E enjte, 28.03.2024, 12:08 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Kosovë, protestë për shaminë dhe xhaminë...

E premte, 02.09.2011, 06:09 PM


Protestuesit: Jashtë majmunët nga Parlamenti

 

Nga Lirita Halili, Express

 

(E plotësuar)Ka përfunduar në mënyrë paqësore protesta e besimtarëve myslimanë përballë Qeverisë së Kosovës.

Edhe përballë Qeverisë fjalën e ka mbajtur Fuad Ramiqi, kryetar i Lëvizjes Bashkohu.

Ai në fjalën e tij ka thënë se njerëzit të cilët votuan atë ditë në Parlament janë njerëz hipokrit.

“Në emër të xhematit, njerëzit e parlamentit janë hipokritë”, ka thënë Ramiqi, përderisa protestuesit kanë brohoritur “Jashtë majmunët nga Parlamenti”.

Ramiqi, mandej ka pasur punë me Behgjet Pacollin, të cilit i bëri thirrje që ta përmbush premtimin e tij të dhënë gjatë fushatës elektorale, përndryshe nëse nuk ja arrin qëllimit, le të largohet nga koalicioni.

Një kerkesë Ramiqi e ka pasur edhe për Kryeministrin Thaçi të cilit i ka thënë se ligji për arsimin fillor dhe parauniversitar të rikthehet në shqyrtim.

Pas Ramiqit, ka folur edhe Shefqet Krasniqi, i cili iu ka drejtuar Presidentes së Republikës, Atifete Jahjaga.

Ai ka kërkuar nga Presidentja që mos ta nënshkruaj ligjin.

“Ligji i turpshëm dhe nëse Presidentja nuk e nënshkruan ne do të jemi përkrahësit e saj në çdo hap", tha ai.

Më pas pati edhe një falënderim.

"Falëndëroj Allahun që na flladiti kohën”, ka thënë ai.

Pas këtyre fjalimeve, protestuesit janë shpërndarë në mënyrë paqësore.

Ramiqi: Komuna s’po punon për popull

Pas faljes së namazit, kryetari i Lëvizje Bashkohu, Fuad Ramiqi, ka marrë përsëri fjalën duke i dhënë përgjigje Isa Mustafës për deklaratën e tij se “myslimanët, që kanë para mund ta blejnë edhe Grandi.

Ramiqi tha se Mustafa së pari duhet të mendoj për qytetarët, dhe se myslimanët nuk kanë para sepse ato po i lënë në komunë.

“Edhe nëse na ofrojnë komunën, por edhe vende të tjera, nuk do të ishte problem por ne i lëmë paratë në komunë pasi që komuna po punon vetëm për ta (kryetarin dhe anëtarët e tjerë) dhe jo për popullin”.

Pas këtij fjalimi, protestuesit janë nisur në drejtim të objektit të Qeverisë tek teatri kombëtar, ku kërkesën tjetër në lidhje me Mesimbesim dhe bartjen e shamisë në shkolla.

Ndryshe vërehet një rritje e dukshme e protestuesve përderisa policia nuk ka lëvizur nga barrikadat që ka vendosur para objektit qeveritar, komunës së Prishtinës dhe Parlamentit të Republikës së Kosovës.

Rritet numri i protestuesve

Është shtuar numri i protestuesve në protestën e besimtarëve mysliman para Parlamentit të Kosovës.

Besimtarët myslimanë, të cilët kishin shkuar për ta falur namazin nëpër xhamitë e tjera, i janë bashkuar protestuesve në qendër, të cilët kanë filluar pak me vonesë namazin e tyre.

“Bashkohu”: Qeveritarë, frikësojuni Allahut

Pak para fillimit të faljes së Namazit, besimtarët i është drejtuar një nga anëtarët e lëvizjes “Bashkohu”, i cili ende po vazhdon të mbaj fjalim, të cilit nuk i është thënë emri.

Ai ka thënë se besimtarët dhe të gjithë të tjerët duhet t’i frikësohen Allahut.

“Qeveritarët duhet që t’i frikësohen Allahut sepse Allahu është mbi ta dhe ata nuk duhet ta neglizhojnë atë”, ka thënë ai.

Ramiqi, kërkon protestë paqësore

Kryetari i “Lëvizjes Bashkohu”, Fuad Ramiqi pak para fillimit të protestës së besimtarëve mysliman në rrugë, ka bërë apel tek të gjithë besimtarët që të këtë një protestë paqësore.

Ai ka thënë se pavarësisht provokimeve besimtarët mos të reagojnë.

“Këtu ka civil që kanë ardhur pikërisht për qëllime të caktuara, por ju lutem mos të bini pre e provokimeve të tyre”, citohet të këtë thënë Ramiqi, raporton gazetarja e Express’it.

Pas faljes, organizatorët kanë thënë se do të drejtohen në drejtim të Komunës së Prishtinës, ku do të kërkojnë lokacionin e tyre të dëshiruar për ndërtimin e Xhamisë së Madhe.

Pastaj protestuesit do të protestojnë edhe para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës ku edhe do të kërkojnë që vajzat e mbuluara të mund të ndjekin mësimin në shkollat fillore dhe të mesme, si dhe kërkesën e tyre për lejimin e lëndës së “Mësimbesimit”.

Fillon protesta, 300 besimtarë pritet të falën në rrugë

Rreth 300 besimtarë myslimanë janë mbledhur në udhëkryqin afër Parlamentit të Kosovës, ku po presin të nisin faljen e Namazit të Xhumasë në mes të rrugës – në shenj proteste.

Gazetarja e Expressit, raporton se besimtarët janë të rrethuar nga forca të mëdha të Policisë, të cilat po ruajnë ndërtesën e Qeverisë dhe atë të Parlamentit.

Ende nuk dihet nëse policia do të ndërhyjë për t’i shpërndarë protestuesit.

Shenja radikalizimi

Partia e Drejtësisë në institucione, e Lëvizja “Bashkohu” në rrugë nuk e kanë ndërmend të dorëzohen në synimin për të mundësuar mësim-besimin dhe bartjen e shamisë në shkollat publike. Fuad Ramiqi tha se nëse institucionet nuk ndërrojnë mendje, forma e protestës do të ndryshojë. Kurse Imami Shefqet Krasniqi paralajmëroi shtator të nxehtë dhe bëri thirrje që Islami të mbrohet.


Dështimi për ta votuar nenin, i cili do të lejonte futjen e lëndës së edukatës fetare dhe bartjen e shamisë në shkollat publike të Kosovës, nuk e kanë zmbrapsur partinë e cila e çoi këtë ide deri në Parlament.

Partia e Drejtësisë nuk është dorëzuar, edhe pse deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e votuan një nen në Projektligjin për Arsimin Parauniversitar. Pavarësisht kësaj, njëri nga zyrtarët e kësaj partie, Amir Ahmeti është optimist se neni do të ndryshohet dhe kërkesat e tyre do të realizohen. Deputeti i PD-së, parti kjo që ka hyrë në koalicion qeveritar në kuadër të Aleancës Kosova e Re dhe bashkëqeveris me PDK-në e Hashim Thaçit, thotë se po punojnë që me argumente të forta t’i bindin të gjithë se kërkesat e tyre janë të drejta elementare të njerëzve në të gjithë botën.

“Ne së pari do të mundohemi që nga ligji parauniversitar ta heqim masën diskriminuese që ua mohon vajzave bartjen e shamisë nëpër shkolla”, thotë Ahmeti për Express. Ai sqaron se këto të drejta u njihen në të gjitha vendet e botës, e pse mos të njihen edhe këtu ku shumica e qytetarëve i përkasin besimit islam. Ahmeti thotë se në lidhje me këto kërkesa kanë përkrahjen e partnerit në koalicion, e madje edhe të disa prej deputetëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”.

Megjithëkëtë, deputetët e Lëvizjes së drejtuar nga Albin Kurti, në ditën kur duhej të votoheshin nenet për kërkesat e PD-së, lëshuan sallën duke e bërë të pamundur fuqizimin e tyre. Ndonëse është raportuar se lëshimi i seancës në ato momente pak para votimit është bërë me qëllim nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, një gjë të tillë e hedhin poshtë zyrtarët e saj. Glauk Konjufca nga kjo Lëvizje tha se është pafytyrësi nëse dikush mendon se “Vetëvendosje” ka bërë një gjë të tillë, duke e mashtruar dikë ose duke thënë se i ka premtuar e nuk e ka bërë. “Atë ditë kur është hedhur poshtë ligji për mësim-besimin dhe bartjen e shamive në shkolla publike, deputetët e Lëvizjes e kanë lëshuar sallën për shkak të shkeljeve procedurale nga ana e Kuvendit”, tha Konjufca të enjten.

Qëndrimi i Vetëvendosjes për mësim-besimin dhe shamitë në shkolla, sipas Konjufcës, do të bëhet publik brenda dy ditësh, ndonëse Visar Ymeri, shef i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, në një deklarim televiziv është shprehur se kjo forcë politike përkrah futjen e mësim-besimit në shkollat publike, por me disa modifikime që të mësohet për historinë e feve dhe jo praktikumin e tyre.

Por derisa Partia e Drejtësisë ka zgjedhur rrugën institucionale për t’i realizuar kërkesat e veta, një lëvizje tjetër që mbledh rreth vetes qytetarë të besimit islam, do të protestojë të premten në rrugë para Xhamisë së Madhe në Prishtinë.

E forma e protestës do të jetë e ngjashme sikurse edhe herët e kaluara. Falja e Namazit të Xhumasë pritet të bëhet në rrugë, te udhëkryqi para Kuvendit të Kosovës.

Fuad Ramiqi nga Lëvizja “Bashkohu”, tha për Express të enjten se protesta e xhumasë është vërejtje për të gjitha ngjarjet e fundit që kanë ndodhur rreth temave që kanë lidhje me myslimanët. “Ne do t’u japim institucioneve edhe një mundësi që të ndryshojnë mendje. Nëse nuk ka ndonjë ndryshim, do t’i ndërrojmë edhe format e protestës”, tha Ramiqi për Express.

Ai theksoi se do të kenë durim dhe vendosmëri rreth kërkesave të tyre. Megjithatë, Ramiqi shpreson se drejtësia është në anën e tyre dhe gjithçka do të shkojë mirë.

Por, ideja e Lëvizjes “Bashkohu” nuk e ka përkrahjen e Bashkësisë Islame të Kosovës. Resul Rexhepi, sekretar i Bashkësisë Islame, tha se institucioni i tyre as nuk është organizator e, as nuk e mbështet protestën.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës është njoftuar se të premten do të mbahet një protestë në kryeqytet. Zëdhënësi Baki Kelani tha se organizatorët i janë adresuar Policisë së Kosovës për lejimin e mbajtjes së protestës, ndërmjet objektit të Kuvendit të Kosovës dhe Xhamisë, te Trekëndëshi. “Protesta do të mbahet gjatë namazit të faljes së xhumasë”, tha Kelani për Express.

Burime të gazetës nga policia tregojnë se gjatë ditës së premte, drejtori i Policisë për rajonin e Prishtinës ka pasur një takim me organizatorët e protestës, të cilët kanë premtuar se protesta do të jetë e qetë. “ Ata sipas të gjitha gjasave, pas protestës do të parakalojnë edhe deri te Kuvendi i Kosovës “, tregon ky burim i gazetës.

Krasniqi: Shtatori i nxehtë

Në ligjëratën e tij në Natën e Kadrit, të premten e kaluar, Imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi ka paralajmëruar “shtator të nxehtë” për çështjen e shamive. “Shtatori duhet të jetë i nxehtë, në tetor më së largu puna duhet të definohet”, ka thënë ai para xhematit të shumtë.

Në një videoincizim të postuar në internet, Krasniqi po ashtu ka bërë thirrje për ta nxjerrë islamin jashtë xhamive dhe për t’i thënë stop diskriminimit të femrës myslimane. “Marre asht për neve, gjithë ky musliman e me lujt me bijat tona kush don, me i qitë prej shkolle, prej pune për shami”, ka thënë Krasniqi, duke tërhequr vërejtjen se po luftohet feja nga të katër anët, “e ne rrimë e presim”. “Islami lyp burra”, ka theksuar ai. Ai i ka bërë thirrje xhematit, po ashtu, ta mbrojnë islamin. “Mos kofshit të zot me na pri, atëherë na pasoni dhe mos na kundërshtoni. Muslimanët një grusht duhet të jenë”, ka theksuar Krasniqi.

Dilema për xhami

Bashkësia Islame ende nuk ka diskutuar në lidhje me vendimin e komunës për ndarjen e lokacionit për xhami, afër Postës së Re. Resul Rexhepi tha se janë ende në ditë festive dhe posa të kalojë festa do të diskutojnë dhe do të dalin me një qëndrim. BIK ende këmbëngulë për lokacionin ku gjendet çerdhja e fëmijëve ndërsa kryetari Isa Mustafa tha se lokacioni te Posta e Re është evndi i përshtatshëm. Ai të enjten madje ironizoi me kërkesat e BIK-ut dhe përfaqësuesve të lëvizjeve me orientim islam.

“Nëse nuk iu pëlqen ta blejnë edhe Grandin e ne do të japim leje që ta ndërtojnë një xhami, por ne si komunë e Prishtinës nuk kemi potencial financiar, nuk kemi edhe të drejtë që ta bëjmë atë. Prandaj unë jam për atë që të arrihet një mirëkuptim që lokacioni i xhamisë të jetë lokacion për ata që manifestojnë vlerat e tyre fetare, për ata që vijnë të falen, e jo gjithsesi të insistohet nga subjektet e tjera jashtë komunës që të bëhen projektues urbanist të komunës”, tha Mustafa.

Kryetari i LDK-së i ka dhënë mbështetje vendimit të Kuvendit të Kosovës që nëpër shkollat publike mos të futet mësim-besimi.

Provokimi i Ramiqit

Fuad Ramiqi protestoi të enjten në një formë specifike, duke provokuar. Ai shoqëroi dy vajza në shkollën Fillore "Hilmi Rakovica" në Prishtinë, të cilat nuk janë lejuar nga drejtori i kësaj shkolle të vijojnë mësimin, pasi ishin të mbuluara me shami. “Çkado që të na sjell ligji, unë do ta zbatoj. Nëse nesër bëhet ligji, nesër do ta zbatoj ", i ka thënë Ramiqit drejtori i shkollës, Ajet Brajshori, duke i kërkuar atij që ta lirojë hyrjen e shkollës.

Megjithatë, diskutimi në mes tyre është ashpërsuar dhe ka zgjatur afro 20 minuta, madje me tone kërcënuese. “Shumë i vogël je ti të kërcënosh, ti qenke burrë i ligë", i ka thënë drejtorit një person tjetër, që ka shoqëruar Ramiqin. “Kërcënimit i ka kaluar koha dhe nuk kemi nevojë për gjëra të tilla. Ne jemi të thirrur ta zbatojmë ligjin dhe këtë do të mundohemi ta bëjmë”, është përgjigjur Brajshori.

Pasi nxënëset nuk janë lejuar të hyjnë në shkollë, Ramiqi tha se në Kosovë po dominon një bindje komuniste e vjetër e ndalimit të fesë dhe shfaqi shpresën që kjo të tejkalohet.

Ndërkohë, ministri i Arsimit, Ramë Buja, e ka bërë të qartë se mësimi për fenë dhe shaminë duhet të zhvendoset në vende të tjera, e jo në shkollat publike. “Kushtetuta dhe ligjet e parashohin shumë qartë se ku duhet të mësohet feja“, ka thënë Buja në një intervistë për emisionin “Interaktiv“ të KTV-së.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora