E premte, 19.04.2024, 01:17 AM (GMT+1)

Mendime

Shekulli: Të gjithë po i hapin rrugë regjimit…

E shtune, 03.09.2011, 05:48 PM


Të gjithë po i hapin rrugë regjimit…

 

Editorial nga Shekulli

 

Ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, Gjeneral Luan Hoxha, citohet të ketë denoncuar djalin e Sali Berishës, Shkëlzen Berisha, si njeriu që ka bërë presion të mos ndalej procesi i demontimit në Gërdec. Gjeneral Hoxha i ka dëshmuar ambasadorit amerikan në Tiranë, skenën e presionit telefonik të Shkëlzen Berishës dhe më pas ka thënë se nuk mund ta denoncoj dot në Prokurori, pasi nuk ka besim tek hetimi dhe është i pasigurt për jetën e tij.

 

Nuk duam të merremi më me faktin që fabrika e Gërdecit është pronë reale e Shkëlzen Berishës. Siç e thotë dhe Gjeneral Luan Hoxha, këtë e dinë dhe shumë vet të tjerë, përveç tij. Ajo që trondit në gjithë këtë histori, është roli kyç i personave që i kanë hapur rrugën mafies shqiptare në pushtet. Një fajtor i madh i pafajshëm në këtë histori, është ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Përfytyroni një gjeneral tjetër në një vend tjetër të botës, qoftë dhe në vende të botës së tretë, që të kërcënohet në telefon nga i biri i kryeministrit që merret me trafik armësh dhe të ketë frikë për jetën e tij, deri në atë shkallë sa të mos shkoj të bëjë as denoncim në Prokurori për këtë çështje?! Askund, përveç shteteve ku diktaturat e familjes qeverisin.

 

Në çdo vend normal të botës, i biri i kryeministrit mund të kërcënohet nga shefi i shtabit nëse ka probleme me ligjin, por kurrsesi e kundërta.  Por, kjo tashmë ka ndodhur dhe si Luan Hoxha janë dhjetra zyrtarë të lart të shtetit shqiptar, të cilëve Shkëlzen Berisha u ka dërguar sms, fakse, telefonata dhe njerëz, për t’i hapur rrugë biznesit të tij vdekjeprurës. Fakti që të gjithë këta njerëz heshtin dhe mbi të gjitha, fakti qe prokuroria është e lehtësuar që këta heshtin, tregon shkallën e degradimit të shtetit shqiptar dhe drejtësisë në këtë vend.

 

Ne jetojmë në një vend, ku Shefi i Shtabit të Përgjithshëm ka frikë për jetën e tij, për shkak të aferave të të birit të kryeministrit. Dhe, mendoni sa të sigurt e kemi pasur mbrojtjen e Shqipërisë, me këtë gjeneral në krye të vendit. Përfytyroni që ne të ishim shtet në luftë me Serbinë apo Greqinë dhe nëse niste lufta, Gjenerali ynë kryesor, përmbi fatin e Shqipërisë, të kishte frikë për jetën e tij!!!.  Fakti që në një shtet si Shqipëria, një gjenerali të tillë i bie në pjesë të jetë në krye të ushtrisë shqiptare dhe të iki prej andej si fajtor, pa guxuar të tregojë fajtorin real, tregon se si i seleksionon pushteti  njerëzit që duhet t’i hapin rrugë mafies në këtë vend.

 

Përfytyroni pas Gjeneralit, që e kishim zgjedhur për të ruajtur Shqipërinë, se si është sjellë Prokuroria me këtë çështje.  Ata kanë në dorë faksin që Ministria e Drejtësisë i ka dërguar Shkëlzen Berishës për ta informuar për procesin e miratimit të kuadrit ligjor për Gërdecin, kanë në dorë dëshmitë e sekretareve të Aldo Bumçit që faksi ju dërgua Shkëlzen Sali Berishës, kanë hyrje daljet e Shkëlzen Berishës tek Fatmir Mehdiu të regjistruar në video dhe në bllokun e sekretares, kanë dëshmitë e njeriut hije të Shkëlzen Berishës, Rrahman Selmanllarit, që bën deklarata të gënjeshtërta lidhur me lidhjet e tij me Gërdecin, kur provat tregojnë të kundërtën, kanë dëshmi të punonjësve të administratës së Ministrisë së Drejtësisë, Mbrotjes dhe Ekonomisë, për bezdisjen e Shkëlzen Berishës derisa u miratua kuadri ligjor, dhe nuk e kanë marrë asnjë ditë në pyetje Shkëlzen Berishën.

 

Arsyeja është se ndjehen të pasigurt!!! Dhe, me këtë arsyetim, ne shqiptarët duhet të kemi një Shef Shtabi djalë të mirë, por frikacak, një kryeprokurore vajzë të mirë, por që ka fëmijë dhe familje dhe ka frikë etj. Dhe për këtë shkak t’i hapim rrugë një regjimi familjar në pushtet, që sundon duke kërcënuar dhe shantazhuar institucionet, të cilat tanimë kanë rënë.

 

Dhe, si  për ta kompletuar këtë panoramë të dorëzimit të pushtetit para mafies, në një analizë të ambasadës së SHBA-së në Tiranë mbi politikanët e korruptuar dhe të lidhur me mafien, mes të tjerësh ishin dy figurat që janë “yll në ngjitje” në PD, Sokol Olldashi dhe Lulzim Basha.

 

  portretin që u bënte ambasada në Tiranë, të dy politikanët e rinj të PD-së vlerësoheshin si të lidhur me grupe kriminale dhe droge, të cilët i kane përdorur në zgjedhjet e vitit 2009 në Fier dhe Elbasan. Për Olldashin citohej  një emër konkret i një personi të inkriminuar, që në bashkëpunim me Enkelejd Alibeajn, kanë liruar vrasës për t’i përdorur në fushatë. E njëjta gjë citohej dhe për Lulzim Bashën ne Elbasan.

 

Problemi që lind pas kësaj, është se si ajo parti, e cila thuajse nuk ka më asnjë institucion veç Sali Berishës, djalit dhe vajzës së tij, që emërojnë gjithkënd, u ka hapur rrugë pikërisht këtyre dy politikanëve të vetëm të etiketuar si të lidhur me krimin dhe korrupsionin. Kjo është shenjë që tashmë shoqëria ku jetojmë, partitë, institucionet, njerëzit e thjeshtë, e dinë se çduhet të bëjnë. Ata duhet t’i hapin rrugë mafies. Në një vend ku gjenerali kryesor ka frikë të birin e kryeministrit, një kriç i papërgjegjshëm, që sillet rrugëve me çantë me para, në një vend ku prokuroria gëzohet që njerëzit nuk denoncojnë aty familjen e kryeministrit, në një parti në pushtet që u hap rrugë atyre që janë të lidhur me krimin dhe kriminelët në këtë vend, mos prisni që shoqëria të veprojë ndryshe.

 

Standardi që ka vendosur regjimi familjar i Sali Berishës, tashmë është pranuar nga disa si fat dhe nga shumica si fatkeqësi, por aman gjithsesi është pranuar.

 

Tashmë as fëmijët e Sali Berishës nuk kanë nevojë të kërcënojnë më, as Shkëlzeni nuk ka nevojë të telefonojë dhe të bëj fakse, as Argita nuk ka nevojë t’i bëjë telefonatë tatimeve të fshehin të ardhurat e Fazlliçit, as Liri Berisha nuk ka nevojë të marrë çdo ditë në telefon Motrën e Gimes në Ministri të Shëndetësisë, për ta porositur ku do gjejnë paratë e radhës për fondacionin e saj, as Agim Shehu nuk ka nevojë t’i bëjnë telefonatë për të gjobitur bizneset e njerëzve të opozitës, as Sali Berisha nuk ka nevojë të shajë dhe mallkojë më shefin e ri të Shtabit të ushtrisë, kryeprokuroren, apo kryetarët e gjykatave . Të gjithë e dinë se duhet t’i bëjnë.

 

Të gjithë janë në garë kush ta kuptojë më mirë dhe më shpejt çfarë do Berisha, çfarë do Liria, çfarë do Argita, çfarë do Shkëlzeni dhe të nxitojnë ta bëjnë. Të gjithë i hapin rrugë rregjimit , i cili në fakt është një pakt i ndyrë i mafies primitive të këtij vendi, me ca burracakë që janë ushtarë të saj në pushtet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora