E premte, 19.04.2024, 12:36 AM (GMT+1)

Mendime

Jonel Kristo: Pertej krizes se cmimeve

E shtune, 16.02.2008, 05:25 PM


Pertej krizes se cmimeve

Nga Jonel Kristo

Më duhet të jap një këndvështrim ndryshe për të njëjtin problem. Nga pikëpamja profesionale, si ekonomist, hapi i parë që mund të bëj është të mos limitoj diapazonin e krizës aktuale ekonomike vetëm në kuadrin e çmimeve të ushqimeve. Këto të fundit duhet të trajtohen si rrjedhoja absolute të natyrshme të disa veprimeve dhe mosveprimeve mbi ekonominë në tërësi, qoftë nga institucionet shtetërore, ashtu edhe nga sektori privat sipërmarrës, apo edhe nga vetë konsumatorët. Kjo do të thotë se fryrja e çmimeve nuk është shkaku i krizës, por pasoja. Natyrisht, diçka e tillë duhet të na çojë të llogarisim edhe pasoja të tjera që mund të vijojnë e të ndikojnë negativisht në mirëqenien sociale në tërësi.

Për t‘iu përgjigjur kësaj çështjeje, lipset identifikimi i shkaqeve reale që sjellin këto lloj krizash në përgjithësi, jo vetëm në kuadrin e çmimeve, por edhe të treguesve të tjerë makroekonomikë. Fillimisht, me marrëveshje të tërthortë duhet pranuar një e dhënë, një tregues, të cilit duhet t‘i supozojmë vërtetësinë. Rritja e Produktit të Përgjithshëm Bruto (PBB) për Shqipërinë është pozitive dhe nga Banka Botërore përllogaritet të jetë rreth 5%. Është rritje e pranueshme në kushtet në të cilat ndodhet ekonomia shqiptare, por problemi nuk qëndron këtu. PPB-ja është një tregues ku përfshihen shumë nëntregues më të vegjël dhe që në tërësi ndahen në tre sektorë kryesorë: ai bujqësor, industrial dhe sektori i shërbimeve.

Për Shqipërinë, rreth 23% e PBB-së totale vjen nga bujqësia, 19% nga sektori industrial dhe 58% nga sektori i shërbimeve. Vetëm ky fakt, në vetvete, na tregon se shpërndarja asimetrike e prodhimit kombëtar sjell për rrjedhojë shpërndarje po asimetrike të të ardhurave. Vrojtimi i dytë, ekskluziv i kësaj të dhëne, është pjesa që zë bujqësia në prodhimin kombëtar. Varfëria në Shqipëri është më e lartë në zonat rurale dhe arsyet për këtë mund të jenë shumëdimensionale. Ato variojnë nga standardi i jetesës, tek infrastruktura e dobët, mungesa e përpunimit të burimeve të prodhimit, e deri tek arsimimi i ulët dhe kujdesi i dobët shëndetësor. Gjithashtu, një fakt që shpesh anashkalohet, është se 57% e popullsisë shqiptare jeton pikërisht në këto zona rurale e që varet pothuajse tërësisht nga prodhimi bujqësor. Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë raporton se varfëria në këto zona është 66% më e lartë se në Tiranë dhe 50% më e lartë krahasuar me qendrat e tjera urbane.

Shkak madhor për këtë, krahas atyre që u përmendën më sipër, është edhe punësimi i pjesshëm i forcës punëtore në bujqësi. Kjo nxit këtë të fundit të kërkojë punë në sektorë të tjerë, duke e devijuar vëmendjen akoma edhe më tepër nga sektorët e amullt të ekonomisë. Përfundimi i kësaj logjike është se ekonomia shqiptare rritet në skemën madhore të gjërave, por rritet kryesisht në ato sektorë tanimë të bollshëm, si ndërtimet, pasuritë e patundshme, telekomunikacioni, e kështu me radhë. Kjo dallohet natyrshëm në peshën që zë sektori i shërbimeve në balancin total të PPB-së, 58%. Ky fakt është vështirë të kundërshtohet në kuptimin ekonomik, sepse derisa ka akoma vend për zhvillim të mëtejshëm, atëherë le të ndodhë.

Por përqendrimi skajor i investimeve dhe fondeve për zhvillim në segmente të caktuara të ekonomisë, rrezikon prapambetjen e sektorëve të tjerë po aq prospektivë dhe rritja që ndodh, e pranueshme siç është, nuk ndodh në sektorët e duhur. Mosakordimi i investimeve për fushat në nevojë, siç është bujqësia, sjell për pasojë atë çka ne po përjetojmë sot tek ato mallra të cilat janë fryte direkte të sektorit bujqësor. Rrjedhimisht, kur na mungon oferta vendase krijohet një deficit sasior në ekonomi dhe që dora e fshehtë e tregut mundohet ta stabilizojë me rritje të natyrshme të çmimeve për të përballuar kërkesën ekzistuese. Ky deficit kontribuon tërësisht në degradimin e tokave bujqësore dhe mungesës së vazhdueshme të investimeve infrastrukturore e institucionale në këtë fushë. Në këto kushte detyrohemi të mbështetemi te faktorë të jashtëm, si importi apo kontrollet fiskale, duke ia hequr vetes sonë privilegjin e të pasurit gjërat nën kontroll. Ajo që është akoma edhe më negative në këtë rast, është fakti se pavarësisht dëshirës patriotike për të mos lënë që diçka e tillë të ndodhë, cikli ekonomik do të vazhdojë. Pra është e qartë se shpërndarja joproporcionale e fondeve publike është shkaku kryesor i krizës se fundme të çmimeve.

Ekonomia shqiptare, përpara viteve 1990, varej pothuajse tërësisht nga prodhimi bujqësor dhe kishte një arsye madhore për këtë. Institucionet ekonomike, edhe pse të centralizuara dhe mendjembyllura, e kishin kuptuar se Shqipëria është vend agrar në tërësinë e saj gjeografike dhe ekonomike. Ky është një avantazh krahasues, që na e ka dhënë natyra e që nuk ka ndryshuar në 18 vjet tranzicion. Por, për arsye pak të qëndrueshme, ne e kemi zhvendosur vëmendjen në fusha të tjera dhe kemi ndaluar së prodhuari atë çka mund të prodhonim me rendiment më të lartë e efikasitet absolut: mallrat bujqësore. Nga zhvillimi njëanësor i ekonomisë përfitojnë vetëm ata që kanë lidhje me atë sektor, duke bërë që të ardhurat të rishpërndahen pjesërisht e të krijohen boshllëqe në zhvillimin makroekonomik. Pasojë direkte e këtij lloj inefikasiteti është deficiti dhe varfëria që jemi duke përjetuar. Por shkaqet e problemit nuk mbarojnë me kaq. Si epidemitë, deficitet në njërin sektor dhe mbivlerësimet në një tjetër, transmetohen në anë të tjera të ekonomisë dhe njëra nga këto anë është sistemi financiar, bankat. Për këdo që ka jetuar në Shqipëri këto 18 vitet e fundit, është e dukshme rritja e aktivitetit kredidhënës të shfrenuar të institucioneve bankare. Përpjesëtimisht, edhe kërkesa për blerje të pronave të patundshme është rritur tej mase, e përballuar nga njëra anë nga rritja gjithashtu e shfrenuar e ofertës së ndërtimeve.

Në marrjen e çdo kredie, të çdo forme, është e domosdoshme prania e një lloj sigurie (e njohur ndryshe si kolateral) që ul rrezikun e mospagimit. Ky kolateral merr forma të ndryshme dhe shpesh i ngjitet një prone tjetër të patundshme, ose një prone private apo reale. Në mungesë të një sistemi unik të regjistrimit të pasurive dhe pronave të patundshme, bëhet i vështirë vërtetimi i ekzistencës dhe vlerësimit të çmimit të një kolaterali, duke lënë kështu rrugën e hapur për spekulime të vlerës monetare të këtyre lloj aseteve. Për rrjedhojë, në rast mospagimi nga huamarrësit, bankat do ta gjejnë veten në kushte falimentimi dhe publiku shqiptar do të përballet me një tjetër krizë, atë bankare. Më pas, institucioni që rregullon bankat e nivelit të dytë, Banka e Shqipërisë, do të dojë t‘i shpëtojë këto banka duke futur më shumë para në qarkullim. Ky veprim, në vetvete, do të sillte inflacion akoma edhe më të madh dhe detyrimisht, recesion të sistemit ekonomik.

Po ku është zgjidhja, derisa identifikuam shkaqet e problemit? Është e qartë që një ekonomi që ka 18 vjet që funksionon me ngërçe, nuk mund të dalë nga to lehtësisht. Por mund të vërë në punë instrumente indirekte, që do e ndihmojnë të arrijë diçka të tillë në periudha afatmesme dhe afatgjata.

Së pari, është e nevojshme të rikonsiderohen prioritetet ekonomike me karakter gjithëpërfshirës. Alokimi i investimeve infrastrukturore dhe nxitja e investimeve direkte të huaja e vendase duhet të punojë në drejtim të zhvillimit bujqësor dhe përmirësimit të politikave agrare. Këto fonde duhet të përqendrohen në ato sektorë të ekonomisë, që aktualisht kanë potencial më të madh të sjellin kriza kombëtare sociale si kjo e fundit. Manovrat apo politikat ekonomike dhe fiskale që bëjnë të mundur tërheqjen e investimeve janë të shumta. Ato variojnë që nga krijimi i një ambienti të përshtatshëm fiskal, e deri te siguria fizike e infrastrukturore e çdo sipërmarrjeje. Përmbushëse e këtij qëllimi është gjithashtu ulja më e madhe e proceseve burokratike për regjistrimin dhe hapjen e një biznesi me karakter agrar. Në vazhdim, të gjitha politikat që ndikojnë ekonominë direkt ose indirekt duhet të përpilohen në kontekstin global, duke mbajtur parasysh se ekonomia shqiptare po ndikohet shpesh e më shpesh nga aktivitetet tregtare të vendeve të tjera. Në këtë pikë është e rëndësishme të bëhet një sqarim.

Kriza në tregjet financiare sekondare që kaluan vendet e zhvilluara në fillim të vitit 2008 nuk është në asnjë mënyrë e lidhur me krizën ekonomike të çmimeve në vendin tonë dhe as shkak i pjesshëm i kësaj krize. Kjo është për një arsye themelore: kriza jonë e çmimeve është krizë prodhimi dhe keqpërdorimi të burimeve natyrore e ekonomike, ndërsa kriza e vendeve të zhvilluara ishte krizë financiare në tregjet sekondare. Shqipëria nuk ka asnjë lidhje me këto tregje, thjesht sepse nuk merr pjesë në to, për shkak të mungesës informatike, teknike e ligjore (deri diku dhe arsimore). Prandaj mund të hiqet çdo hamendje se këto dy ngjarje janë të lidhura ekonomikisht me njëra-tjetrën.

Së dyti, nevoja për të pasur një sistem të vetëm qendror të regjistrimit të pasurive të tundshme dhe të patundshme është urgjente. Kjo masë do t‘u japë bankave mundësinë të vërtetojnë pronësinë dhe vlerën reale të atyre aseteve që ofrohen si kolateral nga kredimarrësit. Praktikisht, kjo reformë do të shpëtonte sistemin bankar nga arsyeja e parë prej së cilës zakonisht shkaktohet falimentimi: moskthimi i huave dhe do të mbronte më tej kreditë e dhëna. Kjo masë është pjesë e inteligjencës ekonomike, që lipset të krijohet në Shqipëri për vendimmarrje të informuara dhe racionale (ju ftoj të lexoni artikullin e Adrian Civicit të datës 10 shkurt 2008 mbi inteligjencën ekonomike). Mbi të gjitha, politikat monetare të Bankës së Shqipërisë do të mund të jenë shumë herë më të efektshme mbi tregun ku ato veprojnë dhe jo të japin efekte anësore negative në tregues të tjerë ekonomikë, duke limituar funksionin rregullator të këtij institucioni.

Së fundmi, është e nevojshme rritja e ndjeshmërisë popullore mbi faktin se çdo krizë ekonomike që ndodh në nivel kombëtar ka efekt kolektiv dhe herët ose vonë ndikon në mirëqenien e çdo qytetari. Zgjidhja utopike e kësaj ane të problemit do të ishte përfshirja aktive e qytetarëve, intelektualisht dhe financiarisht (me kapital), në vendimmarrje dhe sipërmarrje tregtare private apo/dhe publike. MJAFT-i mund të mendojë për pjesëmarrjen intelektuale. Ndërsa pjesëmarrja me kapital arrihet me anë të ngritjes së tregut sekondar financiar, nën të cilin kompanitë e krijuara do të kenë pronarë aksionerë në përpjesëtim të drejtë me kapitalin fillestar të ofruar në ngritjen e kompanisë. Kështu interesi për mbarëvajtjen mikroekonomike të sektorit privat, si dhe progresit makroekonomik të kombit në tërësi, do të zgjerohej duke përfshirë jo vetëm institucionet shtetërore, por çdo formë tjetër të organizimit qytetar. Në mënyrë të drejtpërdrejtë, jo vetëm që arrihet një sistem ekonomik më demokratik, por gjithashtu krijohet një marrëdhënie transparente bashkëpunimi mes hierarkive shtetërore dhe atyre sociale, në përmbushje të funksioneve përfaqësuese politike.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora