Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Faik Shkodra: Poezi ndjenjash mbi lirinë, atdhedashurinë dhe filozofinë e jetës

| E marte, 06.09.2011, 04:58 PM |


 

POEZI NDJENJASH MBI LIRINË, ATDHEDASHURINË DHE FILOZOFINË E JETËS

 

Nga Dr. sc. Faik Shkodra

 

Vëllimi poetik me titull sa simbolik aq edhe metaforik “Larg”, i shkruar nga Dibran Demaku, ngërthen poezi me tema e motive, me dukuri e ngjarje, me frymëzim e përjetim, poezi me ngjyrim emocional e me thellësi mendimi, që shquhen për vlera të veçanta në shumë rrafshe të mendimit estetik, teorik, psikologjik, filozofik e artistik, ku në të vërtetë mendimi filozofik për realitetin e djeshëm, të sotëm dhe të nesërm bëhet pjesë e fuqishme e shpirtit dhe përjetimit dhe përmes strukturave poetike e artikulimit të ideve arrin ta shkrijë unin me kohën, me filozofinë e jetës dhe fatin e trishtë të popullit të vet.

Themi kështu për faktin se subjektet e poezive trajtojnë aspekte të rëndësishme, të cilat lidhen me ngjarjet e me botën e trazuar të poetit, i cili që në titull, në mënyrë metaforike, shpreh shqetësimin dhe brengën për realitetin historik, shoqëror e politik që u manifestua e vazhdon të manifestohet sot dhe me gjasë do të vazhdojë edhe nesër. Vetë fjala larg, si një ndajfolje vendi, shpreh një largësi të madhe, shpreh ndarjen e njeriut prej rrethit, mjedisit, prej gjirit familjar, shpreh shkëputjen e tij nga vendlindja dhe atdheu, e që valët e jetës e kanë ndarë nga më të afërmit. Prandaj, në Fjalorin e Shqipes së sotme, fjala larg shpjegohet në faqen 65 si ndajfolje: Rrinë larg e larg, rrinë ndarë e jo pranë njëri-tjetrit. Mos shko larg! Sheh larg. Vjen nga larg. Duket nga larg. E hodhi gurin larg. E treti vështrimin larg - e hodhi vështrimin tutje i harruar!

 

Sinqeriteti i ndjenjave të fuqishme poetike

 

Kur këto shpjegime e shembuj i kemi parasysh, atëherë kuptojmë se Dibran Demaku në poezitë e vëllimit të sipërthënë ka hedhur mendimet, ndjenjat, preokupimet, shqetësimet, idealet, ëndrrat dhe vështrimet në çështjet më të rëndësishme, më të ndjeshme dhe më të jashtëzakonshme që kanë të bëjnë me të kaluarën, me gjeografinë e dhimbshme të atdheut e me fatin e popullit dhe me vuajtjet e lodhjet që i përjetoi si populli i Kosovës, ashtu edhe mbarë populli shqiptar, në përgjithësi.

Duke i analizuar poezitë e vëllimit, kuptojmë thellësinë e mendimeve, fuqinë përjetuese dhe imagjinatën krijuese të poetit, i cili gjithandej vargjeve shpreh botën e pasur shpirtërore, dëshmon sinqeritetin e ndjenjave të fuqishme poetike dhe shkruan poezi me forcë ideore, brenda të cilave në mënyrën më brilante i sublimon idetë e qarta duke sjellë te lexuesi informacione dhe ide të vlefshme që kanë të bëjnë me rrënjët tona historike, me rrënjët e thella të popullit shqiptar në këto troje dhe të qëndresës së tij me pushkë e me penë nëpër kapërcyell të shekujve, duke i shërbyer në mënyrën më heroike atdheut dhe çështjes kombëtare.

Siç do të mësojmë nga subjektet e poezive, poeti, me frymëzim spontan e me ndjenja specifike, arrin të kapë çështjet më të mprehta të realitetit të djeshëm dhe atij të sotëm. Dibrani, siç mund të shihet nga poezitë, shkruan për tema e motive aktuale, për tema që pasqyrojnë jetën dhe problemet e kohës në frymën e idealeve të një populli që vuajti për lirinë nacionale, për zhvillimin e kulturës e të arsimit, për ruajtjen e traditës e të vlerave kombëtare. Këto aspekte plazmohen natyrshëm e me çiltërsi ndjenjash brenda poezive të vëllimit “Larg” dhe në përgjithësi këto poezi dëshmojnë vrullin, pasionin dhe zjarrin e shpirtit të Dibranit për një liri të vërtetë, për një drejtësi të njëmendtë dhe për krijimin e një bote të re për gjithë njerëzimin, pa marrë parasysh kombin, racën, ngjyrën, fenë a hapësirën gjeografike ku jeton.

Vëllimi fillon me poezinë me tri strofa “Vargu im” dhe këtë varg poeti e quan kryengritës, sepse duhet ta luftojë të keqen, tradhtinë dhe çdo padrejtësi tjetër. Ky varg e ky art, sipas Dibranit, duhet të sjellin vetëm dashuri, vetëm mirëkuptim dhe vetëm 1iri për popullin e për njerëzit e çdo nënqielli.

Vëllimi “Larg” ciklohet në pesë pjesë: Ani, Kosovë, ani, me 14 poezi, Kohë e të mbjellave, me 15 poezi, Larg, me 11 poezi, Lajm i keq, me 16 poezi dhe Katër stinë pa ty, me 9 poezi. Brenda këtyre pesë cikleve janë përfshirë gjithsej 67 poezi vlerash e motivesh të rëndësishme, si në aspektin ideoestetik ashtu në atë ideopoetik e stilistik-gjuhësor.

Në ciklin e parë Dibrani sjell vargje të bukura për Kosovën, për figurën legjendare e të jashtëzakonshme, Adem Jasharin, sjell vargje me forcë të madhe poetike e artistike për Abaz Kurumelin, një bashkëluftëtar i heroit Azem Bejta, shkruan vargje për Selman Demajn, luftëtar i rënë në LDB, për Hanë Demakun, e rënë po ashtu në LDB, për Nazmi Demakun, i rënë në luftën e fundit për lirinë e Kosovës, shkruan me përjetim e ndjeshmëri për Hasan Mekulin, Azem Shkrelin, Ymer Elshanin, Asllanin, bashkëluftëtarin e çetave të Shaban Polluzhës, shkruan për vëllanë, Behramin, që sypatrembur luftoi për lirinë e Kosovës, shkruan për nënën dhe të gjitha nënat që bijtë e bijat ia falën lirisë së Kosovës, shkruan për babanë, që me shpirt e zemër e deshi lirinë e Kosovës, për të cilën edhe u bë kurban i saj.

 

Vargje me frymëmarrje të gjerë poetike

 

Realizim i suksesshëm poetik është pa dyshim poezia që i këndon Kosovës dhe historisë së saj. Nëpërmjet antitezave të gjetura me sens e me pjekuri artistike, përmes përdorimit të shkallëzimit, anaforës, rimës e simbolit, poeti ka arritur të shpërfaqë dashurinë, mallin dhe ndjenjën e një nostalgjie të zjarrtë, duke paraqitur në mënyrën më të përflakur fatin e Kosovës e duke e lidhur atë fat me ngjarjet ndër më të rëndësishme historike, ngjarje që në vazhdimësi kanë prodhuar kriza, pakënaqësi e luftëra, çfarë qe edhe lufta e vitit 1999.

Krahas dhënies së një realiteti, shoqëruar me batica e zbatica, poeti si kryefjalë e bën Kosovën, duke sjellë kështu vargje me frymëmarrje më të gjerë poetike. Natyrisht, Kosova në vargje trajtohet e himnizohet në nivelin më të lartë të ndjenjës e të mendimit lirik poetik. Kështu, vargjet:

 

Ani, Kosovë, ani

Ti lot i qiellit

Ti rreze e diellit

Ti lule e prillit

Ti shkëlqim i yllit

Ti jehonë e fyellit

 

shpërfaqin një përfytyrim metaforik të poetit duke e krahasuar Kosovën me qiellin, me diellin, me prillin, me yllin, me tingujt e fyellit dhe në mënyrën më të mirë vargjet sikur shpalosin, sikur shprehin njëmendësinë e fortë që mund të marrë poezia drejt zbulimit lirik të botës së poetit. Me të tilla vizione të gjalla poetike autori e vazhdon poezinë për Kosovën. Në suksesin e vargjeve kanë ndikuar shkrirja e mendimit me ndjenjën, njohja e historisë me sakrificat e popullit dhe të idealistëve që nuk kursyen asgjë për Kosovën, shprehja poetike dhe figurat e tropet stilistike, jo vetëm që vijnë natyrshëm, por atyre u prijnë mendimet, që janë në funksion të idesë, në funksion të hedhjes dritë mbi Kosovën dhe popullin shqiptar në përgjithësi.

Në poezinë Ani, Legjendë, ani, poeti, përmes figurës, tashmë legjendë e lirisë dhe e pavarësisë së Kosovës, së Adem Jasharit dhe familjes së tij, ka arritur ta paraqesë deri në imtësi fatin e atdheut, gjeografinë e rrudhur të tij, tragjeditë që i përjetoi populli shqiptar i Kosovës.

Adem Jashari është skalitur në gjithanshmërinë e tij si njeri i veçantë, si hero mbi çdo hero tjetër, si njeri i përkushtimeve të mëdha dhe tërë poezia i kushtohet qëndresës heroike, patriotizmit të paparë ndonjëherë dhe se ky patriotizëm, ky atdhetarizëm lidhet me rropamë e vringëllima armësh dhe, siç thotë Perikli Jorgani, kur shkruan për poezinë e disa poetëve kosovarë, “vetëm në saje të qëndresës, vetëm në saje të guximit e të trimërisë së pashoqe, të treguara në sa e sa beteja e kacafytje dhëmb për dhëmb me hordhitë më të tërbuara që mbinë nga horizontet e përgjakura, populli, falë heroizmit (si të Adem Jasharit dhe familjes së tij – F. Sh.), mundi t’i bëjë ballë dallgës asgjësuese dhe shkallmuese të pushtimit” dhe kur e ardhmja e Kosovës ishte vënë në tehun e shpatës e në trimërinë e zemrave, Adem Jashari, pa farë frike, midis alternativës jetë a vdekje, për lirinë e qiellit të Kosovës, zgjodhi të fundit, për t’u bërë kështu emër e figurë e përjetshme, ngjashëm me Skënderbeun dhe heronjtë e tjerë të kombit shqiptar. Me një origjinalitet poetik dhe patos të fuqishëm emocional e shpirtëror është dhënë figura dhe portreti i Adem Jasharit dhe vargjet:

 

Ani, Legjendë, ani

Ti je liria

e fushës dhe e malit

Ti je krenaria e vajzës dhe e djalit

Ti je buzëqeshja e nënës dhe e fëmijës

Ti je drita e detit dhe e tokës

Ti je lulëkuqja

më e bukur e Kosovës

 

janë sa funksionale aq edhe të freskëta dhe si të tilla Ademin e njëjtësojnë me lirinë, me krenarinë, me buzëqeshjen, me dritën dhe me lulëkuqen më të bukur të Kosovës. Pra, personaliteti dhe madhështia e Ademit në vargjet e poezisë marrin një përmbajtje, një kuptim dhe një respekt shumë të gjerë. Dihet se vetëflijimin Ademi e bëri për Atdheun dhe dihet se “Para atdheut s’të duhen as lavdia, as pasuria. Atdheu është, ndaj, gjithësi, tërësi e ndijimeve, ndjenjave të heroit tonë kombëtar, Adem Jasharit”.

 

 

Shkrirje e erudicionit me fuqinë e fjalës

 

Vargje me vlera ideoemocionale dhe ideoartistike Dibrani ka shkruar edhe për bashkëluftëtarin e Azem Bejtës, Abaz Kurumelin, për Selman Demajn, për Hanë Demakun, Nazmi Demakun, të cilët jetën ia falën çështjes së atdheut dhe çlirimit kombëtar, si gjatë Luftës së Dytë Botërore ashtu dhe në luftën e fundit të Kosovës. Në poezitë: I buzëqeshur në lapidar, Në buzë iu shkri gëzimi, Lulëkuqe në zemër, I dhe krah shqiponjës, gjejmë vargje të fuqishme për nga kuptimi dhe, po i lexuam me vëmendje, shohim se brenda tyre qëndrojnë në harmoni mendimi dhe ndjenja dhe kjo flet për të vërtetën se Dibrani brenda vargjeve ka arritur ta shkrijë erudicionin me fuqinë e fjalës duke krijuar një origjinalitet të vetin sa me përdorimin e mjeteve shprehëse aq me ide e këndvështrim të ri.

Poezi me përmbajtje të pasur është ajo Në mbamendjen e kombit, kushtuar pedagogut, kritikut dhe intelektualit shumë të përgatitur, Hasan Mekulit. Edhe autori i këtyre rreshtave ka pasur fatin të jetë student i tij dhe nga dija e tij e madhe dhe përvoja e pasur në fushën e letërsisë dhe kulturës së gjerë të mësojë shumëçka të vlefshme dhe të rëndësishme dhe se këto të mira nga fushat e shumta të jetës dhe të artit i ka zgjeruar, plotësuar dhe thelluar edhe gjatë kohës sa ishte anëtar shumë aktiv i FISH-it në vitin 1991 në Prishtinë. Hasan Mekuli njihet si një polemist i pakompromis ndaj shkrimeve e botimeve që vinin nga qendrat e ndryshme të Serbisë, të cilat pa farë të drejte fyenin traditat, shqiptarët dhe kulturën e tyre.

Poeti, siç del nga vargjet, ka respekt dhe admirim për profesorin Hasan, i cili, siç dihet, u mbeti besnik idealeve dhe aspiratave të tij si për letërsinë ashtu dhe për çështjen kombëtare dhe ndihmesën që ka dhënë ai në arsimimin dhe edukimin e shumë brezave në Kosovë. Autori përmes vargjeve jep jetëshkrimin mbi jetën e veprimtarinë e begatshme të Hasanit. Për këto qëllime ai e kërkon në vendlindjen e tij, e kërkon tek liqeni i Plavës, në Guci, te shkolla, më pastaj e kërkon në Fakultetin e Filologjisë, në Bibliotekën Kombëtare, e kërkon në parathënie librash, në faqet e revistës “Jeta e re” dhe, për çudi, në asnjë prej këtyre vendeve e institucioneve nuk e gjen dhe, për kënaqësinë e tij të madhe, poeti Hasan Mekulin do ta gjejë në mbamendjen e Kombit. Poezia kushtuar Azem Shkrelit trajton fshehtësitë dhe ndjenjën e madhe poetike të këtij poeti, i cili shquhet prej krijuesve të brezit të vet për vargun lirik shumë të fuqishëm, për trajtimin e temave dhe të motiveve që lidhen për traditën dhe me traditën, lidhen me etnopsikologjinë autoktone të shqiptarëve, që jetën e bëjnë në vendlindjen e vet dhe se poezia e tij shpalos një botë të pasur dhe, siç është thënë nga studiuesit e poezisë së tij, koncepti estetik, ideologjia poetike e tij ndërtohet mbi të bukurën. Azem Shkreli në gjithë një vëllim pohon se di një fjalë prej guri, se ai gur vjen nga vendlindja e tij aq e shtrenjtë dhe e dashur, Rugova, se ai gur paraqet zemrën e madhe me të cilën fliste e kënaqej me burrat e Shkrelit, se fjalët prej guri i dhuronin rimat e strofat më të përkryera dhe së fundi me fjalët e zgjedhura fliste për lisat e fisit e për një plis Rugove, ndërsa Kosovën dëshironte ta shihte të ndritur e të bardhë, krenare dhe të bukur në çdo kohë e në çdo rrjedhë të historisë.

Vargje mbresëlënëse janë ato që këndojnë poetin e talentuar dhe të frytshëm të letërsisë për fëmijë, Ymer Ershanin, të cilin forcat praramilitare dhe policore të Serbisë fashiste e vranë në luftën e fundit bashkë me katër djemtë, gruan, nënën dhe kunatën në mënyrën më mizore.

Poeti ndjenjën e mallëngjimit dhe të pikëllimit për vrasjen e Ymerit e përmbyll me vargjet eksklamative, si:

Eu,Ymer Elshani,

Çfarë t’i them lirisë

për ëndrrat e tua

n’panteonin e pavdekësisë!

 

 

Mesazhe të forta të plotënisë poetike

 

Kur shkruan për babanë, Asllanin, poeti na i kujton vitet e rënda të para gjashtë decenieve, vite kur Asllani dhe shumë të tjerë si ai, nuk ditën të trembeshin përpara bandave çetniko-fashiste të Serbisë dhe brenda vargjeve shpreh sa krenarinë aq edhe dhembjen për tmerret që i përjetoi populli shqiptar dhe se ato tmerre prekin thellë zemrën, shpirtin dhe mendjen e lexuesit. Asllani dhe të tjerët si ai, pa u hamendur, arritën të jepnin plëngun e pasurinë, gjakun e jetën për lirinë, për nderin dhe për ardhmërinë e ndritur e të lumtur të Kosovës dhe trojeve të tjera të pushtuara me dhunë nga Serbia dhe fqinjët e saj. Duke i lexuar vargjet:

 

Emri yt, o babai im

ndrin si ylli në agim.

Porsi ylli në agim ndrin

nëpër shekuj ruan lirinë...

 

lexuesi do të kthejë vështrimin në jetën dhe veprën e tij, që mbeten të paharruara në historinë tonë kombëtare.

Edhe në poezitë: Hej, vëllai im, Nënë, moj nënë... Portret luftëtari dhe Emri yt - dritë në tempuj, Dibran Demaku sikur i ngjall krismat e pushkëve, sikur i ushqen idealet e jashtëzakonshme të luftëtarëve të lirisë dhe se ato krisma përzunë nga trojet etnike pushtues të shumtë, të cilët thithnin si me pambuk gjakun e shqiptarëve të pafajshëm, por që e donin lirinë si të tjerët që e gëzonin. Krismat u bënë legjenda, u bënë besë e flakë, u bënë nderi dhe dinjiteti i ruajtjes së emrit dhe traditës, krismat u bënë malet e fushat, kodrat dhe luginat, u bënë kullat në të cilat u çelikos fjala dhe u përhap kënga që trimëronte dasmorët e lirisë.

Në përgjithësi, cikli Ani, Kosovë, ani shëmbëllen për shumëçka me tregimin e Anri Barbusit Një i pushtuar i gjallë dhe sidomos janë të fuqishme këto radhë të tregimit: “Mos e pushoni për asnjë çast kushtrimin, zgjidhni me kujdes shokët dhe bashkëluftëtaret tuaj, forconi në rrethin tuaj disiplinën dhe qëndresën, të tjerat vijnë vetë.

Ne nuk e dimë sesi do të jetë vendi ynë pas luftës, por ne e shikojmë përpara të ardhmen, e cila herët a vonë do të vijë patjetër. Te kjo e ardhme le të drejtohen sytë e të gjithëve” (Nëntori, Tiranë, nr. 8-1975, f. 212).

Cikli Kohë e të mbjellave ngërthen poezi që karakterizohen me përmbajtje të rëndësishme, me ligjërim poetik të veçantë dhe përmes vargjeve autori ka arritur t’i kapë disa nga figurat e temat më të bukura, që lidhen me ekzistencën, trimërinë, dashurinë dhe përkushtimin ndaj Kosovës, lirisë dhe vlerave të njerëzve që ditën me kohë të rreshtoheshin në anën e dritës e të lumturisë duke hyrë përgjithmonë në panteonin e historisë. Lexuesi edhe në poezitë e këtij cikli, si: Trimat do të ngjallen, Kosovë, Ku, Jasharajt, Ani, Bacë, ani (Adem Demaçit), Kosova po del më vete, Kohë e të mbjellave, Drenicë, Radishevës (Vendlindjes së Shote Galicës), Ani, im bir, ani (Drilonit e Dardanit), Mos, Lule e së keqes mos lulëzo, Kush ta fiku shpresën (Çamërisë), do të njihet me vargje që i shquajnë mesazhet e forta të plotënisë poetike. Siç mund të kuptojmë, edhe në këto poezi autori me një mjeshtëri e dituri të rrallë ka arritur të krijojë figurat poetike që shpalosin një botë të pasur sa mendore aq ndjenjore, sa filozofike aq edhe psikologjike. Të gjitha poezitë flasin për të vërtetën se Dibrani përmes vargjeve, ku më hapur e ku më figurshëm, realizon botën mbi bazën e situatave që në të vërtetë janë sa reale aq edhe imagjinative. Gjatë analizave të figurave poetike nuk është vështirë të vërtetohet e dhëna se botëkuptimi, qëndrimi dhe refleksionet e poetit nga fillimi e deri në fund lidhen me Kosovën, me traditën e pasur të popullit dhe me ndjenjën e dashurisë e të sakrificës për Kosovën, të cilën në vargjet e ciklit poeti e ngrit në simbol të qëndresës.

 

Poet i vlerave të veçanta artistike - origjinal dhe i qartë

 

Përdorimi i lutjes për shpresën, i eksklamacionit për të ardhmen: O ngrije zërin në beteja / Nëna ime e dashur / Se agimet do të lindin, përdorimi i frazeologjive si Jeta vështirë  përbirohet / Nëpër korridoret e territ, përdorimi i simbolit, shpreh rrudhjen e hapësirës, vetëflijimin si vetëdije e lartë për lirinë dhe çlirimin që do ta sjellin lisat që përballuan çdo stuhi, acar e shtrëngatë, pra, trimat, burrat e dalluar dhe heronjtë e Kosovës dhe gjithandej trojeve shqiptare, hyrjen në histori përmes vringëllimës së armëve, qëndresën e paparë që e dëshmuan familja Jasharajt, prej Bacës Shaban e deri te fëmija i djepit, dhënia e portretit në gjithë dimensionalitetin jetësor, mendor e shpirtëror të prijësit të guximshëm për të drejtat e shqiptarëve të Bacës Adem Demaçi, që në vargjet e Dibranit ka bekimin e nënës, të dritës së hënës, të diellit, të kaltërsisë së qiellit dhe si sublimim i gjithë rezistencës dhe papërkulshmërisë së tij del si personalitet më madhor dhe më i shquari dhe e gjithë veprimtaria e tij ka vetëm një emër, një simbol dhe një metaforë, që emërtohet Baca Adem Demaçi - Dritë e zemër e Kosovës dhe e kombit shqiptar në përgjithësi.

Poeti në poezitë e këtij cikli flet për ëndrrat që shpalosin legjendat e historisë dhe shpirtit të shqiptarëve kudo që jetojnë, çfarë qenë Ahmet Delia, Azem Bejta, Shote Galica, Tahir Meha, Shaban Polluzha, Fehmi Lladrovci, Xhevë Lladrovci - personalitete të dëshmuara, që sypatrembur iu kundërvunë pushtuesit që donte t’i mbante me çdo kusht nën kthetrat e robërisë.

Pra, poeti ka arritur që me vargje të ngrohta, me tinguj artistikë të shprehë heroizmin, qëndresën dhe vetëmohimin e këtyre trimave, të cilët për ngadhënjimin e luftës dhe lirisë dhanë më të shtrenjtën, jetën. Nga vargjet e poezive shohim se Dibrani është poet i ndjenjave të fuqishme, është këngëtar që di çka thotë dhe është poet sa i vlerave të veçanta artistike po aq është origjinal dhe i qartë.

Në qoftë se kihen parasysh këto merita dhe këto vlera të poezisë së Dibranit, atëherë me plot gojën mund të kujtojmë atë këshillën e madhe të Danillo Kishit: “Ta kesh ndërgjegjen të qetë dhe për çdo gjë të kesh mendimin tënd”. Pra, kujtimi i së kaluarës përmes vargjeve të vëllimit Larg, e sidomos përmes ciklit Kohë e të mbjellave, shquhet për përmbajtje të reja, për mjetet e rëndësishme artistike, për stilin dhe shprehjen origjinale të poetit dhe, falë këtyre vlerave dhe tipareve, poezitë në përgjithësi paraqesin një ind dhe ide që ndriçojnë në mënyrë emocionale realitetin e djeshëm dhe atë të sotëm. Poezitë e këtij vëllimi duhen lexuar me një përqendrim maksimal të të menduarit. Themi kështu ngase brenda vargjeve ndeshim një zë, një këngëtim, një ndjenjë që prek në çështje të dhimbshme, por që fiksohen bukur, ngjashëm me aforizmat që shprehin të vërtetat dhe biografinë e Kosovës e të njerëzve të saj.

 

Detajet që dëshmojnë lajtmotivin ideor të poezisë

 

Në ciklin Larg poeti rrok në trajtim problematikën e kurbetit, të mërgimit dhe vuajtjet, shqetësimet dhe brengat me të cilat preokupohen njerëzit e shkoqur nga rrethi familjar, nga vendlindja dhe nga atdheu i tyre i dashur. Në shumicën e poezive të këtij cikli, duke filluar nga Larg, Kosovë, Larg vatrës, Kosovë - këngë krenare, Atdheu, Mërgimtarëve, Lisat e vendlindjes, Si feniks do të rilindësh, Largimi, Klithmë është dhembja ime etj. çdo gjë që shqiptohet, shkruhet dhe apostrofohet është në kontrast të fortë dhe ndjenjat që manifestohen brenda vargjeve shprehin besnikërinë, psikologjinë dhe motivimin e autorit për të rrëfyer thjesht e me mjete të qëmtuara me rigorozitet. Në poezi gjithmonë gjejmë elemente dhe të dhëna që të intrigojnë, që të fusin në rrjedhat e kohës. Vëmendjen më të madhe poeti i ka kushtuar gjetjes së detajeve, detajeve që të shumtën e herës dëshmojnë lajtmotivin ideor të poezisë. Përmes metaforës, anaforës, përsëritjes, eksklamacionit, heshtjes, aliteracionit, simbolit, alegorisë, epitetit, krahasimit dhe personifikimit, autori bën transponimin e një pjese të realitetit shoqëror e historik, duke dhënë kështu aspekte të ndryshme që rëndojnë mbi jetën dhe në jetën e njeriut. Në këtë drejtim, si shumë poetë të tjerë, edhe Dibran Demaku ka ditur të përfitojë jo vetëm nga format e përsosura të artit popullor, por edhe nga filozofia e urtësisë popullore, nga konceptet morale dhe estetike përparimtare të popullit, të mishëruar në krijimet e tij më të mira artistike. (Alfred Uçi, “Folklori dhe letërsia e kultivuar”, Nëntori, Tiranë, nr. 2 -1982, f. 168).

Subjektet e këtyre poezive na vënë në dijeni se gjithçka që ndodh e ka ndodhur në mjedisin jetësor, shoqëror e historik, në raport kohë-hapësirë, i kanë shërbyer Dibranit si material, si nxitje dhe si frymëzim dhe tërë këtë problematikë, jo vetëm e ka ndier, por edhe e ka vënë në lidhje të gjallë me jetën dhe filozofinë e të jetuarit.

Duke i pasur parasysh këto të vërteta, me arsye thekson Martin Andersen Nekse se: “Thonë se në gjumë flet nënvetëdija jonë. Po çfarë është kjo, xhanëm? Pasqyrim, rikujtim; përjetime të tua, të të parëve apo të bashkëkohësve? Po ndodh edhe ndryshe; duke lexuar ndonjë gjë të shkruar në të ri, çuditesh se ke mundur t’i shkruash ato pa pas jetuar më parë një jetë të gjatë”. Por, për Dibranin kjo çështje paksa e ndërlikuar teorike është e tejkaluar, sepse ai, me gjithë shpirtorësinë dhe ndjenjën poetike, imagjinatën e ndezur dhe me punën vetëmohuese, ka arritur të sjellë vetëm vargje të goditura nga shumë anë të artit të fjalës së shkruar, vargje që janë fryt i një pune serioze dhe të përkushtuar për cilësi artistike, estetike dhe gjuhësore.

Poezi vlerash të çmueshme janë ato që renditen në ciklin Lajm i keq (Hijet e erës, Syzet e zeza, Në tela të kitarës, Nëse, Korbat, Mos, Zero, Lajm i keq, Kodër pas bregut, Sa poshtë ka rënë katundi, Luaje mace kryet e buallit) dhe në ciklin e fundit Katër stinë pa ty (Ku ta gjej blerimin, Ëndërr e bardhë, Çast, Katër stinë pa ty, Ëndërr, Në shikimin tënd, Për ty etj.).

Në këto poezi poeti u kthehet temave të rëndësishme, ku, përveç botës së ndjeshme shpirtërore, shpërfaq edhe aspekte të realitetit dhe rrjedhave të këtij realiteti. Përmes vargjeve zhbiron drejt kapjes së botës psikologjike të njerëzve dhe shoqërisë në kuptimin më të gjerë të fjalës. Vargjet përshkohen me përjetime e konstatime rreth disa çështjeve që poetin e kanë frymëzuar.

Për më tepër, edhe në këto dy cikle shohim arritjet e poetit. Natyrisht, disa poezi janë emërtuar me shprehje frazeologjike, siç janë: Sa poshtë ka rënë katundi, Luaje mace kryet e buallit dhe Kodër pas bregut. Gati të gjitha subjektet e këtyre poezive sikur na e kujtojnë thënien e rëndësishme të Horacit se në jetë “Asgjë nuk është plotësisht e lumtur”.

 

Në vend të përmbylljes

 

Mbështetur në vlerat e poezive që janë prodhim sa i përsiatjeve të thella aq edhe i mendimeve të rëndësishme të tyre, në strukturën, në vibrimet emocionale që kulmojnë sa në njërën poezi, po aq edhe në tjetrën, në elaborimin e temave, motiveve, trajtimin e figurave historike, letrare, atdhetare, mallit që zihet brendapërbrenda vargjeve shkaktuar nga mërgimi dhe largësitë prej atdheut dhe të afërmve, vlerësojmë se vëllimi është shkruar me mjeshtëri dhe me dell poetik.

Pierre Reverdy konstaton se “Poezia nuk është një lojë e thjeshtë e shpirtit. Poeti nuk shkruan për të zbavitur një publik të çfarëdoshëm, as për t’u zbavitur vetë. Ajo që e shqetëson atë është shpirti i tij dhe raportet që e lidhin atë me të gjitha pengesat e mundshme, me botën e ndjesive dhe me botën jashtë”.

Në fund të këtij shkrimi po theksojmë se vëllimi poetik “Larg” sjell vargje të bukura artistike, vargje të mbrujtura me ndjenja zjarri dhe mesazhet, emocionet dhe mënyra e komunikimit i bëjnë të kapshme, aktuale dhe të ngrohta. Kur të gjitha këto vlera kihen parasysh, atëherë me të drejtë është thënë se “Shkrimtari i vërtetë rrëfen përditshmërinë, por rrëfimi i tij është përgjithësim, është imagjinatë krijuese, është sintezë artistike”. Këta

komponentë e këto cilësi i ka vëllimi “Larg” i Dibran Demakut.