E enjte, 01.10.2020, 09:27 AM (GMT+1)

Editorial

Shefik Shkodra: Preferenca interesi apo ''vëllazërore''

E enjte, 01.09.2011, 09:05 PM


PREFERENCA INTERESI APO ''VËLLAZËRORE''

 

Nga SHEFIK SHKODRA

 

Miqtë janë miq dhe ne na konsiderojnë miq

 

Ajo që e bën mikun mik sot për sot është interesi. Si duket edhe në të kaluarën kështu ka qenë. Besoj se edhe në të ardhmen nuk do të ketë ndryshime të mëdha. Po interesi duhet të jetë i dyanshëm. Realiteti duhet të mbetet realitet. Po, ndodh që e liga është për të vegjlit. I vogli s’i del zot dëshirës dhe synimit të vet, ose shumë pak mund të ecë asaj rruge që e ka preferuar kaherë, pa ndihmën e të tjerëve. Sa dihet, asnjë vend nuk është çliruar tërësisht me forcat e veta, pa ndihmën e jashtme.

Pas vitit 1999, kur mbaroi lufta në mes Serbisë e Kosovës, aleatët e kësaj të fundit ishin forcat progresive në ngjarje historike. Ishte Aleanca Veri-atlantike, po dhe vendet tjera demokratike. Ato vende ia arritën qëllimit që të kthehen shqiptarët në vatrat e veta pas një eksodi dhe një golgote nga Serbia. Ndryshe nuk mund të quhet veprimi i Serbisë, pos ushtrim i një gjenocidi – shfarosjeje të shqiptarëve. Qëllimi ishte që mbetja e tyre të jetë, në rrudhje në një vend gjeografik. Strategjia dhe planifikimi për asgjësimin e tyre ishte si në kohërat e më parme. Edhe në luftërat ballkanike, shqiptarët luftonin për ta çliruar vendin (të fundit) nga Perandoria Osmane, serbët dinakërisht shkelnin gjurmët e shqiptarëve dhe zinin vendin e asaj perandorie që sapo largohej.

Tash, në Kosovën tonë, por edhe në Shqipëri e Maqedoni po zhvillohet një dallgë që ngulit tendencën për të gërmuar shtresat e një të kaluare. Të gjithë po dëshirojnë ta prekin nga një kënd  e shtresë të fashitur historie kaherë të kësaj toke. Sigurisht, për ta promovuar veten. Ka miq, por kush di...se jemi edhe pak të “traumatizuar” e të pa rehabilituar. Them se, është më se e nevojshme që të ruhen miqtë. Të respektohen në suaza të një limiti zyrtar. T’ua njohim të mirat që na i kanë bërë në kohë të vështira. Dhe e mira mund të jetë kurdoherë reciproke, fati i njeriut nuk dihet nëpër kohë. Edhe atëherë, kur dikush mendon se, i vogli nuk ndihmon gjë, mund të jetë e kundërta. Populli jonë thotë, “ta kthefsha me të mirë!” Nëse shqiptarët kanë pasur nevojë, që nëpër kohë të presin ndihmë prej botës demokratike, kjo ka ndodhë në këto vitet e fund shekullit të kaluar. Për këtë të gjithëve u jemi shumë mirënjohës!

 

Evropa, Turqia dhe shqiptarët deri më sot

 

Këtu nuk dua të shprehem për ndodhitë dhe përshkrimin e tyre konkret historik. Çdo grup etnik që nuk i bindet pushtetit pasojnë edhe kundër masat. Por, ato rrethana historikisht, politikisht e ekonomikisht shikohen mirë dhe verifikohet se kush çka ka të drejtë. Pakica ardhacake, kur nuk pajtohet dhe çon kokë kundër atij pushteti, dihet se ajo mund të kërkojë të drejtat elementare si çdo kund. Ajo nuk mund të bëhet sundimtare mbi popullin autokton e shumicë. Këtu ishin shqiptarët autokton dhe shumicë. Madje, ata kërkonin vetëm të drejtat e tyre sikur kombet tjera në vendet e veta.

Në mbarim të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, shtypi i kolonive shqiptare nëpër Evropë e botë shkruante, se si hapeshin shkollat bullgare, serbe, greke, madje edhe të tjerëve dhe me qindra nëpër tokat shqiptare, ndërsa “asnjë në gjuhën shqipe”. Turqia shqiptarët i shkatërroj duke mos i lejuar që të vetëqeverisen. Arsimimi në gjuhë amtare në kohën e sundimit të kësaj Perandorie nuk ishte lejuar për shqiptarët dhe këtu ishte sakatimi kryesor. Asnjë alfabet të vetin nuk ua lejuan, pos atij që e përdornin turqit e që sot as ata nuk e përdorin më. Arsimimi në gjuhë amtare dhe alfabeti u fitua pas rënies së kësaj perandorie (1908). Pjesërisht (në gjeografinë e tyre) shqiptarët e vendosën edhe një pavarësi (1912). Dhe pjesët tjera u mbetën fqinjëve që t’i robërojnë sërish. Si mund të jetë ndryshe dëmi më i madh dhe prej kujt u shkaktua  kjo keqe ndaj shqiptarëve?

Nuk dëshiroj të ofendoj askënd me epitete të ndryshme më të vrazhdët e më të ndytë. Po krimi është krim dhe ai është ushtruar mbi shqiptarët në mënyra të ndryshme, prej atyre fizike e deri me zënie fryme. Kur njeriu nuk mund të merr frymë, ai mbetet pa jetë. Nuk mund ta quajmë jetë e rëndomtë si ajo e “gjarprit nën gurë”. Ata s’komunikonin në gjuhë të vet më parë (pa arsimim, pa shtypin e vet të lirë), thamë edhe pa një alfabet. Prandaj, fqinjët tanë u venin shqiptarëve nofka të ndyta. Konica shkruante për një farë deputeti që kishte simpatinë e serbëve, te “Albania” e vet, më 1903: “Qe si z. Zhorzh Beri, deputet, e gjykon këtë popull (shqiptarët) më të vjetrin në Ballkan e ndoshta edhe në Evropë, i cili është më i lidhuri për vendlindjen e me traditën e vet dhe, shpirti i të cilit shndërrohet prej shtëpiari gati në vesvese: ‘Shqiptarët, thotë ai, përbëjnë një popull NOMAD”. Nuk kanë qenë shqiptarët kurrë nomadë. Ose, ai tjetri, si shkruan se, “shqiptarët janë ende me bishta”. Ose, serbi i sëmurë, shishen që e fut në prapanicë, ua mbath shqiptarët se, ata dhunshëm e kanë kryer këtë akt ndaj tij. Më vonë shohim se, bashkëkohanikët e tij shkruajnë libër për të si i “martirizuari” i dhunës seperatiste e irridentiste. Apo, se, shqiptarët janë kanibalë, etj. janë shprehje shumë të vrazhdëta.

Shqiptarët ishin të njohur kaherë për artin ushtarak, si ‘Kalorësit mesjetar shqiptarë’, të graduar nga vende evropiane. Pastaj, ‘Shqiptarët dhe Napoleoni’...por edhe shumë raste si këndej në Lindje (Azi të Vogël), prej nëpunësve më të rëndomtë e deri te pashallarët. Në historinë më të re, duke nis që nga mesjeta, e duke ardhur në kohën moderne, me kontributin e Sami Frashërit e deri te Veziri i fundit (F. Pashë Vlora), më 1903, ata i dhanë frymën e re bashkëkohore në gjuhë e në kulturë, në qeverisje të vendeve të kësaj Perandorie, por edhe në luftëra të shumta. Disa herë Konica e ka potencuar një parullë (artikull të shkruar): “Armiqtë e Shqipërisë janë vetë shqiptarët”. Pa numër janë shqiptarët që e dhanë jetën për të tjerët, po për vete asgjë s’bën. “Asnjë pikë gjak”, thotë, nuk e derdhën për vendin e tyre. Aq shumë pashallarë e ushtarakë, vezir e këshilltarë pranë sulltanit, dhe Shqiptarët ishin ata që i shërbyen besnikërisht Portës së Lartë, sulltanëve dhe e mbajtën Turqinë në këmbë. Po kundërshpërblim nuk patën as sa një grimcë atomike, veç ndodhi e kundërta. Resurset materiale dhe ato humane të kësaj race, i shfrytëzuan në maksimum. Në luftërat disavjeçare shqiptarët të rekrutuar (nzam e edhe redif) ushtarë të kësaj Perandorie shkonin në vende aziatike e afrikane në luftëra të ndryshme dhe nuk dihej asnjëherë, a do të ktheheshin gjallë në vatrat e tyre. Pjesa më e madhe edhe nuk u kthyen kurrë më në shtëpitë e veta. “Me i shërbye babës mret”. Te ne ka pasur ndikim të madh kush do që ka sunduar, pa dyshim edhe Turqia që sundoi me shekuj. Kështu, na kemi trashëguar edhe në pikëpamje kulture, gjuhe e tradite shumë terma, fatkeqësisht, me pasoja asimiluese. Bie fjala, deri vonë ke mundur ta dëgjosh përbetimin nga ndonjë i moshuar: “pasha  tur(q)(sh)ninë”, “si t’jam turk...”, “n’kofsh turk!” përshëndetjet e përditshme etj. Sepse, nuk kanë pasur mundësi, që shqiptarët të paarsimuar ta njohin vetveten, të dinë se kush janë. Po, ishin veç rob që mund të bliheshin e të shiteshin si  në antikë. Të tjerët i torturonin, në anën tjetër ua hidhnin fajin dhe i quanin kriminel.

Edhe evropianët i lëvdojnë shqiptarët, kanë shkruar për ta dhe Skënderbeun, po fatkeqësisht ata nuk u ndihmuan sa e si duhet. Shpeshherë i kanë lënë në mëshirën e të pamëshirëve, kjo s’ishte kohë e largët nga ndjekja në Sanxhakun e Nishit (1877/78), por edhe eksodin e çamëve më vonë nga grekët. E gjithë Evropa e ka ditur se çfarë gjenocidi është ushtruar ndaj kësaj popullate. Askush nuk ka intervenuar në atë kohë. “Baba mret thërriste: ‘ejani evladët e mi, u jep tokë, u jep shtëpi!” dhe kur merrnin e iknin shqiptarët ‘te baba mret’, i çonin në shkretëtirat më të pabanuara. Prej një mjerimi në mjerim. Iknin nga vdekja e vinin në përbuzje, në vuajtje të gjithmonshme. S’bën të thuhet se shqiptarët e shkretë i përdornin nga cilado anë si instrument utilitar i përkohshëm për ndonjë forcë. Megjithatë, ka pasur dallime të dukshme jeta e shqiptarit në vende evropiane në krahasim me atë në provincat e shkreta e të gjera anadollake. Shqiptarët e shpërngulur me shekuj nëpër Turqi, po asnjëherë nuk u njihet e drejta për një shkollë fillore katërklasëshe e lëre më diç tjetër. Kështu ata janë asimiluar në pjesën më të madhe tërësisht. Asimilimi ka mundur të ndodhë kurdoherë pa larguar shumë. Serbët, grekët dhe të tjerët ortodoks përreth kanë asimiluar me dhunë sa kanë mundur e sa herë u ka ardhur për dore. Pra, këtu qëndron ai refleksi historik i patjetërsueshëm. Edhe Serbia në gjysmën e parë të shek. XX nuk i lejoi shqiptarët e Kosovës dhe atyre përreth të mësojnë në gjuhë të vet. Çfarë duhet të thuhet për këtë? Veprim i shkëlqyeshëm ndoshta?! Ky është një më i madhi krim!

Marrëveshja apo kontrata së voni zyrtare (1938), në mes qeverive turko-serbe, për zhvendosjen e shqiptarëve prej vendit të tyre dhe ngulitjen në territoret e Anadollit, duket se ende  ekziston. Të gjithë shqiptarët e shpërngulur nga ‘zullumet’ e Serbisë për të pastruar terrenet shqiptare në dobi të popullatës joshqiptare ishin marrëveshje në mes këtyre dy palëve. Këto ishin shitblerje si të ndonjë malli të lirë. Edhe këtu nuk ka pasur ndihmë prej askujt, së paku nuk është dëgjuar. Nuk mund të përshkruhen të gjitha krimet sa janë ushtruar mbi këtë popull. Raca shqiptare, sidomos këta në Kosovë, mbetet si farë kultivimi. Pse kjo marrëveshje që të shpërngulen shqiptarët nga vendet e veta?

 

Faje edhe te shqiptarët për vetveten

 

Të shkolluar në gjuhë dhe kultura të huaja, një pjesë e shqiptarëve, kush nga Lindja, kush nga Perëndimi anonin dhe vendin e harronin. Vepronin me forcat të huaja, të ndarë, duke mos pas parasysh se, grupi i anës tjetër nuk e pranon, apo e sheh si të pavolitshëm kombëtarisht. Në të shumtën e rasteve, ne na është dukur sikur të tjerët na kanë faj. Na shkaktuan dëme, apo nuk kanë dashur të na ndihmojnë. Është e vërtetë se, nuk na kanë ndihmuar sa e si duhet e kur është dashur. Po është edhe një e vërtetë se, fajin tonë asnjëherë nuk e kemi pranuar. “Bie një e hjekin të gjithë”. Shpeshherë një grup i vogël, një personalitet ka ra ndesh me krejt atë që quhet mbarë kombëtare, ka shkaktuar rrezik për të gjithë. Historia, raste të tilla i ka dëshmuar dhe, na kanë mbetur veprimet e personazheve me grupet e veta deri në këto ditë tona. Kështu ka ndodhur jo në kohë të largët (1914/15), lidhjet e kontratave me armikun, duke ia pas falë pjesët e vendit tonë, vetëm e vetëm t’i ndihmohet që të mbetet një farë sundimtari i një pjese të veçantë (si principatë) me grupin e vet. Toka e të gjithëve bëhet pronë private e një feudali, ndërsa pjesë tjera me njerëz e çka mbetet nën sundim të huaj. Mirëpo, kjo është korrigjuar diçka, në saje të luftërave të pashmangshme të atdhetarëve tanë me armiqtë. Megjithatë, riparimi ka mbetur i mangët që nga ato kohë dhe tash jemi duke i vuajtur ato pasoja. Kjo vazhdë ecën, nuk dihet edhe sa do të vijojë. Edhe strategjinë nuk mund ta bëjnë njerëzit tanë pa aleatët. Po faji s’është krejt i të tjerëve.

 

Programi i Rilindjes Kombëtare Shqiptare 

 

Orientimi politik i jonë nuk është shumë abstrakt se kah e si, veç kujdes pak më i madhe në politikën e globalizimit. Krejt çka del jashtë konturave kryesore të programit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, është rrëshqitje si vagonët nga binarët. Duhet të merret çka është e mirë si mësim nga përvoja. Pjesëtarët e kësaj Lëvizje ishin mjaft të kujdesshëm e të devotshëm dhe me shumë energji. Ata bën që të frymojë programi i tyre te masa e gjerë. Sa dokumenti e letra, peticioni, memorandumi, kërkesa e lutja është shkruar në kohën e kësaj lëvizje për lirinë e shqiptarëve sulltanit dhe zyrtarëve tjerë të Portë së Lartë. Sa gazeta e revista e asaj kohe, me trajtesa për çështjen e një autonomie për tokat gjithëshqiptare. Sa trajtesa e polemika kanë pas shqiptarët në mes veti, për një alfabet të përbashkët, që i ka lënë të shkapërderdhur e në fillim të rrugës pa u nisur fare në rrugëtim si të tjerët, nga kjo që thash mund të dalin disa vëllime librash të përmbledhura. U përpoqën të krijojnë një letërsi kombëtare. Të përgatisin edhe një numër të madh mësimdhënësish. Përgatitën edhe tekste shkollore. Rilindësit tanë, të vonuar, u ngutën sa më shpejt që është e mundur që të kenë një gjuhë standarde për gjithë shqiptarët, etj. Lutja e rilindësve tanë ishte gjithnjë për një bashkim shqiptar, në frymë (pa ndarje në baza fetare e tradite), në gjeografi (me të gjitha trojet në Ballkan) si ishte para Kongresit të Berlinit. Duke pas mendjen vetëm të çlirimi i atdheut, të gjitha të tjerat i lënë anash. U përpoqën që të bëjnë edhe pajtimet dhe ta reduktojnë sa më tepër gjakmarrjen. Ata (pjesa më e mirë) kanë sakrifikuar pasuri e jetë për një të ardhme. Pas disa dhjetëra viteve, këto veprime, sidomos ato kulturore erdhën në shprehje dhe u vunë në dispozicion.

 

Historia është shkencë që shkruhet me dokumente e fakte

 

Si të mos mësojnë fëmijët, kush janë të parët tanë, me kënd zhvilluan luftëra të shumta, kush janë iluministët, rilindësit dhe ideologët e çështjes shqiptare, cilat janë vitet e shpërnguljes së Muhaxhirëve nga Sanxhaku i Nishit, vuajtjet e tyre, cilat janë luftërat ballkanike, cila është data e Pavarësisë së Shqipërisë, etj. Taktika e të huajve, jo veç e Turqisë, është që shqiptarët të shpërlahen me të kaluarën. Më në fund, lehtë është me një milet të kastruar, ku qeni të zotin s’e njeh. Kështu mendohet. Ky është një planifikim jo aq i mençur, pavarësisht nga kush vjen. Nuk e ka keq ministri turk, Davutogllu, që historia të mos instrumentalizohet në segmentin e propagandës politike e të urrejtjes. E kaluara mbetet pasqyrë për ta parë sa është e vështirë të jesh në konflikt, a në luftë me dikë. Sa është e vështirë të mos kesh të drejta elementare. Të jesh i okupuar dhe i sunduar nga dikush që t’i shfrytëzon të mirat materiale dhe shpirtërore dhe ti të mbetesh qiraxhi, nomad, etj. Historia është monument i kombit e si abetare që mësojmë shkronjat. Pa shkronjat s’mund të shënojmë asgjë. Prej saj informohemi për ekonominë, kulturën, artet, luftërat, rregullimin juridik dhe qytetërimin në periudha të ndryshme. Edhe historia e shqiptarëve, po t’i hapësh epokat e ndryshme dhe po të lëshohesh në leximin e (jo si historia politike, bie fjala si ajo në kohën e soc-realizmit) atyre  dokumenteve dhe fakteve, kjo histori të duket si një roman aventuresk pambarim. Shumë e ndjeshme dhe e këndshme për njohje të atij realiteti. Shumë figura nacionalistësh e shovinistësh, armiq të hekurt janë përballuar. Shumë figura të madhërishme kombëtare, po dhe jo fort pak, vasalë e tradhtarë. Megjithatë, krejt këto tashmë në një kohë të shkuar. Na duket si një galeri me një ekspozitë artistike me gjithfarë ngjyrash e shumë lloj imazhesh. Pa e provuar urinë, nuk e di çka është skamja. Pa mësuar histori, nuk mund ta dish si do të jetë  ardhmëria dhe kah do të orientohesh. Prej historisë s’duhet të ketë kurrfarë frike askush. Shqiptarët duhet ta interpretojnë ashtu si janë zhvilluar ngjarjet nëpër kohë, si gjithë bota e civilizuar. Pa hiperbolizime e pa stilizime letrare. Asnjëherë nuk duhet të mendojnë në hakmarrje përmes kësaj shkence.



(Vota: 8 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora