Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Muharremi: Përjetime individuale dhe aktuale

| E enjte, 01.09.2011, 08:59 PM |


Përjetime individuale dhe aktuale

 

Nga Ilir Muharremi

 

Përjetimet dhe shqetësimet e brendshme, ta padukshme, me mjeshtrin e penelit, piktori Faik Krasniqi i përkthen në letër, duke i theksuar me ngjyra të ndezura, me figuracion të qartë, poteza të lakuar që zgjojnë ekspresivitet dhe surrealizëm. Shpirti i tij shpërndahet edhe në forma gjeometrike të kubizmit, ku si plan të parë futë trekëndëshin, shkronjën ‘V”, që simbolizon fitoren, luftën në mes së keqes dhe së mirës objektive, dhe fituese na del ndihma e artit, e shoqëruar me harmoni, kompozicion dhe ritëm. Figurat, në pëlhurë, nuk tërhiqen nga forca e gravitetit, e thyejnë rregullin dhe peshojnë të lira në hapësirë të përcaktuara nga mjeshtri Krasniqi. Lirisht mund të thuhet se loja kryesore është ngjyra, e pastër, e saktë, e kthjellët, me tinguj të ndryshëm, që depërton në mushkëritë e secilit. Trekëndëshi ndodhet ndokund i humbur në hapësirë, i cili e ka shterur arsyen ose arsyeja e ka shterur atë. Shqetësimi, vrullshëm bartet përmes formës, ngritët si fitues, por gjithnjë duke u penguar dhe stepur pa ndonjë shkak. Ngjyra e ndezur, e kaltra, grija, roza , e verdha, nuk ngulfaten njëra me tjetrën, por shprehin lëvizjen motorike të formave jashtë gravitetit. Ato janë tërheqëse, pothuajse kanë “Vjedhur” nuanca të shpirtrave të ndryshëm-global, dhe kanë krijuar konflikt modern, gjithmonë në lëvizje. Motivet janë edhe nga aktualiteti, etnografia ku futet jeta sociale, ekonomike, kulturore, religjioze, politike të njerëzve. Mjeshtri me plot vetëdije dirigjon penelin nën urdhrin aktual dhe shqetësimin personal të brendshëm. Shpërthimi i ngjyrave nuk është i rastësishëm, por i qëllimshëm, me një estetikë të veçantë dhe stil me shije. Peizazhi, natyra e qetë, janë pjesë përbërëse e skenave dhe imazheve mbresëlënëse, p.sh punimi “Qërshijat” në krahun e majtë të pikturës kemi qërshija të pa pjekura me ngjyrë të gjelbër, derisa në anë të djathtë të skuqura, të përgatitura për tu vjelë, në mes i ndajnë shtat trekëndësh që nuk peshojnë askund, por në gradacion ngritën përpjetë, dhe poshtë tyre bari i thatë i punuar me vija të drejta paksa të lakuara, kurse qielli na vije me blunë e ftoftë. Në realizmin “Mirëmëngjesi”, protagonistë kryesor është një gjel i cili përmes “kukurrimes” tregon ardhjen e mëngjesit. Ai është i mbushur me ngjyra të ndryshme, ngaqë është i obliguar të gjithë ti lajmëroj për mëngjesin e mundimshëm në të cilin marrin pjesë gjithë krijesat. Me vija të lakuara në formë spirale identifikohet anatomia e gjelit, i theksuar me të bardhën, pasqyrohet pastërtia shpirtërore dhe sinqeriteti i tij. Ndërsa, homazh kryesor, mjeshtri Krasniqi dedikon gjeniut të artit ekspresiv Van Goghut. Në pëlhurë kemi një luledielli, duket sikur është këputur nga pëlhura e Van Goghut dhe është vendosur në plan të parë, ndërsa në plan të dytë kemi qiellin me yjet të mëdha që i ngjajnë një lakre ose rrote të karrocës, edhe kjo ngjanë me yjet e Goghut të cilat rrokulliseshin me të vetëdijshmen e tij. Luledielli, zëvendëson portretin e Goghut, shpërndan shpirt tek vëzhguesi i pëlhurës sikurse pretendon të tregoj diç që nuk ka mundur të thotë. Ndërsa, skena është e ledhatuar me të bardhën, me ringjalljen e Goghut, shpirti i tij ende lufton me lulediellin, dhe si prehje kryesore e ka këtë materie të verdhë. Punimet e Krasniqit janë tredimensionale, të punuara me forma të ndryshme, duke u nisur nga trekëndëshi, spiralja, rrethi etj.

 

Faik Krasniqi lindi më 25 janar të vitit 1956 në Prishtinë, është dizajnues grafik shqiptar.

 

Shkollën fillore e kreu në Prishtinë ndërsa të mesmen e Artit e kreu në Pejë në vitin 1975. Studioi në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës në degën e Dizajnit Grafik, ku diplomoi në vitin 1980. Menjëherë, në vitin 1981 pranohet anëtar i Shoqatës së Artistëve Aplikativë të Kosovës dhe që nga ajo kohë, Faik Krasniqi merr pjesë në ekspozitat e organizuara nga Shoqata e Artistëve Figurativë dhe Aplikativë e Kosovës. Prej vitit 1981 deri më 1992 punon si dizajnues në shtypshkronjën Rilindja, e cila në atë kohë shtypte pothuajse të gjitha botimet e Kosovës. Gjatë kësaj kohe, Faik Krasniqi dizajnon me dhjetëra kopertina të librave të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Në vitin 1993 ai angazhohet si ligjërues në degën e Dizajnit Grafik të Akademisë së Arteve në lëndën Grafika reklamuese. Ka magjistruar në vitin 2005 në Degën e Pikturës të Akademisë së Arteve, dhe po këtë vit zgjidhet Profesor i Asocuar për lëndën Grafika reklamuese. Është autor i qindra pikturave të punuara në teknikën temperë në letër. Në fushën e dizajnit grafik, përveç përkujdesjes artistike dhe grafike në botimin e librave ka realizuar me qindra logo të kompanive, institucioneve dhe organizatave në Kosovë. Për punën e tij Faik Krasniqi është shpërblyer disa herë. Jeton dhe punon në Prishtinë.