| E shtune, 03.09.2011, 06:56 PM |
Namik Selmani
Namik Ibrahim Selmani u lind më 18.11.1950
namikselmani@yahoo.com
Aromë Çamërie
1.
Më vjen Çamëria në duar
Si një tufë e blertë borziloku
E hedh në gjoksin e thinjur
Një triko të vjetër, të leshtë.
Minaret presin ezanet
E çerdhja pret cicërima zogu
E fëmijët e fëmijëve
Flasin veç për plagë e brengë…..
2.
Më vjen Çamëria e shtrenjtë
Si një tufan i zbutur nga dielli
Ndalet në supet e lodhur
Të një shpendi malor
O netë tragjike çame,
Ku plumbat vrisnin dhe qiellin
Më sillni ca ditë,
Kur të eci pa dhimbje e drojë.
3.
Edhe pa pranga
Kujtoj ftoin e shegën e pavjelur
Një dasëm
që ngrinte gurët, sofatet, përrelet.*
Një valle që hidhej
në gjokset e burrave të mençur
Një breg
ku nuk dua të bëhem kurrë gardiani i derteve.
4.
Dhe e marr Çamërinë
Në një hambar të mbushur me grurë
Ta mbjell në ugare zemrash
që kurrë të mos thahet e vyshket si fleta
se oxhaqet duan zjarr, vëlla,
e gurët janë prej vitesh të sëmurë
Një mall i largët
Ç’po ua thinjka vajzave të bukurat gërsheta.
5.
Me ca trokitje morsore
Qenkan pak, shumë pak
Të zgjojnë sërish puset, bahçet, stanet.
O, po shpirti im bleron
dhe për ty, moj Çamëri e bukur
Bëhet një Jon i dytë
me blegërima, ullinj e portokalle
6.
Oooo, po shpirti im
Këndon si aed këngë për nipin e nipit
Se toka s’më tret nën dheun zezonë
Pa larë borxhin e vjetër.
Luturvia* pret, pret
Kokrrat e pavjelura të ullirit
Dhe strehët e vetmuara
Bëhen fole për karvanarët.
7.
Më vjen Çamëria si mandile nëne
a e vënë në duart e vajzës nusëruar
Si një shpat i lartë
Që nuk ia numëroj dot rrezet që e ndrisin
Rahmetoj gjyshërit
Si lisa të një Pylli të Prerë
Mbi ëndrrën e tharë
Hedh lotin si farën për plisin.
8.
Dhe e prek Çamërinë
Me qerpikun e lotit në syrin e patharë
E thërras me oi
Në gjysëmerrësirën e klithmuar të netëve
Oooo, po ajo është larg,
e vatrat s’kanë shkarpa e zjarr
pa një dorë nëne
janë djepet që duan përkëdhelje
9.
E kam Çamërinë në sy si një shamibardhë
A si një vajzë me bukurinë dashuruar
E në ballin e nxehtë
Fshij rrëketë e djersës së etheve
Lirikat për ullinjtë
Me elegjitë e baladat janë shartuar
Janë kthyer në cungje
A ninulla të pakënduara të djepeve
10,
Më vjen kudo Çamëria...
Në syrin stërrall që bëhet shkëndija...
30 gusht 2011