E shtune, 20.04.2024, 12:20 PM (GMT+1)

Mendime

Albert Hitoaliaj: Dardanët e Turqisë dhe turqit e Dardanisë

E hene, 05.09.2011, 05:38 PM


Dardanët e Turqisë dhe turqit e Dardanisë

 

Nga ALBERT HITOALIAJ

 

Traktati i Kadeshit është nënshkruar gjatë shekullit të 13-të para Krishtit, mes faraonit madhështor Rameses i II-të i Egjiptit dhe mbretit Hatusili i II-të i Hititëve, për të krijuar dhe mbajtur marrëdhënie paqësore. Ky konsiderohet Traktati më i vjetër i shkruar, që mbijeton ende sot. Ai u regjistrua në Egjipt, i gdhendur në muret e tempujve me hieroglife, si dhe në ish-Perandorinë Hitite, (territori i Turqisë së sotme) në pllaka dheu të pjekura. Lista e aleatëve të Hititëve, e regjistruar në shkrimet egjiptiane, përfshinte një sërë fisesh. Dardanët ishin mes tyre. "Këto fakte, marrë në formulimin e Kronikës Paskhal, se Dardanët ishin Hititë, po aq sa dhe fakti se Dardanë e Trojanë ishin në ushtrinë Kheta-sira në betejën e Kadeshit, na tregojnë shtrirjen e gjerë dhe madhështinë e perandorisë Hitite" (Sir Charles W. Wilson, 'The empire of the Hittites', Nisbet, 1884, f.59). Tekstet egjiptiane mbajnë të shkruar emrin e dardanëve (Drdny) si një evidencë të asaj beteje të rëndësishme: "...ne kemi dëshmitë e teksteve egjiptiane, se Drdni (Dardanët - asnjë emër tjetër i ngjashëm nuk njihet) luftuan si aleatë të Hititëve në betejën e Kadeshit" (Gurney, Oliver Robert; "The Hittites"; Penguin boks Edition 2, 1990, f.47). Po për cilët Dardanë bëhet fjalë në tekstet e lashta të Egjiptit të faraonëve? "Në 'Listën e aleatëve të Hititëve', të regjistruar nga shkruesit egjiptianë, përfshihen një numër fisesh nga Anadolli dhe Siria: Drdni, të marrë zakonisht si Dardanët, një emër grek Homerik për trojanët" (I. E. S. Edwards, "The Cambridge Ancient History: History of the Middle East and the Aegean region c. 1380-1000 B.C., Vol 2, Part 2, Cambridge University Press, 1975, faqe 359-360). Kemi të bëjmë me dardanët ose trojanët e Homerit. Sipas studiuesve, dardanët janë një prej fiseve të shumta pellazgjike, ashtu si dhe epirotët apo maqedonasit. "Dardano-Ilirët, të cilët, duke iu referuar traditave të lashta, ishin paraardhësit e fiseve të shpërndara në Trojë, Epir dhe Itali, duhet të kenë qenë me origjinë shqiptare. Ilion (shënim A.H: emri i Trojës) është një fjalë shqipe" (Malte-Brun, Conrad; "Universal geography", Vol. 6", 1828, f. 113). Të njëjtët dardano-ilirë, shekuj më vonë, ndërtuan një tjetër qytet historik: Kostandinopojën (nga Kostandini i Madh). Shkëlqimi i këtij qyteti, ishte produkt i fuqisë krijuese ilire. "Nga mesi i shek. 3-të deri në mesin e shek. të 4-t, pas Krishtit, frerët e Perandorisë ishin vazhdimisht në duart e perandorëve me origjinë ilire: Gaius Decius, Klaudius Gotikus, Aurelian, Probus, Dioklecian dhe Konstandin i Madh" (The Neë Encyclopaedia Britanica, Volume 14; 2003, f. 615). Në 1453 qyteti i ndërtuar nga perandori ilir Kostandini i Madh, u ngrys Kostandinopojë dhe u gdhi Stamboll. Kjo rënie e ndryshoi përgjithmonë botën. Kjo copëz historie, ku fiset dardane ekzistojnë të regjistruar në shkrimet antike të Egjiptit, në Traktatin e Kadeshit, marrëveshjen e parë diplomatike të njohur në histori, nuk ekziston në librat shkollore të historisë në Turqi. Nuk ekziston në ata shqiptarë e s'ka pikë dyshimi që nuk ekziston as në ata grekë, të cilët në këtë mënyrë do të pranonin lashtësinë e popullsisë autoktone shqiptare, popullsia dardane e Iliadës. Mënyra që ne shqiptarët shkruajmë historinë paska shqetësuar deri edhe vetë kreun e diplomacisë turke i cili në deklaratën e tij të fundit në Kosovë kërkon rishikim të shtrembërimit të historisë që bëjmë ne shqiptarët. Me fjalë të rëndomta, ata, otomanët, nuk kanë qenë pushtues si ç'jepet në tekstet shkollore shqiptare. Mund të duam ta ndryshojmë historinë, por nuk mundet ajo vetë të ndryshojë fytyrën e saj (ku t'i çojmë 220 kryengritje anti-osmane?!). Davutogllu, është diplomat e jo historian e për këtë arsye, vëzhgimi 'shkencor' që na ofron, sikur ne po transformojmë historinë, është i tepërt për ne dhe domosdoshmëri për të. Ajo që ai kërkon është shtimi i influencës në rajon, dominimi vendeve ku ka besim mysliman (e jo vetëm), kryerja e lidhjeve e urave strategjike me shtetet e Ballkanit duke realizuar një perandori të re otomane, por këtë herë jo me shpatë, por me penë (soft power). Ai flet për versione titiste e enveriste, ku po qe se i referohemi "titistëve" e "enveristëve", me pak fjalë historia nën perandori do të ishte kështu: Shqipërin' e mori turku, i vu zjarr! Shqipëtar, mos rri, po duku, shqipëtar! Mjaft punove për te tjerë, o fatkeq! Kujto vendin tek ke lerë dhe tek heq (Çajupi). Pra shkrimi i historisë është një përthyerje e të vërtetës me qëllim që ajo të marrë formën e qëllimit strategjik që ka diplomacia turke apo greke (edhe grekët kanë pretendimet e tyre për rishikim historie) ndaj shqiptarëve. A ka rëndësi historia në vetvete? Në këtë rast jo. Për ta, rëndësi ka arritja e qëllimeve strategjike që kanë ndaj Shqipërisë. Dardanët (shqiptarët) e zhvendosur në Turqi nuk kanë shkollat e tyre e nuk njihen si minoritet shqiptar në Turqi, por pavarësisht kësaj platforma e Turqisë synon që të mbështesë të drejtat e turqve të Dardanisë (lexo: shqiptarët që flasin turqisht e që banojnë në Kosovë). Shpjegimi duket se gjendet përsëri te historia e diplomacisë. Atë na e sjell gjeografi amerikan Isaiah Bowman, drejtori i "Shoqërisë Amerikane të Gjeografisë" dhe kryekëshilltari për territoret pranë Presidentit Woodrow Wilson në Konferencën e Versajës. Për shkrimtarët e konspiracionit nuk është aspak i panjohur pasi në vitin 1921 u bë drejtori i CFR (Council of Foreign Relations). Ja se ç'thotë ai për Shqipërinë: "Është e vështirë për Shqipërinë që të kundërshtojë veprimet e fqinjëve të saj sepse ajo nuk është e bashkuar...Për një kohë të gjatë Italia ka insistuar që në çdo rast të ketë një bazë detare në portin e Vlorës dhe një zonë mbrojtjeje, mjaftueshëm të gjerë, për operacione tokësore në rast sulmi. Kjo do t'i siguronte asaj një supermaci navale në Adriatik dhe në ruajtjen e gjithë bregut të saj lindor... Do të ishte e rëndësishme që kufijtë përfundimtarë të Shqipërisë t'i kishim të skicuara në mënyrë të kujdesshme, që të bënim bashkimin, me aq sa është e mundur, e të gjithë shqiptarëve të lidhur drejtpërsëdrejti me pjesën kryesore, dhe të siguronim zhvillimin ekonomik, i cili formon një nga bazat e paqes së qëndrueshme. Gjithashtu, në kundërshtim me procesin e bashkimit janë shtetet rivale kufizuese, Greqia, Jugosllavia dhe Italia. Po qe se për të çuar para, interesat e tyre tregtare, këta shtete ushtrojnë format tradicionale të propagandës politike atje mund të shkaktohet çrregullim, për të mos thënë shkatërrim." (Isaiah Bowman,The new World, problems in political geography, 1921, f. 312). Ballkani ynë, mund të jetë gjeografikisht i vendosur disi në periferi të Europës, por nga ana strategjike është në zemër të saj, si nyje e rëndësishme gjeopolitike. Kjo arsye ka motivuar zhvillimet e dekadave të fundit. Kjo është edhe arsyeja që shtete të ndryshme ushtrojnë presion mbi vendin tonë, për të arritur dobësimin kombëtar shqiptar, për të pasur kontroll apo influencë. Turqia synon detin Adriatik ashtu si e synojnë edhe fqinjët e tjerë. Strategjia turke synon dominimin mbi rajonin Deti i Zi-Egje-Adriatik; synon projektimin nga fuqi rajonale në globale. Arsye kjo, që shtyn edhe Davutogllunë në misionin e tij historik, jo si rishkrues i saj por si krijues i momentit historik. Ky mision mund të shkojë për shtat edhe me synimin shqiptar për fuqizim e krijimin e aleancave strategjike rajonale. Por, po na kërkojnë shumë! Po na kërkojnë të jemi mohues të qenies sonë. Një miqësi e tillë 'vëllazërore' e komb-mohuese, do të na shndërronte në një komb lëvozhgë veze 'të mbrojtur' por bosh brenda.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora