Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Halit Bogaj: Një film kushtuar luftës së Kosovës dhe intervenimit ushtaraj ndaj Serbisë

| E merkure, 31.08.2011, 07:58 PM |


NJË FILM KUSHTUAR LUFTËS SË KOSOVËS DHE INTERVENIMIT USHTARAK NDAJ SERBISË

 

‘’The special Relationships’’ (Marrëdhëniet speciale), film amerikan me aktorët Majkëll Shin dhe Denis Kuejd në rolet kryesore.

 

Nga HALIT BOGAJ

 

Spektatorët e programeve satelitore këto ditë janë duke e shikuar filmin fenomenal kushtuar intervenimit ushtarak të Aleancës Veri-Atlantike kundër Serbisë në vitin 1999. Aktrimi maestral i dy aktorëve kryesorë në rolet e Tony Blare-it (Michael Michell) dhe Bill Clinton-it (Denis Quade). është edhe një anë tjetër e domosdoshme për t’u shikuar ky film i cili edhe njëherë na tregon se sa vështirë kishte qenë të merrej vendimi për t’u bombarduar forcat policore dhe ushtarake të Serbisë nga ana e Aleancës Veri-Atlantike e cila e shpëtoi popullin tonë nga shfarosja e tij definitive nga vatrat e veta shekullore. Filmi ka rëndësi të madhe që të na këndellë edhe neve dhe të na rikujtojë edhe njëherë se çfarë vendimi kolosal u desh të ndërmerrej nga burrështetasit më të fuqishëm të Globit Tokësor të cilët (me forcën e argumenteve dhe me vullnetin e çelnikosur për ta shpëtuar këtë popull) kishin vendosur ta bombardonin një shtet të lazdruar i cili nuk kishte mësuar asgjë nga tri luftëra të mëparshme të cilat i kishte ndezur në ish-Jugosllavi për ta shtrirë dominimin e tij të sundimit ndaj popujve të tjerë. Në film mësojmë edhe secrete të ndryshme të cilat nuk i kemi ditur, sidomos faktin kur Tony Bler kishte qenë i gatshëm t’i fuste qindra mijëra trupa tokësore për t’’i treguar Serbisë shumë më tepër se sa kishe përjetuar gjatë bombardimit. Por dihet se satrapi ballkanik e kishte hetuar një tentativë të tillë prandaj e pranoi kapitullimin e vetë në Kumanovë, përndryshe nëse trupat tokësore të NATO-s do të hynin brenda Serbisë. do ta kapnin atë si miun dhe do ta dërgonin automatikisht në Hagë.

 

Skena të ndryshme të filmit, të inspiruara nga ngjarjet autentike, na e përkujtojnë se edhe ne vetë ishim pjesëtarë të atyre ngjarjeve traumatike të cilat i kishim përjetuar mbi kurrizin tonë të lodhur. Bill Clinton dhe Tony Blare, me vullnetin e tyre mbinjerëzor për ta nxjerrë Kosovën nga ‘’Ferri i egër Serb’’, kanë mbetur përherë të pashlyer nga zemrat dhe kujtimet tona. Dhe sa herë që përmendet emri i këtyre kolosëve shpëtimtarë, ne duhet të ngritemi në këmbë dhe t’ua ndërtojmë nga një përmendore në të gjitha qytetet e mëdha të Kosovës. Ata u bënë pishtarët më të ndritur të lirisë përfundimtare të popullit tonë i cili bëri qindra luftëra çlirimtare për ta arritur ditën e sotme në të cilën nuk shkel më këmba e policit dhe ushtarit të armatosur serb, të cilët hynin kur donin, e shpeshherë edhe në mesnatë dhe akoma pa ia behur agimi, për ta maltretuar popullatën tonë të pafajshme e cila e kishte fajin kryesor vetëm pse ishte gjallë dhe jetonte në trojet e veta shekullore. Bill Clinton dhe Tony Blare i treguan Serbisë se përpjekjet e saj për ta zhdukur një popull të tërë në zemër të Evropës ishin të kota dhe kobëndjellëse për vetë fatin e popullit serb i cili akoma nuk po mund të çlirohet nga nacionalshovinizmi dhe hegjemonizmi i egërsuar mesjetar ortodoks. Nuk po munden të pajtohen në asnjë mënyrë se ka përfunduar koha e ‘’pacifikimit’’ të popujve me anë të dhunës. Dhe në fund duhet theksuar se filmi ‘’Marrëdhëniet Miqësore’’ do të jetë ‘’shërim mendor’’ edhe për serbët të cilët janë duke jetuar në ëndërra të mëtejme mesjetare dhe duke menduar se Kosova është akoma ‘’tokë serbe’’. Filmi paraqet interes të madh edhe për të gjithë ata të cilët akoma nuk e kanë kuptuar se çfarë rëndësie të madhe kishte për ne intervenimi ushtarak i aleancës Veri-Atlantike, por që edhe akoma mendojnë se në mënyrë të thjeshtë është dashur të ndodhë ajo që ka ndodhur.