| E enjte, 01.09.2011, 07:39 PM |
Janaq Pani
GLLUPËSI I PALLATIT - rrëfenjë për fëmijë në vargje
1
Ja, po
për një ngjarje të kaluar,
hall i madh më ka munduar.
Për gjithçka që do rrëfej
ju betohem
nuk gënjej.
Do rrëfej për një qyqar,
ish i hajthëm si lastar,
por fatkeqi
pak nga pak
u bë fuçi - rrumbullak.
Edhe emri na i humbi
"Gllupës" thërritet së fundi.
Në fillim e në fillim
po e vleka një sqarim.
Një vogëlush me syrin lutës
më pyet:
"Xhaxhi poet
ku e gjete fjalën gllupës?"
Këtë fjalë ta nxjerr në dritë
te fjalori i hodha sytë.
2
Fjalët tani duke zgjedhë
le të shohim si ka rrjedhë...
Ca fëmijë në një pallat
kanë rënë në mëkat.
Në mëkat,
për ta sqaruar
kanë rënë pa kuptuar,
ndaj e vlen për ta treguar.
Kjo godinë me kate gjashtë
ndrit nga brenda
e ndrin nga jashtë,
pastër muret
e shkallët dritë,
s'gjen fëmijë t'i zhgarravitë.
Por, mos t'i mbajmë me hatër
na paskanë një huq tjatër,
për këta vogëlushët tanë
do rrëfej
sytë ç'më panë...
3
Do rrëfej ç'më panë sytë,
ç'më dëgjuan edhe veshët,
për çdo javë e për çdo ditë,
mos besoni ju po deshët.
Sa mëngjesi sytë i çel
nga çdo derë me vrap
një vogëlush e nget me vrap.
Qoftë bir, a qoftë bijë
bëhet erë e fluturon
mami i vet mos ta arrijë
që nga pas me pjatë i shkon.
Veç t'i shohësh mbushesh gaz
si u luten gjithë mamatë,
dhe përditë ky avaz
avull gjella nxjerr në pjatë.
Avull gjella nxjerr në pjatë
po dhe bukë e ngrohtë taze,
ëmbëlsojnë fjalën mamatë
po fëmijët bëjnë naze.
E ku kapen çamarokët
nënat mbrapa, ata erë
nuk u zenë këmbët tokë
e kështu na ndodh përherë.
4
Poshtë, në katin e parë
i vetëm një xhaxhi banonte,
na ish i urtë e i mbarë,
i dhimbte për çfarë shikonte.
Sa niste në shkallë potera
ky xhaxhi na dilte te dera.
Si thamë, e kish shtatin lastar
dhe zemrën të butë e bujar.
Që mos ta tjerrim më gjatë,
një ditë
i erdh' keq për mamatë
tek ngjitnin shkallët me pjatë.
Me pjatat në duart e zëna
e dhimbjen te syri si nëna.
Zëulët e bëri propozimin
ta gjerbte ai gjithë ushqimin.
Që kur ta shihnin vogëlushët
do ulnin veshët si lepurushët.
E pak nga pak
e ditë për ditë
te pjatë e gjellës
do hidhnin sytë
e do t'i mbushnin
të dy bulçinjtë.
Por larg e thëna
nga e bëra,
zhgënjyer mbetën
mamatë të tëra.
5
Mbas asaj dite
veç ç'të shikoje,
pjatat në rrjesht
me lloje-lloje
të gjitha gjellët
që dëshëroje
eh, si të shkonte
lëngu prej goje.
E nga të ngrënat ky xhaxhi nis
mbaron të parën,
me rradhë të tjera,
ngadalë-ngadalë na u rrethis,
u bë fuçi
s'e nxen më dera.
Përlan çdo pjatë si i uritur,
eh, çfarë oreksi që i ka hypur,
i kapërxen dhe pa përtypur
e gjer te mjekra barkun ka ngjitur.
Dhe rriti mjekrën,
mustaqet zgjati
e gropë e syve iu thellua,
flokët mbi supe si lesh arapi,
më shtinte frikën,
o miq dhe mua.
E hall i madh atë e gjati
si në kafaz u kap i shkreti.
Si në kafaz mbyllet ariu
po vërdalliset ai fatziu.
E nga sikleti,
avash-avash,
zëri iu ngjyr
zverku iu trash
e ngjan vëlla me një ari
nuk le pa trembur
çdo çilimi.
Edhe në ëndërr ai u shfaqet
tek lëpin buzët
e dredh mustaqet.
6
Trashja e tij qe me vlerë,
qeshem
e ijet i mbaj me duar,
se çdo fëmijë
qysh atëherë
u bë i urtë e i dëgjuar.
E nëpër shkallë
s'vrapon më kush,
as çamarokët
e as mamatë,
më thanë
ushqimin çdo vogëlush
nis e mbaron vetë në pjatë.
Kur shkallët zbresin
apo i ngjitin,
mendjen të gjithë e kanë ndarë,
nuk bëjnë zhurmë
se kanë frikë
mos zgjojnë "arinë" në kat të parë.
E qysh ahere
e gjer më sot
në qetësi na ra pallati,
por vetëm barkun
s'e uli dot
veç e pësoi ai i ngrati...
Këtu rrëfenjës
i erdhi fundi
xhaxhi shkrimtari
bëri çka mundi.
Në gjeni veten te ky rrëfim
e quani si një përjashtim.