E marte, 23.04.2024, 06:24 PM (GMT+1)

Editorial

Rrahim Sadiku: Ikim nga mundësia e sundimit të imamëve

E hene, 05.09.2011, 05:59 PM


Ikim nga mundësia e sundimit të imamëve

 

Nga Rrahim Sadiku, Shkrimtar

 

Ej, popull shqiptar! Zgjohu e mendo esull. “Hanibal ante portas!” Hanibali (në këtë rast armiku ynë) ende është te dera. Dhe pa ndihmën e atyre që na çliruan nuk mund të mbahemi as edhe një ditë, as shtet e as popull, po as edhe të mbajmë fe! E kemi provuar shumë herë këtë, e më së fundi para pak më shumë se dymbëdhjetë vjetëve. Po e provojmë në disa pjesë të vendit edhe sot.

 

Çka po ndodh kështu me ne?! Ne nuk kemi bërë luftë për çlirim fetar, po për çlirim kombëtar e njerëzor, sepse fenë nuk na e pati ndaluar askush. Ne kemi luftuar për të ngritur shtet demokratik dhe e kemi arritur këtë. Pse po shkelim kështu pa pikë dhembjeje mbi të arriturat tona!? Pse po bëjmë punën e armikut tonë, mu në shtetin tonë të lirë!? Pse po duam të bëhemi edhe tash gazi i botës, si haxhiqamilët e kusbabajt, dikur, kur kemi mundësi të marrim aq shembuj përparimi, mbarësie e lirie të vërtetë?

 

Dhe, përgjigjja vjen vetvetiu: sepse ata që nuk na e duan të mirën, duan të na gërryejnë nga brenda. I kanë gjetur e po i gjejnë gërryesit e paskrupullt të atdheut, në secilën qoshe të tij. Dhe këta, për fat të keq, nuk janë më analfabetë e injorantë, po njerëz të shkolluar, ish-oficerë të shtetit nga i cili u çliruam e ministra dhe nëpunës të lartë të shtetit më të ri në botë, të cilin po tregojnë me vepër se nuk e duan.

 

Cili do të ishte shteti i dominuar nga feja e fetarët? Si shtet katolik, do të kthehej te inkuizicioni e si shtet islam te sheriati. Në të dy rastet, përparimi, demokracia dhe liria do të merrnin fund. E ne nuk duam të marrim fund me të gjitha. Prandaj kemi shtetin e lirisë së fituar me gjak të freskët e me gjak të derdhur gjatë shekujve, ku bazë e jetës është liria; liria kombëtare për të gjithë që jetojnë këtu, liria e mendimit të lirë, liria fetare, liria gjinore e të gjitha liritë që i duhen një shoqërie moderne. Asnjë klasë politike, asnjë komunitet, asnjë bashkësi fetare, asnjë individ nuk ka më shumë liri e më shumë të drejta se një tjetër. Pse janë ngritur në këmbë, pra, vehabistët, të shiturit dhe militantët e pakuptimtë? Mu për atë se liria e Kosovës është pengesë për ata e për punëdhënësit e tyre.

 

Të dalim te thelbi i problemit. Një pjesë e madhe e imamëve tanë, të shkolluar e të robotizuar nëpër vende të ndryshme islamike, duan të na kthejnë atje ku nuk kemi qenë as në kohën e Perandorisë Osmane: te dominimi i plotë i mësimeve të sheriatit dhe pushtetit pa kufi të imamëve! Andaj duan që Kosovën e popullin e saj ta shndërrojnë në një imamat fanatik, çfarë sot nuk e ka as Irani e as disa shtete të tjera, që bazë kushtetuese e kanë sheriatin.

 

Duan ta bëjnë këtë për të na larguar nga e gjitha ajo që në ne është e lindur, është evropiane dhe është bashkëkohëse. Duan të na shtyjnë të besojmë se ne shpëtimin do ta gjejmë duke u besuar shefqetkrasniqëve, fuatramiqëve, feridaganëve, mjekërpalarëve e sojsorrollopit të tyre, që po të kishin mundësi, nuk do të ta na linin as frymë të merrnim pa i pyetur e pa e marrë pëlqimin e tyre.

 

Këtij tentimi për ta zhveshur çdo gjë evropiane nga ne e për t’u islamizuar deri në palcë, i priu para pak vjetësh akademik Rexhep Qosja me etjen për t’u bërë lider kombëtar i kombit të ri, i kombit kosovar, i cili, sipas tij, na paska në vete më shumë elemente islamike sesa evropiane. Dhe e ka mirë Qosja, sepse filozofia e këtillë ka bërë që vendlindja e tij, Plava e rrethina, të sllavizohen në emër të fesë. Një shembull i tillë, po e ndoqëm, pa shkuar shumë kohë, do të bëjë që ne në Kosovë të ndjehemi më turq se turqit e më fanatik se vendet me fanatike islame.

 

Qosja e ka ditur dhe e di këtë, po ai shkeli mbi të gjitha, vetëm që të dalë, së paku me një ide, ndryshe nga Ismail Kadare. Ai foli atëherë kështu, kundër punës së tij e kundër asaj që kishte folur e bërë deri atëherë dhe sot hesht, kurse ideja e tij po i nxjerr njerëzit të rrugë, për të mohuar veten, kombin dhe traditën e tyre. Qosja e ata që mësojnë nga e keqja e jo e mira e këtij akadenmiku, e dinë se pushtimi osman ishte robëri e jo liri për shqiptarët e për Shqipërinë, që “U ngrys Evropë e u gdhi Azi” ka thënë me të drejtë Kadare. Gjatë gjithë shekujve që pasuan u tregua se ky nuk ishte fati por fatkeqësia jonë dhe këtë e paguam shumë shtrenjtë me gjakun e derdhur rrëke, me humbjen e pakthim të territoreve etnike, me mërgimin e pandalshëm dhe me ndarjen e dhunshme nga trungu ynë evropian.

 

Realisht në Kosovë nuk ka pasur kurrë e nuk ka probleme fetare, madje nuk ka as kundërshtim fetar dikush ndaj ndokujt tjetër. Vetëm ata që nuk duan Kosovë të lirë e moderne, po. Sepse ata nuk e jetojnë këtë kohë e janë vënë verbërisht në shërbim të mesjetës. Por, besoj se çdo njeri, me mendjen esull, nuk do të pajtohej të kthehemi në fillim të shekullit shtatë e të jetojmë sipas rregullave të vendosura atëherë. Edhe me ligj e edhe me fe, besimi është çështje e lirë e individit dhe ai nuk guxon as të imponohet e as të cënohet. Imamët tanë, që kanë lexuar vetëm ndonjë libër fetar e asgjë tjetër, shfrytëzojnë fëmijët për qëllimet e tyre të errëta, si ndodhi gjatë muajit të Ramazanit në Komogllavë të Ferizajt, kur me ceremoni e pompozitet u bë mbulimi publik i dhjetë femrave të mitura, u varros aty rinia dhe ardhmëria e tyre.

 

Dhe imami që e bëri këtë mendon se ka vepruar mirë e devotshëm, sepse ai e të tjerët si ai, kanë mësuar disa rregulla përmendësh dhe sillen sikur në ta janë mbledhur dituritë e gjithë botës. Ata sikur u rrinë mbi shpinë dhe i tmerrojnë nga mëngjesi deri në mbrëmje besimtarët e tyre me rrëfime për ferrin e për atë që do të përjetojnë po shkuan atje, duke harruar se kështu cenojnë lirinë dhe dinjitetin e tyre. Për ata do të ishte kënaqësi të kthehemi te shkretëtira, te udhëtimi me kalë, te kasollet, te e gjithë ajo që tashmë ka perënduar.

 

Për këtë, për shkak të kësaj ecje prapaktheu në histori që mund të ndodhte, mësimi i lëndës fetare nga këta fanatikë të paskrupullt, do të ishte dëm i madh dhe rrezik për të ardhmen e fëmijëve tanë. Dhe, Kuvendi i Kosovës, duke mos e aprovuar kërkesën për futjen e lëndës së mësimit fetar dhe të shamisë nëpër shkolla, ka marrë një vendim shumë të arsyeshëm dhe i cili duhet përshëndetur nga të gjithë qytetarët tanë. Përndryshe, pa shkuar shumë kohë, ne do të ishim kthyer në shtet imamësh dhe nuk do të kishim më mundësi të dilnim kurrë nga errësira e shekujve, që do të vinte bashkë me ata.

 



(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora