor, me të cilin mund të pasqyrohemi më së miri në botën e kulturës, jo vetëm që pengon emancipimin e kombit, por edhe promovon anën e kundërt të emancipimit: zhytjen në errësirë dhe paragjykime, në përçarje e urrejtje. Në rastin më konkret më së paku dëmton veprën e Kadaresë, korpusin e tij të gjerë letrar e artistik, kjo ofensivë denigruese dëmton kulturën shqiptare.

6.

"Sado e ndryshme të jetë Shqipëria nga Suedia, apo Franca, ajo ka nxjerrë në dritë një gjeni. Kadareja njihet në të gjithë planetin; të kurorëzosh Kadarenë nuk do të thotë ta emanciposh atë: do të thotë emancipoheni vetë ju"-ju shkruante Alain Bosquet në letrën drejtuar jurisë së Çmimit Nobel, në Stokholm të Suedisë. E morëm referencën e sipërshkruar të Bosquet për të kontekstualizuar autorin dhe veprën e tij, në kontekstin e debatit të "ashpër", të pakuptimtë dhe aspak letrar, që ka shpërthyer në kulturën e shkrimit shqip tek ne. Studiuesi francez Alain Bosquet në referencën e sipërtheksuar na jep disa dimensione specifike të peshës së artit letrar të Kadaresë; ai është autor universal dhe këtë universalitet e ka si rezultat i të qenit gjeni në letërsi; Kadare është autor që njihet në gjithë planetin dhe ka rrëmbyer zemra të shumta artdashëse, andaj të kurorëzosh Kadarenë nuk emancipon atë, por emancipohen receptuesit, audienca e gjerë dhe e gjithanshme letrare. Kadare, i dalur nga geni i ynë, shpërtheu në botën e letërsisë, në saje të artit të tij brilant e të mbrehtë, duke u pranuar nga receptuesit e shumtë ane e kënd botës së madhe të quajtur letërsi, jo pse ai ishte disident, jo pse ai mbronte identitetin europian të shqiptarëve, jo pse ai ka "denoncuar" dikë, jo pse ai është ngritur nga shteti stalinist i kohës, por pse ai shkruan mirë, pse bën art të bukur; mbase shkruan aq mirë, sa të rralla janë krahasimet. Dhe kaq. Pse atëherë aq shumë spekulohet për të? Një gjë duhet kuptohet nga gjithë: në kulturën letrare perëndimore, nuk mund të përkthehesh nëse nuk shkruan mirë, nëse nuk je shkrimtar i mirë e universal. Duke qenë vete dëshmitar i fuqisë së veprës së Kadaresë në Suedi, ajo që ngjet rreth tij më duket më shumë se neveritëse. E gjithë kjo fushatë, nëse mund të quhet e tillë, nuk është asgjë tjetër përpos barometër i të menduarit primitiv, i zilisë dhe urrejtjes që ka mbërthyer segmente të caktuara të shoqërisë sonë, që në subkoshiencë kundërmojnë qelbësirat e ideologjive totalitare, që s'njohin demokracinë, përpos njëmendësinë politike, turkofile e staliniste. Letërsia e Ismail Kadaresë është e madhe. E konstruktuar nëpërmes inevncionit dhe pasionit të thellë për artin letrar, ajo pulson nga imagjinata e fuqishme, stili i larmishëm e dramatik i rrëfimit. Me këtë potencë artistike, Kadare është pranuar ane e kënd rruzullit të botës si autor i një korpusi të gjerë veprash e sprovash letrare. Përgjithësisht, letërsinë e tij e karakterizon një botë e dendur, e ndërtuar me larushinë orale dhe sistemin e përpunuar të legjendave, të cilat autori i vesh me përmasat e ligjërimit homerik, me vibrimet e  ligjërimit shekspirian, me magjinë e rrëfimit markesian, për të hyrë kështu në panteonin e vlerave letrare të botës së letërsisë. Kjo botë e letërsisë, tek Kadare është shume e pasur, ndërtohet përmes një diskursi estetik të nivelit të lartë; në të hibridizohen trajta e empiri, të cilat përbashkohen në shtratin e narrativiteti të veçantë; atij të përveçëm: kadarean. Pa asnjë mëdyshje, vlerat e letërsisë së Kadaresë, këtij gjeniu narrativ tejkalojnë përmasat kombëtare, rajonale, evropiane dhe hyjnë denjësisht në dimensionet e letërsisë botërore. Ajo çka e bën këtë letërsi të madhe e universale, mbetet pasioni i thellë që ndeshet kudo për letërsinë, i brumosur me traditën homerike të rrëfimit letrar, të cilat autori din t'i përpunoj(ë) e distribuoj(ë) si një mjeshtër i rryer. Tendencat për të përbaltësuar autorin e përmasave globale, kjo formë e të bërit kritikë, është neveritëse. Ajo është fushata e egër, mediokre në esencë, por qëllimkeqe. Po e përfundojmë me mendimin e Roland Barthes në eseun e "Vdekja e autorit" se "shkrimi është shkatërrim i gjitha zerva, i çdo origjine".

--------------------------------

 

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora