E enjte, 28.03.2024, 06:16 PM (GMT)

Kulturë

Preç Zogaj: Mbi krijimtarin e Bahri Myftarit

E shtune, 03.09.2011, 05:37 PM


Mbi krijimtarin e Bahri Myftarit

 

Autori papritur e ka mbyllur me ‘happy end’ tregimin e tij. Myftari “ luan” shpesh kështu me pritshmërinë e lexuesit, duke lënë një shenjë të vetën në kujtesën e tij

 

Nga Preç Zogaj

 

Çdo kohë krijon një modë të caktuar edhe në letërsi, modë e cila dalëngadalë, nga teprimi, bie në rutinë, bëhet e rëndomtë dhe e mërzitshme. Një modë e tillë është, për shembull “realizmi magjik”, futja e dendur, deri në mani, e linjave, episodeve apo personazheve imagjinarë apo surealë, që nuk mund të ndodhin e nuk mund të ekzistojnë kërkund tjetër veçse në letërsi. Problemi është se realizmi magjik kërkon një sens të përkryer mase për të mbetur një vlerë e shtuar e letërsisë. Por ai është një kurth i madh për imituesit. Këta nuk bëhen dot shkrimtarë nëpërmjet “fantazisë”, por kanë aftësinë e lindur ta banalizojnë fantastiken ngaqë nuk janë realistë. Një modë tjetër, akoma më e përhapur dhe më joshëse për mediokritetin është kriticizmi, rendja pas temave “të këqija” dhe personazheve “ të këqinj”, që ndërsa na tregojnë anët negative të jetës, u japin mundësi autorëve të nxjerrin shpatën, të sulmojnë, të akuzojnë, të përqeshin, të satirizojnë. E gjithë kjo do të ishte diçka e mirë nëse shkrimtarët do të përfshiheshin në kohë reale, me mjetet e tyre, në betejën kundër së keqes. Por trimëria pas pilafit me shumë e shëmton se sa e nderon letërsinë.

Këto mendime me kalonin në mendje teksa po përfundoja së lexuari librin me tregime dhe novela “Vjedhësit e erës” të Bahri Myftarit, botuar nga shtëpia botuese “Onufri”. Një shkrimtar me përvojë të gjatë si lëvrues i prozës së shkurtër, Myftari, edhe pse bashkohor, nuk duket i tunduar as nga lehtësia realizimit magjik, as nga lehtësia e një kriticizmi rutinor që ushton pa jehonë në shkretëtirën e indiferentizmit dhe degradimit të vlerave. Ai vijon të mbetet një shkrimtar klasik, realist, i thjeshtë, lakonik, i ndjerë, lirik, ironik, tërheqës; një shkrimtar që vazhdon të qëmtojë vlerat dhe virtytet me të mira si thelb dhe si destinim i natyrës njerëzore, pavarësisht se “koha vazhdon të jetë e maskarenjve”. Por koha do t’u përkasë të mirëve, duket sikur replikon me zë të lartë që nga letra e tij e bardhë Bahri Myftari. Pa i bërë asnjë konsension së keqes, e cila shpjegohet si dukuri sociologjike, proza e Myftarit tingëllon në pjesën e saj më të madhe si një himn për virtytet më të mira të njeriut. Lirizmi është i pranishëm në gjithë regjistrin ndjesor të tregimeve të librit “Vjedhësit e erës”. Autori nuk rezervohet ta tregojë me tepri lirizmin, pasi është i vetëdijshëm se lirizmi është fryma që i jep jetë prozës së tij. Kurse ironia shfaqet si nënshtresë e rrëfimit. Ashtu siç u ka hije shkrimtarëve me përvojë, Myftari nuk e tregon me tendencë ironinë, por e le të “flasë” vetë dhe gjithë kjo shkrihet në estetikën përgjithësisht të lartë të prozës së tij.

Te kjo estetikë, mendoj unë, gjendet sekreti i një proze që rrjedh, lexohet me kërshëri dhe kënaqësi, pa sforcim, pa u ndjerë në kllapat e skematizmit, pavarësisht se temat, edhe pse të larmishme, janë shpeshherë të njohura dhe duket sikur do të zhvillohen në shtratin e trajtesave gjithashtu të njohura. Duket sikur shkrimtari e çon lexuesin me njëfarë dashjeje afër këtij kurthi, pra afër kurthit të skematizmit, kur ja, papritur subjekti “ dredhon” në një shteg të panjohur, origjinal, që është edhe arsyeja pse shkrimtari ka vendosur ta shkruajë tregimin.

Një tipar i qenësishëm i estetikës së këtyre tregimeve është ajo që do ta quaja ngjeshje e tekstit, që është diçka më e thellë se lakonizmi, të cilin e përfshin. Përgjatë karrierës së tij të gjatë si tregimtar, Myftari ka ardhur duke e përsosur është tipar që është çelësi i suksesit të prozës së shkurtër, një, tipar që vjen nga teknika e zhveshjes se tekstit nga çdo gjë e tepërt, e panevojshme, si ajo që ka përsosur rrëfimi popullor në përrallat dhe legjendat homonime. Tregimet e Myftarit kanë kaq shumë lëndë, kaq shumë kohë dhe hapësirë të ngjeshur në pak faqe, sa “po t’i lëshosh”, të shkon mendja se mund të shndërrohen menjëherë në tregime të gjata apo novela. Por nga ana tjetër, atyre nuk u mungon asgjë ashtu siç janë shkruar, pra nuk mund të thuhet se janë sinopose, por unitete të mirëfillta artistike. Autori është stërvitur në mjeshtërinë e ngjeshjes se tekstit, duke përdorur një larmi mjetesh e formash që nga dialogu i kursyer, deri te eksklamacioni. Në tregimin “Një varr për qenin”, për shembull, autori likujdon nëpërmjet një eksklamacioni gjithë paragrafët që do të kërkonte shpjegimi i rëndësisë që kishte për të rinjtë lirimi nga ushtria në vitet kur ky shërbim zgjaste tre vjet. Kudo në tregimet e Myftarit gjen “prerje” të tilla mjeshtërore të tekstit të panevojshëm. Ngjeshjen si karakteristikë e shohim te shumica e tregimeve të këtij libri, si “Parfumi i Anës”, “Vrasësit e zonjës Sofi”, “Absurdi”, “Viti i vdekjes së bletëve” e tjerë. Ngjeshja ndërkaq u siguron tregimeve një ritëm të brendshëm që e mban të lidhur lexuesin.

Sigurisht, mjeshtëria e të treguarit nuk do të mjaftonte pa pasurinë e gjuhës dhe kryesorja pa origjinalitetin e subjektit. E cekëm me sipër se në pamje të parë tregimet e Myftarit nisin si diçka e njohur për të mos thënë skematike, por për secilin vjen çasti kur “mashtrojnë”, në kuptimin që dalin nga skema dhe vijojnë një tragë origjinale. Tipik për ketë që themi është tregimi “Fatma”, ndër më të bukurit në këtë libër. Subjekti i thjeshtë – dashuria e një vajze të re adoleshente nga një familje e internuar me një ushtar të ri – zhvillohet brenda një dramaciteti te brendshëm që paralajmëron një tragjedi. Lexuesi pret me njëfarë ankthi çastin kur dashuria e pafajshme dhe sublime e këtyre të rinjve do të rrëzohet dhe iluzionet e vajzës së re për të shpëtuar nga ferri i internimit do të shemben. Të gjithë ne që e lexojmë jemi gati të nënshkruajmë fundin tragjik, por sikur ta dinte këtë dhe duke e ditur se jeta propozon edhe në kohërat më të rënda zgjidhje të lumtura, Myftari, papritur e ka mbyllur me ‘happy end’ tregimin e tij lirik dhe dramatik, në të cilin ka shpalosur vlerat e tij më të spikatura si tregimtar. Bahri Myftari “ luan” shpesh kështu me pritshmërinë e lexuesit, duke lënë një shenjë të vetën në kujtesën e tij.

Por një prej vlerave me të spikatura të këtij libri, sipas mendimit tim, është prirja e shkrimtarit drejt shembujve të virtyteve të larta siç janë besnikëria, mbajtja e fjalës, ndershmëria, ndjenja e punës, respekti i shenjtë për prindërit, atdhedashuria, njeridashja e tjerë. Duket sikur këto vlera dhe bartësit e tyre nuk janë një lëndë e mirë për letërsinë në kohën tonë. Bahri Myftari u ofron shkrimtarin këtyre vlerave. Ai kërkon të nënvizojë epërsinë dhe pavdekësinë e tyre në tokën e njerëzve. E gjithë kjo, duke shmangur format retorike. Tregimi “Dhurata” është një tregim tipik për fuqinë zbukuruese të virtytit. Një djalë i ri, emigrant, përfshihet në një besëlidhje me padronin e tij grek. Një parandjenjë tragjike, gjithnjë e pranishme në tregimet e kësaj natyre të Myftarit, e kthen djaloshin për disa ditë në atdhe ku lidhje e tij me një vajzë ka prekur kufijtë e një ndërlikimi plot të panjohura. Djaloshi është duke e humbur dashurinë e jetës, por pas tridhjetë ditësh kthehet në Greqi sepse ka patur një pakt me padronin e tij të dashur. Tragjedia e pritshme nuk ndodh në Shqipëri, por ka ndodhur ndërkaq në Greqi, në shtëpinë e grekut. Padroni ka vdekur, por ëndrra e tij e nisur me shqiptarin ka filluar të marrë jetë. Shqiptar ka blerë një çakmak për të, një çakmak që këndon këngën “O sole mio”. Tregimi mbyllet me hedhjen në ajri të këtij çakmaku dhe me jehonën e këngës “O sole mio” si një homazh hyjnor për miqësinë mes njerëzve. Këto ngjarje ndodhin, nuk janë të realizmit magjik, pavarësisht se letërsia e paaftë për të qenë realiste dhe humane shpeshherë i nxjerr nga vështrimi. Bahri Myftari ka bërë të kundërtën.



(Vota: 4 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora